SHERADIN BERISHA: QYTETI ANTIK I APOLLONISË

Pashtriku.org, 26. 04. 2015 – Qyteti i Fierit shtrihet në pjesën jugore të Shqipërisë. Fieri nga veriu kufizohet me rrethin e Lushnjës, në lindje me rrethin e Beratit, në juglindje me rrethin e Mallakastrës, ndërsa në jug me rrethin e Vlorës. Ky qytet pas viteve ’90 të shekullit të XX numëronte 40 000 banorë, kurse sot, si rezultat i dyndjes së popullsisë nga rrethi i Mallakastrës dhe nga rrethet veriore të vendit, vlerësohet që shtimi i popullsisë të ketë arritur në 85 000 banorë.
12 km larg qytetit të Fierit, ndodhen rrënojat e qytetit antik të Apollonisë. Apollonia, pas Dyrrahut (Durrësit të sotëm), ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut. Apollonia, është ndërtuar nga pellazgo-ilirët për nder të perëndisë së tyre Apollon gjatë shekullit të VII p.e.s., ashtu sikurse dhe Dyrrahu – Epidamni, Lisi (Lezha) etj., dhe nuk është i vërtetë konstatimi i disa historianëve e arkeologëve shqiptarë, se ky qytet antik u themelua prej kolonistëve grekë, për faktin sepse rajoni i Egjeut (Greqia e sotme) përpara se të vinin grekët ka qenë i banuar nga pellazgët. Korinthasit (që mendohet se në viti 558 p.e.s, e kishin themeluar Apolloninë) kanë qenë fis pellazg. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi i shekullit VIII p.e.s. i ruajtur prej tyre, i cili është shkruar tërësisht në gjuhën pellazge/shqipe. (Për më tepër lexoni: Luftulla H.Peza&Liljana Peza: Dritë e re mbi pellazgët dhe gjuhën e tyre, ribotim 2013). Në Apolloni ruhen shumë mure pellazgjike, të cilat s’kanë asnjë lidhje me kulturën greke.

Ndërkaq historiani Dr.Aref Mati (Mathieu Aref) në librin “Shqipëria (historia dhe gjuha) Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”, Tiranë, Plejad 2007, faqe 13 – shkruan: “Të gjithë autorët e lashtë, ndër të cilët: Homeri, Hesiodi, Hekate i Miletit, Akusilaos, Hellanikos, Herodoti, Tuqididi ose Efori, na bëjnë të ditur shkurtimisht, por mjaftueshëm, se, përpara mbërritjes së grekëve, vendi që do bëhej Greqi ka qenë i banuar nga Pellazgët. Ata, gjithashtu, pohojnë se këta Pellazgë nuk ishin Grekë, por “barbarë”, d.m.th nuk flisnin greqisht dhe, së fundi, se ata u lanë trashëgim grekëve një pjesë të madhe të kulteve dhe të perëndive të tyre. Asgjë më shumë se kjo nuk do të mjaftonte për të na bindur, se përpara mbërritjes së helenëve ka ekzistuar një qytetërim i madh jo – grek”.
***
Apollonia lulëzimin më të madh e njohu në shek. IV – III p.e.s. Në këtë kohë qyteti u shtri në të gjithë faqen perëndimore të kodrës dhe u rrethua me një mur mbrojtës 4 km të gjatë. Nga ndërtimet kryesore veç mureve rrethuese u ndërtua: portiku i agorasë, teatri, një çezmë monumentale, gjimnazi etj. Në shek. I – III e.s qyteti përjetoi një periudhë të dytë ndërtimesh intensive, si tempullin e Agonotetëve, odeonin, bibliotekën dhe një sërë banesash të zbukuruara me mozaikë. (Merita Dollma: Trevat shqiptare, Tiranë 2008. fq.95) 

***
Apollonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apoloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Cezari, nipi i tij Oktavian Augusti studionte oratorinë në Apolloni. Kronikat romake tregojnë sesi ai me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Cezarit u nis me një anije nga Apollonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar duke e liruar Apoloninë nga të gjitha taksat. Qyteti i Apollonisë në kohën e Oktavian Augustit u shpall qytet i lirë, dhe i mbrojtur dhe këtë privilegj e kishte deri më 213 të erës sonë. Po këtë vit (213) me ediktin e Karakallës që i trajtonte njëjtë të gjitha qytetet dhe njerëzit e perandorisë, Apolonia e humbi pavarësinë e saj dhe u kthye në të njëjtat pozita si qytetet fqinje. Më 234 të erës sonë një tërmet shkatërroj qytetet e bregdetit lindorë të Adriatikut. Nga tërmeti edhe Apollonia kishte marrë një goditje të fortë, për faktin sepse Lumi Vjosa kishte ndryshuar shtratin e vetë, duke e shkëputur kështu qytetin nga deti. Lumi kishte qarë në drejtim të fshatit Boçovë rreth 6 km nga Apollonia ku ruhen edhe sot gjurmët e tij me emrin e lumit Sllanik. Në këtë mënyrë qyteti mbeti pa port dhe pa lidhje me detin. Tani lumi Vjosa po ushqente një tjetër qytet, Bylisin. Goditja rezultoi fatale në një epokë ku i gjithë aktiviteti tregtar zhvillohej në lidhje me detin. Në shek. III të erës sonë Apolonia fillon ta humbë edhe rëndësinë e saj ekonomike, këtë e dëshmojnë edhe monedhat e prera të kësaj kohe, të cilat paraqesin në shpinë të saj lumin Vjosa. Kriza e sistemit skllavopronarë dhe shthurja e Perandorisë Romake bëri që qyteti i Apollonisë të mos e merrte më veten. Dhe kështu Apollonia nga një qyteti i zhilluar shndërrohet në një qendër të thjeshtë fetare. Ai ruan rendësinë si qendër peshkopale deri në shek. V të erës së re. Në shek e VI duhet të ketë qenë peshkopi personaliteti i fundit që e braktisë Apolloninë duke u vendosur në Bylis.
GËRMIMET ARKEOLOGJIKE NË APOLLONI
Gërmadhat e Apollonisë janë zbuluar në fillim të shek. XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës pellazgo-ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbeturina të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.
Në vitet 1824-1838, në këtë qytet, ka zhvilluar kërkime një mision arkeologjik francez. Misioni drejtohej nga arkeologu Leon Rei. Më vonë kërkimet janë bërë nga arkeologët shqiptarë. Arkeologu i parë shqiptar, i cili u angazhua në gërmimet në Apolloni ishte Hasan Ceka, ndërsa vitet e fundit, nga një mision i përbashkët shqiptaro-francez. Arkeologët e quajnë Apolloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm afër 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.
Hulumtimet e para për Apolloninë i kemi nga studiues dhe shtegtarë të huaj në gjysmën e parë të shek XIX. I pari studiues që e ka vizituar Apoloninë është Pouqueville në vitin 1806, i cili na kumton për gërmadhat e këtij qyteti antik. Pastaj W.M.Lake në veprën “Travels in northern Greece”, ndër të tjera përshkruan skulpturat, mbishkrimet, murin rrethues dhe një tempull në Kryegjatë. Nga ky tempull ka mbetur vetëm një shtyllë në këmbë dhe që është dëshmia e vetme. Pak kohë pas vizitës së tij, Ibrahim pashë Vrioni rrëmbeu gurët e tempullit për të ndërtuar sarajet e veta në Berat. Peshkopi grek i Beratit, Anthimi, vjen në Apolloni dhe grabit skulpturat dhe objektet antike që gjendeshin në Manastirin e Shën Mërisë, një pjesë të madhe të tyre ai e nisi për në Greqi. Këto lëvizje nuk i ikën luanit të Janinës Ali pashë Tepelenës. Sipas një dëshmie të kohës ai dërgoi në Apolloni njerëz për të gërmuar, dhe dy statuja të gjetura i dërgoi në Berat. Në vitin 1861 shkel në Apolloni arkeologu i parë Leon Heuzey i cili ishte i ngarkuar nga Napeoloni III që të studionte veprimet luftarake të Cezarit në Iliri. Nëpërmjet L. Hezey-it shtohen njohurit mbi Apolloninë sidomos nga skulptura dhe mbishkrimet.


Arkeologu francez Léon Rey (1887 – 1954)


Gërmimet arkeologjike në Apoloni – nga arkeologu Leon Rey.

***
Gjatë luftës së Parë Botërore erdhën në Shqipëri Arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober. Prashnikeri vepronte në Apolloni në vijën e parë të frontit, nën goditjen e artilerisë italiane. Prashnikeri zhvilloi gërmime në murin rrethues të anës lindore, të ndërtuar në periudhën klasike, me një bazament gurësh dhe strukturë qerpiçësh. Gjithashtu, Prashnikeri bëri kërkime për tempullin në zonën e Temenosit, gërmoi në banesat e anës perëndimore, dhe hapi disa varre në nekropolin tumular të qytetit. Ai gjithashtu bëri edhe botimin e disa skulpturave dhe mbishkrimeve që ruheshin në manastirin e Apolonisë, ku disa prej skulpturave i dërgoi për në Vjenë. Rezultatet e kërkimeve të tij u botuan në serinë akademike austriake me titujt “Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro” (Wien 1919; C.Praschniker, Muzakia und Malakastra, Wien 1920).
***
Në vitin 1924 deri 1944 në Apolloni fillon gërmimet një ekip francez i udhëhequr nga Leon Rei, i cili në përjashtim nga arkeologët e tjerë zhvilloi gërmime së bashku me arkeologun shqiptar Hasan Ceka. Ai i përqendroi gërmimet në pjesën më të lartë të qytetit, në anën perëndimore të kodrës ku gjendeshin rrënojat e një tempulli arkaik. Stoa me gjatësi 78 m, më një arkitekturë të veçantë dhe e ruajtur në tërë katin përdhe. Në nishet e saj ai gjeti katër shtatore dhe tri koka të bukura. Pas zbulimit të stoas, Rei u orientua në drejtim të agoras ku në shpatin e kodrës ai zbuloi teatrin, të cilin e quajti Odeon. Përballë Odeonit, e ndarë nga një hark triumfi, ngrihej ndërtesa e bulesë, me një fasadë monumentale, pjesa më e madhe e së cilës e rrëzuar nga një tërmet. Mbi bazën e këtyre objekteve, bashkëpunëtorët e Reit bënë një rikonstruksion të ndërtesës dhe arritën të lexojnë mbishkrimin e antablementit, i cili lidhej me dy vëllezër, nga familja e Villëve. Të dy këta ishin agonotetë (njerëz që merreshin me organizimin e shfaqjeve për publikun), dhe prandaj Rei e pagëzoi ndërtesën “Monumenti i Agonotetëve”.
Një tjetër zbulim më rëndësi i Reit ishte edhe muri i tarracimit, që të çonte për në tempullin kryesor të qytetit të vendosur në majën e kodrës. Nga ky tempull ai nuk gjeti veçse pjesë të bazamentit, por edhe një reliev të gjysmës së II të shek IV p.e.s. që paraqiste amazonomahinë (luftën e fisit të grave luftëtare, amazonave, me grekët). Me interes ishin zbulimet në nekropolin e qytetit, ku ai ndeshi varre me materiale korintike më të herëshme se data tradicionale për themelimin e Apolonisë (588 p.e.s). Rezultatet e gërmimeve të misionit francez në Apolloni u botuan në gjashtë numra të revistës “Albania” (1927-1939), e cila u mbyll së bashku me gërmimet.
Pas pushtimit fashist u bë një përpjekje për të vazhduar gërmimet në Apoloni më 1941 nga një mision italian i drejtuar nga C. Sestieri. Ai zbuloi një ndërtesë me oborr qendror në anën jugore të qytetit, jo larg mureve të manastirit të Shën Mërisë. Forma planimetrike dhe gjetja tullave me vulën “gimnasiou”, i dhanë atij shkak të identifikonte një nga gjimnazet e Apolonisë. Ekspedita italiane gërmoi edhe në murin rrethues, si dhe zbuloi një tempull “in antis” të kohës perandorake në nekropolin e qytetit.
Me këtë përfundon etapa e parë e gërmimeve arkeologjike në Apoloni ku të gjitha gërmimet u kryen nga arkeologë të huaj, të cilët pjesën më të madhe të materialit e morën me vete.

***
Lufta nuk kaloi pa u ndier edhe për arkeologjinë shqiptare, gjatë luftës së vitit 1939 u grabitën pothuaj të gjitha objektet e zbuluara në Apolloni. Gjithashtu kjo qendër që kishte një rëndësi të veçantë strategjike, pësoi dëmtime nga instalimet ushtarake gjermane.
Më 1947 u krijua Muzeu Arkeologjik Etnografik pranë Institutit të Shkencave, ku arkeologët Hasan Ceka dhe Skënder Anamali grumbulluan materialet arkeologjike që kishin shpëtuar nga koleksioni i Bibliotekës Kombëtare dhe nga koleksionet private. Në vitin 1948 u organizua edhe ekspedita e parë arkeologjike e cila u vendos në Apoloni në godinën e dikurshme të misionit arkeologjik francez.
Në këtë kohë gërmimet kryheshin nga arkeologë shqiptarë, sepse pushteti komunist nuk lejonte asnjë të huaj të merrte pjesë në gërmime. Gjatë viteve 1958-60 në Apolloni fillon gërmimet ekipi shqiptaro-sovjetik nën udhëheqjen e S. Islami dhe H. Ceka nga ekipi shqiptar si dhe V. Blavatskin nga ekipi sovjetik.
Gjatë këtyre gërmimeve u zbuluan plotësisht: bastioni i madh në murin lindor të qytetit, tempulli i Dianës dhe Prytaneioni pranë Monumentit të Agonotetëve, një godinë banimi pranë manastirit dhe një banesë e madhe me 13 dhoma, e shtruar me mozaikë në anën perëndimore.
***
NEKROPOLI I APOLLONISË

Gërmimet në Nekropolin e Apollonisë kanë nisur fillimisht në zonën jugore dhe atë lindore të qytetit të lashtë, të cilat janë të njohur për numrin e madh të tumave që shtrihen nga lugina e Kryegjatës deri në territoret më në lindje të fshatit të Radostinës. Në vitet ’50 tumat janë hulumtuar nga Hasan Ceka dhe Skënder Anamali, dhe në vitet ‘80 nga Vangjel Dimo. Gërmimet në Nekropolin e Apollonisë kanë vijuar në vitin 2002, 2005 e 2006…
***
Nga fillimi i shkurtit deri në mes të marsit të vitit 2002 u zhvillua gërmimi i anës lindore të kurrizit, ku ishte e qartë se një tumë (e quajtur Tuma 9) ishte dëmtuar nga banorët gjatë nxjerrjes së zhavorrit. Arkeologët kanë kanë konstatuar se, varret kishin drejtime të ndryshme. Orientimet e preferuara ishin drejt jug-lindjes dhe jug-perëndimit, të ndjekura nga perëndimi, veri-perëndimi, jugu dhe në fund veri-lindja. Vetëm në një rast skeleti ishte orientuar nga lindja në veri. Varret përfshinin pothuajse të gjithe llojet e njohura nga gërmimet e mëparshme në nekropol: sarkofage, enchytrismoi, varre të ndërtuara me tulla-qerpiçi dhe tulla, gropë e thjeshtë dhe urna.
***
Gjatë marsit dhe prillit të vitit 2005 nisi gërmimi i Tumës 10 në nekropolin e Apollonisë. Tuma është e vendosur afërsisht 30 metra në perëndim të Tumës 9, në gjysmën e kurrizit në lindje të Tumës 9, një tumë tjetër në perëndim të saj vazhdon një lloj zinxhiri tumash të lidhura me njëra tjetrën. Gjithashtu Tuma 10, si dhe Tuma 9, ka qënë dëmtuar shumë keq gjatë marrjes së materialit bruto nga makineri të rënda dhe më pas është grabitur. Tuma 10 ka dhënë rezultate të papritura: varre të Epokës së Hekurit dhe madje edhe të Epokës së Bronzit, që domethënë më herët se të fillim shek. 6-të p.e.s. Asnjë tumë tjetër e gërmuar deri tani në nekropolin e Apollonisë nuk ka të njëjtat karakteristika si Tuma 10. Gërmimi i kësaj tume pa dyshim ka hapur një kapitull të ri në historinë e Apollonisë dhe të territorit përpara shek. VI’të p.e.s. Objektet e varreve të një rëndësie të tillë dhe të një date kaq të hershme tregojnë se këtu ka jetuar një popullsi e hershme…
***
Hapësira ndërmjet Tumës 9 dhe Tumës 10 është gërmuar gjithashtu në vitin 2005, në dy platforma të quajtura Appendix 1 (më afër Tumës 9) dhe Appendix 2 (më afër Tumës 10)
***
Në mars dhe prill të vitit 2006, përgjatë tetë javëve, u plotësua gërmimi i pjesës perëndimore të kurrizit ku ndodhen Tuma 9, Appendix 1, Appendix 2, dhe Tuma 10. Kjo pjesë përbën tumën e tretë dhe të fundit të ruajtur, e cila u quajt Tuma 11 dhe hapësira ndërmjet Tumës 10 dhe Tumës 11, u zbulua një platformë me përmasa përafërsisht 20m V-J x 9.5m L-P, e cila u quajt Appendix 3. Kjo platformë është e kufizuar në perëndim nga Sektori 1 i Tumës 11 dhe në lindje nga Sektori 3 dhe pjesërisht nga Sektori 4 i Tumës 10. (Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare)

***
MUZEU ARKEOLOGJIK – APOLLONIA
Muzeu Arkeologjik – Apollonia, u hap në vitin 1958 në mjediset e Manastirit të Shën Mërisë mbi fshatin Pojan, i cili mendohet të jetë ndërtuar në shek. XIII, brenda qytetit të Apollonisë. Kisha e Shën Mërisë në Apolloni është një nga monumentet më të rëndësishme arkitektonike të kultit mesjetar në Shqipëri. Është një kishë bizantine, mesatare për nga madhësia, e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Ndryshe nga kishat e tjera bizantine në Shqipëri, që janë të tipit provincial, ky monument dallohet nga to, sepse ka një hapësirë ndërmjet apsidës dhe krahut lindor të kryqit, shenjë kjo e një ndikimi të qartë nga kryeqyteti (Konstandinopoja). Kisha përbëhet nga ekzonarteksi (portiku), narteksi, naosi dhe ambient i altarit. Pranë kishës në anën veriore është një paraklis i vogël që sipas gojëdhënës i atribohet Shën Mitrit. (MTKRSSH: Manastiri i Shën Mërisë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë).
Muzeu Arkeologjik – Apollonia, në fillim ekspozonte materialin arkeologjik të grumbulluar para e pas Luftës së II’të Botërore. Zbulimet e reja që u kryen gjatë viteve 1958 – 1960 bënë të mundur riorganizimin e ekspozitës së Muzeut, më 1961. Kërkimet sistematike arkeologjike të dhjetëvjeçarëve pasardhës në Apolloni, kërkuan ristrukturimin e tij (disa herë), ku vend të veçantë zë ai i vitit 1985 kur Muzeu Arkeologjik – Apollonia rikonceptohet tërësisht, duke pasqyruar historinë e kulturën e qytetit nga lindja deri në rënien e tij. Organizimi dhe ekspozimi i materialit arkeologjik nëpërmjet kombinimit të kriterit kronologjik me atë tematik duke dhënë aspekte të ndryshme të jetës së qytetit si krijimi i tij, marrëdhëniet me ilirët, organizimi politik, zejtaria, tregtia, vera dhe pija, gruaja dhe fëmija, arsimi dhe kultura, arti, lufta, varrezat etj., i kanë shtuar vlerat e muzeut dhe vizitori arrin të marrë informacion të plotë për historinë njëmijëvjeçare të qytetit, prej shek.VI p.e.s deri në shek IV të e.s. Ndërtimet monumentale në Apolloni si tempujt, bulea, biblioteka, odeoni, teatri, shëtitorja, sistemi i fortifikimit, i furnizimit me ujë (nimfeu), banesat e zbuluara në qendër të qytetit përreth muzeut, ofrojnë një muze të hapur në natyrë duke plotësuar përfytyrimin e vizitorit për këtë qytet antik. (Udhërrefyesi muzeumeve shqiptare)
Pas viteve ‘90’të, një pjesë e objekteve të Muzeut Arkeologjik të Apollonisë u shkatërruan ose u vodhën. Në vitin 1991 me qëllim të ruajtjes së objekteve arkeologjike, muzeu mbyllet. Pas mbylljes së muzeut, një pjesë e madhe e objekteve u dërguan për ruajtje në fondet e Institutit Arkeologjik të Tiranës. Ndonëse në ambientet e këtij muzeu kishte 30 vjet që nuk ishte vënë dorë për rikonstruksionin e tij, më në fund në vitin 2009 – Instituti i Monumenteve të Kulturës u kujtua që ta bëjë një projekt për forcimin dhe rikonstruksionin e ndërtesës së muzeut. Projekti i rikonstruksionit, u financua nga qeveria spanjolle në kuadër të fondit spanjoll për mijëvjeçarin, në bashkëpunim me Zyrën e UNESKO-s dhe në dhjetor 2011 (pas 20 vjetësh) muzeu rihapi dyert për vizitorët.
Muzeu arkeologjik sot ka një sipërfaqe prej një mijë metra katrorësh dhe 25 stenda, në të cilat ekspozohen rreth 800 objekte arkeologjike të përmasave të ndryshme, që nga skulpturat, enët antike, monedhat, objektet e qelqit, ato metalike etj. Gjithashtu në galerinë e pafund të objekteve të gjetura dhe tashmë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Apollonisë gjenden skulptura nga më të ndryshme si, portrete aristokratësh, gladiatorë, portrete vajzash, gurë varresh me gdhendje, vegla pune, figura kafshësh, kalorësa, luftëtarë, peizazhe natyrore e objekte të tjera arkeologjike.

***
APOLLONIA PARK ARKEOLOGJIK KOMBËTAR

Nga viti 2005, Apollonia kjo qendër arkeologjike e Shqipërisë funksionon si park arkeologjik kombëtar, dhe është i hapur për tu vizituar nga turistë vendas dhe të huaj. Ndërkohë që çdo verë aty zhvillohen ekspedita arkeologjike, të cilat së bashku me muzeun dhe Manastirin mesjetar, krijojnë të gjitha kushtet, që në këtë “qytet antik” të zhvillohet një turizëm i mirëfilltë kulturor e historik. Ҫdonjëri prej atyre që vjen këtu për herë të parë, nuk mund t’i shkojë mendja, sesi kanë qenë monumentet e Apollonisë, atëherë kur kazma e arkeologut nuk kishte nisur të trokiste në tokë. Me interes të madh për vizitorin në Apolloni janë: Qendra monumentale apo siç quhej në antikitet Agora, monumenti i Agonotetëve (Buleterioni), Tempulli i Dianës, Odeoni (Teatri), Biblioteka, Shetitorja A dhe B, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë etj. Territori i madh i mbuluar me monumente kulturore – historike, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë, pozita e favorshme gjeografike e qyteteve të mëdha në njërën anë dhe plazhet e jugut nga ana tjetër, Parkun Arkeologjik – Apollonia, e bëjnë një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor, historik etj., në Shqipëri.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura