(Bukuresht, 17. 05. 2012) – Duke lexuar shkrimin e Arben Llallës – Neo nazistët grek të “Agimit të Artë” i quanin dikur shqiptarët vëllezër dhe sllavët armiq, më erdhën njëkohësisht disa ide që më futën thellë në mendime. Për çfarë bëhej fjalë në të: një parti neonaziste në Greqi paska fituar 21 vende në parlament. Deri këtu nuk habitem, pasi në situatën e krizës greke ishte e parashikueshme një gjë e tillë. Ajo që më trishtoi është se kjo parti që na ka dalë në shesh, është e njohur si parti neofashiste, dhe përdor simbolet shqiptare , na ”mbron” një të vërtet historike të mohuar nga qarqet politike greke, qënka ”proshqiptare” në mënyrën e vet. Ata propagandojnë se – Grekët dhe Shqiptarët, janë një popull, një racë, një atdhe.. Mirë kjo, më në fund e vërteta po pohohet nga vetë grekërit, po pse kjo e vërtet e mohuar duhet të lidhej me neofashizmin, me përshëndetjen alla romana (Ave Cezar, Hail Hitler), kur ne shqiptarët përshëndesim me dorën e djatht në zëmër dhe e gjith kjo komedi politike, ndodh pikërisht në Greqin e shekullit 21, në vëndin ku u masakruan dhe u dëbuan shqiptarët e pagreqizuar, në vëndin ku çamët mohohen dhe nuk lejohen, ndalohen në kufi.
Si u kujtuan grekët se kanë origjinën shqiptare? Si hoqën dorë nga kryqi bizantin dhe ngritën shqiponjën me dy krerë?
Kjo është çudia ime e dytë për këtë vit, pasi e para ishte mbasi morra vesh se dhe sërbët (Akademia sërbe), kohët e fundit janë deklaruar me origjinë ilire. Po jetojmë kohë të ngatëruara, grekrit dhe sërbët po na dalin shqiptarë, kurse shqiptarët për pak po na bëhen ”europianista”, ndërsa ata të të tjerët po na dalin vehabista, islamista që duan Babën (turkun).
___________________________
DOKUMENTAR – GREQIA SHTET I SHQIPTARËVE
__________________________________________
Çamët dhe shqiptarët në Greqi, u konsideruan si bashkpuntorët e gjermanëve gjatë luftës së dytë botërore, prandaj dhe ju morrën pronat, u zbuan, u masakruan, paçka se Zerva ishte ai që kishte marrveshje me ushtrinë gjermane. Për këto pretekste shteti grek mban akoma dhe ligjin e luftës me Shqipërinë, vallaha kjo na e paska sulmuar Greqinë. Në tekstet e shkollave greke mësohet se shqiptarët paskan pushtuar Vorio-Epirin dhe tani na dilka se qënkan vetë shqiptarë. Ku do çojnë tani gjithë atë demagogji 150 vjeçare antishqiptare?
Kam frikë se grekët pasi shkombëtarizuan shqiptarët, u ndruan gjuhën, u vodhën folklorin, historinë, tani duan të na marrin dhe ato pak gjëra që na kanë mbetur, si për shëmbull flamurin. Nuk qënka e rastit që Kosovës iu dha një flamur me yje, nesër kur të fusin dhe Shqipërinë në BE do i thonë ta ndrojë dhe ajo flamurin dhe emrin se këto na i paska zënë Greqia përpara. A nuk po e bllokojnë Maqedoninë për punë emri? Greqia duke qënë se u ngrit si shtet mbi tokat shqiptare dhe formoi popullin e vet duke zhbërë shqiptarët, në çdo moment mund të kujtohet dhe të thotë se Shqipëria e vërtet ndodhet në Greqi, prandaj nuk mund të kemi shtet tjetër shqiptar në Europë. Ky është një supozim i imi, ndoshta dhe nuk ndodh kështu, të shohim!
Ajo që më duket më e rrezikëshme është se kjo propagandë po del në emër të një partie neofashiste. Në mënyrë të pandërgjegjëshme do ketë njerëz në Greqi që do lidhin të qënurit shqiptar i Greqisë me fashistët, pra shqiptarët janë fashista. A nuk e kanë përdorur këtë absurditet dhe më parë? Më duket se po formulohet një strategji e re, një demagogji e re kundra shqiptarëve. Po pregatitet një opinion i ri kundra shqiptarëve, për tu shkarkuar barën e krizës së tyre dhe për të nisur një fushat të re antishqiptare nëpër Europë . Mos duan ti thonë botës se helenët janë ”qingja” të urtë, por ja që kanë dhe ca shqiptarë fashista në Greqi, të cilët po u hapin probleme Europës. Pra kanë gjetur thëmrën e Akilit, çelsin e problemit, shkakun e krizës, justifikimin e ardhshëm për çfarëdo që do ndodhi në Greqinë e ish PB (Problemi i Ballkanit) , që tani është kthyer në PE (Problemi i Europës). Pra jo grekërit kanë shpërdoruar fondet europiane, jo grekërit kanë futur Europën në situat delikate pa rrugëdalje, por janë shqiptarët e greqisë, arvanitasit, fashistët, ata janë fajtorët. Ata jo vetëm që kanë shkaktuar krizën, por dhe nuk pranojnë masat shtrënguese që po u imponon Europa. Kështu, dy partitë e mëdha greke, Pasoku dhe Demokracia e Re, nuk i gjetën zgjidhje krizës, atëhere hapën dyert e parlamentit për këtë parti fashisto-shqiptare, që nesër të kenë kujt tja hedhë fajin dhe vetë të dalin faqebardhë, progrek dhe proeuropian. Lojë e fortë kjo, politikë jo shaka, me perspektivë!
Një hamëndje tjetër më thotë se këta luajnë në dy drejtime. Po qe se kjo parti shqiptaro-fashiste zë rrënjë dhe përhapet shumë, merr shumicën e votave (po qe se kriza thellohet më tej ) dhe Greqia do përjashtohet nga Shengeni me siguri, atëhere këta po krijojnë kushtet, po pregatiten për të rritur pretendimet e tyre teritoriale në drejtim të Shqipërisë. Ndoshta puna e Vorio-Epirit është vetëm hapi i parë për pushtimin e plotë të Shqipërisë. Grekët fillimisht do përvehtësojnë kauzën tonë kombëtare të bashkimit të trojeve shqiptare, që më vonë në emër të saj rrisin teritoret e Greqisë. Me klasën politike që kemi, asgjë nuk do më çudiste. Po u hodhën ca kacidhe çdo gjë bëhet e mundur. Kjo parti ka kohë që propagandon teorinë e saj, por askush nga klasa politike shqiptare nuk ka protestuar dhe askush nuk është marrë seriozisht me këtë punë, për të demaskuar lidhjen midis shqiptarëve dhe neofashizmit grek. Sot kjo parti hyri zyrtarisht, legalisht në parlamentin grek, nesër do hyjë në atë shqiptar. Asnjë gazet shqiptare nuk e komentoi këtë fakt, censura shqiptare veproi me efikasitet. Asnjë parti politike apo organizat shoqërore nuk u preokupua dhe nuk u shqetësua nga ky fakt, nga ky fenomen i ri në arenën politike të shtetit fqinj, me të cilin ndodhet akoma në gjëndje lufte.
I gabuar qofsha unë, por nuk më duket aspak shënjë e mirë, dalja e këtij lojtari të ri në skenën politike greke, i cili mbart gjithfarëlloj ngarkesash ultranacionaliste destabilizuese për krejt rajonin e Ballkanit.