UK LUSHI: MARK GJONAJ – SHPRESA SHQIPTARE E POLITIKËS AMERIKANE

(New York, 31. 07. 2012) – Për gati një shekull e gjysmë ekzistencë komuniteti i shqiptarëve të Amerikës ka dhënë me qindra personalitete të dalluara në biznes, avokati, kulturë, shkencë, sport, zbavitje dhe ushtri. Ky komunitet, i vogël po i gjallë, arritjen më titanike e ka realizuar në politikën amerikane ku ka ndikuar në mënyrë vendimtare që Washingtoni të mbështesë energjikisht krijimin dhe ndërtimin e shteteve shqiptare në Ballkan. Mund të tingëlloj si paradoks, porse i tërë ky lobim është bërë pa praninë e shqiptarëve të Amerikës në institucionet politike të shtetit më të fuqishëm në botë. Kjo ka ndodhur pak për shkak të preokupimit me çështjen shqiptare në tokat e origjinës dhe pak për shkak të plogështisë politiko-organizative.
Sido që të jetë, viteve të fundit nga komuniteti megjithatë ka lajme të mira. Shqiptarët e Amerikës janë aktivizuar politikisht dhe me dhjetra prej tyre janë duke kandiduar për t’u bërë titullarë të zyrave përfaqësuese dhe vendimmarrëse në institucionet e shtetit amerikan. Bazuar sidomos në profesionalizmin e fushatës, nga të gjithë pretendentuesit, njëri është më shpresëdhënësi dhe në ngritje e sipër të shndërrohet në yll të politikës amerikane. Ai quhet Mark Gjonaj.

MARK GJONAJ

………………………………………………

Gjonaj, i biri i dy prindërve shqiptarë nga Ulqini, lindur në vitin 1968 në qarkun e Bronksit në Nju Jork, shitblerës patundshmërishë, pronar i qindra apartamenteve dhe ndër aktivistët më të sukseshëm shqiptaro-amerikanë, i ka vënë vetvetes synim të bëhet përfaqësuesi i Zonës Zgjedhore 80 në Asemblenë e shtetit të Nju Jorkut në Albany. Strategjikisht ai është përcaktuar të testojë ujërat e politikës së shtetit të Nju Jorkut sëpari.
Suksesi në biznes mund të jetë arsye për komoditet dhe ngurrim për angazhim politik për shumë njerëz; por jo për Gjonajn. Ai në deklarimet publike si motive kryesore të kandidimit të tij ka përmendur dy: dëshirën t’u jep prapa banorëve të zones ku ai i ka arritur sukseset e tij afariste dhe nevojën që komuniteti shqiptaro-amerikan të ketë pjesëtarët e tij në zyrat e shtetit amerikan të cilit i paguan taksa dhe obligime tjera.
I vetëdijshëm për indiferencën dhe moskokëçarjen politike të një pjese të shqiptaro-amerikanëve mbi sistemin politik amerikan, si asnjëherë më parë në historikun e komunitetit, Gjonaj ka organizuar disa tubime të shkëlqyeshme informative dhe edukative për nevojën dhe rëndësinë e regjistrimit të të gjithë shtetasve amerikanë me prejardhje shqiptare në listat e votuesve. Kandidati premtues përgjatë fushatës ua ka shpjeguar votuesve, dhe veçanërisht atyre me prejardhje shqiptare, natyrën duale të të qenit qytetar duke thënë që të jesh qytetar do të thotë që, përveç detyrimeve, të kesh edhe të drejta. Gjonaj i ka rikujtuar shtetasit me të drejtë vote që tatimet që ja paguajnë shtetit janë para të tyre dhe politikanët duhet vetëm të zbatojnë vullnetin se si duan qytetarët t’u shpenzohen paratë publike. Gati në çdo paraqitje elektorale Gjonaj u ka përsëritur shqiptaro-amerikanëve që nëse duan fuqizim dhe pjesën e tyre të financimit shoqëror ata duhet të regjistrohen dhe të dalin në votime për të vendosur se kush dëshirojnë të jetë përfaqësuesi i tyre në kryeqytetin e shtetit të Nju Jorkut-Albany. Sipërmarrësi i patundshmërive i ka ftuar shqiptarët që të fillojnë e përqëndrohen në pozitën e tyre brendapërbrenda sistemit ekonomiko-politik amerikan, sepse, duke u integruar sa më mirë në Amerikë, ata do të kontribojnë edhe më fort pikërisht për popullin shqiptar në Ballkan. Me pasion dhe zgjuarsi, Gjonaj ka këmbëngulur që shqiptarët e Amerikës më në fund, në vend se të mbledhin para për shoqata dhe asociacione komunitare nga paratë personale, duhet të bëhen drejtues dhe punëtorë të zyrave ku vendoset për financimin e çerdheve, shkollave, agjensive të punësimit dhe shtëpive të pleqve për fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit që jetojnë dhe punojnë në Zonen Zgjedhore 80. Sipas Gjonajt shqiptaro-amerikanët sikur komunitetet tjera ekonomike duhet të shfrytëzojnë privilegjin që të kenë shumicën e këtyre shërbimeve dhe institucioneve edhe në gjuhën shqipe.
Gjonaj ka fituar përkrahjen e shumë votuesve me prejardhje italiane, irlandeze, hebreje, afrikane, kineze dhe hispano-latine, të cilët angazhohen dhe bëjnë punë vullnetare për fushatën. Ka disa vite qëkur politikani i ri nga Bronksi ka krijuar një rrjet fantastik të lidhjeve politike në nivel lokal dhe federal, mirëpo asembleistja në detyrë–Naomi Rivera– është një kundërkandidate që i takon kastës së politikanëve karrieristë dhe mbështetet nga krihët e pushtetshëm të babait dhe vëllaut të saj – Joel dhe Jose Rivera, të dy anëtarë të rrethit të brendshëm të aparatçikëve të Partisë Demokratike. Në fakt, kjo ndërlidhje familjare dhe mungesa e rezultateve për banorët e Zonës 80 nga ana e zonjës Riviera kanë qenë shtysa shtesë pse Gjonaj kishte marrë vendimin të kandidonte. Mark Gjonaj si demokrat dhe njeri që ka zgjidhur me mijëra probleme gjatë punës së tij si menaxher dhe shitblerës nuk mund ta pranojë që dikush pa rezultate dhe pa e merituar të avancohet në karrierë dhe, për më keq, të vendosë për fatin e qindra mijëra qytetarëve dhe investimeve të tyre. Gara nuk do të jetë e lehtë.
Sipas të dhënave të censusit federal nga viti 2000, në Zonën Zgjedhore 80, e cila përfshinë lagjet Mosholou Parkway, Pelham Gardens, Pelham Parkway, Allerton dhe Morris Park, jetojnë rreth 9500 shqiptaro-amerikanë. Nuk mund të mohohet kontributi financiar i shumë shqiptaro-amerikanëve dhe pjestarëve të etnive tjera në organizimet fondmbledhëse për fushatën e Gjonajt, por ndihmën më të madhe atij ia ofrojnë ata që regjistrohen për votim deri 30 ditë përpara datës 13 shtator 2012, që është dita e zgjedhjeve.
Kur Roza dhe Zef Gjonaj, të sapomartuar me 1966, ishin ndjekur nga ish-Jugosllavia sepse ishin shqiptarë dhe kishin arritur në Nju Jork, ata kishin punuar nga dy punë. Çifti i ri kishte filluar të kursej çdo “penny” dhe pas një viti ndërsa nusja e re ishte në dhimbjet e lindjes së foshnjës së parë ajo ende nuk e kishte mësuar anglishten mjaftueshëm që të dinte të pyeste se ku ishte infermeria e lindjes. Një fqinj amerikan pasi kishte dëgjuar rënkimet e gruas pa hezituar kishte trokitur në derë dhe me dashamirësi e kishte dërguar fqinjen me barrë në spital. Gruaja e re ishte bërë nënë. Foshnja e porsalindur ishte djali Mark Gjonaj, i cili 43 vjet më vonë ka vendosur të shërbejë për të gjithë amerikanët– si të vjetrit, që flasin anglisht rrjedhshëm – si të rinjtë, që ende mësojnë të flasin gjuhën e atdheut të tyre të ri.
Me 13 shtator 2012, shqiptaro-amerikanët nga Bronksi e kanë rastin të ndihmojnë Mark Gjonajn të shkojë në Albany. Gjonaj ka treguar një profil politikani serioz që ofron zgjidhje për problemet ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe të sigurisë; si dhe një përvijim intelektual të cilin e sheh vetëm te politikanët premtues. Ndërsa amerikanët e Bronksit me origjinë nga mbarë rruzulli do të votojnë për Gjonajn, shqiptarët nga Amerika (dhe ndoshta edhe nga vende tjera) do të bënin mirë të telefononin të afërmit e tyre, nëse i kanë në Bronks, dhe t’i lusin të dalin në vendvotimet e Zonës 80. Duke i ndihmuar Gjonajt të vendoset në Albany (mbase) hapet rruga, që, pas disa vitesh të kemi edhe Kongresmenin apo Senatorin e parë me prindër shqiptarë në Washington.
Dikush mund të thotë: kandidatin e parë shqiptar për President të SHBA-së! Pse jo? Mbajeni mend emrin e tij dhe ndihmojeni shpresën shqiptare të politikës amerikane: Mark Gjonaj!
*) Uk Lushi është aktivist shqiptaro-amerikan në New York të SHBA-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura