DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (4)

Prishtinë, 16 Maj 2020: Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
JANJEVA QENDËR SHQIPTARE, METALURGJIKE, EKONOMIKE, ARSIMORE, ZEJTARE…
Vlen të përmendet se në vitin 2005 një qytetar nga Janjeva i kishte shitur katër kilogramë monedha të argjendit në qytetin e Prizrenit për vetëm 400 euro. Të gjitha këto fakte të përmendura më lart janë fakte të pamohueshme për zhvillimin ekonomik që e kishte Janjeva dhe trevat tjera të pasura me minerale në rrethinë.
Minierat dhe qytetet më të rëndësishme në malësinë e Galabit ishin: Artana, Prishtina, Bërveniku, Prizrenci, Përlepci, Janjeva, Kassova, por mendoj se në këtë rajon ishte edhe Bërskova, si qendër e njohur xehetarie në mesjetë. etj., sikundër edhe në rajonin e Janjevës dhe Brusit, në lumin e Androcit, në vendin Uji i Kuq, te përroi i Decit, në Badoc, në kodrën Gvozdenik të fshatit Shashkoc, në Vogoçincë, në Zhegoc, në fshatin Mirash, në Gadime të Poshtme, në Akllap, Sllovi, Kishnopole, Vërbicë etj. Po ashtu zgjyrë të metaleve ka shumë edhe në fshatrat që shtrihen në anën veri-lindore të Janjevës si në: Kishnicë, Mramur, Llabijan, Grashticë, Keqekoll, Ballaban, Prapashticë etj, ka shumë zgjyrë metalesh të mbetura nga eksploatimi i xeheve në periudha të ndryshme të historisë si dhe objekte tjera të trashëgimisë kulturore.

Foto 18 dhe 19. Hyrje e galerive të vjetra në Janjevë

Duke qenë lokalitete me rëndësi nëpër Janjevë kanë kaluar shumë rrugë të rëndësishme tregtare, të cilat i mundësonin lidhjet me shumë qendra dhe qytete të rëndësishme të kohës.
Branisllav Nushi shkruan se ekzistojnë shumë pak fakte të dokumentuara për Janjevën si qytet, por ai mendon se gjatë mesjetës së vonë Janjeva u zhvillua në rangun e një qytetze. Për Janjevën si vendbanim mund të themi se gjurmët e gërmadhave të objekteve në Gradishtë dëshmojnë se këtu kishte zhvillim që nga kohët e hershme dardane. Tradita e hershme e eksploatimit të xeheve dhe gjetjet arkeologjike që nga kohët iliro-dardane, dhe romake i hedhin poshtë teoritë se ky vendbanim formën e qytezes e mori në mesjetën e vonë.
Janjeva në burimet historike për herë të parë përmendet në letrën e papës Benedikti IX që e mban datën 18. XI. 1303, që i kishte shkruar argjipeshkvit të Tivarit Marinit. Në vitin 1308 Janjeva përmendet ndër shtatë xeheroret më të njohura të argjendtit. Në vitin 1328 e kishte famullinë e vet. Kambana më e vjetër e kishës së Janjevës daton që nga viti 1368 dhe ka mbishkrim gotik dhe supozohet se është sjellë nga Këlni i Gjermanisë.
Në një pllakë të gurit të zbuluar në Janjevë, është ruajtur emri i famullitarit nga viti 1425. Në kishën e sotme është murosur një pllakë guri me shkronja latine dhe gotike, që është sjellë këtu nga kisha e moçme e Shën Kollit. Pllaka të mermerit me shkronja latine janë gjetur edhe te oborri i xhamisë së fshatit, por për fatin e tyre nuk dihet gjë.
Të dhënat e para për kishën e Shën Kollit janë me rastin e zgjedhjes së kryepeshkopit të Kotorit Kontareni në vitin 1435, por kjo nuk do të thotë se kjo kishë nuk ka pasur aktivitete fetare edhe më parë. Me 1433 në Janjevë përmenden tregtarët Dubrovnikasë, të cilët merreshin me tregti. Janjeva ishte ndër qendrat më të rëndësishme tregtare dhe e pasur me xehe, e cila e kishte edhe ligjin e vet me 1488, që i rregullonte marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të qytetit.
Në Janjevë të pranishëm ishin edhe saksonët, të ardhur si minatorë në mesjetë. Emërtimet e disa lokaliteteve në rrethinën e Janjevës janë ruajtur edhe sot në onomastikën e Kosovës. Këtu mund të përmendim fshatin Shashkoc, Ceove, Grab (kodrinë në afërsi të Janjevës etj). Prania e saksonëve ka lënë gjurmë në toponime si Ceove në rrethinën e Janjevës, pastaj emri Grat që në popull quhet Grap, kodrinë kjo ku hasen shumë galeri të minierave.
Emërtime të tilla toponimike dëshmojnë për praninë e saksonëve edhe në trevat tjera të Kosovës dhe më gjerë. Te popullata shqiptare e Kosovës fjalët “sase” përdoren edhe sot në jetën e përditshme, si p.sh. “curik”, “sustë”, “shallter”, “ganc”, “shtonë” etj, që dëshmojnë bashkëjetesën e minatorëve gjermanë në mesin e popullatës arbërore, me shumicë në këto treva, gjatë kësaj periudhe. Në të folmen e shqiptarëve të Gallapit edhe sot dëgjohet fjala “shtonë”, e cila ka kuptimin e vrimës horizontale në dhe, sikurse edhe nw mur e gjetkë, kjo fjalë e huazuar nga saksonët rrjedhë nga fjala “shtonen”, dhe fjala “Shlaken” që e ka kuptimin për zgjyrë të metaleve, po ashtu mendohet të jetë fjalë nga gjuha gjermane. Me prejardhje sase në të folmen e kësaj ane është edhe fjala “vantallak” e cila vjen nga fjala gjermane “Wand” që e ka kuptimin e një copë tw madhe xeheje apo mur-ballinë me shkëmbinj të mëdhenj. Banorët autokton të kësaj ane njiheshin si minator të zotët.
Janjeva ishte vendbanim me popullatë katolike para vitit 1189, që dëshmohet se banorët e Janjevës në ato vite nuk ishin sllav. Muhamet Tërnava në librin e tij “Qytetet e Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI” shkruan: Sipas deshifrimeve të disa dokumenteve nga N. Çollak te këshilli i vogël raguzan, konstatohet se kolonia e Janjevës përmendet dhjetë vjet më herët se viti 1303.
Gaspër Gjini shkruan se sipas burimeve, se famullitari i parë katolik në Janjevë përmendet në vitin 1328. Në dokumentet e Papës, sa kemi njohuri deri më tani, për herë të parë përmendet në vitin 1346, ndërsa në bazë të dokumenteve nga Raguza, është konstatuar se raguzanët në Janjevë, për herë të parë, përmenden në vitin 1433, dhe atëherë vetëm 19 raguzan.
Nga këto të dhëna mund të pohojmë se banorët e parë të krishterë që jetuan në Janjevë, ashtu sikurse edhe para erës tonë, ishin popullata autoktone dardane.
Sipas regjistrimit të Sanxhakut të Vushtrrisë në vitin 1525/26, kurë ishte bërë regjistrimi në 9 vendbanime të mëdha, mes tyre edhe në Janjevë. Në këtë sanxhak u regjistruan 1082 vendbanime me 19 351 shtëpi të krishtera dhe 565 shtëpi myslimane, 42 manastire dhe 11 kisha. Bazuar në regjistrimin e kadillukut të Artanës dhe Janjevës gjatë viteve 1530/31 ishin 4140 shtëpi të krishtera dhe 147 myslimane.
Sipas regjistrimit për Sanxhakun e Vushtrrisë gjatë kohës së Sulltan Selimit të II (1566-1574), në Janjevë ishin 259 shtëpi, prej tyre 217 të besimit të krishterë dhe 42 myslimane.
Në vitin 1569 Janjeva ishte qytet mjaft i zhvilluar, ishte has i sulltanit, që i sillte të ardhura nga shumë fusha të ekonomisë. Sipas regjistrimit të bërë në këtë vit, Janjeva kishte 310 familje. Në vitin 1597 për xehetarinë aktive të Janjevës, dhe begatinë e xeheroreve me ari, papën e njoftojnë murgjit Damjani dhe Pali.
Marin Bici, arqipeshkv i Tivarit, më 1610, shkruan se në Janjevë jetonin 500 familje me 120 shtëpi katolike, 180 myslimane dhe 200 ortodokse. Arqipeshkvi i Tivarit, më 1638, thotë se në Janjevë kishte edhe të krishterë. Në shekullin XVII në Shashkoc bëhej përshkrimi i librave kishtar. Në vitin 1631, për tu shkolluar në Itali dërgohet Matej Matiqi. Në vitin 1651 Pjetër Bogdani, për nxënësit e shkollës së Janjevës, kërkon libra në gjuhën shqipe.
Kryeipeshkvi i Tivarit Gjergj Bardhi (Giorgia Bianchi), në vitin 1637, në shkrimet e tij përmend, se në Janjevë jetonin afër 680 katolik. Në raportin e tij vetëm dy vite më vonë 1639, ai shkruan, në Janjevë jetonin 130 katolik më pak, numri i tyre tani që kishin mbet ishte 530.
Ami Bue për Janjevën shkruan se ishte një fshat i vogël në një grykë të pyllëzuar me disa shtëpi të vogla dhe me një varrezë të krishterë. Ndërsa për emrin e Janjevës shkruan se ka pas mundësi të jetë nga Janj (Plep).
Nikola Çolak dhe Ive Mazhuran, shkruajnë se në një dokument të vitit 1649, që edhe ne mund ti referohemi thuhet se në atë kohë, në fshatin Shashkoc, ishte zhvilluar transkriptimi i librave fetar.
Mazhuran dhe Çolak shkruajnë po ashtu se mësimi në shkollën e Janjevës është mbajtur në gjuhën kroate (Ilire), me dialektin raguzian, por e shprehin dyshimin se nxënësit të kenë shkruar me shkronja latine.
Sipas tyre mësimi është mbajtur në gjuhën kroate dhe janë përdorur gramatikat ilire, sepse tjera nuk kishte në atë kohë.
Siç shihet në kohën kur këta dy studiues e kanë shkruar këtë libër, ende ishin në ndikimin dhe frymëzimin e arsimit në frymën sllave, për të mohuar çdo argument që ka të bëjë me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Nga të gjitha argumentet e kohës që i posedojmë mund të besojmë se mësimi në këtë shkollë është mbajtur në gjuhën shqipe. Kjo dëshmohet edhe nga vet shkrimet e klerikëve dhe mësuesve të asaj kohe. Pas shkollimit të mësuesve në Itali, dhe kthimit të tyre si mësimdhënës në shkolla, ata kishin shumë vështirësi për të siguruar libra të mjaftueshme për nxënës. Librat që i kishin sjellë me veti nuk mjaftonin. Në vitin 1651, Pjetër Bogdani, me një shkresë i bënë lutje kongregatës, që në këto anë të dërgohen libra në gjuhën shqipe.
Në shekullin e XVII në Janjevë punonte shkolla e hapur me urdhër të Kongregatës së Propagandës Fide. Argjipeshkvi Andrea Bogdani në vitin 1664 e kishte rezidencën e tij në Janjevë. Andrea Bogdani i propozoi kongregatës për mësues të shkollës në Janjevë Pjetër Mazrrekun, i cili punoi deri në vitin 1670. Në vitin 1670 mësues i shkollës së Janjevës emërohet dom Vinçenc Mato. Në këtë kohë shkolla e Janjevës i kishte gjithsejtë 25 nxënës.

Emrat e 25 nxënësve në shkollën e Janjevës, të shkruar në vitin 1670, nga mësuesi Viçenc Mato.
Nëse analizojmë me kujdes emrat e nxënësve të shkollës së Janjevës, vërejmë se pjesa dërmuese dëshmojnë përkatësinë shqiptare, edhe pse janë shkruar me alfabet latin dhe në fund e kanë sufiksin latin Ch, kjo në asnjë mënyrë nuk ju ka dhënë të drejtën këtyre studiueseve që emrat e nxënësve të marrin sufikse sllav IÇ. Disa nga këto familje dëshmohen edhe më vonë si banor të këtyre vendbanimeve edhe pas islamizimit të tyre, p. sh. Ibrahim Koka-Kikolli banor i Prishtinës, pastaj familja Kikolli në fshatin Lupçë, që mendohet se në Lupç kanë shkuar prej Keqekolle-Kekola, pastaj në Keqekollë është Prroi i Kikollit etj. Mbiemri Mata, mbiemri Gjoni, Gjini, Doçi, Lisi, Fisi, Massari, Bogdani etj, që e vërtetojnë bindshëm përkatësinë shqiptare të këtyre familjeve. Lisirich, mund të pohojmë se është afër Trepçës, apo edhe Lisina në fshatin Prapashticë, ngjitur me Medecin e sotëm apo Hostryzën, vendlindjen e Konstantin Mihajlit. Pra bazuar në të gjitha argumentet vijmë në përfundim se mësimi në shkollën e Janjevës është mbajtur në gjuhën shqipe.
Sipas Edvin Jackues, i cili në librin e tij kur e përmend Pjetër Bogdanin shkruan: Librat e tij në gjuhën shqipe e përmbushën dëshirën që e kishte shprehur kur kishte thënë: “Ah, sikur të kisha një kandil të ndezur e të ndriçoja, atë tokë të varfër të Shqipërisë dhe Servisë, një pjesë e madhe e të cilës flet shqip”.
Kjo ishte një periudhë e interesimit për gjuhën shqipe, kur ishte botuar gramatika më e hershme e shkruar me shkronja latine nga Andrea Bogdani, ungji i Pjetër Bogdanit. Ky libër është përdorur si tekst mësimi në shumë shkolla të asaj kohe. Shkolla të hershme katolike në atë kohë u hapën më 1632 në Velje të Mirditës, më 1638 në Pllanë afër Lumit Mat, më 1639 në Troshan, më 1632 në Kurbin etj. Në këto shkolla përveç shkrimit e leximit mësohej edhe gramatika për gjuhën shqipe, dhe përdoreshin librat e Frank Bardhit, Budit, e Bogdanit.
Dëshmia më e saktë për popullatën që jetonin maleve të Gallapit, Llapit dhe në qytetet: Artanë, Janjevë, Prishtinë dhe Vushtrri, janë shënimet e udhëpërshkruesit osman Evlija Çelebiut, i cili pikërisht në atë kohë i vizitoi këto vendbanime dhe shkruajti se këto vise quheshin Albani (Shqipëri). Madje për qytetin e Vushtrrisë shkruan se popullata e qytetit e flisnin gjuhen shqipe dhe osmane, por nuk flisnin gjuhët sllave. Pra siç shihet edhe në listën e nxënësve, Marko Massareci, ishte nga Vushtrria, pra ishte shqiptar. Sipas Evlija Çelebiut edhe lumi Lim rridhte nga qyteti Plavë, i cili gjendet në Albani, pra shihet qartë se këto vise ishin të banuara me shqiptar, flitej gjuha shqipe dhe vendi quhej Albani, po me këtë emër deri në shekullin XIX quhej edhe Sanxhaku i Nishit. Arnautlluk e quajnë edhe autorët sllav të shekullit XIX, që dëshmohet se gjatë gjithë mesjetës popullata e këtyre trevave ishte shqiptare. Nga këto të dhëna arrijmë në përfundim se në shkollën e Janjevës mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe.
Sipas hulumtimeve etnografike në Janjevë njihen dy familje më të vjetra e ato janë: Gllasniqët dhe Paliqët.
Rënia ekonomike e Janjevës filloi në gjysmën e shekullit XVII e sidomos pas luftërave austro-turke të vitit 1689-90.
Nga Janjeva mendohet se ishte edhe Toma Raspasari, me origjinë shqiptare, i cili luajti rol të rëndësishëm në fund të shek.. XVII në organizimin e rezistencë së popullatës shqiptare kundër turqve në luftën austriake-turke. Vendlindja e tij nuk është përcaktuar, Mazhuran e Çollak shkruajnë se vendlindja e tij ishte Letnica, ndërsa disa autor tjerë mendojnë se vendlindja e tij ishte në rrethin e Prizrenit apo të Pejës.
Atë Shtjefën Gjeçovi-Kryeziu është i lindur në Janjevë (me 1873), i cili la gjurmë në shumë veprimtari si: në letërsi, folklor, muzeologji, arkeologji, teologji, etnografi, të drejtën zakonore dhe në veprimtari tjera patriotike.
Në Janjevë jetojnë familjet Mazrekic dhe Berishic, siç shihet këto janë familje shqiptare të sllavizuara.
Nikolajeviqi, që e vizitojë Janjevën në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në librin e tij të botuar në vitin 1892 shkruan: Në Janjevë, që nga kohët e hershme ruhet “varoshi i minatorëve”, tash fshat i varfër shqiptar, që ka 2.000 banorë me shumicë katolike (Shihe fig, poshtë në tekst). Kjo e dhënë dëshmon qartë se popullata e Janjevës është sllavizuar, në serbë dhe kroatë, pas pushtimit të Kosovës nga Serbia, në mes të dy luftërave botërore, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Mil. J. Nikolajeviv135, dëshmon qartë se popullata e Janjevës ishte shqiptare deri pas pushtimit të Kosovës nga Serbia.
Në shekullin XX struktura e popullatës në Janjevë mori krejt formë tjetër. Nga ndikimi i pushtetit, një numër i shqiptarëve katolikë filluan ta quajnë veten kroatë, kurse ata që ishin ortodoksë u serbizuan; disa familje të vjetra dhe fisnike u regjistruan si turq dhe një shtesë e popullatës mbeti shqiptare. Këtu që moti jetonte edhe komuniteti rom. Edhe pse pjesa dërmuese e shqiptarëve të Janjevës me kohë është asimiluar emërtimet për të afërm kryesisht ishin në gjuhën shqipe si: baba, nana, baca, teza, dajka, etj. E që tregojnë se kishin origjinë dhe traditë shqiptare. Nga të dhënat e cekura më lart shihet qartë se popullata autoktone e Janjevës ishte shqiptare, kurse Saksonët, Raguzanët, Gjenovasit etj., këtu kishin ardhur si minator dhe tregtar. Fati i Janjevës i ndoqi edhe shqiptarët e fshatit Letnicë, të cilët ishin shqiptar por nga presioni i pushtetit janë detyruar që të regjistrohen si kroat.
Nga shumë burime dhe të dhëna, kuptojmë se popullata që dominonte për nga numri i banorëve të qytetit pa dyshim ishin dardanët autokton. Këtë e dëshmon edhe studiuesi francez Ami Bue i cili në shekullin XIX shkruan se qyteti i vogël arnaut i Novobërdës, është i vendosur në maje të një kreshte 1000 këmbë lartësi mbi fushën e Prishtinës, por se ai shpreh mendimin se shqiptarët mund të jenë vendosur më vonë në Artanë. Nga kjo e dhënë kuptojmë se edhe në shekujt e mëparshëm, popullata e Janjevës ishte shqiptare.
Janjeva në fund të shekullit XX i kishte 9 lagje: Jezerce, Virovce, Gllama, Lagjja e poshtme, Saraj, Sopot, Lagjja e turqve, Pazhiq (ose Oluce, Aluce), lagjja e mesme dhe lagjja e sipërme. Lagjja më e vjetër është quajtur Plaka-niqka (nga fjala shqipe plakë, lagje e vjetër) e që më vonë u quajt Jezerce.
Ami Bue për Janjevën shkruan se ishte një fshat i vogël në një grykë të pyllëzuar me disa shtëpi të vogla dhe me një varrezë të krishterë. Ndërsa për emrin e Janjevës shkruan se ka pas mundësi të jetë nga Janj (Plep). Por kjo e dhënë nuk qëndron.
Branisllav Nushiqi për Janjevën shkruan se në analet latine, përmendet si Jagneuo, Jagneua. Pas rënies së Novobërdës në pushtimin osman ndërpritet edhe puna në minierat e Janjevës. Që nga fillimi i shekullit XVI xeheroret ju jepen shfrytëzuesve privat. Në vitin 1613 si shfrytëzues i minierave në Janjevë përmendet Marko Artofilloht.
– VIJON –
__________________
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (1)

https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10019
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10020
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (3)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10033

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura