DR.ROVENA VATA: ENIGMAT PSIKO-MEMNTALE DHE SIMBOLE TË PAVETËDIJES TE PERSONAZHET E ERNEST KOLIQIT(I)

Tiranë, 13. 05. 2014 – Periudha pas pavarësisë u karakterizua nga një rritje e interesimit të krijuesve shqiptarë për trashëgiminë tonë kulturore, në të gjitha fushat; për prurjet dhe dukuritë bashkëkohore dhe për visaret e krijuara në rrjedhë të shekujve. Krijuesit më përfaqësues të kësaj periudhe, Koliqi, Kuteli, Lasgushi u përpoqën të shkrinin organikisht qytetërimin bashkëkohor europian me realitetin kontradiktor shqiptar. Ernest Koliqi, është ndër autorët e shquar shqiptarë që i sintetizon suksesshëm traditën dhe modernen, tregimi i të cilit shfaqet si refleks origjinal i prozës tregimtare të traditës neolatine.
Në dramën e tij “Rrâjët lëvizin”, Koliqi shtron pyetjen: “Nga do t’ia mbajnë shqiptarët?”.
Në këtë çast Koliqi zbret nga plani i profecisë në planin e domosdoshmërisë dhe pohon se për shqiptarët e mbetur në udhëkryq detyrë parësore mbetet mos me i humbë lidhjet me rrënjët e veta të moçme. Në këtë mënyrë poezia e rrënjëve – ide drejtuese e gjithë veprës letrare të Koliqit, gjen te kjo dramë funksionin dhe justifikimin e vet madhor1.
“Domethânë nuk i ndieni rrâjët ende tue lëviz… Rrâjët? Rrâjët, po. Për t’i krijue nji populli, nji ardhmení të përshtatun duhet shtî në punë me frymë të ré, kuptohet, e në përkim me nevojë shpirtnore të reja, landa, qoftë edhe e shpartallueme e kalesës. Tue mohue trashigimin stërgjyshuer i zhgulen rrâjët nji breznije. Si mundet nji komb me u pëtrî në vetí, qi pat si pajë nga Perendija, e qi e dallojnë nga kombet e tjera, pa thithë lang jetësuer prej rrâjve të vjetra?”2.

Novela “Tregtar flamujsh” – autor Ernest Koliqi. Pasthënien e shkroi Karl Gurakuqi, e botoi Shtëpia botuese “Pakti”, në vitin 2009. Libiri i ka 152 faqe.

Drama në thelb është fryt i një ushtrimi ekzorcist si pasojë e të cilit autori rreket të çlirohet prej maktheve vetjake, prej ëndrrave plot ankth, prej tronditjes së shkaktuar nga ndarja brutale me vendlindjen: tronditje e kthyer tek ai në një neurozë të mirëfilltë. Në shkrimet e Koliqit vendlindja asimilohet me simbolin frojdist të Nënës Jetëdhënëse: është plot vitalitet, forcë e urtësi ai që i ruan të forta lidhjet e trashëgimisë me Nënën Jetëdhënëse; përkundrazi kush devijon në planin e trashëgimisë bjerr virtytet bazë të nderit, burrërisë e humanitetit dhe kthehet si një njeri pa taban siç shohim Gaspër Tragaçi i “Tregtar flamujsh”3.
“Natyrisht kënaqje e madhe do t’ishte për mue, po të shkrepte mbi këto troje të vjetra nji deill i rí, tue përtrí nji jetë të ré ma të frymë të kulluet shqiptare, asht si lëvitte dikúr në to. Po rrajët lëvizin… Po, qe unë e ndiej… ndiej nji erë jasiminash, qi vjen prej shenashinit”4.
Vlerat e reja të tregimit të Koliqit shihen tek një tip i tregimit që ai e quan psikospektiv, tek i cili dallon dimensionin e analizës psikologjike të llojit frojdist. Këto elemente ai i gjen me rastin e kërkimit mes traditës dhe novatores.
Mund të themi ndërkohë se prej maleve dhe njësive të mëdha gjeografike, si skena masive natyrore ku zhvillohej historikisht jeta arkaiko – dramatike e malësorëve shqiptarë, Koliqi letrar, me intuitën, saktësinë dhe mprehtësinë e një krijuesi të fuqishëm, e zbret shikimin e tij në skutat më të errëta të pavetëdije njerëzore, duke kërkuar aty të ndrydhura a të riorganizuara, elementë të shumtë si kushtetues psikologjikë e mentalë, të trashëguar, të shtresëzuar e veprues njëkohësisht. Nga tregimet tipike është dhe tregimi: “Kumbulla përtej murit”.
“Kjo i ndodhi Lec Gurrmollës ndër të parat lirime vere qi erdhi me kalue në Shkodër mbas dhetë vjetsh banimi ndër shkolla të përjashtëshme”5.
Tregimi është ngritur mbi gjendjen psikologjike të Lec Gurrmollës dhe si bosht kryesor hulumtimi është interpretimi i sjelljes së personazhit dhe i shtysave të këtyre sjelljeve.
“Kah mbarimi i zhegut, nësa tjerët flêjshin ende, zbriti poshtë n’oborr e mbandej hŷni në kopësht mbas shtëpije. S’ishte e para herë, mbas këthimit të tij në Shkodër, qi vinte në shtëpí të dajave, por asnjì herë s’kishte pasë rasë me shetitë të gjitha skutat ku strukeshin kujtimet mâ t’âmbla të fminís së largët”6.
Nga një strukturim i tregimit, do të shohim krijimin e një modeli që në thelb ka praninë e një dualiteti psikik.
Mund të thuhet se Holland bën fjalë për tekste të tilla si ky i Koliqit kur shprehet se leximi që bëhet në këtë tekst është historia rreth fshehjes, sidomos e fshehjes së sekreteve seksuale 7.
“Ai s’dinte, as nuk donte n’at ças, me pà qartas ndër ndiesina të veta të ndërlikueme. Lëshohej me mirakândje në valë të tyne. Donte me hypë mbi at mur e me ngrânë aso kumbullash të verdha. Ndoshta ky ish deshir i vjetër qi zgjohej rishtas mbas nji gjumi dhetë vjetësh. Ndoshta ish trill i ri lindë n’at paq zhegu ari. Por kjo s’i duhej gjâ m’e dijtë. Dishka mâ e fortë se urtija e shtŷnte m’u ngjitë maje murit”8.
Duke marrë shkas pikërisht nga ky citim mund të renditim disa nga arsyet që e bëjnë Lecin të futet në këtë kopsht ku i kishte munguar për rreth 10 vjet që ai ishte me studime jashtë vendit të cilat janë:
1. Kumbulla në kopshtin e dajës.
2. Kumbulla në kopshtin e huaj.
3. Soditja mbi mure.
4. Kapërcimi i murit.
5. Identifikimi i erosit me kumbullën.
6. Ballafaqimi me plakën.
7. Kërkon të provojë kumbullën.
8. Provon dhe shijon reçel kumbulle.

Një rebelim ndaj unit kemi që në fillim të novelës. Mjedisi sikur i nxit shfrenimin e presioneve erotike seksuale.
“Atij i mjaftonte ajo andje e hollë qi, tue shikue kumbullën e huej përtej murit, nga sŷt i rrëshqitte në shpirt, në të cilin zgjoheshin ndiesína të vjetra e shije të harrueme”9.
Qëllimi i veprës së artit është i njëjtë me atë që psikanaliza konsideronte si qëllim të ëndrrës, kënaqësi e fshehtë a një dëshire fillestare e ndaluar, e mbyllur në subkoishiencë. Subkosheinca është një nënsistem dinamik, që përmban vrulle instiktive të lidhura me pasqyrime, sidomos dëshira fëminore 10.
Sipas rëndësisë janë renditur me numra edhe arsyet e vrulleve instiktive si personazhit kryesor të Koliqit në novelën “Kumbulla përtej murit”:
A1- “Kah mbarimi i zhegut nësa tjerët flejshin ende, zbriti poshtë n’oborr e mandej hyni në kopsht mbas shtëpije”11
A2- “Por syt e Lecit, si të tërhjekun prej nji fuqije shortare, kërkuen nji kumbull përtej murit. Syt e Lecit e përshëndetën me adhurim”12.
A3- “Ndjeu nevojën e çuditshme me i kërkue ato kokrra të vogla, të verdha me ngjyrën e dyllit. Ai s’dinte, as nuk donte n’at ças, me pa qartas ndër ndiesina të veta të ndërlikueme. Lëshohej me mirakandje në valë të tyne”13.
A4- “Si i dishiruem, me at lakmi për pemë çoi dorën kah kokrrat e verdha dhe, kur i shtrëngoi ndër gishta për me i këputë, i rrëshqiti nji të dridhur andjeje në trup si të prekte mishin e njomë të nji krijatyre”14.
A5- “Uli kryet dhe kërkoi reçelin. Ndjeu prap nji shije verash të fikuna, stinësh të largta qi, sidomos mbasi prendojnë, na lanë në shpirt lumnin plot shqetsim, t’amës së tyne të mrekullueshme”15.
Pika kulmore në vepër është pika ku personazhi kërkon me ngurrim të frenojë pulsionet libidike duke bërë bilancin e vetvetes.
Këtu del e pasqyruar shprehja e Hollandit, që i shikonte tekstet letrare si vende të fshehura, sisteme të koduara, që hiqen si maskim 16
“Marri! S’jam ma i vogël si atëherë!.
Dikur do sende mund u bajshëm….
Tashti asht marre me më pa kush…”17
Në një paraqitje me të zgjeruar të dualitetit psikologjik krijuar me qenien e tij kemi: Lec Gurrëmolla: ESI-UNI ku kemi:
1. Zgjimi i dëshirave të dikurshme.
2. Adhurimi i kumbullës.
3. Kujtimi i një trilli.
4. Kapërcimi i murit.
5. Ndiesína të vjetra e shije të harrueme.
6. Si bën përshtypje qëndrimi në kopsht të huaj.
7. Është pushtuar nga një lakmi si kalamajt për pemën.
8. Rizgjimi pas 10 vjetësh.
Duke iu referuar prerjes skematike të hipotolamit shohim esin dhe unin e tij një interpretim i mëtejshëm i detajit të personazhit. Për ne individi, është një es (id) psikik i panjohur dhe i pavetëdijshëm, mbi sipërfaqen e të cilit është vendosur uni i zhvilluar si bërthamë duke u nisur nga sistemi i dijeve. Uni nuk është i ndarë prerazi nga esi, ai shkrihet poshtë së bashku me të.
Shtysat kryesore të strukturën psikike përkufizohen si Essi, Un-i, Super-Un-i (Super-Ego). Shtresa bazë, ajo më e lashta dhe më e gjera, është Esi, mbretëria e të pandërgjegjshmes, e instinkteve parësore. Esi është i lirë nga format dhe parimet që përbëjnë individin social të ndërgjegjshëm. S’ndikohet as nga koha dhe as nga kontaditat. S’njeh as vlera, as të mira e të këqija dhe as moral. S’synon vetëruajtjen: ai s’lufton për gjë tjetër, veçse të kënaqë nevojat e veta instiktive, në harmoni me instinktin e kënaqësisë.
Nën ndikimin e botës së jashtme, një pjesë e esit që ka organe për receptimin e stimujve dhe mbrojtjen ndaj tyre, zhvillohet gradualisht derisa bëhet Un18, duke filluar nga:
1. Studimi jashtë vendit dhe njohja me kulturat e ndryshme.
2. Është rritur me një moshë ku ç’do gjë i nënshtrohet gjykimit.
3. Prania në një vend të huaj kërkon shpjegim.
4. Ndjenja për të mos e tepruar.
5. Larg konflikteve, nipit si kanë lezet veprimet e mbrapshta, ndër dajë pasi shkakton sherre me komshinjtë (kapërcimi i murit në një kopsht të huaj).

Duke parë fazat e zhvillimit të tregimit dalin në pah disa etapa:
1. Iu zgjuan ndiesina të ndërlikueme.
2. Dëshirë e vjetër që i zgjohej rishtas mbas një gjumi 10-vjetësh.
3. Trill i ri lind n’at paq zhegu.

Të gjitha këto çojnë në atë që psikanaliza e quan pasojën, e ndrydhjes së këtyre instinkteve. E kjo pasojë në këtë rast është ndërgjegjësimi ose bërja e vetëdijshme e instiktive.
Cilat faktorë bëjnë të mundur lindjen e pasojës?
1. Mjedisi, kodi malësor e kushtet morale (Frenimi).
2. Kopshti e kumbulla deng me kokrra, shtysat që ndikuan drejtpërdrejtë në realitetin psikik të Lec Gurrmollës, që përmendet në errësimë të së kaluarës. Ai është kopshti me frymëmarrje të gjerë e plot pemë, me lëvizje kandrash, është ajo kumbull deng me kokrra të pjekura ngjyrë dylli që kanë një vlerë të madhe simbolike.

Interpretimi i simboleve nga Freud-i aplikohet në tërësi të gjuha, sikur të ishte një kod i rreptë dhe i caktuar19.
Koliqi si autor është plotësisht i vetëdijshëm për simbolet që zgjedh. Për vetë kushtet e ambjentit shqiptar iu desh të tregohej mjaft i matur në përdorimin e simboleve frojdiste; kjo i bëri në të mirë të veprës së tij, sepse e pasuroi me mjete shprehëse moderne pa i imponuar asaj një modernizim të sforcuar. Veçori e Koliqit është se për çdo rast ai përdor simbolet frojdiste në mënyrë artistikisht funksionale. Tipike është novelëza “Kumbulla përtej murit” të në cilën entitetet “kopshti”, “lugu”, “gryka” përdorën në funksionin e simboleve femërore seksuale20.
B. Në tregim kemi praninë e një numri të konsideruar simbolesh që mund t’i ndajmë në:
VI.4. SIMBOLE: Të dorës së parë/ të dorës së dytë
Kopshti, Gryka e pusit
Muri, Lugu
Kumbulla, Limoj n’arkë
Reçeli Pjeshka, molla, dardha, zerdelia
Një sërë mbiemrash vihen re si: kumbulla boshnjake, gabele, bordake, kumbulla picigjate, za i ri, sy të gjallë. Këto simbole krahas rrafshit denotativ kanë edhe rrafshin konotativ, ku ky i fundit përftohet në kontekst dhe lidhur me këndvështrimin këto dy rrafshe i shënojmë: S1& S2. (simbole të dorës së parë dhe simbole të dorës së dytë)
Por natyrshëm lind pyetja se si janë këto simbole dhe çfarë përfaqësojnë?
Heshtje në diell.
Kopshti S1 Plot me zerdelia, pjeshka, molla, ftoj, kumbulla.
I hapët, i gjerë (si hapësirë).
Për prozatorin modern objektet janë të parëndësishme në vetvete dhe meqë nuk hynë në punë epifanizohen, ose shpirtëzohen.
Kapërcimi i Adamit kur njeriu bëri mëkatin e parë.
Kopshti S2 Vend i lulëzuar dhe i begatshëm ku njerëzit jetojnë të lumtur.
Simbol seksual i femrës.
Përsa i përket vlerës së parë që merr kopshti në rrafshin konotativ shpjegoj:
Adami Leci
Kopshti
Eva Plaka
Çifti i parë bën mëkat (Eva) se këputen mollën e ndaluar. Po mëkati i Lecit dhe nuses së tij të re dikur cili ishte?!.
Në tregim vihet re prania e retiçencës dhe për të nxjerrë thelbin e frazës së veprimeve vëmë theksin pikërisht të këto retiçenca…jo vjedhje s’ishte…
“Përkundrazi dikush qi flinte n’at kopsht i kishte vjedhë dishirat të dikurshme në shpirt. Për gjith verë gjysmën e atyne kumbullave m’i vidhshe. Mandej me hijshe në kopësht….
– Ma…- s’e xen besë sa u gëzova kur të pashë tue këcye në kopsht. Mallitë ka hjedhë këtej, e dij. S’të kam ba za. Të kam lanë m’u avitë. Kur të fola, deshta me të trembë, si atëherë…”21.
Psikanaliza lexon të kaluarën, me qëllim për të kuptuar të tashmen, ajo fillon me pasojat dhe i gjurmon ato që nga origjinat e tyre22.
Si edhe njeriu i parë Eva që bëri mëkatin, por pa djallëzi e mirësi e shtyrë nga kurioziteti për shijen që kishte ajo mollë e ndaluar ashtu edhe Leci ynë para 10 – vjetësh ku në qenien tij mbretëronte gëzimi, hareja, ëndrrat, humbi gjënë më të shtrenjtë, virgjërinë e tij.
“Mandej hyjshe n’kopsht”- që nënkupton organin seksual.
“Kur të fola deshta me të trembë si atëherë”.
Me të trembë-frika nga gjaku trajtuar nga Frojdi, e cila shkaktohet nga zhvirgjërimi.
Mëkati: humbja e virgjërisë, marrëdhëniet seksuale para martese. Vend i lulëzuar ku njerëzit jetojnë të gëzuar. Kopshti është i lulëzuar, plot me pemë e hije, që çiftit tonë i krijon mundësinë e qëndrimit bashkë diku në ato skuta të këtij kopshti.
Folja “jetonin” ka vlerën rrinin pak bashkë, por këto çaste kujtoheshin vazhdimisht dhe ndërtonin shumë çaste jetë të përditshme.
Edhe muri del në simbole të dorës së parë dhe simbole të dorës së dytë:
Jo fort i lartë.
Me gelqere të rame.
Muri S1 I rrahur nga shiu e dielli.
Me ngjyrë të përcaktume.
I veshur me lemyshk.
Kodet morale themeluar nga shoqëria.
Mur i pakapërcyshëm.
Muri S2 Mur në zemër.
Mur në mendje.
10 vite mur (si kohë që ndalon).

VIJON…

***************************************

DR.ROVENA VATA: ENIGMAT PSIKO-MEMNTALE DHE

SIMBOLE TË PAVETËDIJES TE PERSONAZHET E ERNEST KOLIQIT(II)
PJESA E DYTË: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2762

____________________________________

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura