DR.ROVENA VATA: KADARE-QOSJA-FRASHËRI RRETH IDENTITETIT KOMBËTAR (II)

Tiranë, 17. 04. 2014 – Kadare nuk pranonte autorët e letërsisë bejtexhinj ndaj të cilëve ai shprehet: “E ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. “Çunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të he¬qu¬ra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme”.
Dëmin që solli islamizmi, ai e amplifikoi aq tepër, sa edhe letërsinë shqipe të bejtexhinjve që lindi në shek. XVIII, e gjykon si një letërsi perverse dhe imorale të ambienteve myslimane shqiptare, e cila, gjithnjë sipas tij, e ka dëmtuar edhe më rëndë identitetin kombëtar shqiptar. I të njëjtit mendim me Kadarenë në këtë pikë të debatit, është edhe publicisti Ardian Klosi, i cili thekson:
“Mos kishin ardhur këta vëllezër të rinj, qysh në shek. XVI do të fillonim të kishim univeritetet tona”.
Ai ndan të njëjtin mendim me të edhe përsa i përket letërsisë së bejtexhinjve. Në intervistën e tij ai thekson (Qosja) nuk i përgjigjet aspak Kadaresë aty ku ky flet për traumën kulturore që ndodhi në Shqipëri me vërshimin anadollak, me këputjen e atyre filizave të qytetërimit që gjallonin qoftë edhe vetëm në qytetet veneciane të bregdetit dhe të ultësirës shqiptare. Madje arrin t’i ngrejë në një plan letërsinë me burim të krishterë me atë të bejtexhinjve, duke u vënë në gojë rilindësve pikëpamjen sikur i paskan “trajtuar si letërsi të barazvlershme”.
Më lind pyetja, a i ka lexuar vërtet ky studiues i letërsisë psa¬lmet e Buzukut me vargjet e tij origjinale (1555), sibilat e Bogdanit (1685), vajin e Shën Mërisë mbi Krishtin e Varibobës (1762), sonetin e parë shqip të Nikollë Kretës (1777) e sa e sa perla të tjera të letërsisë sonë të vjetër me frymëzim të krishterë?.
“Mund të barazohen me bejtexhinjtë”!?.

Në polemikën me Kadarenë, pikëpamjet e veta në këtë çështje, Rexhep Qosja i ka parashtruar në tri broshura të botuara njëra pas tjetrës:
– “Realiteti i shpërfillur”,
– “Ideologjia e shpërbërjes” dhe
-“Të vërtetat e vonuara”.

Edhe Rexhep Qosja pranon: Dikur identiteti kombëtar shqiptar ishte gatuar duke patur si komponent fenë e krishterë. Ai pranon gjithashtu se feja islame u përfaqësua nga shumica e shqiptarëve gjatë shekujve të sundimit osman. Por, ndryshe nga Kadareja, ai ngul këmbë se fetë, ritet dhe sektet fetare pa dallime (islamizmi, ortodoksia dhe katolicizmi), ndërhyjnë në identitetin kombëtar të shqiptarëve duke u integruar aq thellë në identitetin kombëtar, sa edhe në ditët tona janë përbërës të tij.
Si rrjedhim, sot mendon ai, ne kemi një identitet kombëtar të copëzuar, identitetin katolik shqiptar. Si përfundim, Kadareja mendon se me identitetin kombëtar që sot kanë përvetësuar shqiptarët e të gjitha riteve fetare, kombi shqiptar është i përgatitur për t’u integruar në Bashkimin Europian. Rexhep Qosja, përkundrazi, mendon se shqiptarët janë të përgatitur vetëm përgjysmë për t’u integruar në identitetin europian, kurse gjysma tjetër është ende e papërgatitur për t’u integruar në familjen europiane, për faktin se BE është një bashkësi popujsh të krishterë. Ndërsa sipas Frashërit të dy palët gabojnë kur i japin rëndësi fesë si përbërës të identitetit kombëtar shqiptar – pavarësisht se njëri Kadareja, e sheh fenë si përbërës për shekujt e kaluar, kurse tjetri, Qosja, e sheh këtë përbërës të identitetit edhe në ditët tona. Ismail Kadare mbështetet tek tradita, mitet dhe përvojat, ai përmend disa elemente të traditës sonë, si: mikpritja, gjakmarrja, dhënia e fjalës. Mikpritja, kjo është një nga virtytet që shqiptari i ka ruajtur me fanatizëm dhe krenari duke qenë një dëshmi e gjallë e faktit se shqiptarët gjithmonë e kanë pritur dhe dashur mikun në gjirin e tyre e për këtë arsye e kanë vënë atë mbi gjithçka. Askush nga ata që ndërmorën studime për kulturën shqiptare, nuk e anashkaluan këtë virtyt të kombit, i cili trajtohet me nota admirimi si nga studiuesit e huaj, ashtu edhe nga ata vendas, duke qenë një nga virtytet që shqiptarët e ruajtën me fanatizëm deri në shek XXI.
“Kodi zakonor shqiptar, kanuni, bashkë me poezinë epike gojore, e sidomos Eposin e Kreshnikëve, bën pjesë natyrshëm në arealin epik europian”.27
Një shembull konkret, ku dalin pikëpamjet për gjakmarrjen në Shqipëri dhe në Europë duke e dhënë atë konkretisht dhe gjerësisht. Nga leximi i librit “Hamleti princ i vështirë” është konstatuar fakti se hakmarrja si dukuri shoqërore ka qenë prezente në Europë dhe se ka shkaktuar tragjedi të mëdha deri në shtresa mbretërore, e parë kjo si te “Orestia” dhe te “Hamleti”, ndërsa në Shqipëri ajo ka qenë e nivelit popullor, po shumë e ngjashme me ato lloj hakmarrjesh si edhe ato të deklaruara më sipër, që të lënë të mendosh se europianët kanë pasur një kod të përbashkët hakmarrës, të cilin shqiptarët e kanë ruajtur në kanunin e Lek Dukagjinit dhe të cilin e kanë zbatuar, në bazë të atyre rregullave, brez pas brezi. Faktet historike letrare janë demonstruesi më i mirë i pikëtakimeve shumë të rëndësishme mes kulturave antike. Shtegtimi i kulturës së Sagave nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, jep përgjigjen se si shpjegohet ngjashmëria e madhe e riteve e traditave europiane, të cila janë shumë të pasura e të larmishme, sado që kjo s’do të thotë se ato janë të njëjta. Kjo do të thotë se ato kanë një themel të përbashkët në ndërtimin e tyre pa mohuar dhe ndryshimet që kanë mes tyre. Duke iu kthyer kulturës sonë kuptojmë se ajo hakmarrje e Hamletit në malet tona do të kishte ardhur po ashtu aq e ngjashme sa edhe për malësorin shqiptar, të duket sikur ke para një Hamlet që kërkon të vërë në vend gjakun e derdhur. Kjo ngjashmëri është kaq e njëjtë sa Hamleti s’ka nevojë për një tekst të shkruar, por di çka të thotë e si të veprojmë në atë situatë.
Por shumë spontanisht mund të lind një pyetje: cila është pjesa e hakmarrjes që pikëtakon në mënyrë bindëse dy kulturat tona.
– Ku takohet Kanuni i Lekë Dukagjinit me Hamletin?
Pikëtakimi i parë është një pakt i çuditshëm që ka bërë babai me mbretin e Norvegjisë, Koll, sipas të cilit ata vendosen:
“U bëftë pra midis nesh një pakt devotshmërie, sipas të cilit fitimtari do të marrë pjesë në varrimin e të mundurit, është bëmë e tillë ku dëshmohet një kulm devotshmërie që asnjëri i devotshëm se ka arritur deri sot”.
Të marrësh pjesë në varrimin e një njeriu që ke vrarë vetë duket si e pamundur dhe absurd. Do të kërkonte një guxim të madh që të përmbushje këtë edhe nga ana psikologjike dhe nuk dihet pse u vu ky pakt mes tyre. Realizimi i asaj çka thamë më sipër për shqiptarin është: “Hakmarrjen e bën vetëm në bazë të kanunit ku një nga ritet më të detyrueshme, e cila është edhe një nga pikat kyçe është prania e detyrueshme në varrimin e viktimës së vet. Po citoj nenin përkatës: “Gjaksi duhet të jetë i pranishëm në varrimin e viktimës së vet”.28
Ai duhet të jetë aty për të parë dhimbjen që shkaktoi krisma e armës së tij. Në këtë rast ishte shumë larg për të thënë që ata atje njihnin kodin zakonor shqiptar dhe vendosën që të zbatonin pikërisht atë kod, por arsyetimi më i mirë ishte, se ata në fakt njihnin një kod të përbashkët europian i cili të kishte brenda tij edhe këtë pikë që ndoshta ndryshe nga shqiptarët që e interpretonin si detyrim, ata e interpretojnë si rregull ose pakt mes luftëtarëve ose që ka dalë si i tillë në rastin tonë. “Të Saxo Grammaticus, viti 1200, një ndër themeluesit e europianizmit kulturor, pjesë të tëra, e sidomos dyzet faqet ku shtjellohet historia e gjakmarrjes së princit Hamlet (Amlethus), të kujtojnë nyjat e këtij kodi”.
Në lidhje me autorët që shqyrtuam mund të shprehemi se mendimi për të është më shumë kritik se vlerësues, së pari në lidhje me Qosjen, i cili shprehet se identiteti ynë gjysmak, se vetëm gjysma jonë gëzon të drejtën të integrohet në BE dhe gjysma tjetër nuk e fiton këtë të drejtë, se ajo përbëhet nga bashkësi të popujve të krishterë. Pra nuk bashkohem me atë që Qosja i bën identitetit shqiptar si pjesërisht lindor dhe pjesërisht europian, por e konsideroj përpjekjen e tij teorike në kahun e duhur për ta kuptuar modernitetin shqiptar, jo si proces drejtvizor dhe teologjik, thjesht si një imitim të “modernitetit euro¬pian”, por si një proces i hapur, i papërfunduar dhe i ndërthurur me përvojat lokale, disa prej të cilave i zhvendos dhe i rrafshon, por disa të tjera i mban, jo si mbeturina të përkohshme të një epoke të kaluar, por si pjesë përbërëse të jetës moderne. Studiuesi dhe letrari Sabri Hamiti, i cili, kur diskuton identitetin shqiptar, në theksim të tij, si vetëdije për tipare dalluese, në zhvillimet dymijëvjeçare, thotë: edhe pse i rrudhur në kohë e në hapësirë të ndeshjes dhe komunikimeve perëndim-lindje, që e kanë bërë ta marrë një karakteristikë të veçantë eurojuglindore, populli shqiptar ka në esencë një kulturë historike perëndimore, që mbështet në gjuhën, shkrimin, idetë themelore, fenë. Përfundimet e Tomas Eliotit se letërsia dhe kultura perëndimore është ndërtuar mbi trashëgiminë e mitologjisë greke dhe krishterimit, për kulturën shqipe mund t’i shtohet edhe mbi mitologjinë vendase, që është e moçme sa ajo greke. Këtë vlerësim studiuesi Hamiti e vazhdon duke shkuar më larg, kur mbron kulturën perëndimore shqiptare:
“Kultura shqiptare nuk mund të trajtohet më parë si vend i ndeshjes së kulturës perëndimore me kulturën lindore, por më së pari si kulturë e kundërvënies, rezistencë e kulturës autentike ndaj asaj të huaj, të ardhur, më vonë”.29

Thomas Stearns Eliot OM (1888 – 1965)

(Ndërsa në lidhje me Kadarenë nuk jam dakord me atë që shprehej se shqiptarët janë europianë se janë racë e bardhë. Ai e kritikon ashpër letërsinë e bejtexhinjve, por për mua letërsia e kësaj periudhe ka vlera të mirëfillta artistike. Kadare shprehet ndaj Qosjes se: “E ç’më duhet mua nuk më interesojnë fare replikat e tij, e përbuz dhe e përçmoj. Nuk jemi dakord me këtë sjellje të Kadaresë për arsyet që i kemi shprehur më lart.
Kuptohet se në lidhje me përcaktimin e një kombi, gjërat nuk janë të ndara me thikë ashtu siç mund t’i kemi menduar më parë, për faktin se nuk ka kritere absolute në përcaktimin e identitetit. Të gjitha lidhen me vende e kultura të ndryshme. Në një vend është bazë për të përcaktuar identitetin një kriter që në ndonjë vend tjetër nuk njihet fare, ose në periudha të ndryshme ka dhe mbizotërojnë kritere të ndryshme. Faktorë të tillë si: gjuha, raca, besimi fetar dhe aftësia shtetformuese, nuk janë të vlershme për të gjitha vendet të cilave u kërkohen t’u përcaktohet identiteti i tyre. Kjo polemikë është një sprovë për të njohur vetveten. Polemikat janë të mira si përplasjet e reve që nxjerrin një vetëtimë. Njerëzit kanë nevojë për ndriçim, kanë nevojë të njohin veten përmes tjetrit dhe tjetri përmes nesh dhe kështu dalim tek kolektiviteti. “Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianizimin shqiptar”. Kadare thotë se ne jemi europianë, pasi banojmë në ato troje ku më parë banonin ilirët. Historia nuk jep asnjë dëshmi ardhjeje nga ndonjë fis tjetër europian në kronikat e kronikanëve greko-romakë. Kultura merret si element bazë i identitetit të një kombi. Pikërisht ky fakt e bën kulturën antike pjesë të studimit tonë. Kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare.
Përfundimet
Ne kemi përdorur tashme koncepte të tilla si “popull”, “etnicitet”, “racë” dhe “etno-gjenezë” sikur këto fjalë të mbartnin një lloj kuptimi objektiv të përcaktuar mirë.
Kategoritë me të cilat europianët u përpoqën që të kuptonin dallimet midis grupeve sociale janë trashëguar si nga antikiteti klasik ashtu edhe nga ai biblik. E thënë shkurt, ka dy lloj “popujsh”: njëri lloj është konstitucional, i bazuar në ligj, besnikëri dhe i krijuar nga procesi historik; tjetri, duke qëndruar shumë jashtë procesit të ndryshimit historik është biologjik, i bazuar në prejardhje, zakon dhe gjeografi. 30
Tema – “Identiteti evropian i shqiptarëve” – nuk i përket fushës së letërsisë, rrjedhimisht as fushës së kritikës letrare. Ajo u takon disa disiplinave të ndryshme të marra bashkërisht – historisë, sociologjisë, filozofisë, etnografisë, kulturës, në fund të fundit edhe gjuhësisë. Si rrjedhim, identiteti kombëtar shqiptar, i cili në thelb është një identitet kulturor, nënkupton veti apo tipare, që ndryshojnë nga ato të kombeve të tjera, siç janë: gjuha e përditshme, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, e drejta e pashkruar, mënyra e jetesës, aspi¬rata politike dhe, në disa momente historike, edhe feja.
Për fat të keq, të dy penat tona të shquara janë përqendruar tek komponenti fetar, duke i dhënë këtij komponenti, në çështjen e identitetit kombëtar, një rëndësi më të madhe seç e ka p.sh. gjuha, të cilën feja, sidomos tek shqiptarët, por siç do të shihet edhe tek europianët, nuk e ka. Përmbajtja e polemikës së tyre, të krijon përshtypjen se në largimin nga tematika qendrore, ka ndikuar edhe temperamenti sanguine, i cili nxit shqiptarët, sidomos kur u preket sedra personale, të kalojnë “për hakmarrje”, në sulme dhe në kundërsulme denigruese personale. Dëshminë e parë e dha Rexhep Qosja, i cili, e ka mbushur polemikën e tij, tepër të stërgjatur, me hulumtime mbi qëndrimet politike të dikurshme të Ismail Kadaresë. Si rrjedhim, debati tregon se të dy vlerat e kulturës shqiptare, njëri gegë e tjetri toskë, janë kombëtarisht njësoj – të dy janë shqiptarë të mirëfilltë, të dy kanë komponentin hakmarrës të identitetit shqiptar, një komponent ky të cilin nuk e ka si veçori kryesore identiteti kulturor europian.
Në polemikën e dy partnerëve të shquar, vihet re edhe një fenomen tjetër i njohur, i cili ka lidhje me sedrën e brishtë të shqiptarëve. Zakonisht, shqiptarët, e kanë shumë të vështirë të pranojnë gabimin që përmban një trajtesë e tyre. Me të drejtë Arsitoteli ka thënë: Amicus Plato, sed magis amica veritas”! (Jam mik i Platonit, por më tepër jam mik i së vërtetës). Kjo do të thotë, se e vërteta duhet pohuar edhe kur nuk i pëlqen mikut.
Ismail Kadare në esenë e vet me titull “Identiteti Evropian i Shqiptarëve”, i vë një theks të tepruar komponentit fetar, qoftë i krishterë, qoftë mysliman, kur flet për identitetin shqiptar të shekujve të kaluar. Ai pranon se për një kohë të gjatë identiteti kombëtar shqiptar u gatua duke patur si komponent fenë e krishterë. Me këtë komponent fetar, shqiptarët kishin sipas tij, një identitet të plotë “europian”. Por më vonë, ai mendon se me pushtimin osman të Shqipërisë, kur feja islame e ndikuar nga Perandoria e Gjysmëhënës për interesat e saj politike, zëvendësoi fenë e krishterë si përbërëse në identitetin ko¬mbëtar të shumicës së popullsisë shqiptare, identiteti i tyre “europian” u dëmtua. Dëmin që solli islamizmi, ai e amplifikon aq tepër, sa edhe letërsinë shqipe të bejtexhinjve që lindi në shek. XVIII, e gjykon si një letërsi perverse dhe imorale të ambienteve myslimane shqiptare, e cila, gjithnjë sipas tij, e ka dëmtuar edhe më rëndë identitetin kombëtar shqiptar. Nga kjo pikëpamje ne shtyhemi të themi se Ismail Kadare nuk i njeh sa duhet se cilët kanë qenë komponentët e identitetit kombëtar shqiptar në të kaluarën, se nuk e njeh sa duhet historinë fe¬tare të Shqipërisë, madje as historinë e letërsisë shqipe të bejtexhinjve, se më në fund, nuk ka dije të plotë mbi natyrën e islamizmit shqiptar, të ortodoksisë shqiptare, apo edhe të katolicizmit shqiptar. Ismail Kadare ka të drejtë kur thekson se në sajë të ideologjisë së Rilindjes Kombëtare përbërësi fetar islam, në identitetin kombëtar të shumicës shqiptare, erdhi duke u venitur. Qosja pranon se dikur identiteti ko¬mbë¬tar shqiptar ishte gatuar duke patur si komponent fenë e krishterë. Ai pranon, gjithashtu, se feja islame u përqafua nga shumica e shqip¬tarëve gjatë shekujve të sundimit osman. Por, ndryshe nga Ismail Kadare, ai ngul këmbë se fetë dhe ritet, ndërhyjnë në identitetin kombëtar të shqiptarëve duke u integruar aq thellë në identitetin kombëtar, sa edhe në ditët tona janë përbërës të tij. Si rrjedhim, Rexhep Qosja mendon se shqiptarët janë të përgatitur vetëm përgjysmë për t’u integruar në identitetin europian, kurse gjysma tjetër (është fjala për shumicën myslimane të shqiptarëve), është ende e papërgatitur për t’u përfshirë në familjen europiane, për faktin se Bashkimi Europian është një bashkësi popujsh të krishterë. Në këtë mënyrë të vështruari, të dy palët gabojnë kur i japin rëndësi si përbërës të identitetit kombëtar shqiptar-pavarësisht se njëri – Ismail Kadare, e sheh fenë si përbërës të identitetit për shekujt e kaluar, kurse tjetri, – Rexhep Qosja, e sheh këtë përbërës të identitetit edhe në ditët tona.

Sami Frashëri (1850 – 1904)

Sami Frashëri ka bërë një punim me titull: “Qytetërimi Islam” (Medeniyeti Islamiyye, Instambul 1886). Synimi i tij në këtë punim ishte të mbronte pikëpamjen se qytetërimi që u zhvillua në të kaluarën në popujt myslimanë, quhej në kohën e tij, pa të drejtë, qytetërimi arab. Sipas tij ky emërtim qe i pasaktë, mbasi atë qytetërim nuk e krijuan, siç ishin iranianët, turkmenët, kirgizët, kazakët, uzbekët, pakistanezët, indonezianët deri tek turqit, pa lënë jashtë grupet myslimane ballkanike. Është pranuar pothuajse pa asnjë lloj hezitimi se gjuha shqipe përbën një karakteristikë të identitetit tonë kombëtar, të afrive të tij me qytetërimin europian. Vlera e këtij diskutimi qëndron edhe te fakti i madh se atë e kemi ndjekur edhe përmes shtypit e medias, ku janë diskutuar vlerat dhe antivlerat e diskutimit në mënyrë të hapur, gjë e rrallë të bëhet edhe për vepra të tilla që janë shkruar para shumë kohëve. Meqë ky diskutim u shoqërua edhe me shumë polemika mu duk me interes të shkruaja për të në një rrafsh tjetër, në atë kulturor e kominikativ.
______________
Referencat:
1. Patrick J. Geary: “Miti i kombeve: Origjina mesjetare e Evropës”, Ombra GVG, Tiranë, 2009, f. 13.
2. Patrick J. Geary: “Miti i kombeve: Origjina mesjetare e Evropës”, Ombra GVG, Tiranë, 2009, f. 51.
3. Artan. Fuga, “A është gjuha element identiteti kombëtar”, “Leksione”, Tiranë, 2008, f. 2.
4. Rexhep. Qosja: “Ideologjia e shpërbërjes”, Toena, Tiranë, 2006, f. 13
5. Rexhep. Qosja: “Ideologjia e shpërbërjes”, Toena, Tiranë, 2006, f. 51.
6. Po aty, f. 18.
7. Po aty, f. 22.
8. Po aty, f. 26.
9. Po aty, f. 34.
10. Po aty, f. 49.
11. Rexhep. Qosja: “Të vërtetat e vonuara”, Toena, Tiranë, 2006, f. 36.
12. Po aty, f. 84.
13. Rexhep. Qosja: “Të vërtetat e vonuara”, Toena, Tiranë, 2006, f. 46.
14. Ismail Kadare: “Identiteti evropian i shqiptarëve”, Toena, Tiranë, 2006, f. 20.
15. Po aty, f. 21.
16. Po aty, f. 22.
17. Po aty, f. 23.
18. Rexhep Qosja: “Të vërtetat e vonuara”, Toena, Tiranë, 2006, f. 113.
19. Max. Weber: “Studime sociologjike (Studies in sociology)”, Plejad, Tiranë, 2004, f. 48.
20. Rexhep. Qosja: “Ideologjia e shpërbërjes”, Toena, Tiranë, 2006, f. 24.
21. Max. Webër: “Studime sociologjike (Studies in sociology)”, Plejad, Tiranë, 2004, f. 49.
22. Artan Fuga: “Kristo Frashëri rreth identitetit kombëtar”, “Leksione”, Tiranë, 2008, f. 23.
23. Rexhep. Qosja: “Ideologjia e shpërbërjes”, Toena, Tiranë, 2006, f. 67.
24. Po aty, f. 43.
25. Samuel. P. Huntington: “The Clash of Civilizations and the Remaking of World Touchstone Books, London, 1998, f. 67.
26. Samuel. P. Huntington: “The Clash of Civilizations and the Remaking of World Touchstone Books, London, 1998, f. 74.
27. Ismail. Kadare: “Eskili ky humbës i madh”, Onufri, Tiranë, 2001, f. 111.
28. Shtjefen Gjeçovi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” Geer, Tiranë, 2001, neni 124.
29. Sabri. Hamiti: “Vetëdije letrare”, Rilindja, Prishtinë, 1989, f. 321
30. Patrick J. Geary: “Miti i kombeve: Origjina mesjetare e evropës”, Ombra GVG, Tira¬në, fq, 88
.
___________________
Bibliografia:
– Fuga, Artan: “A është gjuha element identiteti kombëtar”, “Leksione”, Tiranë 2008.
– Fuga, Artan: “Kristo Frashëri rreth identitetit kombëtar”, “Leksione”, Tiranë,2008.
– Geary J. Patrick: “Miti i kombeve: Origjina mesjetare e Evropës”, Ombra GVG, Tiranë 2009.
– Gjeqovi, Shtjefën: Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Geer, Tiranë 2001.
– Huntington. P. Samuel: “The Clash of Civilizations and the Remaking of Ëorld Touchstone Books, London 1998.
– Hamiti, Sabri: “Vetëdije letrare”, Rilindja, Prishtinë 1989.
– Kadare, Ismail: “Identiteti evropian i shqiptarëve”, Onufri, Tiranë 2006.
– Kadare, Ismail: “Eskili ky humbës i madh”, Onufri, Tiranë 2001.
– Qosja, Rexhep: “Të vërtetat e vonuara”, Toena, Tiranë 2006.
– Qosja, Rexhep: “Ideologjia e shpërbërjes”, Toena, Tiranë, 2006.
– Weber, Max: “Studime sociologjike” (Studies in sociology), Plejad, Tiranë 2004.

FUND

DR.ROVENA VATA: KADARE-QOSJA-FRASHËRI RRETH IDENTITETIT KOMBËTAR (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2677

=========================================

KUSH ËSHTË DR.ROVENA VATA

Dr. Rovena Vata ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, ku realizoi edhe studimet e Masterit Shkencor në degën e Shkencave Letrare në specialitetin “Letërsi e Përgjithshme dhe Letërsi e Krahasuar” me Medalje të Artë. Me datë 17 qershor 2013 mori gradën shkencore “Doktor” në fushën e Studimeve Letrare, në specialitetin “Letërsia dhe mitologjia”, pranë Qendës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike-Tiranë, ku dhe punon si studiuese e shkencave albanologjike. Ajo ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunon në editorial board me revista shkencore në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, Rumani, Itali, Suedi, SHBA, Slloveni etj. Rovena Vata është pedagoge e Shkencave Gjuhësore, Shkencave të Komunikimit, Drejtimit në Arsim dhe Metodikës së Kërkimit Shkencor, në Universitetin e Arteve në Tiranë, Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës dhe Univeristetin Justicia.

————————————————

(Ilustrimet i përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura