PROF. MURAT GECAJ: SALI GJUKË DUKAGJINI, NJË NDËR FIRMËTARËT E DOKUMENTIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË NË VLORË, MË 28 NËNTOR 1912

Tiranë, 28 nëntor 2017: (Nderuar me titujt “Mësues i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”) – Sidomos në këta dhjetëvjeçarët e fundit, ka nisur të flitet e të shkruhet për një ndër figurat e shquara të Kosovës dhe mbarë Shqipërisë, Sali Gjukën, i njohur shpesh dhe Sali Gjukë Dukagjini. Prandaj atë po e përkujtojmë dhe po i bëjmë një nderim të veçantë në 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ku ai ishte delegat dhe firmëtar i dokumentit historik.
1.Në vitet e fëminisë
Lindi në qytetin e Pejës, në vitin l876, në një familje me tradita të njohura atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku u vendos familja e tij, si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Pasi kaloi vështirësitë e kohës, mundi të regjistrohej student në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Kur i përfundoi studimet e larta, e nisi punën në gjykatën e atij qyteti dhe e vijoi veprimtarinë e dendur, në shërbim të çlirimit të Atdheut të robëruar.
Në vitin l909, megjithëse ilegalisht, Sali Gjuka punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës shqipe, në Pejë. Ndërsa, në vitin l910, me përkrahjen e Bajram Currit, Hasan Prishtinës etj., u bë mësuesi i parë i shqipes për nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Përkrah pati edhe atdhetarin e njohur, Bedri Pejani. Roli i nxënësve të atyre shkollave, të cilët më pas u shpërndanë mësues, në Kosovë e në mbarë Shqipërinë, ishte mjaft i madh. Vetë ish-nxënësit e tij do ta kujtonin përherë me nderim mësuesin e tyre të parë të gjuhës amtare. Njëri prej tyre, “Mësuesi i Popullit” Avni Zajmi më ka treguar: “Sali Gjuka na fliste për bukurinë e gjuhës shqipe, për historinë e Skenderbeut, për shoqëritë atdhetare jashtë Shqipërisë. Na dha abetare, që shtypeshin në Bukuresht…” ( Kumtim gojor,Tiranë, 3 maj l984).
2. Luftëtar, me penë e pushkë në dorë
Në vitet e kryengritjeve të mëdha mbarëpopullore antiosmane, të viteve l910-l912, Sali Gjuka u dallua një luftëtar e veprimtar i shquar, ndër më popullorët e kohës. Me nismën e tij, në prill l9l2, u formua në Selanik Klubi i ri me emrin kuptimplotë “Bashkimi”. Ky propogandoi edukimin e ndjenjave atdhetare, përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip. Një punë të madhe bëri ndërmjet studentëve shqiptarë, që ishin në atë qytet. Ai krijoi një çetë të armatosur dhe me ta vendosi të fillonte luftën kundër pushtuesit. Pasi përballuan mjaft vështirësi, ata arritën në Korfuz, ku u bashkuan me atdhetarin Dervish Hima. Pastaj, së bashku, kaluan në Delvinë e Gjirokastër, ku dhanë një ndihmesë të çmuar për organizimin e luftës çlirimtare.
Më 21 korrik l912, atdhetari Nikollë Kaçorri i shkruante, nga Durrësi, Sali Nivicës, që vepronte në Jug: “Prej një letre, që morëm prej Hasan Beut ( Prishtinës,-shënimi im, M.G.) na thotë se Dervish Hima, me ca djem, si Sali Gjuka etj., patën ikur prej mejtepeve të Selanikut dhe të Stambollit…për të bërë kryengritje… Ka një javë që janë në Korfuz…Ushtria turke po thyhet… Është një mrekulli, që paralajmëron ngadhnjimin tonë komëtar”.(Gaz. “Bashkimi”,l8.9.l982).
Për veprimtarinë atdhetare, që kishte treguar kundër pushtuesve osmanë, me armë e me pushkë në dorë, gjykata ushtarake e Prizrenit e dënoi Sali Gjukën me vdekje, në mungesë. Dënim shumë të rëndë i dha atij edhe gjyqi ushtarak i Ferizajt.

Sali Gjukë Dukagjini (1876-1925)

Sali Gjuka u bë një ndër udhëheqësit kryesorë në shoqërinë atdhetare të përparuar të kohës, me emrin “Shoqëria e zezë për shpëtim”, me komitetin e saj “Shpëtimi”. Ajo ishte krijuar me nismën e Bajram Currit, ku bënin pjesë edhe Hasan Prishtina, Isa Boletini, Nexhip Draga etj. Saliu ishte organizator i mbledhjes së kësaj Shoqërie, në Shkup, e cila u mbajt në shtëpinë e tij, më l4 tetor l9l2 dhe që e ngarkoi me detyra të rëndësishme. Në këtë mbledhje, ndër të tjera, u miratua e u nënshkrua (pra dhe nga S.Gjuka) një deklaratë, e cila iu dëgua Fuqive të Mëdha në atë qytet. Në të theksohej se :
“Populli i Shqipërisë po i kapë armët, jo për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë në Ballkan, por për t’u dalë zot tokave të veta. Pra, sido që të jetë fati i luftës, populli i Shqipërisë ngul këmbë për një Shqipëri të lirë e me një formë qeverisjeje të vetme”. Sali Gjuka u ngarkua, bashkë me dy veta të tjerë, që ta dërgonte Deklaratën në Malësinë e Shkodrës. Detyrën e kreu me shumë dëshirë e korrektësi.
Idetë e tij atdhetare, Sali Gjuka i shprehu edhe në “Manifestin drejtuar shteteve të Perandorisë Osmane, në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar”, që u nënshkrua prej tij. Aty theksohej se, me rastin e çarmatosjes, autoritetet qeveritare vranë e prenë mizorisht popullin e pafajshëm, gra e fëmijë. Gjithashtu, ishin marrë masa që të pengohej përhapja e arsimit dhe e kulturës: “Gazetat shqiptare, që kanë shkruar për këto mizori , janë ndalur, shtypshkronjat janë mbyllur dhe redaktorët e tyre u janë dhënë gjyqeve të larta. Në Elbasan…është mbyllur e vetmja shkollë Normale,që ekziston në Shqipëri…Janë shtruar në dru dhe janë burgosur të gjithë ata që lexonin shqip”.(“Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”,Tiranë, l978, faqe 241).
Sali Gjuka dha një ndihmesë me vlerë në nxjerrjen e gazetave të njohura të kohës: ” Populli”, bashkë me patriotët Sali Nivica e Muço Qulli (në Shkodër) dhe “Bashkimi i Kombit” (në Manastir). Gjithashtu, u mor me studime gjuhësore dhe etnografike, të cilat i botoi në shtypin e asaj periudhe; shkroi e botoi një gramatikë shqip-turqisht (Manastir, l9l0) etj.
3. Delegat i Kosovës, në Kuvendin e Pavarësisë
Në Nëntorin e stuhishëm të vitit l912, Saliun do ta gjejmë përsëri përkrah luftëtarëve e mendimtarëve më në zë të kohës. Me thirrjen, që u kishte bërë atdhetari i flakët, Ismail Qemali, drejt Vlorës udhëtonin sa e sa delegatë, përfaqësues të popullit luftëtar, nga e gjithë Shqipëria. Ndërmjet tyre, si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, ishte dhe atdhetari e mësuesi i palodhur i gjuhës shqipe dhe i ndjenjave atdhetare, Sali Gjukë Dukagjini.
Për ndihmesën e Sali Gjukës, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, dëshmon edhe shtypi i kohës. Ndër të tjera, një njoftim pohonte:
“Vetë Ismail Qemali, kur e pa të ndezur, duke folur për rëndësinë e asaj nate, e afroi afër dhe e puthi në të dy faqet, me lotë ndër sy. Sali Gjuka kishte një ndërgjegje me të vërtetë kombëtare. Kur pa se delegatët e Korçës mungonin në atë mbledhje, e qau fatin e zi të atij qyteti dhe propozoi që të zgjidheshin delegatë të tjerë, duke qenë se Korça ishte e rrethuar prej armikut”.

Dokumenti i shpalljes së Pavarësisë, ku dallohet qartë dhe firma e Sali Gjukës (Vlorë, 28 nëntor 1912)
Në Aktin përfundimtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili ka nënshkrimet e 63 delegatëve, pjesëmarrës të Kuvendit të madh të 28 Nëntorit l9l2, përkrah emrave të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Nikollë Kaçorrit, Jani Mingës, Dervish Himës, Babë Dudë Karbunarës e të atdhetarëve të tjerë, dallohet qartë dhe firma e Sali Gjukës. Ky ishte një vlerësim i merituar, që i bënte atij populli shqiptar për përpjekjet e shumta e sakrificat e mëdha, që kishte bërë deri atëherë për pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi i Vlorës, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë të Sali Gjukës, e zgjodhi atë këshilltar në përbërjen e Pleqësisë( Senatit), detyrë që e kreu me përgjegjesi.
Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali Gjuka ishte ndihmës i Luigj Gurakuqit për problemet e arsimit. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar në gazëtën “Përlindja e Shqipnisë”. Që në numrin e parë të kësaj gazete, të Qeverisë Kombatare në Vlorë, ai do të shkruante:
“Si çdo komb edhe shqiptarët më të madhen rëndësi do t’i japin arsimit, se vetëm këtu e shohin e duhet ta shohin uzdajën e qytetërimit. Veç me përparimin e arsimit, mund të humbasë o të tretet mjergulla e errësirës verbuese…Ndryshe, nuk shitohet kulçedra e padijes. Lirimi i Shqipërisë prej Turqisë, do të jetë kobi i paditurisë… Vetëm me arsim mund ta shpëtojmë Atdheun prej çdo shqelmi të mallkuar”. (Nga Sali Gjukë Dukagjini, në gaz. “Përlindja e Shqipnisë”,nr.l, Vlorë, 6.8.l9l3). Pastaj shpjegonte konkretisht, se çfarë masash po merrte Qeveria Kombëtare e Vlorës për zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, si: përgatitjen e mësuesve, çeljen e shkollave nëpër fshatra të ndryshme etj.
4. Drejtues i aftë, për mbarëvajtjen e arsimit kombëtar
Kur nënshkruan Aktin e Madh, në Vlorë ishte dhe Babë Dudë Karbunara. Në krah kishte atdhetarin Sali Gjuka, për të cilin Ismail Qemali iu drejtua ati: “Do të japim me vete kosovarin syshqiponjë, Sali Gjuka…”. Në dhjetor l9l2, kur u kthye në Berat, Babë Duda ishte bashkë me Sali Gukën. Në janar l9l3 ky filloi nga puna si drejtor i arsimit për qarkun. Menjëherë, hapi shkollën Normale të përkohëshme, ku do të përgatiteshin mësuesit e parë dhe do të kualifikoheshin mjaft të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Kosova, të cilët më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare.
Po kështu, gjatë asaj periudhe, ranë në sy puna e zelli i madh i Sali Gjuks për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe, në ish-qarkun e Beratit. Duke shkruar për rolin, që luajti për funksionimin e kurseve të shpejta dymujore, koloegu i tij, Sulo Resuli do të shprehej më vonë:”Ne synonim që arsimtarët e rinj, sipas shembullës fort të ndritur të Z.Sali Gjukës, të merrnin disa fillime të ngutshme për didaktikën e mësimit… dhe në përfundim, kur kaluan të gjithë, zemra na u bë mal”. (Gaz.” Mësuesi”, l6 shkurt l983).
Gjithashtu, për punën e mirë të Sali Gjukës, në përfundimin e kurseve të shpejta të mësuesve, ka shkruar dhe Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit, në atë kohë, Luigj Gurakuqi: “Kam mbetur me të vërtetë i kënaqur nga punët e mira, që ka dhënë ky rend dhe e shoh me detyrë t’u paraqes, në emër të arsimit kombëtar, falenderimet e mia më të thella, si Drejtorit t’ Arsimit, Z. Sali Gjukës…e të gjithë mësuesve të tjerë”. (AQSH i RSH, MA, l9l7, D.32, f.8 ).
Megjithëse shërbeu drejtor arsimi në qarkun e Beratit, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, përkrahu Revolucionin e Qershorit l924 dhe masat demokratike të Qeverisë së Fan Nolit.
Atdhetari i madh Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën kombëtare dhe ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit, sidomos në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike, e cila doli nga Revolucioni i Qershorit l924 : “Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht rëndësinë, që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj e kemi të mëdhe dëshirën, që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vetë të sakrificave, që bëri populli ynë…Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme, në personin e Sali Gjukës”.
5. Kur të vlerësojnë brezat…
Armiqtë e ndoqën hap pas hapi trimin luftëtar e të ditur, Sali Gjuka. Në vijim të përndjekjeve të mëparshme, në vitin l920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për këtë e dënuan l0 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.
Pas fitores së Revolucionit të Qershorit l924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, S. Gjuka punoi pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Por e kuptonte se vuajtjet e shumta të jetës dhe sëmundja e tuberkulozit po e mposhtnin. Kështu, duke lënë pas dy vajza, njëra nga të cilat jetoi në Vlorë dhe tjetra në Tiranë, i mbylli sytë përgjithnjë në atë qytet, më 25 tetor l925. Gazeta “Afrimi”, të cilën e nxirrnin një grup djelmoshash kosovarë, me në krye prof. Mehmet Vokshin, me atë rast botoi nekrologjinë dhe një jëtëshkrim. Aty, Sali Gjuka vlerësohej me këto fjalë: “Një nga më të rreptit luftëtarë të indipendencës shqiptare, një ngë promotorët më të parë të lëvizjes kombëtare…”.
Sali Gjukë Dukagjini është nderuar me titullin e lartë, “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion: “Patriot i shquar dhe veprimtar i palodhur për përhapjen e arsimit e të mësimit të gjuhës shqipe; mësues i gjuhës shqipe në Normalen e Shkupit; pjesëmarrës në Kuvendin Kombatar të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë; drejtues dhe organizator i arsimit tonë kombëtar, në shtetin e pavarur shqiptar, në vitet l9l2-l920”. Gjithashtu, ai është shpallur “Nderi i Kombit”, si dhe tërë firmëtarët e Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë.
Fjalë vlerësimi e nderimi për të kanë thënë: prof.dr. Aleksandër Xhuvani, prof.dr. Aleks Buda e të tjerë. Me artikuj e studime, gjithnjë e më tepër, Sali Gjuka po bëhet i njohur në trojet shqiptare. Në vitin l99l, Dr. Muhamet Pirraku ribotoi në Prishtinë gramatikën e tij shqip-turqisht, të përkthyer në shqip dhe të pajisur me shënime e të paraprirë me një jetëshkrim të tij. Një shkollë e mesme në Urën Vajgurore të Beratit mban emrin e nderuar ta Sali Gjukës. Me jetën e tij, ai frymëzon breznitë e reja, për t’iu përkushtuar sa më shumë Atdheut e diturisë.
Në jetëshkrimin, që u botua kur ai u nda përgjithnjë nga jeta,u thanë dhe këto radhë profetike: “… Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në mermerin e famës”. Ndërsa një poet beratas, ka thurur edhe këto vargje domethënese, për Sali Gjukë Dukagjinin:
“Emri yt i ndritur,
balli i shkollës sonë,
shikoje, moj Vlorë,
Berat e Kosovë !”.

Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues – Tiranë, 26 nëntor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura