New York, 19 nëntor 2019: Referimi i studiueses dhe pedagoges Dr. Rovena Vata, mbajtur në New York, me rastin e 148 vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës
Të nderuar motra dhe vëllezër shqiptarë, të nderuar dashamirës, njohës, studiues, profesor, të nderuar familjarë të familjes së At Gjergj Fishtës, i nderuar z. Gjergj Domgjoni me familje, i nderuar z. Mark Qehaja nën/kryetar i shoqatës “Skënderbeu”, të nderuar përfaqësues të kishës “Zoja e Shkodrës”, jemi mbledhur sot të gjithë bashkë për të nderuar një personalitet si At Gjergj Fishta.
Në 148 vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës një falënderim special shkon për personin ndërlidhës me shoqatën shqiptaro-amerikane “Skënderbeu”, z. Besnik Paci, i familjes së origjinës së At Gjergj Fishtës, nga Domgjoni i Mirditës, aktivisti, lobisti, promovuesi i imazhit të veprës së At Gjergj Fishtës, i cili sot do të ishte i pranishëm së bashku me ne, por dita e takimit në ambasadën amerikane, do jetë disa ditë më vonë nga dita e këtij aktiviteti madhështor dhe kësaj akademie përkujtimore që është caktuar sot.
Gjyshi i Fishtës ka lindur në Domgjon-Mirditë, familja Paci. Në vitin 1800 kanë zbritur nga Domgjoni, në Fishtë të Zadrimës, në Fishtë ka lindur i ati i Fishtës Ndoka, që kishte një vajzë Lenen dhe tre djem, Lekën, Simonin ose Çupin dhe Zefin, i cili u Pagëzuar Gjergj Fishta.
Kemi të bëjmë me një personalitet të të gjithë shqiptarëve anë kënd botës ku janë, të cilit Zoti nuk i kursej të gjitha aftësitë që mund të ketë një njeri i jashtëzakonshëm, pasi i tillë ishte Fishta, njeri i jashtëzakonshëm, i cili veproj po në kushte të jashtëzakonshme për vendin e tij.
At Gjergj Fishta ka merita të veçanta në themelimin e gjuhës shqipe, duke dhënë kështu ndihmesën e tij, si pjesëmarrësi më aktiv dhe më prodhimtar i shoqërisë Bashkimi (1899) dhe një nga përkrahësit më të zjarrtë të Preng Doçit, themeluesit të kësaj shoqërie. Fishta mori pjesë në hartimin e fjalorit të kësaj shoqërie më 1908, një ndër veprat më të mira të leksikografisë sonë deri në atë kohë.
At Gjergj Fishta caktohet delegat i shoqërisë Bashkimi në Kongresin e Manastirit (1908) dhe luan rol të rëndësishëm në hartimin e alfabetit të gjuhës sonë, jo thjesht në cilësinë e kryetarit të komisionit, por edhe për njohuritë e gjithanshme që Fishta zotëronte.
Një tjetër ndihmesë që dha Fishta ishte edhe pjesëmarrja e tij si një faktor i rëndësishëm i jetës dhe kulturës shqiptare, siç është Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918). Një tjetër ndihmesë në themelin e gjuhës shqipe, është edhe aspekti i pasur leksikor i ligjërimit popullor.
Kujtojmë që studiuesi gjerman Lambertzi e ka quajtur Fishtën reformuesi i gjuhës shqipe, duke e studiuar veprën e Fishtës në cilësinë e satirikut, gjuhëtarit, lirikut dhe publicistit.
Fishta i ka shtuar një vlerë të jashtëzakonshme gjuhës shqipe, pasi vepra e tij është e pasur me fjalë dhe shprehje pak të njohura ose të panjohura fare dhe këto shprehje i ka sjell në trajtën që i ka gjetur në popull, në të folurën e tyre, pa i shtuar apo hequr ndonjë germë të tyre, kjo e bën Fishtën një ruajtës të vlerave dhe gjuhës së pasur të folklorit tonë, pasi gjuha është elementi kryesore i identitetit të një kombi., pra duke i qëndruar besnik shprehjes ashtu siç e ka dëgjuar.
Fishta është një sqimatar i gjuhës shqipe dhe mos të harrojmë se kjo vepër është vepër jete dhe i mori 40 vite jetë, për ta jetësuar Lahutën e Malësisë, fakt ky që e bën Fishtën të pavdekshëm, ai ishte në mesin e popullit të tij, duke kundruar ndër ta në gjithë përditshmërinë e tyre, për jetën, traditat, zakonet, doket, ritet, për zbatimin e neneve kanunore dhe si një bletë ka sjell të pastër këtë gjuhë shpirti, gjuhën e zemrës, gjuhën e nënës, gjuhën që flitet kur zemra buçet nga dhimbja apo triumfon nga gëzimi.
Vetëm kjo gjuhë e bën të bukur melodinë e shprehjes së fjalës së bukur shqipe. Ai ishte i vetëdijshëm që gjuha e nënës pra gjuha e zemrës duhet të jetojë e gjallë ndër breza, por pa harruar edhe gjuhën e bukës, gjuhët e huaja siç i quante ai. Gjuha shqipe duhet të ishte e para, dhe të mos harrojmë faktin që, ai nuk përjashtoi që gjuha italiane të mos ishte si pjesë e sistemit arsimor, pjesë e plan programeve shkollore, por si lëndë, jo si detyrim nga shqiptarëve për ta mësuar dhe për ta lënë pas dore gjuhën e tyre.
Fuqia artistike e ndërtimit të gjithë veprës fishtjane është gjuha shqipe, Fishta u kujdes për gjuhën shqipe jo si një artist, një njeri i letrave dhe frymës së artit letrar, por kujdesi i Fishtës për gjuhën shqipe ishte i baraasvlefshëm me atë të një gjuhëtari.
Fishta filloi të botojë kur ne nuk kishim një alfabet të njësuar, në një kohë kur çdo shkrimtar përdorte atë alfabet që dëshironte, kur s’kishte një fjalor të mirëfilltë të gjuhës shqipe, kur s’kishte një gramatikë normative, kur ishte në dilemë për gjuhën që do të përdorte: të ndiqte vazhdën e autorëve të vjetër të letërsisë sonë, pra të ndiqte gjurmët e disa autorëve pararendës, që i përkisnin kryesisht shekullit XIX, si: Pjetër Zarishi, Pashko Babi, Engjëll Radoja etj, apo të ecte në atë rrugë që zgjodhi, duke mos përfaqësuar as të parët as të dytët. Fishta shkroi në gjuhën gege, duke përdorur trajta fonetike dhe forma gramatikore të dialektit që ai përfaqësonte. Me atë leksik dhe sistem gramatikor e kishte ndërtuar vargun e Lahutës, por edhe të veprave të tjera të tij.
Jo më kot ai apelon përmes poezisë së tij, të qartësuar që në titull Gjuha Shqype:
Pra, mallkue njai bir Shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perendisë,
Trashigim, s´ia len ai fmis ;
Edhe atij i u thaftë, po , goja,
Qi e përbuzë ketë gjuhë hyjnore ;
Qi n´gjuhë t´huej, kur s´ashtë nevoja,
Flet e t´veten len mbas dore.
Synimi kryesor i Fishtës ishte që të lartësohej tradita shqiptare, nëpërmjet tipareve të veta themelore, që janë pjesë përbërëse e strukturës së një kombi. Fishta shprehej se gjuha shqipe duhej ruajtur, tërë veprimtaria atdhetare e Fishtës në lëmë të propagandës ishte mbështetur mbi këtë koncept, të cilit ai i përkushtoi jetën e tij. Gjithë vepra e tij rreh te ky argument sepse ai vetë e kish kuptuar fort mirë se për sa kohë shqiptarët do të ruanin gjuhën, s’do të bënin gjë tjetër veçse do të ruanin edhe kombësinë .
“Tash pesëqind e disá vjet :
pra, atë ditë Shkjau, po bâni e u gjet
t’dámë n’mejt vetit, jú Shqiptarëve,
e pa zellë për gjuhë të t’Parëve” .
Gjuha letrare shqipe ka historinë e saj të njohur, ka një moshë të caktuar, ka shenjuesit e saj kulturorë dhe ka regjistrat e saj të plotë të shprehjes , Gjergj Fishta duke përdorur gjuhën dhe pikërisht atë gege realizoi një vepër madhore që ka lënë gjurmë në historinë e letërsisë shqipe.
Duke përdorur këtë gjuhë dhe mundësitë që ajo të jep i dha dorë Fishtës për të shprehur kultin e saj dhe jo vetëm, por duke shprehur edhe kultin e të parëve.
“Ndoshta t’dámë na jemë ndër veti;
por ku né t’na lype Mbreti,
por ku Shkjau t’na ngasë n’vend t’Parëve” .
Fishta përmes vetëdijës historike dhe vetëdijes mitike ka shtrirë dhe ka shprehur realitetin historik në veprën e tij letrare. Përmasa fiktive-mitike në veprën e tij, del në pah në Lahutën e Malcisë. Kjo shtrirje në kohë, bëhet sidomos nëpërmjet qenieve mitike si dhe shqiptimit të virtyteve e tipareve të trashëguara nga të Parët, që kanë një domethënie të shumëfishtë në krijimtarinë e tij dhe në mënyrë të vecantë në veprën e tij madhore te Lahuta e Malcisë .
“T’fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
sit ë Parët ua lidhshin motit,
n’ato kohë t’Gjergj Kastriotit” .
Në vështrimin për funksionin stilistik të foljes në gjuhën e një vepre, siç është Lahuta e Malcisë, që në raport me gjuhën e sotme shqipe shpreh jo vetëm largesë kohore, po edhe largesë hapësinore .
“E kahdo qi t’bjerë Shqiptari,
shkon rrufeja tu’ e ndezë zhari,
pushkë e besë pse na i la i Pari” .
Gjuha e veprave të Fishtës është gjuha e popullit, e thjeshtë e gjallë, përplot me frazeologji, e rrjedhshme, e fortë e burrnore, në të flet shpirti shqipëtar e jo penda e shkollarit, shprehet zemra e ndienat e nji popullit ma fort se mendia trilluese, qi limon e matë fjalë e fraze, gjithsaherë këto të fundit s’përkëdhelin veshin e lexuesit.
“Kanë lidhë besën, po, n’mjet vetit,
me bâ pushkë me asqer të Mbretit,
edhe t’Parët mos i koritun” .
Fishta shkrou gegnisht dhe u mendue të ruejë thjeshtësinë e së folmes së banorëve të kësajë krahine. Gjithnji, gegnishtja e tij nuk âsht e kufizueme mrenda caqeve të nëndjalekteve veriorë. Në këtë pikëpamje, gjuha e Fishtës mund të gjikohet herë-herë tepër krahinore .
“Por lum kush des për dhé t’Parëve,
si âsht due dekën rodi i Shqiptarëve” .
Fishta pothuajse i mishëron në veprën e tij të gjitha nenet kanunore dhe jep disa koncepte të këtyre neneve në paralele me njëri-tjetrin.
“Tue u lidhë me besë e fé,
se ai Shqipninë e njeh Shqipní;
se s’ na lot kanu’n e t’ Parëve:
se s’na prekë ndër toka tona” .
Fishta, ndonëse e hedh vështrimin ndonjëherë nëpër gjithë trojet shqiptare, skenën e ngjarjeve e kufizon në malësinë e Veriut.
“Lahuta e Malcís” përshkruan ngjarje të cilat, kryesisht, kanë ndodhur brenda tërësive hapësinore të ngushta. Gjeografia artistike e poemës shprehet përmes këtij vargu:
“Por âsht toka e t’ Parëve tonë,
e i atij Lekë Dukagjinit,
me ia lëshue Malit të Zi,
Hot e Grudë, Plavë e Gusi” .
Ndihmesa e At Gjergj Fishtës nuk ndalet vetëm në aspektin e gjuhës shqipe, pasi dimë se Fishta ishte edhe një mësues i mirëformuar, një pedagog i kalibrit ndërkombëtar, një psikolog i detajit, duke lënë kështu gjurmën dhe ndihmësen e tij edhe në arsimin shqiptar. Fjalët kyçe më të përdoruara prej tij në këtë drejtim ishin fjalët: edukim, dije, mësim, gjuhë, arsim.
Mue me mjafton që mundi i em t’i,
këtë mbërritë qëllimit, domëthanë me,
edukue publikun, tue e nxitë kah,
përparimi dhe atdhedashtnija.
-Gjergj Fishta-
Fishta nuk ishte i etur vetëm për të hapur shkolla shqipe, por kishte si kërkesë bazë dhe ngritjen e tyre cilësore. Ai mendon se, për t’ia arritur këtij qëllimi, kërkohet një kualifikimi i lartë i mësuesve dhe hodhi i pari idenë e madhe se mësuesit, sidomos ata të shkollave të mesme me arsim të lartë, krahas punës mësimore, duhet të merren edhe me punë krijuese e shkencore .
Fishta ka një ndihmesë të rëndësishme përmes krijimit të Komisisë Letrare më 1916, së bashku me mikun e tij Luigj Gurakuqi, qëllimi i kësaj komisie ishte njësimi i gjuhës shqipe, kryesisht në administratën publike dhe në shkolla.
Fishta, që më 1913, këtë qendër studimesh albanologjike, që sa vinte e po merrte formën e plotë, e bëri dhe me një revistë kulturore, letrare e shkencore, që u quajt “Hylli i Dritës” e që u vlerësua shumë edhe nga të huajt .
Brenda 20 vjetëve, ky grupim i forcave shkencore të qytetit të Shkodrës e më tej, mori pamjen e një qendre të vogël studimesh albanologjike, por me rëndësi të madhe për shkollën. Në ndihmë të tij, Fishta, me autoritetin e tij si krijues dhe si shkencëtar i nivelit të lartë, tërhoqi mjaft forca të tjera shkencore të qytetit të Shkodrës e më tej si: Mjedën, Xhuvanin, Çabejn dhe Pekmezin si dhe albanologë të huaj, siç është Lamberci.
Veprimtaria pedagogjike e Fishtës mund të ndahet në dy periudha të mëdha:
E para fillon me emërimin më 1902 drejtor i shkollave françeskane dhe shkon deri me zgjedhjen e tij deputet i parlamentit të parë shqiptar. Gjatë kësaj kohe shkroi “Gjuha e msmit” dhe “Nevoja e msimit”, ku tek kjo e fundit, mes të tjerash shkruante:
“Por sod doket që ndërruen me mote,
E të lum njeriun s’e ban veç trimnija,
E thue fatin do ta ketë Shqypnija?
Kush shqiptarit do t’i japë përparim?
Kësaj pyetjeje madhore i jep vetë një përgjigje historike:
“Vetëm shkolla shqiptarët po përpara,
Kah lumnija me u njitun i ban”.
Që në të vërtetë tregonin rrugën, që duhej ndjekur për reformimin e shkollave të huaja, që ishin në Shqipëri në institucione, ku gjuha e mësimit të ishte shqipja. Tani për atë çdo gjë është e qartë: mbrojtja e zhvillimi i atdheut kërkojnë, veç trimërisë dhe dije shkencore e se këto i jep shkolla. Tek poezia “Shqypnija” ai brohoret me tërë forcën e shpirtit të tij.
Rrofsh e qofsh pra moj Shqypni,
Rrofsh e qofsh gjithmonë si vera,
E me dije e me liri,
Për jetë të jetës të rroftë ty ndera”.
Tek poezia kushtuar historianit Pashk Bardhi, formulon qartë një nga kërkesat e tij më kryesore pedagogjike:
Por çka se mjaft asht me mëkambë Shqipninë,
Porse duen rritë edhe shqiptarët, që t’bahen,
Të zott me e mbajtë Shqipninë .
Kur Gjergj Fishta muer në dorë drejtimin e shkollës, thotë Pashk Bardhi, gjuha e mësimit ishte italishtja, por pak mbrapa, si gjuhë mësimi kje vu gjuha shqype. Pra, Shkolla Françeskane kje e para shkollë në Shkodër, të të cilën mësimet filluen me u dhanë në gjuhën shqype .
Fishta me arritjen e këtij qëllimi që i kishte vënë vetes e shprehu hapur gëzimin duke u shprehur se Kjo e jona, është e vetmja dhe e par shkollë ku shqipja mësohet e rrin, jo si fëmijë i gjetun, por si zojë shtëpijet .
Periudha e dytë fillon me zgjedhjen e ti si deputet dhe shkon deri në fund të jetës. Gjatë kësaj kohe shkruan platformën e Reformës së parë arsimore në shekullin XX tek ne, ku shfaq idetë e tij për reformimin e arsimit që nga baza e deri në qendër. Idetë e tij pedagogjike, përveçse në artikujt shkencorë, që botoi në organe të ndryshme të shtypit të kohës, i gjejmë të kristalizuara edhe në veprat e tij artistike. Fishta mendonte se pa gjuhë nuk ka shkollë dhe pa shkollë nuk ka gjuhë letrare. Krahas binomit që Fishta krijoi “Për fe dhe atdhe”, ai krijoi një binom po aq të fuqishëm “Çdo gjë për gjuhën dhe shkollën shqipe” për këtë më 1914 ai kërkoi që në të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë shqipja të jetë gjuha e mësimit. Megjithatë ai, nuk ishte kundër kulturës së huaj, as kundër marrëdhënieve të drejta në fushën e shkencës e arsimit me vendet e tjera, por ai është kundërshtar i prerë i përdorimit të shkollës, burimit të dijes, për shkombëtarizimin e një populli, që në kohën e tij përbënte një nga rreziqet më të madha për lirinë e vendit tonë. Fishta tregoi një kujdes të veçantë për punën me gjuhën, sepse kishte vënë vetes si detyrë parësore për ta dëshmuar shqipen: “Si një gjuhë të stilit të lartë” .
Ai godet edhe ata studentë që kanë shkruar jashtë për të studiuar dhe nuk tregojnë kujdesin e duhur, për të përfituar sa më shumë nga përvoja e vendeve të tjera dhe për ta venë atë në shërbim të zhvillimit shqiptar. Fishta mbetet emblemë letrare e shqiptarëve, për arsye se ai qe shkrimtari që e ndjeu qysh herët se gjuha lypset trajtuar si qëllim më vete, se akti i mirëfilltë letrar është pikësëpari akt i mirëfilltë gjuhësor.
Më 1907 arsimtari Gjergj Fishta, hapi edhe kurset e natës për mësimin e të rriturve, afër shkollës themeloi teatrin, ku shfaqet jepeshin në gjuhën shqipe, pastaj formoi shoqërinë bamirëse për të ndihmuar fëmijët, të cilët, gjithnjë e më shumë vijonin mësimet në shkollë. Në shkurt të atij viti Fishta hapi bibliotekën e parë shkollore .
Në vitin 1914 shkollat fillore që kishin për gjuhë zyrtare gjuhën shqipen numëroheshin me gishtërinjtë e dorës. N’artikujt “Gjuha e mësimit” dhe “Gjuha shqipe” e në të tjera, poeti me këmbëngulje lyp që gjuha shqipe të jetë e detyruar në të gjitha shkollat fillore të Shqipnisë edhe nxit shqiptarët, që të mos tregohen të fjetur e të përgjumur, kur është puna e gjuhës, sepse prej saj rrjedh jeta e vdekja e kombit .
Gjuha e Fishtës është e pasur me njësi frazeologjike dhe larmi figurash stilistike e retorike në përputhje me parimet klasiciste të gjuhës poetike, çka vërteton qëndrimin e tij të njohur për ta dëshmuar gjuhën shqipe si një gjuhë të stilit të lartë. Por duke ia ndaluar tragjedisë, si në përgjithësi veprës fishtjane komunikimin me lexuesit, letërsinë shqipe i ishte privuar deri më sot edhe kjo fjalë e bukur poetike .
Nën qeverinë austro-hungareze çështja e gjuhës shqipe qe pika kryesore e programit të Drejtorisë së Përgjithshme të arsimit që kryesohej nga i vlefshmi atdhetar Luigj Gurakuqi .
Fishta, biri i popullit, ka naltue si dikur Homeri nder grekë e Lukreci ndër romakë, gjuhen shqipe në dinjitetin e artit .
Madhënisë së vet, ky njohës i kthellët i gjuhës dhe psikologjisë së popullit shqiptar, kësaj madhnie që e rrethon, e cila me kalimin e kohës do të vijë tue e ba përherë e më e madhe, Fishta do t’ia dijë në një pjesë gjenialitetit të vet dhe çastit historik, valëve të kohës .
Është shumë e vërtetë se Fishta, duke i hyrë në hak edhe krijimtarisë artistike, shkollës i ka kushtuar shumë kohë dhe energji. Ai luftoi për të krijuar modelin e një sistemi arsimor parauniversitar në gjuhën shqipe dhe ia arriti qëllimit falë dashurisë, këmbënguljes dhe punës së tij.
Fishta edhe kur ai kishte arrit shkallën e një poeti të madh, ulesh me kënaqësi e respekt në tryezën e drejtorit, të një shkolle fillore apo të mesme. Ky qëndrim dinjitoz lidhej me përkushtimin, që ai kishte për të ndikuar në zhvillimin e arsimit në shkallë vendi. Kjo duket dhe tek letrarizimi i terminologjisë pedagogjike që e bën me shumë ndjenjë.
Liceu Illyricum, siguroi përgatitjen e nxënësve për të vazhduar studimet e larta në vende të ndryshme të Evropës. Kjo në atë kohë, për arsimin tonë ishte një fitore historike. Me këto arritje Fishta pedagog tregoi se ç’duhej bërë për të realizuar arsimimin e popullit në gjuhën amtare duke ju përshtatur kushteve në të cilat ndodhej vendi në atë kohë, por edhe në të ardhmen. Kjo ka qenë njëra ndër vlerat kryesore të trashëgimisë së tij në fushën e pedagogjisë.
Mësuesia për të është “Zeje e shejtnueme”. Familjen e vlerëson si “Ma i fuqishmi faktor kulture”. Shkollën e quan “Tempulli i dijes” dhe “truall i bekuar”, ku formohet karakteri i njeriut. Rolin e mësuesit për zhvillimin shoqëror e barazon me atë të qeveritarëve. Mësuesit e sunduesit e popullit, thotë ai, ta kryejnë secili detyrën e vet me ndërgjegje e shpirti shqiptar ka me u ngrit, si dikur moti. Një dashuri të veçantë ka për nxënësit, ata i quan “shpresa e njomë e atdheut” .
Ai punon me këmbëngulje që shkolla dhe gjuha shqipe, si dy faktorë të rëndësishëm, të cilët bëjnë të mundur përparimin e arsimit kombëtar, sepse ai ishte i mendimit se si të jenë mësuesit është shkolla. E pikërisht për këtë kërkoi me këmbëngulje, që të njëjtën gjë të bënin edhe kolegët e tij. Edhe ata, ashtu si drejtori i tyre, me përkushtim, punën mësimore e mbështetën me kërkime shkencore dhe pothuajse të gjithë u bënë autorë tekstesh mësimore si dhe veprash të mirëfillta shkencore, që zunë vend në arsenalin e kulturës sonë kombëtare.
Idetë e tij pedagogjike i përpunoi dhe i zhvilloi në gjirin e poetikës së tij të fuqishme, prandaj shumë prej tyre i gjejmë të shpërndara edhe nëpër veprat e tij artistike. Shqetësimet e tij për shkollën u përpoq, që t’i bënte problem të të gjithë shoqërisë shqiptare. Trashëgimia më e madhe teorike që na ka lënë Fishta në fushën e studimeve pedagogjike, është platforma e Reformës Arsimore, të cilën e përgatiti për ta paraqitur në parlament me rastin e diskutimit të buxhetit të shtetit për vitin 1921-1922. Për përgatitjen e platformës së kësaj reforme, siç thonë vetë ai, u mbështet në përvojën e tij 24 vjeçare si drejtor i shkollave françeskane në Shqipëri, tek zhvillimi i mendimit pedagogjik evropian i kohës, dhe, në mënyrë të veçantë,tek analiza, që i bëri gjendjes së arsimit në atë kohë në shkallë vendi.
Për të realizuar kërkesat e kësaj reforme, u përpoq të mobilizonte në radhë të parë deputetët: “Po s’deshëm, u drejtohet atyre, me tradhtue mandatin e komit, të përkujdesemi me të gjitha fuqitë e shpirtit t’onë, me i dhanë këtij komi nji edukatë të shëndoshtë e të përnjimendtë ndër shkolla, ku plotsohet e përkryhet edukata familjare e nierit… po s’vum rend e rregull në arsim, prap komi ka me lingue n’errësi të padijes dhe të barbarisë edhe të hollat e shtetit tonë kanë me hupë pa kurrfarë dobijet. Por si për njanën, si për tjetrën punë, përgjegjësia bie mbi ne”.
Këtë platformë së bashku me idetë e tij për përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes, të cilat në atë kohë, jo vetëm se kanë qenë të rëndësishme, por ishin edhe të guximshme i botoi në revistën Hylli i Dritës më vitin 1924.
Fishta si politikan, edhe forcimin e shtetit e sheh tek zhvillimi i arsimit. “Sa për bukë, thotë ai, nji shtet ka nevojë për msim e dije, se pa msim e dije, ai as i fortë s’mund të jetë, as me përparue s’mund të përparojë shtekut të gjytetnisë së vërtetë e prandej s’mahet gjatë në kamë”.
Filozofia arsimore e Fishtës ka karakter veprues. Ai si poet-pedagog, nuk kufizohet vetëm me shkrimet teorike, por fillon të punojë duke pasur si qëllim vendosjen e tyre në jetë sa më parë. Duke bërë këtë, ai vazhdon traditën e shkrimtarëve të Rilindjes, që bënë çmos për t’i ardhur në ndihmë drejtpërdrejt shkollës.
Edukimi familjar nuk duhet të frenojë aftësitë që ka fëmija për vetedukim ose siç thotë vetë ai në mënyrë figurative “me hapë degët aq sa kishte me mujtë. Ai këshillon që n’punë edukative të mbështetemi më fort tek anët pozitive që mund të ketë secili fëmijë. ‘Asht ma mirë, thotë ai me vu re vetitë e mira të fmisë e me mendue me u dhanë shkas që të zhvillohen se me kërkue vetëm vetitë e këqia e mos me pasë tjetër kujdes veç me i largue këto me ndëshkime të teprueme” .
Me forcën e shpirtit krijues ai na dha vizionin e portretit të të riut shqiptar që do të formohej në shkollat tona. “Shqiptari, thotë ai, do të bëhet një vehtje e lirë, me ndërgjegje të pikatun e me karakter, aj do të pajiset me të gjitha njato njohsi e zotsi, nëpër të cilat, porsi njeri i përkryem ndër të gjitha pikpamjet, ta vuej jetën ma së miri, jo vetëm porsi vehtje, por edhe si pjestar shoqnije, mbas pozicjonit që të ketë në familje, në qytet e shtet”.
Kërkesa e Fishtës ndaj shkollës për formimin e nxënësve, për atë kohë, ishte mjaft e fortë dhe kërkonte punë të madhe për t’u realizuar. Ai synonte që shqiptari i ardhshëm të ketë të njëjtin nivel formimi me bashkëmoshatarët e tij europianë.
Fishta vlerëson shumë dijet që merren në shkollë e burime të tjera, sepse rrisin fuqinë e individit dhe të shoqërisë për të vepruar në dobi të zhvillimit të vendit dhe të mbarë njerëzimit, por thekson se ato duhet të jenë në unitet me ndershmërinë. “Për me ba, thotë ai, qi nji popull t’jet përnjimend i fortë dhe i përparueshëm duhet me e edukue mendjen dhe vullndesën e tij, a se: duhet që ai popull të ketë moral e dije”.
Ai është kundër politizimit të shkollës: Po këtu, thotë ai, gjithkund e prej gjithkujt po bahet politikë… E mbas këso qëllimnesh politike e fetare kjo ministri ep bursat shkollore, emnon mesuesit e drejtorët e shkollave, dan materialin shkolluer. Ai këmngul që shkolla të jetojë në botën e shkencës, larg konfuzioneve politike.
Fishta kërkon shpalljen e lirisë së mësmit, hapjen e shkollave private, por gjithnjë me leje të shtetit dhe nën kontrollin e tij. “Një shkollë private, thotë ai, nuk mund të hapet pa auktorizim të drejtorisë përgjithshtë t’Arsimit”.
Për Fishtën, mësuesit duhet të jenë figura të larta moralisht dhe të afta profesionalisht. Prandaj ai kërkon nga organet arsimore që të sigurohen nëse “Këta kanë një kuptim të drejtë e të shëndoshë ndaj moralit..se përnjimend janë të përgatitun për këtë zeje të shejtnueshme”.
Fishta lufton me forcë kundër drejtimit me hamendje e pa plan perspektiv të zhvillimit të arsimit. Unë, thotë ai, ma tepër Ministrinë e arsimit e padis se shkollat nuk i cilë mbas nji kriteri të arsyeshëm, të caktuem e të parashkoqitun mbas interesave të përbashkëta t’Atdheut, por mbas hamendjes së Ministrit apo të këshilltarëve të tij, thue se në këtë veprim ishin tuj përdorue gjanë e pasuninë e vet e jo të komit. Ai me të drejtë kërkon, që në administrimin e shkollës dhe në organizimin e procesit mësimor dhe edukativ të mbizotërojë mendimi shkencor pedagogjik.
Shkolla, thotë ai, asht tempulli i dijes. Prandaj ndër kome të gjytetnueme, jo veç shkollave të qyteteve, por edhe atyne të maleve e të fshateve, u jepet një trajtë arkitekture e hishme, dhe përmbrenda stolisen me pamje ftyra burrash të përmendun, trajta frymorësh, harta dheshkrojtore, vegla mësimi gjithfarësh, panorama e mbi gjithçjka që vien me zhdrivillue mendjen e me trajtue karakterin e fëmive. Fishta i nxiste mësuesit, që të përdornin në mësim mjetet në përputhje me nevojën e çdo teme.
Shkolla, sipas tij shërben për përsosjen e edukatës familjare. Është i rëndësishëm fakti se Fishta kërkon, që ta çlirojë familjen shqiptare nga disa mbeturina të rënda të edukatës patriarkale, sidomos nga gjakmarrja. Këtë e vërteton edhe fakti që ai i bindi fisin dhe familjen e tij, që të falte gjaksin e të vëllait dhe i pajtoi të dy familjet.
Shkolla, sipas tij, duhet të përgatisë kontingjente të mjaftueshme kuadrosh me atë gradë kulture, që kërkon vendi i punës. Ndër ligje organike të shtetit, thekson ai, të caktohet grada e kulturës e funksionarëve dhe zyrtarëve për çdo nëpunësi të shtetit.
Fishta u jep shumë rëndësi leximeve jashtë klase. Një ish nxënës i atyre viteve kujton: “shpeshherë të dhënat që merrnim nga leximet e pavarura bëheshin shkak që të shpërthenin në mësim rrahje mendimesh, që rrallëherë mbylleshin më rënien e ziles”.
Fishta tregoi një kujdes të posaçëm dhe për veprimtarinë artistiko-shkencore, që zhvilloheshin me nxënësit pas mësimit. Fishta, veprimtaritë jashtë mësimit të talentuarit për t’u zhvilluar.
Fishta udhëhiqej nga parimi pedagogjik që në punën mësimore dhe edukative korrigjimi dhe ndihma duhen dhënë në kohën e duhur, por ai u përpoq të edukojë nxënësit edhe me moralin e punës krijuese e shkencore dhe punoi që të krijojë tek ata bindjen se shoqëria pret nga disa individë të caktuar që të japin gjëra të reja, që çojnë jetën përpara.
Për t’ua lehtësuar punën mësuesve dhe nxënësve, pranë shkollës krijoi një qendër të informacionit shkencor, mjaft të pasur për në atë kohë. Ajo përfshinte laboratorët e kimisë, fizikës e të biologjisë, bibliotekën, muzeun, qendrën e observacionit të motit, arkivin historik dhe mjete të ndryshme mësimore.
Arti, thotë ai, do ta edukojë, do ta zbusë zemrën e çdo shqiptari, tue e drejtue kah majat e epra të kulturës, tue e naltue në mjerimet e jetës, sepse vetë arti asht shenji i nji jete të lume.
Ai kishte ndjeshmëri të lartë ndaj tronditjeve që mund të pësonte kombi, në çfarëdo sfere të jetës qoftë, por kur ishte fjala për goditjen e gjuhës dhe të shkollës shqipe, reagimi i tij ishte i menjëhershëm kundër kujtdo që i cënonte sado pak ato.
Kjo mbrojtje kaq e fuqishme, që i bëri Fishta gjuhës dhe shkollës shqipe, i ka arsyet e veta. Ai, qe më se i bindur se një popull në kohërat e reja, edhe po të fitojë pavarësinë; po të mos luftojë për zhvillimin e tij arsimor e kulturor, do të bjerë në robërinë e padijes, që është me pasoja të rënda dhe vetëshkatërruese.
A udhëhiqej nga parimi “Mos i thuej kujt se ç’do të bësh, por çfarë ke bërë e ç’po bën”, duke bërë ndryshime thelbësore, si në metodë ashtu dhe në përmbajtje.
Për konceptin e dijes Fishta shprehej se “Fuqija shkon mbas dijet, por fort e ma fort, thotë ai, na e dëshmojnë punët e mdha e të bindueshme, që nieri, sidomos ndër këto kohët e vona, mrrijti me përkrye nëpër fuqi të dijes e të hollimit të mendjes” .
Fishta i jepte një vend të caktuar në idetë e tij pedagogjike frymës dhe bashkëpunimit në grup, ku dhe shprehet se:
“Nieri jeton, thotë ai, në shoqni civile, jo për me zanë me këndue e me shkrue, por me pasë ndihmën e huazshme të nierzve të tjerë, pa të cilën ndihmë aj as do të mujte me rrnue as me u perfekcjonue. Prandej sheji ma i parë e ma i sigurtë i shkallës s’gjytetnimit të një populli janë rrugët e mjetet tjera të përpjekunit, pa të cilat s’kishte me pasë interesa të përbashkta, as atdhe. Atdheu nuk përbahet me dekrete, si mund t’a mendojnë ndoshta Xhon-Turqit, por sidomos prej interesave të përbashkëta e prej do relacjoneve tjera, qi burojnë prej të përpjekunit të nierit me nieri .
Fishta e shikonte ngritjen cilësore të studimeve gjuhësore jo vetëm si një bazë për përmirësimin e mësimit të gjuhës shqipe në shkollë, por edhe për forcimin cilësor të procesit mësimor në të gjitha lëndët.
Ai thoshte: “Gjuha shqipe do vu gjuhë mësimi, ndër të gjitha shkollat fisllestare të Shqipnisë; pse fëmija në gjuhë amtare mësohet ma shpejt e ma mirë” .
Me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zonjë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipërinë, vendim ky me shumë dobi. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi, shprehet profesor Nobert Jokl.
Niveli i lartë intelektual ka qenë përcaktues për suksesin e tij në punë për zhvillimin e shkollës dhe të mendimit tonë pedagogjik. Në kohën e tij ka qenë vështirë të gjeje edhe në Evropë drejtues arsimi me një nivel të tillë shkencor. Për Shqipërinë qe një fat i madh që ai ishte i prirur për të punuar për arsimin e popullit dhe që u përfshi në mënyrë të vetëdijshme në luftë për të zgjidhur këtë problem social-kulturor tepër shqetësues për vendin tonë. Ky qe një rast unikal që nuk u përsërit më dhe do të kalojë ende shumë kohë që ne të kemi në sistemin tonë arsimor drejtues me një përgatitje kaq të lartë shkencore. Por duhet thënë se ky fakt pak njerëzve u ka rënë në sy, as në motivacionin e dekorimit nuk thuhet asnjë fjalë për kontributin që ai ka dhënë për zhvillimin e shkollës dhe të mendimit tonë pedagogjik.