EPIDAMN ZEQO: GENTILE BELINI – DY VIZATIME PËR SHQIPTARËT NË EPOKËN E SKËNDERBEUT (SHEK.XV

Londër, 13. 6. 2016. Gentile Belini (i lindur në Venedik në 1429 dhe vdekur po në Venedik më 23 shkurt 1507) është një artist i madh i Rilindjes Italiane, një piktor i shkëlqyer në memorien e shekujve. Gentile qe djali i madh i Jacopo-s, figurë e njohur publike në qytetin e Venedikut i lidhur me artin. Jacopo e quajti djalin Gentile, për nder të mjeshtrit të tij Gentile da Fabriano. Edhe vëllai i Gentiles i quajtur Giovani qe gjithashtu piktor.
Në fillim Gentile Belini u ndikua nga stili i Ansuino di Montegna-s, pastaj spikati në profilin e tij të posaçëm krijues. Gentile ka punuar në Kapelen Gettamelata në Bazilikën e Shenjtorëve në Padova, në 1466 ka bërë dekoracionet dhe afreskat në Scuola Grande di Sant Marco. Më 1469 bëri portretin e Perandorit Frederiku III, në 1472 atë të Kardinalit Besarion, 1479-1480 bëri një udhëtim në Konstandinopojë ku bëri portretin e Sulltanit Mehmeti II. Në 1496 bëri kompozimin e madh “Procesioni në sheshin e shën Markut”.
Kam lexuar shumë për jetën dhe veprën e Gentile Belinit. Ai ka një problematikë, që lidhet me shqiptarët dhe Gjergj Kastriotin në shekullin XV, sipas disa shënimeve të studiuesve të artit figurativ.
Në këtë pikë edhe unë kam qenë i prirë e të hulumtoj për të sqaruar misterin e hamendjeve dhe të supozimeve tepër grishëse.
Një erudit i madh si Faik Konica që në vitin 1901 boton në revistën kombëtare “Albania” që dilte në Bruksel shkrimin “A ka një portret autentik të Skënderbeut?” Faik Konica është i pari që interesohet seriozisht për këtë subjekt.

Piktori i shkëlqyer, Gentile Bellini (1429 – 1507)

Ai shkruan se në Muzeun Perandorak të Vjenës gjendet një koleksion portretesh historikë që i mblodhi Arkiduka Ferdinandi i Tirolit nga viti 1578 deri në 1595. Në këtë koleksion janë edhe dy portrete të Skënderbeut. Në vëllimin XIX të “Vjetarit të koleksioneve të Familjes Perandorake” gjendet një shënim për njërin nga këto dy portrete, ku flitet se një portret i Skënderbeut ka imituar një model të vetë Gentile Belinit në 1466 kur Skënderbeu kishte shkuar në Venedik.
Pra Belini e ka skicuar drejtpërdrejtë në natyrë heroin shqiptar. Por origjinali i Belinit ka humbur dhe nuk gjendet.
Po në Vjetarin e koleksioneve të Familjes Perandorake” sipas Faik Konicës është edhe një shënim tjetër për gravurën e Skënderbeut të vitit 1500 të bërë nga botuesi me origjinë shqiptare në Venedik Bernardinus Venetus de Vitalibus i cili “qe frymëzuar nga skicat e bëra nga piktori Gentile Belini.” Kjo gravurë e paraqet Skënderbeun me profil, i kthyer në të djathtë, me mjekër të gjatë i veshur me një petk italian me gëzof si garniturë.
Kjo gravurë e Skënderbeut u botua në librin e Marin Barletit dhe konsiderohet nga shumë studiues si portreti më autentik i heroit.
Faik Konica citon dy shënime të shekullit XVI për portretet e Skënderbeut nga “Vjetari i koleksioneve të Familjes Perandorake” i Ferdinandit të Tirolit. Në të dy shënimet përmenden skicat e Gentile Belinit për portretin e Skënderbeut. Belini vdiq më 1507. Nëse gravura e Skënderbeut u bë më 1500, pra 7 vjet para se të vdiste Belini, prej Bernardinus Venetus de Vitalibus duket se ka një lidhje logjike për vërtetësinë e kësaj gravure, edhe sepse vërtetësia e portretit ka qenë një kriter identifikimi, për të mos realizuar një portret të trilluar dhe virtual.
Në 1968 studiuesi Dr. Vincens Malaj shkroi studimin “Përfytyrimi i Skënderbeut dhe autenticiteti i tij” (shih Vincens Malaj) “Të dhana albanologjike”, vëllimi I, faqe 157-170, Ulqin (1999). Ky studiues mendon se Skënderbeun duhet ta kenë pikturuar artistët italianë kur qe në Romë, në Napoli, por nuk e pranon tezën se Gentile Belini mund të ketë pikturuar Skënderbeun.
Por V. Malaj nuk e citon fare Faik Konicën, nuk i di dhe nuk i verifikon as dy shënimet ku përmendet Belini në koleksionet e Familjes Perandorake në Vjenë për skicat mbi Skënderbeun.
Që në 1967 studiuesja e ikonografisë Dr. Dhorka Dhamo në artikullin “Skënderbeu në artet figurative” (revista “Shqipëria e re”, nr.11, Tiranë, 1967. f.26) shënon me bindje se “rezultatet e deritanishme dëshmojnë se portreti me ngjyra është bazuar në vizatimet që pati bërë drejt përdrejt nga natyra, piktori i dëgjuar Gentile Belini, gjatë kohës kur Skënderbeu ishte në Itali. Ky portret është ai i Galerisë Uffici të Firences.”
Në të vërtetë prejardhja e portretit të famshëm të Skënderbeut në Firence është nga koleksioni i Paolo Giovios 1483-1552, humanist, mjek, historian, shkrimtar si dhe ipeshkvi titullar i Noçerës, që ka shkruar edhe për biografinë e Skënderbeut.
Paulo Giovio mblodhi shumë vepra të mjeshtërve të mëdhenj si Rafaello-s, Michelangelo-s, Vasar-it, madje edhe vetë portretin e Sulltan Mehmeti II të Gentile Belinit.
Studiuesit besoj kanë vërtetuar se portreti i Skënderbeut në Galeria Uffici në Firence është bërë nga artisti fiorentin Cristofano del Altissimo, që ka kopjuar një portret më të hershëm.
Por i kujt qe ky portret më i hershëm? Pse disa studiues përmendin Gentile Belinin dhe të tjerë e kundërshtojnë këtë tezë, ose edhe heshtin?
Po të shihet me kujdes midis gravurës së Skënderbeut në librin e Marin Barletit dhe portretit të heroit në Galeria Uffici ka ngjashmëri.
Të jetë e rastësishme?
Akoma më tej paraqet interes një medalje në bronx në portretin e Skënderbeut bërë nga artisti italian i famshëm i medaljeve Antonio Pisano detto Pisanello.
Ai ka bërë edhe medalje me fytyrën e Sigismondo Malatesta-s, Ferdinandit të Aragonës, si dhe të Mehmetit II.
Kjo medalje e Skënderbeut krijon kështu ngjashmërinë e tretë. Të tre portretet e përafërt lakohen me të njëjtën pikë: ato të Gentile Belinit.
Studiuesi Ferid Hudhri në librin enciklopedik “Shqiptarët në artin botëror”, Botimet Albanologjike, Tiranë, 2012, f. 43, flet për Gentile Belinin dhe për tezën se Belini e ka pikturuar Skënderbeun, kur heroi shqiptar vizitoi Italinë dhe Venedikun, Romën dhe Napolin në 1466-1467.
Gentile Belini në 1479-1480 qe në Konstandinopojë. Historiani gjerman Franc Bobinger shkkruan per Belinin në veprën e tij për Sulltan Mehmetin II të mbiquajtur Fatihu. Udhëtimi i Belinit është bërë në rrugë tokësore, pra ka zbritur në Durrës në shtator 1479 dhe udhëtimi zgjati shumë kohë. Në korrik 1479 në Venedik pati një tërmet që shkaktoi shqetësim. Ndërkohë një çifut, diplomat i dërguar nga Mehmeti II në Venedik, i përcolli lutjen Sinjorisë së Venedikut, Dozhit Giovani Meçenigo-s se Sulltan Mehmeti II priste në Stamboll “një piktor të mirë” (“un buon pittore”). Sinjoria zgjodhi Gentile Belinin. Me të qe edhe nxënësi i Donatelo-s, Bartolomeo Vellano.
Në kryeqytetin e Perandorisë Otomane Belini bëri shumë punime, ndërsa në 25 nëntor 1480 bëri edhe portretin e Mehmetit II.
Më pas Bajaziti II, tepër fetar dhe armiqësor ndaj pikturave i largoi nga pallati perandorak, kështu portreti i Mehmetit II u ble nga një tregtar venedikas dhe u çua në Venedik.
Pronar i fundit i këtij portreti qe Sir Austen Henry Layerd (1818-1894), që qe ambasador pranë Portës së Lartë, arkeolog dhe zbulues i Ninivës, vejusha e tij në 1917 ja dhuroi National Gallery në Londër, ku është ende dhe sot.
Shkoj shpesh tek National Galleria dhe e shoh këtë portret të përmasave 69,5 cm x 52,1 cm.
Po a vërtetë Gentile Belini e ka pikturuar dikur edhe Skënderbeun?
Në botimin e shkëlqyer në anglisht “The Sulltan’s Ëorld – the Otoman Orient in Renaissance art”, Centre for fine arts, Brussels, 2015, përfshiu shumë vepra arti me këtë subjekt sipas ekspozitës figurative që u hap në Bruksel në 27 shkurt – 31 maj 2015. Në albumin në fjalë në faqe 39, fig. 10, është portreti me ngjyra i Sulltan Mehmetit II bërë nga Sinan Bej në 1460, dhe fig.11 një tjetër portret po i këtij sulltani bërë nga Siblizade Ahmed në 1480 – të dy portretet ruhen sot në Muzeun e Topkapi Saray.
Në faqe 158 të këtij albumi është studimi “Bellini in the service of the Sultan”, kurse në faqen 162, është paraqitur një vizatim në letër i përmasave 25,7 x 18 cm, i bërë me bojë të zezë e majë pene i Gentile Belinit që tregon një figurë burri në këmbë me shënimin “so-called Albanian”.Ky vizatim i jashtëzakonshëm që duhet të jetë bërë në vitet 1479-1480 është i pari i këtij lloji në krejt historinë e arteve figurative të Europës dhe të botës që portretizon një shqiptar. Vizatimi me numër inventari 3956 ruhet në Stadel Museum, në Frankfurt am Main.

Fytyra e shqiptarit është inteligjent, ka mustaqe të mëdha po pa mjekër, ka një kapuç të thjeshtë në kokë (jo çallmë apo mbulesë orientale tipike), dorën e majtë e ka gati për ta futur në xhep, veshja është e thjeshtë, me një pelerinë krahëve.Ndërkohë të bën përshtypje edhe një tjetër vizatim me përmasa 25,8 cm x 18 cm, me numër inventari 3957, në të njëjtin Muzeum në Frankfurt që paraqet një figurë burri të kthyer në të majtë, në këmbë, që ka një kapuç të ngjashëm me qeleshen, fustanellë të gjatë dhe opinga, po pa xhufka në majat e tyre. Burri dorën e majtë e ka të lëshuar, dorën e djathtë e ka vendosur në brez, është i dobët në fytyrë dhe ka mustaqe më të holla (gjithashtu pa mjekër).
Për mendimin tim ky portret i dytë është gjithashtu i një figure shqiptari.
Pse nga Belini duhet dy vizatime? Në faqen 160 të albumit që ju referova më sipër nën titullin “In the streets of Constantinople” shënohet se Gentile Belini bëri 7 vizatime të tilla.Aty thuhet: “The Frankfurt droëings depict tëo stading Orientals, one turning to the right, the other to the left. In the research literature the first is also describet as “Arnavut” (Turkish for Albanian.). Del qartë se të paktën figura e burrit të kthyer në të djathtë thirret si Arnauti, siç e quajnë turqit Shqiptarin. Por unë mendoj se edhe figura e dytë me fustanellë është e një tjetër Arnauti, por studiuesit nuk e kanë emëruar. Të dy vizatimet janë të njëkohëshme. Belini si venedikas i ka njohur shqiptarët. Shqiptarë kishte gjithashtu dhe në Venedik. Në tekstin që citova më sipër në anglisht kemi edhe disa të dhëna të tjera: “A feë of the figures can be found in frescoes by the Umbrian painter Pinturicchio (1454-1513), ëho may have received the draëings in question through Bellini’s brother-in-laë Andrea Montegna (1431-1506), ëhile they ëere ëorking together on the Casino del Belvedere under Pope Innocent VIII (1484-1492) in Rome in 1488. Accordingly, the so-called Albanian in Frankfurt and the Standing Turk in the Louvre can be seen in the Disputa di Santa Caterina (1493-1494) in the Sala dei Santi of the Appartamento Borgia in the Vatican. Here, hoëever, the realistic representation of the draëing ëas renounced in favor of a more pleasing decorative effect. The costumes hoë partly feature patterned fabrics, the buttons on the cloak of the Albanian ëere Centrally relocated to the undergarment and his boots provided ëith laces.”
Të dhënat e mësipërme janë tepër interesante.Ato flasin se veshja shqiptare, kostumet shqiptare janë të njohura dhe të dallueshme si dhe tepër ekzotike për t’u parapëlqyer edhe në apartamentet e Papëve të Vatikanit etj.
Qëllimi i këtij shkrimi është i dyfishtë.
Së pari, raporti i Gentile Belinit me subjektet shqiptare nuk është thjesht një problematikë, apo një substancë virtuale dhe e shpikur. Përkundrazi.Së dyti, dy figurat e vizatuara të shqiptarëve nga një mjeshtër i madh si Gentile Belini në shekullin XV, janë dy vepra arti më të hershme në historinë e arteve figurative europiane (pa e tepruar edhe në botë) që prezantojnë kredencialet e imazheve të njeriut shqiptar në epokën e madhe të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Dua të bëj edhe një saktësim. Historiani shqiptar Kristo Frashëri në veprën e tij “Skënderbeu – jeta dhe vepra”, Toena 2002, faqe 264-299 flet për një portret origjinal të Gentile Belinit që tregon Skënderbeun.
Portreti i pikturuar mbi dërrasë me përmasa 30×25 cm ka qenë pronë e familjes së Tefe Curanit në Shkodër. Sot nuk dihet ku ndodhet ky portret.
Sipas Frashërit ky portret ka tërë mundësitë të jetë vepra origjinale e Gentile Belinit.
Në fakt në ekspertizën e portretin mungon çdo lloj analize laboratorike por edhe analiza e llojit stilistik, për të thënë se kemi të bëjmë me një vepër arti autentike të shekullit XV, dhe që i takon pikërisht dorës së mjeshtrit Gentile Belinit.
Çështja e një analize rigoroze për vërtetimin e autenticitetit të portretit mbetet e hapur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

ANEKDOTA

ANEKDOTA  ARGJIRA (ARI) UKIMERI, MA.SC. PEDAGOGE,  PRIZREN – KORRIK 2021 1. OPERA Njëherë një djalë i ri e…