DR.SABRI KIҪMARI: DEKONSTRUKTIMI I NEGACIONIZMIT

Pashtriku.org, 5 maj 2017: (Vështrim mbi librin e Bardhyl Mahmutit “Mashtrimi i Madh”) – Libri i politologut Bardhyl Mahmuti “Mashtrimi i madh” është një ndërmarrje e suksesshme për të dekonstruktuar negacionizmin. Negacionizmi, të cilin na e sjellë në opinionin tonë publik Bardhyl Mahmuti si neologjizëm, paraqet mohimin e gjenocidit: “Organizimi i gënjeshtrës në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit”. Në fakt historia e pas Luftës së Dytë Botërore i ka regjistruar një numër rastesh të mohimit të gjenocidit. Edhe në rastin e Kosovës një numër gazetarësh, studiuesish dhe autorësh u munduan dhe mundohen ende të mohojnë krimet e shtetit serb në Kosovë, që pa dyshim mund të kualifikohen si gjenocid.
Në radhën e negacionistëve Bardhyl Mahmuti numëron Bo Adam, Renaud Gerard, Luis Magnin, Jean-Arnauld Derens, Christian de Bongain (i cili fshihet parapa pseudonimit Xavier Rufer), pastaj Regis Debray, Michel Collon, Christophe Chatelot, Jürgen Elsässer, Christoph Ciclet, Doemnico Lasurdo, Serge Halimi, Frederic Saillot, Patrick Barriot, John Laughland etj. Ai konstaton me të drejtë se këta gazetarë dhe autorë bashkohen me të djathtën ekstreme dhe të majtën ekstreme në një ideologji të përbashkët: antiamerikanizmin, qoftë edhe në rastet kur SHBA “vepron për të shpëtuar një popull nga katastrofa humanitare dhe politika e gjenocidit”. Për të përligjur pikëpamjet e tyre ideologjike këta mohojnë planin e Operacionit Patkoi, i cili parashihte përzënien e shqiptarëve nga Kosova dhe spastrimin etnik, mohojnë krimet e rënda të shtetit serb në Reçak dhe vende tjera, mohojnë të drejtën e qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi, mohojnë faktet se Milosheviqi i kishte urdhëruar zyrtarët e tij policor të merrnin masat që të fshiheshin të gjitha gjurmët për krimet e kryera, të zhvarroseshin civilët e vrarë në Kosovë dhe të silleshin në Serbi për të humbur gjurmë etj.

Bardhyl Mahmuti i paraqet, i analizon, i deshifron dhe i zhveshë me argumente, me racionalizëm dhe me kompetencë pretendimet e tyre ideologjike. Ai vë në peshojë shkencore vërtetësinë e publikimeve dhe deklarimeve të këtyre mohuesve të krimeve në Kosovë. Ai vë në thjerrëz edhe moralin njerëzor dhe shoqëror të këtyre negacionistëve dhe arrin në një përfundim interesant: motivi shtytës i mohuesve të krimeve të shtetit të Serbisë kundër qytetarëve të pafajshëm në Kosovë është antiamerikanizmi i tyre. Lexuesit nuk i mbetet tjetër vetëm të konstatojë se mohimi i krimit kundër njerëzimit psh në Reçak, paraqet shkallën më të ulët të moralit: mungesën e dhimbjes ndaj viktimës, mosrespektin daj të vrarëve të pafajshëm, ndaj familjeve që kanë mbetur pa më të dashurit e tyre.
Në fillim të librit autori shqyrton deri në detale tri raste: rastin e Kleçkës, Rastin në kafenenë Panda në Pejë dhe Rastin e Reçakut. Në të tri këto raste ai arrin me shumë sukses, me argumente të pamohueshme, të dekonstruktojë propagandën e regjimit të Beogradit dhe mbështetësve të tij. Prologjet në të tri këto raste karakterizohen me përshkrimet e negacionistëve, kurse epilogjet me rezultatin përfundimtar të tyre. Nëse prologun mund ta kuptojmë si tezë, epilogun do të duhej konsideruar si antitezë: në epilog përshkruhet propaganda, e cila thyhet në vërtetësinë e fakteve në epilog. Deri te antiteza autori vjen nëpërmjet një analize të detajuar brenda këtyre kapitujve të rasteve në shqyrtim. Në rastin e Kleçkës vetë Gjykata serbe i liron vëllezërit Mazreku si të pafajshëm. Në Rastin Panda në Pejë vetë Zëvendës-Kryeministri serb, sot Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi e pranon të vërtetën e hidhur: se gjashtë të rinjtë serbë në rastin Panda i kishte vrarë Shërbimi i Fshehtë serb MI-6 me urdhër të Shtabit të Millosheviqit, me qëllim të paraqitjes së UÇK para Bashkësisë Ndërkombëtare si organizatë terroriste. Në rastin e Reçakut vërtetohet se të gjithë të vrarët ishin fshatarë të paarmatosur të ekzekutuar nga afërsia dhe disa prej tyre edhe të masakruar (me kokë të prerë).
Autori i kushton një hapësirë të madhe qëndrimeve, dyshimeve dhe hamendjeve të kundërshtarëve të fakteve të rastit të Reçakut. Ky rast analizohet me shumë përkushtim. Bardhyl Mahmuti i ka lexuar, mbledhur dhe analizuar deklaratat e ekspertëve serbë, bjellorusë dhe finlandezë. E vërteta më së miri faktohet nga vetë ekspertja finlandeze e Mjekësisë Ligjore Helena Ranta, e cila ishte autorizuar nga BE që të shkonte në vendin e ngjarjes, duke konstatuar se “Masakra e Raçakut vërtetë ishte një masakër”. Këtë gjë pesë vite pas ngjarjes do ta vërtetonte edhe patologu serb Dr. Vujadin Otaseviq, duke thënë se “tregimet e sajuara në Beograd për veshjen e terroristëve me tesha civile pas vrasjes ishin plotësisht konfuze. Nuk e di se kujt i ra në mend një marrëzi e tillë. Plagët e plumbave në tesha u përgjigjeshin saktësisht atyre që kishin në trup”. Edhe dëshmitari Slavisa Dobriçanin, i ftuar nga Slobodan Milosheviqi në gjyqin për krime lufte kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, i pyetur nëse “përputheshin plagët e trupave me vrimat e teshave” do të përgjigjej se një gjë e tillë përputhej “në të gjitha rastet” dhe se fshatarët janë vrarë nga afërsia. Dëshmia e tij do të kthehej jo vetëm në demantim të propagandës serbe, por edhe një dëshmi më shumë kundër Milosheviqit dhe shtetit serb. Në fund lexuesi arrin të dakordohet plotësisht me autorin: William Walkeri ka pasur plotësisht të drejtë kur pati deklaruar se fshatarët në Reçak “janë vrarë nga një plumb në kokë pas qafe” dhe se “këtu ka ndodhur një krim kundër njerëzimit”.
Këto raste të lartpërmendura pasohen nga një përshkrim detal i rastit të vëllezërve Bytyqi, nëpërmjet të cilit autori nxjerr në pah faktin se në strukturat policore të Serbisë edhe pas Luftës së Kosovës vazhdojnë të militojnë kriminelë, të gatshëm për të kryer krimet më morbide. Vëllezërit me shtetësi amerikane Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, pjesëtarë të Batalionit Atlantiku të UCK-së, arrestohen pas luftës në Rudar, “i lidhin me tel dhe i godasin në pjesën e pasme të kokës” në Qendrën Mësimore të MPB të Serbisë në Petrovo Selo. Dy vite më vonë ata gjenden në varrezën masive së bashku me dhjetëra kufoma të tjera.
Bazuar në rastet e lartpërmendura dhe në një numër rastesh të tjera, Bardhyl Mahmuti arrin të konstatojë se në Kosovë kemi pasur të bëjmë me gjenocid. Me të drejtë ai shkruan se “veprimet që përbëjnë gjenocidin kanë për qëllim shkatërrimin e tërësishëm apo të pjesshëm, fizik ose biologjik, të një grupi nacional, etnik, racor ose fetar si të tillë”. Pra shohim se këtu nuk përcaktohet numri i të vrarëve si bazë për kualifikim të gjenocidit. Ai e quan si formë të “banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të gjenocidit manipulimin me numrin e të varreve”. Dhe i japim të drejtë kur konstaton se dallimi i vetëm mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Milosheviqit qëndron “në përmasat e realizimit të qëllimit”. Përmasat ishin më të vogla për shkak se ndërhyrja e trupave të NATO-s dhe veprimi i UÇK shmangën mundësinë e realizimit të planeve të Milosheviqit.
Në libër lexuesi do të ndeshet me emra të shumtë kriminelësh që veprojnë brenda institucioneve serbe si shefi i xhandarmërisë serbe Goran Radosavljeviq Guri, i cili merr pjesë në vrasjet e shqiptarëve dhe pas luftës shkon në Libi për të trajnuar forcat e Gadafit, ish ministri Vlajko Stojilkoviq, i cili vret veten me plumb në kokë publikisht para Kuvendet të Serbisë në Beograd, prokurorja serbe Danica Marinkoviq, e cila i urdhëron policët të vrasin të plagosurit në Likoshan në shkurt të vitit 1998, udhëheqësi i eskadronit të vdekjes Milorad Ulemek-Legija, përgjegjës për vrasje të shumta madje edhe atë kundër ish-kryeministrit Gjingjiç, Lubisa Dikoviq, i cili kishte udhëhequr krimet e Brigadës 37 të Motorizuar të Ushtrisë jugosllave dhe nga Milosheviqi ishte dekoruar Hero i Popullit, kurse Boris Tadiqi e kishte emëruar shef të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.
Në rrafshin teorik Bardhyl Mahmuti shkruan se “edhe pse nuk është saktësuar qartë se të drejtat e njeriut qëndrojnë më lart se parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti, të drejtat e njeriut janë baza e të drejtës ndërkombëtare… Në rastet kur një shtet bën shkelje të rëndë për respektimin e kësaj të drejte parimet e sovranitetit dhe mosndërhyrjes dalin në rend të dytë”. Është fakt se shumica e pjesëmarrësve në debatin e vitit 1999 kanë vënë në pah se bota nuk mund të qëndrojë duarkryq dhe të lejojë gjenocidin, vetëm për faktin se një shtet – Federata e Rusisë, e ka të drejtën e vetos për të parandaluar vendimin e KS të OKB për ndërhyrje. Rasti i Kosovës ka shërbyer si shkas (duke i hetuar deficitet serioze, për të cilat është i vetëdijshëm autori Mahmuti), që të precizonte normativisht Parimin e “Përgjegjësisë për Mbrojtje” (ang. Responsibility to Protect), i cili u pranua nga shumica absolute e liderëve të botës në Samitin Botëror 2005 dhe u aprovua përmes Rezolutës 1674 së KS të OKB, përmes të cilit OKB merr përgjegjësi për reagim edhe ushtarak në rast të shkeljes së të drejtave të njeriut në shkallë të gjenocidit ose pastrimit etnik.
***
Se në Kosovë vërtet ka ndodhur gjenocid lexuesi do ta kuptojë jo vetëm nga definimi i gjenocidit nga autori, por edhe nga numërimi me përkushtim i viktimave nga autori. Sipas tij, në Kosovë janë vrarë 1 392 fëmijë shqiptarë, 1 739 gra, rreth 10 000 civilë të moshave të ndryshme, janë zhdukur 1 657 kufoma, janë dhunuar 20 400 femra shqiptare, janë shkatërruar 100 589 shtëpi, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 123 institucione shëndetësore etj. Rrëqethës në këtë vazhdë është përshkrimi i ekspertes së mjekësisë ligjore franceze Dominique Lecomtes, me rastin e gjetjes së disa grave të dhunuara dhe “të hedhura për së gjalli në bunar, ku janë mbytur”. Pak kohë pas këtij rasti ajo shkon për të vizituar një familje, të cilët, për ta nderuar, i ofrojnë për të pijë ujë bunari, pa e ditur se kohë më parë ajo është ndeshur me krimin makabër – nxjerrjen e kufomave nga bunari: “Për një çast u ndala. Shikimi im u kryqëzua me të kolegut tim. Në kujtesë kam dramën e bunarit dhe e kam vështirë ta pi këtë gotë. Gotën e mbajta në dorë për një kohë të gjatë sepse kisha frikë mos e lëndoja nikoqirin”.
Veprimtaria e kryeprokurores Carla Del Ponte dhe senatorit Dick Marty janë objekt i rëndësishëm i analizës në librin e Bardhyl Mahmutit. Ai konstaton se zgjedhja e Ramush Haradinajt si kryeministër më 3 dhjetor 2004 e vë në lëvizje Carla del Ponten për të hapur aktpadi kundër tij 3 muaj më vonë. Del Ponte i bazon të dhënat e saj në informatat e regjimit të Beogradit, të cilat i siguron gjatë vizitave të saj atje. Mahmuti nuk e sheh rastësi fillimin e procesit kundër Haradinajt më 5 mars 2007, në përvjetorin e rënies së Jasharëve, pak kohë para se Ban Ki-mooni ta paraqiste në mbledhjen e KS të OKB-së propozimin e kryenegocatorit Ahtisari për pavarësinë e Kosovës. Pas dështimit në rastin e Haradinajt dhe lirimit të tij si i pafajshëm më 3 prill 2008 Carla del Ponte e boton librin e saj, në të cilin supozon për trafikim të organeve njerëzore nga UÇK në një shtëpi të verdhë. Kundër saj shkruan ish-zëdhënësja e Prokurores së Përgjithshme Florence Hartmann. Ajo e cilëson veprimin e Del Pontes si të papërgjegjshëm “duke na fundosur në kohën më të errët të propagandës”. Autori Bardhyl Mahmuti citon vetë Del Ponten të ketë shkruar se në vendin e varreve të përshkruara “nuk gjetëm asnjë trup”, se delegacioni i saj “nuk arrin askënd të bind të japë deklaratë” dhe prandaj nuk kishte “elemente të mjaftueshme provash për të vazhduar punën e tyre” kundër UÇK.
Por, megjithatë një iniciativë e deputetëve rusë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës arriti më 12 dhjetor 2010 të fitonte mbështetjen e nevojshme për raportin e senatorit zviceran Dick Marty. Bazuar në të dhënat e Del Pontes dhe Dick Martyt u krijua Gjykata speciale. Me një gjuhë tërësisht antishqiptare, duke e karakterizuar shoqërinë e Kosovës si “shoqëri ku himnizohet krimi dhe kontrabanda” Dick Marty, i mbështetur nga Shërbimi serb i informimit, konstaton se ka pasur nxjerrje dhe shitje organesh. Në bazë të tij BE krijoi një Task Force Hetimore Speciale nën udhëheqjen e Clint Willamsonit. Për dy vite Task Forca zhvilloi hetime dhe erdhi në përfundimin se mund të krijohej Gjykata Speciale. Ai pranoi se nuk ka arritur të sigurojë prova, por nuk e hedh poshtë vërtetësinë e pretendimeve. Williamson e lë të hapur mundësinë për trafikim te një numër i vogël rastesh. Williamson u bazua edhe në një bisedë të televizionit serb me gjoja një ish-pjesëtar të UÇK, i cili “dëshmon” për nxjerrjen e organit të një serbi në veri të Shqipërisë. Bardhyl Mahmuti polemizon me formulimet e tyre dhe arrin në librin e tij të thyejë me argumente pikëpamjet e Del Pontes, Dick Martyt dhe Clint Williamsonit. Ai citon vetë ekspertin serb, kirurgun e njohur Goran Kronja, i cili ka qenë shef i ekipit për transplantimin e organeve në Akademinë Spitalore Ushtarake në Beograd të konstatojë se “tregimet për trafikimin e organeve në Kosovë janë marrëzi… Truri që e ka menduar një gjë të tillë është i përbindshëm… Organi nuk mund të nxirret në çfarëdo dhome prej njeriut të gjallë. Pohimet e këtij dëshmitari se ka nxjerrë zemrën nga njeriu i gjallë për ta shitur më vonë janë thjeshtë budallallëk…”.
Nga libri i Bardhyl Mahmutit mësojmë edhe gjëra të panjohura: se Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë më 1 korrik 2006 kishte bërë padi kundër gazetarëve të Radio Televizionit të Beogradit, Politikës dhe “Vecernje Novostit” që i shërbyen regjimit të Millosheviqit duke përhapur urrejtje ndërnacionale dhe ndërfetare, se aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq e ka akuzuar prokuroren serbe Danica Marinkoviqin për vrasjet në Likoshan më 28 shkurt 1998, mësojmë për rrëfimet rrëqethëse të policit serb Sllobodan Stojanoviqit për krimet, vrasjet në masë, dhunimin e kufomave dhe plaçkitjet, për rastin e gazetarit serb Miroslav Filipoviqin, i cili e ka ngritur zërin kundër krimeve serbe në Kosovë, për rastin e gjeneralit Vlastimir Xhorxheviqin, i cili e pranon në Hagë se ndihet fajtor për pjesëmarrje në krimet kundër shqiptarëve (dënohet me 27 vjet burgim), për letrën që i dërgojnë presidentit serb Milosheviq gazetarët Slavko Curuvija dhe Aleksandër Tijanicin, në të cilën e akuzojnë se “shoqërisë i është imponuar një psikozë e përhershme, i është imponuar frika dhe policia e gjithëfuqishme”, për çka Çuruvija u ekzekutua pak muaj më vonë para banesës së tij
Autori Mahmuti ka vendosur që të përdorë një metodë redukcioniste në numërimin e argumenteve. Siç e thotë vet në parathënie, ai ju “shmanget deri në maksimum burimeve shqiptare” me qëllim të mënjanimit të mundësisë që analiza e tij “të shihet si konfrontim i dy vizioneve: atij shqiptar përballë vizionit serb”. Madje, edhe më shumë se kaq: shumica e burimeve të përdorura janë serbe. Pra, ai arrin që me burime të vetë serbëve të dëshmojë me argumente, kundërargumente dhe dëshmi gjenocidin në Kosovë. Nëse autori nuk do ta kufizonte veten në përzgjedhjen e burimeve, të atyre shqiptare dhe sidomos atyre ndërkombëtare, fuqia e argumenteve sigurisht do të ishte shumë më e madhe. Por, ai ka dashur të shmangë paragjykimin e opinionit publik, i cili do të mund të shihte librin e tij si një në mesin e shumë analizave të tjera, të cilat e mbrojnë këndvështrimin shqiptar.
Bardhyl Mahmuti në librin e tij është fokusuar në paraqitjen, përshkrimin dhe kundërshtimin e një numri të konsiderueshëm të gazetarëve, studiuesve dhe autorëve të ndryshëm evropianë, mohues të krimeve të Serbisë në Kosovë. Lexuesit të painformuar mund t’i krijohet përshtypja se ka pasur më shumë kundërshtarë se sa mbështetës të Kosovës dhe sulmeve të NATO-s në vitin 1999. Natyrisht që një përshtypje e tillë është e pasaktë. Për të thyer këtë përshtypje autori citon me të drejtë Vaclav Havelin në faqen 206 të thotë se “në përputhje me parimin që rrjedh nga solidariteti njerëzor, e që i tejkalon kufijtë e shteteve, atë që ky regjim po u bënë shqiptarëve, është njëlloj sikur të ma bënte mua… Edhe unë gjithashtu ndihem shqiptar”! Një qëndrim të tillë moral si Presidenti çek Vaclav Havel në fakt kanë mbajtur pjesa dërmuese e elitës intelektuale ndërkombëtare. Po përmendim me këtë rast shkrimin e filozofit gjerman Jürgen Habermasi në “DIE ZEIT” më 29 prill 1999 me titullin “Bestialiteti dhe humaniteti”. Në mbështetje të sulmeve të NATO-s dolën autorë të tillë si sociologu britanik Anthony Giddensi, sociologu amerikan Amitai Etzioni, sociologu francez AlainTouraini, filozofi francez Edgar Morini, shkrimtari gjerman Günther Grassi, filozofi francez André Glucksmanni, politologu amerikan Henry Kissingeri, gazetari britanik Tim Judah, gazetarja amerikane Christiane Ammanpouri dhe qindra të tjerë, që pasqyron në mënyrën më të mirë opinionin e shumicës së elitës intelektuale ndërkombëtare. Duke përfunduar mund të konstatojmë se politologu Bardhyl Mahmuti ka bërë shumë vepra të mira për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për çështjen shqiptare në përgjithësi. Libri i tij “Mashtrimi i madh” pa dyshim hynë në radhën e këtyre veprave të dobishme për çështjen shqiptare. I urojmë shëndet dhe shumë suksese!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura