DR.SADRI FETIU: NJË VEPËR E RRALLË PËR ARBËNESHIN E ZARËS

Prishtinë, 15. 01. 2016: Prof. Aleksandër Stipqeviçi ishte dijetar i rrallë i historisë së lashtësisë ilire, dashamirës dhe adhurues i diturisë dhe i librit, për të cilin e ka shkruar një histori të plotë, e cila është përkthyer në shumë gjuhë të botës, bibliograf që ka punuar me një përkushtim mahnitës dhe i ka kontribuar shumë shkencës dhe kulturës kroate dhe asaj botërore, i cili, në prag të pleqërisë, siç pohon profesor Katiqiçi, “u është qasur shumë seriozisht rrënjëve të veta, fort vetjake, të familjes dhe të fisit” dhe na ka dhuruar një vepër fort të rrallë. Monografia e tij “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” është me të vërtetë një studim fundamental në fushën e antropologjisë kulturore dhe sociale. Si e tillë kjo vepër që do të jetë model për të gjithë studiuesit e kësaj fushe, pa marrë parasysh se me kulturën e cilit komunitet apo etnitet do të merren. Është krejt e kuptueshme rëndësia e veçantë e këtij libri për zhvillimin e shkencave humanitare: etnologjinë, gjuhësinë, folkloristikën, kroatologjinë dhe albanologjinë.
Libri i profesor Stipqeviçit, shikuar përgjithësisht, siç thuhet në prarathënien e prof. Katiqiçit do të mbesë “përmendore e një trashëgimie tradicionale shumë specifike të arbëneshëve të Zarës”. Dimensioni i vlerave studimore të këtij libri shtrihen në tri rrafshe të veçanta. Së pari “Kultura tradicionale e arbenëshëve të Zarës” është një vepër gjithpërfshirëse në fushën e antropologjisë, sepse autori nuk ka lënë asnjë përbërës karakteristikë të jetës së arbëreshëve të kulturës materiale dhe të botës shpirtërore, si në sferën e përjetimeve reale, ashtu edhe në atë të shtresave të parafytyrimeve imagjinative – mitike e mitologjizuese – pa e përfshirë dhe pa e shpjeguar deri në hollësitë më të imta. Se dyti, gjatë trajtimit të marrëdhënieve jetësore, sociale e kulturore të popullatës arbëneshe, autori e ka trajtuar me saktësi të plotë shkencore funksionin e kësaj popullate për kulturën dhe jetën sociale e historike, sodomos në zhvillimet e përgjithshme të lëvizjes nacionale kroate, dhe për jetën e përditshme arsimore e fetare në Dalmacinë Veriore. Çështja e tretë, që ia shton vlerën veprës së prof. Stipqeviçit është studimi i shtresave kulturore në planin krahasimtar ballkanik dhe evropian, si në rrafshin përditshmërisë vijuese me kulturat e popullatave fqinje, ashtu edhe brenda dimensionit historik të lidhjeve me të kaluarën e përbashkët të popujve, në mënyrë të veçantë edhe me vazhdimësinë e pashkëputshme me paraardhësit e shqiptarëve, me kulturën e lashtë ilire. Duhet pohuar, gjithashtu, se kjo vepër shquhet edhe për metodologjinë e qasjes ndaj problematikës së trajtuar dhe të mënyrës së veçantë të mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave nga subjektet e shumta midis njerëzve rrëfimtarë të moshuar, që kishin ruajtur në kujtesën e tyre shumë gjera nga nga e kaluara, doket e zakonet tradicionale, bestytnitë e besimet popullore, vlerat e dëshmuara të krijimtaria folklorike të arbëneshëve dhe i tregonin me gjuhë të saktë dhe me besueshmëri të lartë.

Meqë është hera e parë që flas publikisht para një auditori kaq të nderuar për veprën e profesor Stipqeviçit, do t’i them disa fjalë edhe lidhur me punën e përkthimit shqip të këtij libri.
Unë e pata fatin dhe kënaqësinë që librin”Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” të prof. Aleksander Stipqeviçit, të shkruar kroatisht, ta përkthej në gjuhën shqipe. Në fillim, duke çmuar lart punën e madhe të profesorit të nderuar dhe nga dëshira që libri të jetë i suksesshëm dhe i lexueshëm edhe në shqipe, pata pak ngurrim dhe ndrojtje se a do të mund t’i dalë me sukses kësaj pune. Pastaj, gjatë punës m’u duk se e hetova një të vërtetë të madhe se prof. Aleksandër Stipqeviçi, njohës i mirë i të folmes arbëneshe të vendlindjes, i lindur dhe i krijuar intelektualisht që nga zanafilla në traditën kulturore të arbëneshëve të Zarës, gjatë hartimit të kësaj vepre të shkëlqyeshme në nënvetëdijen e tij kishte menduar shqip, prandaj besova se e gjeta indin e kodit gjuhësor me të cilin ishte hartuar tërësia e kësaj vepre madhore dhe puna e përkthimit eci krejt natyrshëm drejt përfundimit të suksesshëm.
Në një letër, që atëherë ia pata dërguar profesorit, ia pohova këtë bindje dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe ai e pranonte se për ta hartuar veprën, përveç punës shumëvjeçare në mbledhjen e lëndës, ishte thelluar intelektualisht deri në maksimum dhe ishte angazhuar emocionalisht deri në skutat më të thella të shpirtit të tij krijues. Falë kësaj bindjeje, ende besoj se libri i përkthyer shqip, është i njëjtë, i barabartë me të gjithë përbërësit e vlerave të veta, me origjinalin kroatisht.
Libri shqip nuk përcillet me kurrëfarë parathënie apo pasthënie të veçantë për këtë, dhe ka mbetur jo vetëm në pamjen e jashtme por edhe me tërë përmbajtjen e tij, si origjinali në kroatisht. Pas parathënies së mrekullueshme të profesor Radosllav Katiqiçit, të hartuar me saktësi të lartë shkencore dhe me dashamirësi të ngrohtë njerëzore, na u duk e panevojshme të hartohet ndonjë tekst i parathënies për botimin shqip të librit, që do të ishte gjithsesi i pakrahasueshëm me nivelin e intelektual të teksti të profesorit të nderuar kroat.
Libri në gjuhën shqipe nuk i ka edhe disa sqarime që autori ua drejtonte lexuesve kroatë për alfabetin e gjuhës shqipe e, madje, as tekstet origjinale në të folmen e arbëneshëve të krijimeve popullore e kthyera në gjuhën letrare shqipe, të cilat në original janë përkthyer kroatisht. Për këtë arsye vëllimi i tekstit shqip është pak më i vogël, por vlera shkencore e librit, mendojmë se është ruajtur edhe më mire, mu në sajë të teksteve origjinale, të cilat lexuesi shqiptar ka mundësi që t’i kuptoj edhe ashtu siç janë mbledhur nga linguistët, historianët, folkloristët dhe studiuesit e ndryshëm dhe janë përfshirë si të tilla në kapitullin e tretë të këtij libri.
Siç e thashë pak më parë veprës i paraprin parathënia brilante e profesor Katiqiçit, në të cilën janë sqaruar me një gjuhë të saktë, të qartë e të kuptueshme, të gjitha nyjat lidhëse apo shtyllat mbajtësë të kësaj vepre madhore, duke filluar nga metodologjia e punës së autorit, historia e qëndesës kulturore, të “arbëneshëve kroatë”, siç i quante me të drejtë popullsia kroate e vendit, dhe rolit të tyre për kulturën dhe për historinë e Kroacisë e deri të vlerat e përgjithshme gjuhësore e folklorike të arbëreshëve të Zarës. Dhe këto vlera historike dhe aktuale, edhe sot e kësaj dite, brenda procesit të kroatizimit, i kanë ruajtur veçanësitë e tyre për të cilat, profesor Katiqiçi në fund të parathënies pohon se “arbëneshët kanë ardhur deri në ditët e sotme si tërësi e veçantë jetësore” dhe se edhe në Arbëneshin e sotëm “atmosfera është krejtësisht tjetër nga ajo e qytetit…jeta është krejtësisht tjetër dhe nevojat e njerëzve janë krejt të tjera.”
Libri ”Kultura tradicionale e arbenëshëve të Zarës” i Aleksandër Stipqeviçit, ka një strukturë shkencore të krijuar me kujdes shumë të madh. Lënda shumë e gjerë, pasuria e përgjithshme kulturore, jetësore dhe historike është ndërthurë me mjeshtri të rrallë vetëm brenda tri kaptinave kryesore të kësaj vepre. Në to, pas parthënies, prologut dhe hyrjes trajtohen: jeta dhe doket, besimet popullore dhe letërsia popullore.
Prologu i shkurtër, si fjalë paraprijëse e autorit, përmban disa sqarime rreth zhvillimeve të traditës kulturore me zanafillë në lashtësinë e besimeve të kota dhe të besëtytnive të pranishme më dendur te arbëneshët deri në luftën e Parë Botërorë dhe pastaj në rrjedhat jetësore të periudhave të mëvonshme historike deri në kohën tonë. Aty shprehet edhe mirënjohja e respekti i veçantë për subjektet nga të cilat është mbledhur lënda; për rrëfimtarët dhe informatorët e dalluar nga radhët e arbëneshëve me të cilët kishte punuar për një kohë relativisht të gjatë professor Stipqeviçi, si edhe jepen disa shpjegime lidhur me gjuhën e banorëve të Arbëneshit të Zarës.
Në hyrje, e cila titullohet “Mbi arbëneshët e Zarës” kemi një histori të mirëfilltë për shpenguljen e arbëneshëve nga fshatrat e rrethinës së Shkodrës dhe vendosjen e tyre pranë qytetit të Zarës dhe rrjedhën e tërësishme historike të jetës së kësaj popullate deri në kohën tonë.Po këtu jepen të dhëna të rendësishme për personalitet e shumta nga radhët e arbëneshëve, të cilët kanë luajtur rol të veçantë në rrjedhat shoqërore, politike, kulturore, artistike dhe sportive të Kroacisë . Të gjitha konstatimet autori i bazon në të dhënat e shkruara – në dokumente arkivore – dhe në traditën rrëfimtare, që vetë kjo popullatë, e shkëputur për shumë kohë nga lidhjet me vendin e origjinës, e ka ruajtur në kujtesën e vet historike.
Kaptina e parë “Jeta dhe doket” i ka 24 nënkaptina me zbërthim edhe të mëtutjeshëm të njësive të veçanta në të cilat nuk mbetet asnjë çështje jetësore e kulturore pa u trajtuar në hollësi. Në këtë pjesë të librit zgjerohet kuptimi i aspekteve etnologjike, sepse në formë gjithpërfëshirëse janë trajtuar tradicionalja dhe bashkëkohorja në sferat e ndryshme të jetës, në mënyrë të veçantë jeta familjare me të gjitha situatat rituale e reale jetësore, doket e zakonet që lidhën jo vetëm me familjen, por edhe me format e ndryshme të prodhimit dhe të marrëdhënieve shoqërore, mënyra e kryerjes së punëve të fushës, organizmimi i jetës së përbashkët ekonomike e kulturore, mjekësia e veterinaria popullore, festat fetare, rituali fetar glagolist i zbatuar nga kisha e famullisë së Arbëneshit, veshja popullore, profesionet e ndryshme, mjetet e prodhimit deri të gjuha e antroponimia, toponimia dhe onomastika në përgjithësi. Me një fjalë, në këtë kaptinë trajtohet në mënyrë ekciklopedike tërësia e jetës dhe e veprimtarisë eë kësaj bashkësie etnike në të kaluarën dhe në të sotmen.
Po ashtu, gjithpërfshirëse është edhe kaptina e dytë “Besimet popullore”, që ka më shumë se 50 tërësi tematike. Brenda kësaj kaptine paraqiten figurat shumta të besimeve e popullore, shtrigat e lugetërit, mitet e magjitë, ndalesat, mësyshët e tabutë, besëtytnitë, simbolet dhe amuletet, bota e mistershme e të vdekurve, shpirtrat dhe totemizmi, mënyrat e shumta bestyte të mbojtjes nga të këqija, urimet e mallkimet e shumë çështje të tjera nga sfera e botës ireale, misterioze të pasvdekjes.
Me rëndësi të veçantë për antropologjinë kulturore është nënkaptina e fundit e kësaj kaptine, në të cilën janë trajtuar përbërësitë e trashëgimisë së lashtë ballkanase, e cila është ruajtur brenda besimeve popullore të arbeneshëve të Zarës, me anë të së cilës dëshmohet edhe një segment i veçantë i lidhjes së shqiptarëve në përgjithësi me traditën e pararadhësve të tyre, ilirëve të Siujdhesës Ballkanike.
Kaptina e fundit e librit të prof. Aleksandër Stipqeviçit përmban pothuajse trashëgiminë e plotë nga letërsia popullore e arbëneshëve të Zarës, që është mbledhur në të kaluarën dhe është ruajtur deri në kohën tonë. Në të vërtetë, këtu janë mbledhur dhe radhitur të gjitha ato njësi folklorike, të cilat gjuhëtarët, folkloristët vizitorët apo udhëpërshkruesit e ndryshëm evropianë i kanë shënuar në Arbënesh të Zarës. Këto njësi janë radhitur brenda katër tërësive. Në fillim i kemi vlerat e mirëfillta të poezisë popullore, tekstet e llojeve të ndryshme të këngëve popullore arbeneshe, duke filluar nga këngët fetare, këngët e dasmës, këngët e luftës, poezia humoristike, këngët e dashurisë, këngët për vendlindjen e të tjera. Të gjitha këto shquhen për ritmin e veçantë që kushtëzohet nga mundësia për ruajtje dhe konservim brenda procesit të zhvillimit të shkëputur nga tradita gjithëkombëtare e shqiptarev. Me interes për traditën janë edhe krijimet në prozë, në mënyrë të veçantë kallëzimet dhe anekdotat që shquhen si për përbërës mitiko-magjikë Brenda një pjesë të kallëzimeve, ashtu edhe për struktura humoristike te anekdotave dhe tpë rrëfimeve të ndryshme të ndodhive reale jetësore të banorëve të Arbëneshit të Zarës. Libri përmban edhe një numër fjalësh të urta, në të cilat, ashtu si edhe tek njësitë e tjera folklorike të përfshira në këtë vepër, dëshmohet edhe ngjashmëria me traditën e përgjithshme shqiptare.
Vepra “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” e Aleksandër Stipqeviçit shuhet për vlerat e përgjithshme të një studimi të rrallë monografik nga fusha e shkencave humanitare. Ajo ka një rrezatim të gjerë në këto shkenca, sidomos sa i përket etnologjisë, folkloristikës, kroatologjisë dhe albanologjisë, sepse, pos të dhënave të përgjithshme kulturore e shoqërore, ajo dëshmon edhe për procese dhe dukuri të zhvillimit dhe të shpërndërrimeve të ndryshme kulturore të popullatës në rrethana të një shkëputjeje të një tërësie të vogël etnike nga mjedisi i vet jetësor, duke luftuar që të mbetet subjekt i vetvetes në përpjekje të vazhdueshme për të ekzistuar si i tillë. Vepra është një përmendore e gjallë e arbëreshëve të Zarës në procesin e pashmangëshëm të kroatizimit të tyre që ka zënë fill herët meqë ata që nga fillimi kanë zënë ta mësojnë gjuhen kroate, e pjesa e madhe etyre dhe ate italiane, kështuqë krijojnë përshtypje për një popullatë trilinguale.
Kjo vepër e professor Aleksandër Stipqeviçit me përmbajtjën e pasur dhe interesante dhe me ligjërtimin e shkëlqyeshëm të autorit me një përvojë të gjatë shkencore e krijuese do të jetë një dhuratë e vlefshme për lexuesit kroatë, siç pohon prof. Katiqiçi, një mundësi për të mësuar “më shumë për vetveten, për kulturën kroate, për shtresëzimin e veçantive të saj”. Vepra do të jetë, po ashtu, dhuratë shumë e vlefshme edhe për lexuesin e rëndomtë shqiptar, i cili me anë të saj ka mundësi të mësojë më shumë për jetën dhe përvojën jetësore të arbëneshëve të Zarës, si shqiptarë të vërtetë, që kaluan nëpër shekuj të qëndresës së tyre. Me dimensionin e veçantë të një vepre të rrallë shkencore “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës” do të jetë model, se si duhet të punohet në fushë kaq të begatshme të shkencës, jo vetëm për fillestarët si lexues të rendomte, por edhe për të gjithë ata që synojnë që të merren seriozisht me shkencat humanitare, sidomos me studime në fushën e antropoplogjisë kulturore, të folkloristikës dhe të albanologjisë në përgjithësi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura