DR.SADRI FETIU: ROMANET E ADEM DEMAÇIT

Prishtinë, 07. 03. 2016: Para se ta botonte romanin e tij të parë, Adem Demaçi e kishte dëshmuar talentin e tij me një numër tregimesh, që shquheshin për qasje moderniste dhe për origjinalitet të mënyrës së rrëfimit, në të cilën gërshetohen me mjeshtri format tregimtare të traditës popullore me teknika të veçanta të prozës moderne. Duke gjurmuar në thellësitë shpirtërore të shqiptarit të robëruar, ai arriti që në romanet e tij ta paraqesë tërësinë e vlimeve të tij të brendshme, duke depërtuar deri në nuancat më të veçanta kuptimore të sjelljes e të gjestikulacioneve të tij.
Romani i parë i Adem Demaçit “Gjarpinjtë e gjakut” është vepër që brenda vetvetes i bart të gjitha përmasat e një tregjedie klasike. Në të gërshetohen format e rrëfimit autorial me përzgjedhje të veçantë përmbajtjeve të dialogëve dhe monologëve që shprehin dilemën, shqetësimin dhe dhembjen. Struktura e këtillë rrëfimore zë fill nga kuptimi alegorik i gojëdhënçës për tre gjarpinjtë si përcaktues të fateve të përfaqësuesve simbolikë të tri strukturave etnike. Mu këtu zë fill rrëfimi për fatin e popullit shqiptar në robëri të dyfishtë, ku krahas dhunës së sundimit të huaj vepron edhe dhuna shpirtërore si pasojë e zakoneve të egra të hakmarrjes. Mirëpo, në anën tjetër të kuptimësisë tragjike të jetës shpërthen dashuria e fshehur në thellësitë e shpirtit të të rinjve, fillet e ndërrimeve shoqërore si paralajmërim i lëvizjes së zgjimit kombëtar, tradita e bukurisë së artit popullor, dëshira për ta tejkaluar moralin egoist të mbyllur në guacën e pathyeshme të një botëkuptimi shumë të thjeshtësuar për vlerat morale. Autori synonte të dëpërtonte sa më thellë në psikën e shqiptarit të ngarkuar nga vuajtjet në robëri, të tkurrur për shkak të luftës për ekzistencë në kornizën e moralit të dyfishtë patriarkal. Me stilin lapidar autori krijon një ornament të rrallë të kundërvenies së bukurisë dhe vrazhdësisë së situatave të tensionuara dramatike. Ndërmjet përsonazheve te profilizuar qartë, shquhet Mustafë Maloku, monologu përmbyllës i të cilit sikur i jep fund dramës së madhe të hakmarrjes dhe e hap shtegun e shpresës për ardhmërinë. Duke i saktësuar përmasat realiste romani “Gjerpinjtë e gjakut”, e le të hapur shtegun estetik për vazhdimësinë e rrëfimit për plotësime e mbindërtime individuale nga ana e lexuesve.

Pas një pauze të dhunshme gati dyzetëvjeçare Adem Demaçi do t’i përkushtohet përsëri artit, i vetëdijshëm se përvoja, pasuria e ideve, e gatuar me forma përkatëse të ligjërimit artistik, mund të shndërrohet në vlerë artistike. Kështu, përvoja jetësore e durimit pozitiv, kontemplacioni metafizik, mësimi i virtyteve në “shkollën” e burgjeve, do të jetë fundament për romanin “ Liber për Vet Mohimin”. Kjo vepër përmban ëndrrën për lirinë, dëshirën për përsosjen e shpirtit njerëzor në një botë plotë kontraste, kotësi, absuditet dhe vetëmashtrim. Vepra është “roman modern i ideve”, që e karakterizon “e ashtuquajtura konkretësi fantastike”. Aspektet e ligjërimit këtu i përforcojnë edhe përbërësit e theksuar fantastiko- shkencor, që motivohen nga këmbëngulësia e autorit narrator për ta realizuar motivacionin argumentues nga vetëvështrimi në thellësitë e fshehta të qenies njerëzore për të gjurmuar harmoninë, barazpeshën e shpirtit brenda procesit të vazhdueshëm të përsosjes. Mirëpo, nuk duhet harruar se këtë roman e karakterizojnë edhe një numër epizodës krejtësisht veristike me njerëz konkretë nga realiteti i përditshëm, që si tërësi bëhen pjesë e një alegorie, që përfaqëson amullinë, dështimin e një euforie të rreme, të shndërruar në pritje dhe mbllaqitje të kotë në një kafenë të imagjinuar, si përgjithësim simbolik i një pozicion, që paraqitet edhe me emrin e pazakonshëm “Në fund të pusit”. Këtu duhet shtuar edhe situata e dyzuara groteske të kontrasteve të skajshme midis vlerave dhe antipodeve të tyre, midis vesit dhe virtytit. Megjithatë, bota kaotike e paraqituer brenda veprës lufton për ta gjetur çelësin me të cilin do të hapej rrugën e lirisë për popullin. Edhe romani i dytë i Demaçit komunikon më qartë me lexuesin e sotëm, do të rrezatojë në mënyrë edhe më të plotë me vlerat e artit dhe të burimit të ideve për ardhmërinë…
Për aspekte të veçanta të hulumtimit të formave për mbruajtjen e ideve brenda artit të romanit shquhet vepra tjetër e Adem Demaçit me titull “Dashuria kuantike e Filanit”. Romani është formalisht epistolar dhe autobiografik, por në realitet është një ligjërim i veçantë poetik. Ai përmban një rrëfim të gjatë për fatin historik të shqiptarëve të Kosovës në dhjetëvjetëshat e parë pas Luftës së Dytë Botërore. Veprën e karakterizon mënyrë e sinqertë e rrëfimit të ngrohtë njerëzor, ndjeshmëria e përjetimit, ndjenja e dhembjes dhe e krenarisë. Mozaikun këtu e përbëjnë edhe përshkrimet lapidare, por edhe copëzat e veçanta të botës së brendshme të shumë personazheve epizodike, duke filluar nga njerëzit e rëndomtë të familjes e të farefisit, tëç autorit narrator, moshatarët e lagjes e të shkollës, shokët e burgjeve e deri të hafijet, gjykatësit, udbashët etj. Lexuesi i vëemendshëm do të vërejë fare qartë se këtu kemi një seleksionim të rreptë të hollësive që e përbëjnë strukturën tregimtare dhe se të gjitha këto lidhën me synimin e autorit për të krijuar një vepër të mirëfilltë artistike, ku njësohen vlerat estetike, midis të cilave shquhet madhështia e kombëtare me bukurinë dhe thjeshtësinë e njerëzores.
Adem Demaçi ka shkruar edhe romanet “Heli dhe Mimoza” , “Nëna Shegë dhe pesë gocat e saj” dhe “Shkrumbnajë e dashuri”, që përbëjnë trilogji rrëfimore për lëvizjen atdhetare të rinisë së Kosovës dhe për Luftën e UÇK-së. Shikuar përgjithësisht, këto romane i karakterizon një rrëfim i shpejtuar plot dinamizëm dhe një përmbajtje e pranueshme lehtë nga lexuesi i përditshëm, prandaj kanë disa veçori të romaneve të vikendit. Me këto vepra ai dëshironte që lexuesve të brezit të ri t’ia ofronte një dëshmi artistike për heroizmin e popullit tonë në luftën çëlirimtare të UÇK-së, për forcën e pashtershme te popullit në luftë për liri, sidomos as të grave shqiptare që u vuiktimizuan nga dhuna çnjerëzore e Serbisë. Në këto romane vërehet aspekti i veçantë estetik i konflikti të përhershëm midis shëmtisë dhe bukurisë dhe ngadhnjimi i njerëzores mbi dhunën dhe shkatërrimin që solli lufta.
Romani i Adem Demaçit me titull “Alb Prometheu ka një strukturë të veçantë shumështresore. Nga vetë titulli sugjerohet shtresa mitologjike që lidhet me mitin e flijimit, me Prometheun e traditës klasike helene. Aty doemos është edhe mitologjia shqiptare me figurat e njohura të orëve e të zanave dhe me mjedisin e kreshnikëve shqiptarë. Por, brenda rrëfimit është e hetueshme edhe prania e ngjarjeve dhe e personazheve historike që nga periudha ilire e deri në kohën tonë. Duke depërtuar në shtresat e ligjerimit do të shohim se këtu vepron edhe bashkëkohësia konkrete, ngjarjet e përditshme të kohës sonë. Pra, vështruar nga shtresimet e shumta duhet pohuar se brenda ligjërimit të romanit krijohet një unitet i përgjithshëm i strukturave zhvillimore që nga lashtësia e deri tek të mbërrimet më të sofistikuara të elektronikës së sotme. Romani përmban edhe shtresat e caktuara të rrëfimit të drejtpërdrejtë për ngjarje historike, pastaj edhe pjesë të traktateve filozofike e shoqërore, që paraqiten me anë të strukturave të dialogëve ndërmejt personazheve të imagjinuara dhe atyre reale. Romani “Alb Prometheu” është një vepër fantasiko-shkencore, që përshkohet nga një alegori e veçantë, me anë të të cilës himnizohet qendresa e shqiptarit të robëruar dhe besimi i tij për lirinë. Falë kujdesit të vetë autorit dhe gjuhës së tij të kuptueshme dhe plot pasuri frazeologjike e figura të traditës popullore, alegoria është shumë e kuptueshme për të gjitha shtresat të lexuesve shqiptarë, që duke u argëtuar me lexim, mund të mësojnë shumë të panjohura nga historia kombëtare e popullit tonë dhe t’i kuptojnë edhe rrethanat e veprimit të ndërkombëtarëve në situatën aktuale të Kosovës. Drama e jashtme e Albit të mbërthyer me zinxhirë në ëndërr-zgjendrrën e tij në kontakt me zanat shndërrohet në një përjetim të këndshëm, në një bisedë të frytshme për historinë, por edhe për kuptime të tjera për kombin, për jetën dhe qëndresën e qenieve njerëzore e hyjnore, për të sotmen dhe për të ardhmen e njerëzimit. Gjuhën e këtij dialogu e karakterizon shprehja e bukur me plotë urime, mallkime e figura tradicionale të fjalëve dhe të kuptimeve që mund të hasën përgjithësisht në prozën tonë popullore, por në mënyrë të veçantë në ciklin heroik të kreshnikëve, me të cilin lidhet mjedisi i paraqitur në roman. Duke krijuar një vepër të këtillë romansieri Adem Demaçi i ka hapur shtegun edhe për kultivimin e zhanrit fantasiko-shkencor në traditën e romanit shqiptar.
Duke përfunduar këtë vështrim të shkurtër për romanet e Adem Demaçit, do të konstatojmë se ai me veprat e tij ka mbetur personalitet i dalluar në letrat shqipe, që zë vend krejtësisht të veçantë edhe brenda traditës së romanit shqiptar.
___________________
(Kumtesa u lexua në Konferencën shkencore në Prishtinë – kushtuar 80 vjetorit të lindjes së Adem Demacit. Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura