DR.SADRI FETIU: ROMANET E SEFEDIN FETIUT

Prishtinë, 18. 01. 2016: – Fjalë e mbajtur më rastin e pesëmbëdhjetëvjetorit të vdekjes së autorit – Para se të flas për romanet e Sefedin Fetiut, e ndjej si obligim që ta bëj një sqarim të shkurtër: Unë me Sefedinin kishim krejt rastësisht mbiemra të njëjtë, pra, nuk kishim asnjë lidhje farefisnore, as të afërt e as të largët. Mirëpo, njerëzit shpesh na ngatërronin, na merrnin për njëri-tjetrin, e madje na konsideronin edhe vëllezër. Në të vërtetë, ne ishim shokë të pandashëm, punuam bashkë në shkollën teknike në Prishtinë e pastaj edhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Pata rastin që romanet e Sefedinit t’i lexoj që në dorëshkrim, madje për disa ngjarje që trajtohen në to, qoftë si tema historike, qoftë edhe ndodhi të realitetit të kohës sonë, edhe kemi biseduar shpesh dhe kemi këmbyer mendime. Dy romanet e tij i kam lexuar pastaj në vitet pas vdekjes së Sefedinit, me qëllim që brenda tyre ta përjetoj atë rrezatimin e ngrohtë njerëzor, atë vullnetin e madhe për jetën, atë entuziazëm të veçantë dhe atë përkushtim të panatyrshëm ndaj letërsisë dhe artit në përgjithësi, që e kam adhuruar gjithnjë tek personaliteti i Sefës.
Romanet këto ditë i lexova përsëri me një kënaqësi dhe përjetim sikur po i lexoja për herë të parë, prandaj mund të pohoj lirisht se këto janë dy vepra të veçanta me vlera të pakontestueshme artistike me strukturë shumështresore, përbërësit e së cilës mund të shpërfaqen gjithnjë e më të plota, gjithnjë e më të reja, pas çdo leximi të sërishëm.
Romani i parë i Sefedin Fetiut “Në humbëtirat e kohës”, i botuar më 1980, është i vogël si vëllim, me gjithsej 115 faqe të formatit të vogël, por i pasur si përmbajtje, si lëndë historike, si vlerë e artit që është formësuar dhe realizuar artistikisht (poetikisht) me një nivel shumë të lartë. Edhe romani i tij i dytë “Koha e zgjimit të gjakut”, i botuar më 1996, është gjithashtu jo shumë i vëllimshëm, sepse ka gjithsej 157 faqe. Në të dy rastet që në titull e kemi të theksuar nocionin kohë, e cila është bërë preokupim i autorit dhe i vetë personazheve narratore në të dy veprat. Koha si kuptim i përgjithshëm i preokupimit të njerëzve të mjediseve që paraqiten në romane, por edhe si e kalueshmërisë jetësore, që e shqetëson autorin për shkak të vullnetit të tij të madh për ta shfrytëzuar jetën, për ta kuptimësuar ekzistencën individuale dhe për ta sublimuar jetën e përbashkët, ardhmërinë e lumtur të popullit që i përjetonte vuajtjet e mëdha e, në anën tjetër, endërronte për një jetë të lirë e të lumtur, i karakterizon të dy këto vepra. Mbase vlera e kohës ka qenë faktor vendimtar për ta racionalizuar rrëfimin e për t’i shmangur zgjatjet e panevojshme që mund të jenë edhe të lodhshme për lexuesin e veprës.
Duke pasur parasysh se Sefedin Fetiu, si studiues i letërsisë mund të njohës fort i mirë i teorisë së romanit, gjë që mund të dëshmohen me veprën e tij “Poetika e romanit shqiptar (1953 – 1077)” veprën e tij të parë e ka strukturuar në mënyrë të veçantë, duke e paraqitur si pjesë të shënimeve të mbetura të një njeriu të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që në disa raste janë mbajtur edhe në formën e ditarit e në ndonjë episodë edhe si pjesë e dëshmive administrative e gjyqësore. Pra, personazhi, autori i këtyre shënimeve, Ferid Seferi është personazhi narrator, që rrëfen në pjesën më të madhe të romanit në veten e parë. Brenda rrëfimit të tij nëpërmjet personalizimit të fatit të përgjithshëm të popullit, pas dështimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tregohet historia jo si lendë, si ngjarje, por si përjetim i individëve që paraqiten në rrëfimin e protagonistit. Kështu, brenda këtij rrëfimi dalin të plota në planin e përgjithshëm njerëzor edhe disa nga heronjtë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mënyrë të veçantë: Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, pastaj edhe Bajram Daklani, Sef Kosharja e Mic Sokoli e figura të tjera, që janë bërë pjesë e pandashme e vuajtjes së popullit. Po këtu, në rrugën e ngitjes intelektuale të popullit tonë në këtë fazë, dalin në pah edhe vlerat e veçanta të iluministëve si Naim Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani, sado që prania e tyre është e herpashershme në rrëfimet dhe në shënimet e ditarit të Ferid Seferit.

– Shkrimtari Sefedin Fetiu –

Në sajë të mënyrë së veçantë të strukturimit të romanit me anë të personazhit narrator, autori e ka trajtuar historinë dhe realitetin jo në planin e gjerë horizontal por në depërtime të veçanta vertikale në psikologjinë individuale të heronjëve, që në asnjë rast nuk janë të idealizuar, jetojnë, veprojnë e sillen gjithnjë si njerëz të thjeshtë me preokupime të përgjithshme njerëzore për të jetuar të lirë dhe për ta gëzuar jetën brenda familjes. Brenda këtyre “humbëtirave të kohës” autori i ka konceptuar në mënyrë të plotë momentet plot dhembje, por edhe shpresë për të ardhmën, i ka trajtuar personazhet që janë të preokupuar shumë me jetën dhe me vdekjen, si domosdoshmëri ekzistenciale për njeriun që përpiqet të jetë qenie e lirë, që dëshiron liri të përgjithshme dhe jetë të organizuar brenda kuptimësisë morale që populli e ka përvetësuar, duke tentuar që të çajë rrugën e dritës dhe të diturisë për të ekzistuar krahas popujve të tjerë të qytetëruar dhe të lirë.
Në rrëfimin e romanit është inkorporuar edhe fryma e përgjithshme e vlerave folklorike, qoftë nëpërmjet ndonjë episodi të këngëve të të burgosurve e të syrgjynosurve, qoftë edhe të kujtimeve dhe të krahasimeve me vlera të larta të eposit heroik të kreshnikëve dhe të simbolikës së qëndrësës së Gjergj Elez Alisë.
Heroi i romanit, Ferid Seferi, nuk mbetet figurë e njëanshme heroike e tragjike për shkak të viktimizimit prindërve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, por është portretizuar edhe në planin intim si i ri qe ka reflekse dashurie në momente të caktuara, por edhe si përjetues i lumturisë bashkëshortore, pastaj i jetës së lirë në natyrë, sidomos i përjetimeve të bukurive të jetës në stane midis blegtorëve në Bjeshkët e Nemura. Në krijimin e figurës komplekse të Ferid Seferit kemi përshtypjes së autori e ka shfrytëzuar përvojen personale dhe ndonjë element të autobiografisë, që i ka shërbyer për të bërë përgjithësime lidhur me vuajtjet, burgjet, syrgjynosjet që shqiptarët i kanë përjetuar që nga Tanzimati e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së Prizrenit e deri të kohën tonë.
Krahas filozofisë së përgjithshme popullore dhe preokupimit për jetën dhe vdekjen e heronjve, pastaj dilemave lidhur me rrugët e mundshme për të dale nga robëria shekullore brenda këtij romani gjejme edhe kuptimin e përgjithshëm të bukurisë së jetës, të qëllimit të saj.
Ajo që e bënë veprën me të lexueshme është drejtpërdrejshmëria e rrëfimit, sinqeriteti, pasuria e madhe figurave, sidomos e krahasimeve, metaforave, por edhe fuqia e përgjithshme e personifikimeve të objekteve dhe përgjithësisht e pamjeve të natyrës, në mënyrë të veçantë të maleve shqiptare, që përfaqësojnë poetikisht vuajtjen dhe qëndresën e këtij populli.
Romani i parë i Sefedin Fetiut shquhet edhe për pasurinë e veçantë gjuhësore, sidomos kur kemi të bëjmë me veçantitë e përdorimit të disa trajtave popullore, që kanë një përdorim më të kufizuar në zonat malore të Veriut, por edhe përgjithësisht të gjuhës së zgjedhur, madje edhe të ambientuar me mjediset ku ka vepruar Ferid Seferi, klerik dhe mësues i medresesë, intelektual i periudhës së parë të Rilindjes sonë Kombëtare, adhurues i poezisë së Naimit dhe të Vaso Pashë Shkodranit. Nëpërmjet figuracionit të pasur, gjuhës poetike autori në mënyrë të natyrshme i ka përvijuar brenda krejt romanit edhe idetë atdhetare, synimet për jetë të dinjitetshme dhe për liri e përparim të popullit të tij.
Romani i parë i Sefedin Fetiut përmbyllet me një konstatim se këto ishin vetëm disa nga shënimet e Ferid Seferit, që i kishte gjetur autori. Madje, edhe këto nuk botoheshin të plota, por me disa reduktime e shmangie të arsyeshme. Po këtu ishte eshe premtimi se autori do të vazhdonte të hulumtonte edhe më tutje në të gjitha vendet e mundshme, ku mund të gjenden dorëshkrimet e vjetra për t’i botuar ato më të plota. Kështu romani i parë i Sefedin Fetiu mbetej i hapur edhe formalisht, me mundesi për vazhdimin e tij…
Romani i dytë i Sefedin Fetiut “Koha e zgjimit të gjakut” shquhet për vlerën e veçantë njohëse lidhur me realitetin e kohës sonë, sidomos të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Në të, përsëri nëpërmjet një personazhi narrator në mënyrë të veçantë rrëfimtare në veten e parë, janë trajtuar të gjitha veçoritë dalluese karakteristike të ngjarjeve të që e kanë karakterizuar historinë e Kosovës gjatë sundimit të Jugosllavisë titiste.
Romani është edhe një lloj i veçantë i kronikës së ngjarjeve në qytetin e Gjakovës. Në këtë vepër janë edhe më të theksuar përbërësitë autobiografikë që lidhën me jetën e autorit që nga fëmijëria. Madje, mund të thuhet se rrëfimi fillon me paraqitjen e figurës së gjyshit, Bacalokut, si një arketip i shqiptarit që synon në vazhdimësi jetën e lirë e të dinjitetshme, që siç thuhet bëhet një alter ego për autorin. Romani, siç del nga titulli, ka të bëjë me rritjen e një gjenerate që nga bankat e shkollës së mesme formohet për të luftuar për lirinë e popullit të tij, për ta gëzuar jetën e lirë, për ta dashur artin dhe dhe për t‘i gëzuar të drejtat e mohuara kombëtare, për ta përbuzur tjetërsimin që pushteti përpiqet ta zbatojë duke tentuar t’i riedukojë e në frymën e rrejshme të patriotizmit jugosllav. Ndonëse me përbërës të shumtë autobiografikë, romani nuk është një autobiografi e zvetnuar e fatit të individit. Kjo vepër mund të konsiderohet, para së gjithash, edhe një kronikë për qytetin e lindjes, sepse nuk ka mbetur pothuajse asgje që nuk është potretizuar dhe nuk është personifikuar brenda këtij qyteti, duke filluar nga shtëpitë e vjetra të rezbitura që atij i duken si vrojtuese memece të ngjarjeve të kohës, si sy të fshehur që shikojnë çdo ndodhi që gjendjet rreth tyre e deri të urat, teqetë, xhamitë, varrezat, rrugët e rrugicat me dyqane të shumta në Çarshinë e vogël dhe të Madhe, por edhe fshatrat e rrethinës dhe të gjitha kategoritë shoqërore që nga zanatlinjtë, tregtarët e deri tek abdallët e pijanikët e këtij qyteti. Me një fjalë, brenda romanit jeton qyteti i tërë, madje kuptimisht edhe krejt Kosova në gjendje të robërisë, të shqypjes e të përpjekjeve çkombëtarizuese gjatë viteve të likuidimerve të shqiptarëve të pafajshëm, të aksionit të mbledhjes së armëve të tepricave të drithrave, të kolektivizimt e të formave të tjera të shtypjes nacionale dhe sociale të shqiptarëve. Pra, autobiografia është vetëm një mundësi për ta përcaktuar këndin e vrojtimit dhe për ta përzgjedhur personazhin narator. Këtu nuk ka pothuajse asnjë detaj të tepërt dhe pa funksion, që do të shkaktonte proliksitet dhe rrëfim të merzitshëm. Natyrisht brenda formësimit të një brezi për të cilin flasin ngjarjet e romanit ka edhe gjallëëri dhe bukuri jetësore, përjetime të dashurive të para midis të rinjve, situata të xhelozisë, e të shprehjeve të embicieve për krijimtari poetike e artistike. Këtu, pra vlon jeta e një rinie që ka preokupim ta marrë në dorë fatin e vet, që synon të emancipohet sa më shume që t’i ngjajë rinisë së vendve të tjera më të zhvilluara. Mirepo, brenda kësaj kemi edhe huqet e veset e disa të rinjve që kanë preokupim jetën e lehtë, kënaqësitë kalimtare, lojën e bixhozit dhe trendet e tjera degjeneruese.
Në roman dalin të plota edhe figurat e diferencuara e të personalizuara individualisht të disa mësimdhënësve, që i çmonte, i emitonte apo i shikonte me përbuzje brezi i ri. Tipat e tillë janë lehtësisht të identifikueshëm brenda gjeneratave të mësimdhësve të Gjakovës, sado që romani i ka tipizuar në mënyrë të veçantë, pa i sforcuar përbërësit që mund të jenë edhe vlera reale të njerëzve të caktuar.
Romani “Koha e zgjimit të gjakut” është botuar edhe në Itali. Sigurisht se botuesi italian nuk e ka bërë këtë punë për hater a huter të askujt, por i ka cmuar vlerat reale të kësaj vepre.
Duke përfunduar këtë vështrim të shkurtër për romanet e Sefedin Fetiut, në mënyrë të veçantë për romanin “Koha e zgjimit të gjakut”, do të them edhe një propozim, besoj shumë të arsyeshëm: Duke pasur parasysh tematikën e zgjedhur, periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kohën e fillimit të levizjes ardhetare në Kosovë, pjesëmarrjen e brezit të ri në luftën për emancipim të përgjithshëm, për afirmim të vlerave kombëtare dhe për fillimin e luftës për të drejta kombëtare dhe për liri të plotë të Kosovës, duke marrë parasysh vlerën artistike, gjuhën e figurshme poetike, shkathësinë e rrëfimit, strukturën e veçantë të kompozicionit, dendësinë e paraqitjes realiste dhe moderne të dy periudhave të rëndësishme historike, romanet e Sefedin Fetiut duhet të përfshin ne literaturën e obligueshme për nxënësit e shkollave të mesme e Kosovës, të cilët fakeqësisht për shkak të pakujdesisje së organeve arsimore dhe të vetë arsimtarëve detyrohen ende t’i kenë si litteraturë të detyrueshme veprat e demoduara të periudhave të kaluara, të cilat janë edhe në nivel jo të kënaqshëm artistik, nga të cilat brezi i ri i kohës së sotme nuk do të ketë kurrfarë përfitimi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura