DR.SADRI RAMABAJA: NË KURTHIN E TUKIDIDIT – LUFTA E RE SHQIPTARO – SERBE (ANALIZË MBI GJEOPOLITIKËN RAJONALE) / I /

Prishtinë, 18 shtator 2020: Insistimi për ripërkufizim (razrgraničenje) me shqiptarët, flet se Beogradi nuk e njeh hartën politike të Europës Juglindore. Madje në Beograd ka koka aq të nxehta sa nuk hezitojnë të ringjallin aspiratën e shekullit XlX për shndërrimin e Serbisë në një Sardenje të Ballkanit, pra të krijojnë një supershtet të bashkuar në Ballkan nën zotërimin serb. Aleksander Vučiqi, presidenti serb, është njëri nga ata pinjollët e shovinizmit serb që e sheh Beogradin si kryeqytetin e këtij shteti, ndërkaq procesin e Berlinit në dobi indirekte të kësaj ideje!
***
Shqipëria dhe shqiptarët në njërën anë, dhe Serbia e serbët ne anën tjetër, kështu si janë sot, të ndarë në dy e tri entitete shtetërore, ose nëser të bashkuar e strukturuar në federata përkatëse, megjithatë, vazhdojnë të kenë fuqi balancuese për rajonin e Evropës Juglindore. Që të dy këta kombe, pjesa e parë e këtij shekulli, duket se do të jetë porta që do ti shpjerë ose drejt kurthit të Tukididit – Luftës vendimtare për hapësirë, ose drejt shtegut të paqes, që do t’u garantojë mirëqenie dhe prosperitet për pjesën e dytë të shek.XXI e tutje, që do ta shndërronte rajonin në oazë të paqes dhe prosperimit të shtetit të së drejtës.
‘’New York Times’’ në një artikull të gjatë lidhur me perspektivën e raporteve mes Kinës dhe SHBA-ve, së fundmi godiste në shenjë: ”Së bashku ato munden të farkojnë paqën botërore, por si kundërshtare mund ta shpiejnë botën drejt greminës”. Modus Moriendi ose Modus Vivendi, luftë ose paqe – që të dyja mundësitë janë në duart e tyre.

Duket se kjo vlenë, për këtë pjesë të Europës Juglindore, edhe për raportet mes dy kombeve me historinë më të përgjakur – mes shqiptarëve dhe serbëve.
Feniksi shqiptar përballë ujqërve të Stepës
Ne që kemi jetuar në të dy hapësirat jetësore [në atë shqiptare dhe serbe] që pas përfundimit të luftës [12 qershor 1999] dhe dhënies fund të kolonializmit njëshekullor të Kosovës, ka përpjekje për një lloj marrëveshje politike, që do të mund t’i jep fund status-quosë, respektivisht gjendjes së ngrirë. Intenca është që të krijohen kështu parakushtet e domosdoshme të afrimit e pajtimit mes dy kombeve, e më këtë edhe ecjes drejt të ardhmes prosperuese ndërfqinjësore e Evropiane, por, fatkeqësisht, duke i marrë më shumë në konsideratë interesat strategjike Serbe, në dëm të interesave jetike Shqiptare! Paralajmërimi për mundësinë e aderimit të Serbisë tok me Malin e Zi në BE për vitin 2025, duke intensifkuar edhe më tutje mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesëshja e BE-së [Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja] e me këtë edhe mbajtjen e saj [pra të Kosovës] tutje si geto të mbyllur, flet shumë për mungesën e një agjende gjeopolitike të BE-së për rajonin dhe trajtimin jo të dinjitetshëm të shqiptarëve.
Në Serbi, siç dëshmojnë edhe protestat disajavore gjithandej në qytetet kryesore serbe, por edhe përbërja e parlamentit, dominojnë forcat e së djathtës ekstreme. Qëndrimi i tyre ndaj Kosovës dëshmon se sa janë ato të ngarkuara me energji negative. Ndërkaq shpërthimi i këtyre energjive negative u vu re botërisht sidomos pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që ndërlidhet me tarifat për produktet serbe dhe intencën për t’i dhënë fund epokës së neokolonializmit, që dominoi këto dy dekada pas luftës.
Atë vendim parasëgjithash duhet kuptuar ashtu si ishte: Vullnet politik për çlirimin e dytë të Kosovës. Nëse UÇK-ja e mbështetur nga NATO, pra nga aleatët tanë Perendimorë, i kishte dhënë fund në qershor të 1999 pozitës koloniale të Kosovës, vendimi për tarifat po shenjonte fillimin e fundit të pozitës neokoloniale serbe, që asaj ia kishte garantuar UNMIK-u me politikat e tij ekonomike e fiskale, duke i hapur tashmë rrugë rivalitetit gjeopolitik.
Shih për këtë, duhet të kemi mirëkuptim pse sot bien kambanat e alarmit në Beograd, por nuk mund ta mirëkuptojmë reagimin e Brukselit!
Sa herë që shqiptarët kanë hedhur hapa serioz të rizgjimit dhe fuqizimit të pozitave të tyre, duke u faktorizuar në rajon, siç po ndodhë në këto dy dekadat e fundit me Shqipërinë dhe shqipetarët, tek pala tjeter, pra tek Serbia, si fuqi që ka dominuar ish Jugosllavinë, por që kishte rol dominant edhe në Evropën Juglindore, vetvetiu zgjohet ndjenja e shqetësimit dhe pasigurisë.
Zgjidhja e kësaj nyjeje historike do të mund të bëhej fare ngjajshëm si me rastin e Britanisë së Madhe dhe Amerikës në epokën postkoloniale, por situata mund lehtë të preciptojë drejt një lufte të re, siç ndodhi pas vitit 1900 mes Britanisë së Madhe dhe Raihut Gjerman .
Historia nga antika e deri sot njeh shumë raste kur luftrat shpërthyen edhe krejt rastësisht ose si rezultat i drosë që ushqenin palët mes vete. Theo Somer prandaj tek flet për raportet mes Kinës dhe SHBA, potencon se ato mund të rrëshqasin në luftë shkatrrimtare diçka e ngjajshme “siç ndodhi 2500 vjet më parë mes Spartës dhe Athinës”.1
Historiani grek Thukydidis ka përshkruar në detaje se si që të dy qytetet – shtete helene, në gjendje po thuajse të mpirë prej somnabuli, kishin rënë në kurthin e shthurjes. Në veprën e tij të njohur me titull sugjestiv “Destined For War”, profesori i njohur nga Universiteti i Harvardit, politikologu Graham Allison, kthehet për 2400 vite prapa në histori dhe citon nga vepra e Thukydidit mbi luftën e Peloponezit këtë fjali:
“Ishte ngritja e Athinës dhe brenga e shqetësimi që kjo ngritje shkaktoi tek Sparta, që e bëri luftën të pashmangshme”.2
Duke e përcjellë gjendjen e krijuar ndërkohë mes Serbisë dhe Kosovës, veçanërisht reagimet e krerëve të Serbisë që nuk marrin mundin fare të fshehin muskujt kërcënues përmes pozicionimit të divizioneve të tëra të ushtrisë në kufi me Kosovën, dhe tash së fundmi edhe me paradën ushtarake që më tepër ishte një karshillëk, shtrohet logjikshëm pyetja:
Mos vallë, ngritja dhe prosperimi i Republikës së dytë shqiptare [Kosovës], e me këtë faktorizimi i kombit Shqiptar, ta ketë po të njejtin efekt në Serbi?
Në rastin e Athinës dhe Spartës, Tukitidi potenconte dy faktorë që po e vinin qerren e luftës në lëvizje: Në njërën anë orekset në rritje të Athinës, që ishin produkt i një lloji ndjesie në ngritje e që shenojnë atë lloj vetëvlerësimi superior, ndërkaq në anën tjetër vihet re një lloj pasigurie, drojë, madje edhe një lloj vendosmërie për ta ruajtur Status Qou-në nga ana e fuqisë tashmë të etabluar të Spartës. Në gjykimin e Tukitidit, qëndrimi i Athinës ishte i parevokueshëm. Në përmasat për aq sa fuqia e saj ishte në ngritje, rriteshin edhe ndjesitë se ajo po trajtohej jo mirë, duke sforcuar bindjen se fuqia e vjetër tashmë do të duhej të përshtatej me realitetin e ri.
Historiani Grek gjithashtu kishte vënë re se Sparta i cilësonte sjelljet dhe qëndrimin e Athinës si të paarsyeshme, por edhe se i ishte rrezikuar roli dhe pozicioni i sai dominues që nga çasti kur filloi ngritja dhe mëkëmbja e Athinës. Mënyrën e rrugët që ndoqën dy qytet-shtetet për të hyrë në luftën e gjatë 30 vjeçare, më të gjatën në antikë, por edhe si që të dytë në fund përjetuan humbje të mëdha duke u dobësuar tej mase, sa nuk përballuan dot pastaj mësymjen e persëve, na e ka dëshmuar mirë historia.
Ky lloj i dinamikës së inercionit historik, mos vallë ndërkohë e ka vënë në lëvizje qerren e luftës së Serbisë (e me këtë edhe të kombit serb) dhe të Kosovës (e me këtë edhe të kombit shqipëtar), duke i paraprirë krejt kësaj përplasjeje një mësymje e furishme e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës, duke llogaritur më shumë në një “blic krig”?
Hulumtimi që ka bërë Allisoni në këtë rrafsh jep këtë rezultat: “Në njëmbëdhjetë nga gjashtëmbëdhjetë raste të trajtuara të 500 -vjetëshit të fundit, në të cilat raste kemi të bëjmë me zhvendosje të shpejtë të fuqisë mes një force në ngritje dhe kombit zaptues paraprak, lufta ishte si përfundim, respektivisht rezultat.” 3 Në këtë lloj luftërash për hegjemoni, drejt luftës preventive rrëshqiste fuqia e etabluar. Nga fuqia në ngritje, ndërkaq, kishte kundërvënie, kur forcat de fakto ishin pak a shumë të njejta. Në rastin konkret, natyrisht forca ushtarake e Kosovës është embrionale, pakrahasimisht më e dobët se ajo e Serbisë, por pikërisht ky fakt mund të nxisë Serbinë që, në emër të preventivës, të mësyej aksionin për aneksimin e veriut të Kosovës.
Dy nga keto dymbëdhjetë rastet e trajtuara nga Alison-i kishin të bënin me rivalitetin mes Britanisë se Madhe dhe Gjermanisë para Luftës së Parë Botërore, si dhe sfida japoneze ndaj SHBA-ve, që erdhi deri LDB me përmasa të përgjakshme për krejt rruzullin tokësor.
Sidoqoftë nuk do të thotë gjithësesi se lufta e sërishme mes Kosovës dhe Sërbisë është e pashmagshme. Histora na dëshmon se feniksi shqiptar u përball vetëm në vitet 1878-1999 me ujqërit e Stepës, jo më pak se shtatë herë radhazi. Fillimisht duke e humbur Toplicën [1878]; pastaj duke humbur Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe gjithë Kosovën e një pjesë të vilajetit të Manastirit [1912]. Tutje gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike [1912-1914]; pastaj gjatë Luftës së Parë Botërore e që do të vazhdonë me luftën e Kreshnikëve [Kaçakëve, siç njihet në popull lufta e viteve 1918-1924]; tutje gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në epilogun e saj [1944-45] për t’i dhënë fund me luftën e UÇK-së [1998-99], kur edhe u çlirua Kosova, por pa Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe pa Preshevën, Bujanocin e Medokën (Medvegjën).
Në katër prej gjashtëmëdhjetë rasteve të trajtuara nga Alison-i dhe ekipi i tij, rivaliteti mes fuqisë në ngritje dhe asaj të etabluar, nuk kishte përfunduar me luftë. Arsyeja ishte: Vetëpërmbajtja dhe venerimi i interesave strategjike të dyanshme që kishin shmangur luftën. Pse mos të jetë rasti mes Kosovës dhe Serbisë, i pesti në këtë vazhdë të historisë së luftrave, që nuk rrëshqet drejt luftës? Arsyet dhe interesat strategjike të dyanshme anojnë nga paqa dhe prosperiteti.
Taivani, “Zajednica“ serbe dhe miti mbi “Djepin e kombit serb”
Në preambulën e kushtetutës së RP të Kinës theksohet taksativisht: ”Tajvani është pjesë e territorit të shenjtë të Republikës Popullore të Kinës’’. Tutje vazhdon të potencohet obligimi shtetëror e kushtetues: ”Është detyrim i shenjtë i gjithë popullit kinez, përfshirë edhe qytetarët e vendit në Taivan, që ta përmbushin detyrën madhore të ribashkimit të atdheut”.
Disi ngjashëm trajtohet edhe Kosova, në kushtetutën aktuale serbe, natyrisht krejt në kundërshtim me realitetin historik, demografik e logjik. Në preambulën e saj, po edhe në pjesët organike, potencohet taksativisht se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërkaq monumentet kishtare etj., në Kosovë, bashkë me hapësirat përreth tyre, trajtohen si gjoja dëshmi e historisë, duke formuluar kështu pseudoargumentet se ajo paraqet “djepin e serbizmit”!
Por nëse rasti i Kinës dhe Taivanit është në përputhje të plotë me realitetin historik, me atë të raporteve mes bërthamës së Shtetit amë dhe një pjese të tij, që në rrethana historike të njohura pas LDB i shkëputet shtetit mëmë, kjo paralele nuk tërhiqet dot mes Kosovës dhe Serbisë. Këtu kemi të bëjmë me çështje krejt tjetër, që ndërlidhen me historinë e pushtimit dhe kolonizimit të Kosovës si krahinë e Shqipërisë. Sidoqoftë, Serbia vazhdon me falsifikimin e historisë dhe manipulimin me ndjenjat e qytetarëve të saj. Edhe në tekstet shkollore të historisë tashmë është etabluar cilësimi i Kosovës si “tokë serbe”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa në aktin më të lart juridik – në kushtetutë, Kosova cilësohet si pjesë integrale e Serbisë!
Ja se çka shkruan taksativisht në preambulën e kushtetutës Serbe:
“Bazuar ne traditën shtetërore të popullit serb dhe barazisë së gjithë qytetarëve dhe bashkësive etnike në Serbi; bazuar në faktin që Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e Serbisë, pra se ka pozitën e saj si pjesë përbërse e shtetit sovran të Serbisë dhe se nga kjo pozitë Krahina Autonome e Kosovës, organet e saj si dhe të gjitha organet shtetërore kushtetuese, kanë obligime dhe detyra të mbrojnë interesat shtetërore të Serbisë në Kosovë dhe Metohi në të gjitha mardhëniet politike të brendshme e të jashtme“. 4
Ndërkaq në kapitullin e shtatë të kushtetutës serbe, Kosova trajtohet si pjesë organike e saj në shtatë nene të veçantë.
Potenciali ekonomik dhe ai ushtarak i Kinës, tok me vullnetin politik, flasin në dobi të ribashkimit të Tajvanit me Kinën në një perspektivë jo të largët, madje pavarësisht kundërshtimit të sforcuar të SHBA-ve. Ky gjakim edhe mund të bëhet realitet.
Rasti i Krimesë, por edhe procedanët tjerë që po krijon agjenda e gjeopolitikës ruse, shkon gjithashtu në dobi të agjendes politike të Kinës. Presionit ndaj Taipeh-ut (kryeqendra e Taivanit-S.R) nga ana e Kinës, por edhe nga qytetarët së brendshmi, rritet çdo ditë, regjimi i të djathtës tradicionale Kineze (Koumintang), që e ka shndërruar Taivanin në një bazë të fuqishme ushtarake nga më të rrezikshmet në planet, një ditë, fare lehtë, mund të dorëzohet.
Si do të jetë atëherë reagimi i SHBA-ve?
Dy parti parlamentare të Taivanit janë aktive pro ribashkimit me Kinën. Propaganda kineze që garanton lehtësira ekonomike dhe mirëqenie për 137 milion qytetar të ishullit, është permanente. Shih për këtë, ky ishull fare leht mund të shndërrohet në flakadan të luftës së tretë botërore.
A mund të tërhiqen paralele mes këtij ishulli kinez dhe “Zajednices” serbe nesër në Kosovë? Krahasimi gjithsesi çalon dhe duket tërësisht i shpifur. Por, kështu nuk gjykon Beogradi, meqë ai si “Zajednicë serbe” de fakto e trajton gjithë Kosovën, duke e cilësuar madje edhe si “djepi i Serbisë”, respektivisht si “djep i kombit serb” etj.
Oligarkët pashiqian të Beogradit ende e mbajnë gjallë idenë e rikthimit të Serbisë në Kosovë. Në këtë terren strategik, gjykon Beogradi, ndryshimet e karakterit gjeopolitik të pritshme që të ndodhin në Ukrainë, në Taivan etj., mund të prodhojnë ndonjë aksion spektakular të rikthimit të Ushtrisë Serbe në Kosovë, ose së paku në “Ishullin e ngrirë’’ që po e mbanë tutje në veriun e Kosovës.
Aktualisht, përmes dialogut në Bruksel dhe të takimeve të fshehta, po ushqehen këto iluzione të ëndrrës serbe tashmë e ngritur në agjendë politike zyrtare. Në ndihmë të kësaj agjende ishte edhe forumi i Alban-ut në Austri dhe shërbimet e një lagjeje diplomatike të Evropës në krye me znj. Mogerini, përfaqsuese e lartë e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Prapa këtij eshaloni të diplomacisë proserbe, duket se tashmë janë rreshtur individ e qarqe të politikës shqiptare nga Prishtina e Tirana! Përpjekja e Serbisë që, qoftë edhe me “marrëveshje” ta aneksojnë veriun e Kosoves, dëshmon edhe një herë se sa e predisponuar po tregohet ajo që të bie me të dy këmbët në kurthin e Tukididit.
Nga çasti i hyrjes së Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, por realisht edhe, nga momemti kur Zuo Jiping-u kishte promovuar të ashtuquajturën strategji mbi “raportet e rolit të superfuqive” [ 2012], pozicioni gjeopolitik edhe i Europës Juglindore kishte filluar të pësojë ndryshime të ndjeshme. Këtë ndryshim e shpërfaqi këshilltari për çështje të sigurisë i Presidentit të SHBA-ve, John Bolton, në fjalimin e tijë në Kiev [2018].5
Ky pozicion i ri, automatikisht ndikoi në raportet mes dy kombeve rivale në Ballkan (kombit shqiptar e atij serb), duke shënuar kuota të reja përplasjeje. Serbët, duke shfrytëzuar momentin politik, tentojnë t’i zgjerojnë sferat e tyre të interesit, madje edhe duke imponuar korigjimin e kufirit të Kosovës, që de fakto nënkupton aneksimin e veriut. Deklarata e presidentit serb A.Vuçiq për ripërkufizimin (razgraničenje) me shqiptarët, flet qartë se Serbia tashmë ka rënë brenda perimetrit të kurthit të Tukididit. Në këtë rast do të mjaftonin ca ndeshtrasha (provokime) të rëndomta, që dinë t’i improvizojnë shërbimet serbe të inteligjencës (të kujtojmë “Trenin Rus”, vrasjen e Oliver Ivanoviqit], që konflikti të bëhet i pashmangshëm, ndonëse skifterët e luftës tashti nuk mungojnë as në Prishtinë.
Presidenti serb në turnin e tij në qytetet afër kufirit me Kosovën, duke filluar me Vrajën, dikur njëri nga qytetet etnikisht më të pastër shqiptare (1877), e deri në Kurshumli e në Medokën time, dëshmon qart se është po ai që ishte gjatë luftërave në ish Jugosllavi [1991-1999], si zëdhënës i Millosheviqit, duke ushqyer tutje ,,shpirtin luftarak” të çetnikëve të tij që tashmë e dominojnë Parlamenti Serb.
Ekspansioni kinez drejt Ballkanit – akt gjeopolitik
Përse potencova në fillim të kësaj eseje rastin e Taivanit dhe më pas këmbënguljen e Sebisë për ta mbajtur kaq gjatë ,,rastin e ngrirë” të veriut të Kosovës, shëmbëllim i modeleve të ngjajshme në Qipron Turke, Krime, Ukrainën Lindore etj.?
Ka kohë që në qarqet akademike serbe, por edhe në nivelet më të larta të politikës, krahas rolit në ngritje të Rusisë, i kushtohet vëmendje e veçantë edhe ngritjes së Kinës. Në mediat më seroze nuk ka kaluar pa u komentuar deklarata e D.Trump-it pas takimit me presidentin kinez që flet në dobi të tezës për një një rishikim të politikave reciproke, që favorizojnë një lloj bashkëpunimi në dobi të raporteve kinezo-amerikane të G2-shit.
,,Unë mendojë se ne mund t’i zgjidhim pothuajse të gjitha problemet e botës”,6 e shprehur në një rast Trump-i.
Në këtë rirreshtim të ri të mundshëm, Beogradi tenton të zë hapin, duke hapur të gjitha portat për investitorët kinez. Banka shtetërore kineze EXIM tashmë është prezente me investimet e saja në disa fusha. Ajo ka startuar me ndërtim autostradash në Maqedoni, në Mal të Zi dhe pretendon që këtë rrjet ta përmbyllë me Serbinë. Në Beograd konsorciumi Kinez ‘CHINA ROAD AND BRIDGE CONSTRUKCTION’ ka ndërtuar një urë të gjatë mbi Danub që kap shifrën prej 170 milion eurosh, 85% e së cilës është kredi. Diku 700 milion euro janë duke u investuar në një termoelektranë dhe në ndërmarrjen më të madhe të vendit për përpunimin e çelikut në Smederevë, që pritet të kalojë në duart e kinezëve. 7
Një projekt tjetër i rëndësisë së veçantë që po investon Kina në interes të Serbisë, është edhe hekurudha e shpejtësisë së lartë mes Budapestit dhe Beogradit, që ka diku 350 km, e ku parashihen të investohen rreth 3.2 miliardë euro. Modernizimi i kësaj hekurudhe pritet të përfundojë në vitin 2023, me ç’rast do të shkurtohet koha e lidhjes së këtyre dy qendrave nga 8 orë, sa është tashti, në 3 orë. Krahas kësaj, është lënë e hapur mundësia e modernizimit e të gjithë shtegut hekurudhor nga Athina në Budapest.
Këto dhe projekte tjera që planifikojnë kinezët t’i financojnë në rajon, me theks të veçantë në Serbi, vijnë si rezultat i hezitimit të investitorëve nga BE-ja dhe përgjithësisht Perendimi. Këtë hezitim dhe këtë hapësirë ndërkohë po e shfrytzon Kina, por gjithmonë e rivalizuar nga Rusia dhe Turqia.
Në krejt këtë mësymje, Kosova mbetet jashtë vëmendjes kineze, meqë Kina nuk e njeh pavarësinë e saj, duke u arsyetuar se nuk tumirë politikat secesioniste që i ndërlidhë pastaj me problemet e brendshme, si ato me Ujgurët dhe Tibetianët, por duke mos e lënë anash as edhe rastin e Tajvanit. Sidoqoftë, investimet kineze edhe në Shqipri janë të ndjeshme.
Në një shkrim të gjatë të publikuar në ,,DIE ZEIT” të Hamburg-ut, Ulrich LADURNER dhe Steffen RICHTER kanë goditur pikërisht në shenjë tek potencojnë se Kina përmes këtyre investimeve, para së gjithash ka për qëllim të rrisë ndikimin politik në Evropë. “Kina dëshiron që në të ardhmen, qoftë edhe në rrugë indirekte, të ketë influencë në vendimmarrje në BE”.8
VIJON …

___________________

DR.SADRI RAMABAJA: NË KURTHIN E TUKIDIDIT – LUFTA E RE SHQIPTARO – SERBE (ANALIZË MBI GJEOPOLITIKËN RAJONALE) / I /
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10527
***
DR.SADRI RAMABAJA: NË KURTHIN E TUKIDIDIT – LUFTA E RE SHQIPTARO – SERBE (ANALIZË MBI GJEOPOLITIKËN RAJONALE) / II /
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10531

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura