Prishtinë, 4 mars 2017: Sindromi Colmar që do të jetë shenjues i pengmbajtjes politike nga ana e shtetit në shërbim të agjendave të një shteti tjetër, për turpin e Francës, po hyn tashmë në histori. Prej nga kjo fuqi e diktatit politik serb në raport me Francën, njërin prej shteteve që konsiderohet si bartësi i filozofisë përbashkuese panevropiane?
Në vitet nëntëdhjeta Serbia në Kosovë kishte toleruar egzistencën e të ashtuquajturit shtet fiktiv; kishte toleruar egzistimin e të ashtuquajturit sistem politik plural që “legjitimonte” atë shtet fiktiv; madje Serbia ishte treguar zemërgjerë tej mase duke toleruar edhe aktrimin publik që bënte i ashtuquajturi president fiktiv me lëvizjet e tij jashtë e brenda, herë me shpura e herë pa to. Por, Serbia nuk e kishte toleruar Ministrin e Mbrojtjes së atij shteti fiktiv. Tentativa për ngritjen e strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes (shih librin e Dr Nikë Gjeloshi, Ministria e mbrojtjes e Republikës së Kosovës 1991-1995) ishte cilësuar si tejkalim i demokracisë, respektivisht “lojë” e tepruar, prandaj prapa grilave ishin gjetur sa çel e mshel sytë Hajzer Hajzeraj, Haxhi Ferati, Agim Krasniqi… si drejtues të këtij dikasteri që Republikën pretendonin ta nxirrnin nga statusi fiktiv i saj, respektivisht pozicioni i pengut ku e kishte futur LDK-ja dhe krijimin e “kushteve elementare të funksionimit të institucioneve të shtetit të Kosovës” (N.Gjeloshi: 103).
Natyrisht në këtë kuadër të demonstrimit të të fortit që nuk tallet me Shtetin, por edhe nuk toleron askë të vë në pikëpyetje sovranitetin, Serbia kishte arrestuar dhe po ndiqte këdo që vepronte nga pozitat çlirimtare në kuadër të LPK dhe LKÇK-së brenda në Kosovë në shkallë masive (Shih aktakuzën e dy grupeve të dënuara në vitin 1993: ndër të cilët: Xhevat Haziri. Raif Çela, Salih Mustafa… dhe N.Gjeloshi: 192). Ndërkaq personin që e kishte identifikuar si ideolog të Republikës dhe bartës real të idesë për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, që do ët kurorëzohet me krijimin e UÇK-së, Profesor Ukshin Hotin, bashkë me “segmente të alternativës kosovare”, për aq kohë sa e kishin cilësuar të mjaftueshme, e kishin izoluar në Krushë, ndërkaq në çastin kur ai po merrte në drejtim UNIKOMB-in dhe mund të pozicionohej qartë si lider politik real i Republikës, e arrestojnë. “Më ka arrestuar Policia e Republikës së Serbisë, me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës”, shprehet krejt qartë Profesor Hoti në fjalën e tij mbrojtëse para Gjykatës serbe. (U.Hoti:205). Duket se edhe dënimi i tij ka qenë i koordinuar. Për vite të tëra, pastaj ai do të shndërrohet në peng i Republikës dhe në fund, pasi kishte vuajtur kohën e dënimit, do ta lirojnë dhe do ta humbasin pa gjurmë.
Serbia sërish në ofenziv
Prej 17 shkurtit 2008 Kosova gëzon statusin e Republikës dhe aktualisht edhe njohjen e pavarësisë prej 114 shteteve, anëtare të OKB-së. Si rezultat i lëvizjeve gjeopolitike në fundin e shekullit të kaluar dhe fillimin e këtij që po jetojmë, ajo fitoi lirinë. Ka gjasa që, sërish, me rikthimin e gjeopolitikës dhe veprimet e nxituara të Serbisë, ky proces të ecë edhe më shpejt drejt avncimit dhe krijimit të Federatës Shqiptare.
Por, me një qeveri kukull, në krye të së cilës është një ish kuisling i Serbisë, me një president marionetë dhe me një Kuvend ku shumica e deputetëve janë numra, respektivisht makina votuese që dirigjohen me telekomandë, sovraniteti i Republikës vazhdimisht vihet në pikëpyetje. Në fakt Republika tashmë është shndërruar në peng gjeopolitik dhe po ndanë fatin me çlirimtarin e saj – Ramush Haradinajn. Për ta mbajtur në këtë pozicion pengu, respektivisht për ta shndërruar Republikën në një shtet të dështuar, Serbia me aleatët e saj, ndodhet aktualisht në ofenzivë dhe ka vënë në lëvizje struktura të tëra të mekanizmit të saj diplomatik, ushtarak, të zbulimit…
Inaugurimi i të ashtuquajturës “Çadër e lirisë” në Sheshin e dëshmorëve në Tiranë rezulton të jetë produkt i kësaj ofenzive, ashtu si edhe kriza në Maqedoni, por edhe arrestimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze dhe shndërrimi tashmë i tij në peng politik të llojit të vetë.
Çka ka të përbashkët Sindromi i Stokholmit me rastin Colmar?
Veprimi i policisë franceze në raport me Ramush Haradinajn ndërkohë do të mund të krahasohet me aktin e kindapimit të katër personave në Stokholm, më 23 gushtit 1973. Atëbotë një grusht terroristësh kishin hy në filialen e një banke kreditore në Stokholm, kryeqytetin e Suedisë, dhe kishin kindapuar dhe terrorizuar për pesë ditë e gjysmë tri gra të reja dhe një burrë. Historia e tmerrit që jetuan katër pengjet, mënyra se si reaguan ata nga çasti në çast, më pas do të shndërrohet në objekt studimi nga ekspert të fushave të ndryshme.
Për lexuesit më të ri le të kujtojmë se atëbotë Evropa po jetonte agsholin e një epoke të re politike. Rinia e Evropës ishte hedhur në protesta. Ata kërkonin ndryshime kualitative dhe prefeksionim të demokracisë. Gjithandej vepronin njëkohësisht edhe grupime politike krejtësisht të pakontrolluara. Fryma e shpresës për ndryshime të mëdha, që ishte hedhur me protestat masive të rinisë në vitin 1968, ndërkohë pothuajse ishin shuar. Anarkizmi po shënonte rritje.
Kindapuesit ju kishin drejtuar publikut me këtë fjali: “The party has just begun!” Tmerri që jetuan pengjet më pas, në literaturn profesionale do të cilësohet me nocionin specifik “Sindromi i Stokholmit”. Mënyra e reagimit të pengjeve më pas, secili veç e veç, por edhe si grup, do të shndërrohen në objekt studimi jo vetëm për psikologët.
Loja e gjykatës franceze të Kolmarit (Colmar) me Ramush Haradinajn, duke shtyrë vendimin nga një muaj në tjetrin, ka gjasa reale të shndërrohet në objekt studimi, jo vetëm për juristët dhe ekspertët e të drejtës penale ndërkombëtare.
“Sindromi Calmur” që mund tl jetë shenjues i pengmbajtjes politike nga ana e shtetit në shërbim të agjendave të një shteti tjetër, për turpin e Francës, ka rrezik të hyjë në histori.
Ministja e Drejtësisë e Republikës së Serbisë para ca ditëve, thuhet në njoftimin e publikuar ndërkohë nga ministria në fjalë, i ka përcjell prokurorisë në Kalmur dëshmi shtesë kundër Ramush Haradinajt që kalojnë 100 faqe tekst, bashkë me aktgjykimin e Hagës, për të dëshmuar se fjala nuk është për rastet që i janë nënshtruar Gjykatës së Hagës, duke pretenduar të dëshmojë kështu se, Haradinaj nga Prokuroria Spesiale e Serbisë nuk ndiqet për raste të njejta.
Tendenca e Serbisë për ta trajtuar rastin në rrafhin gjoja të pastër penal, duket se po shërben si alibi edhe për Gjykatën e Kalmurit, për mbajtjen peng të Haradinajt, pavarësisht se Franca e ka njohur Republikën e Kosovës dhe e ka të qartë se qytetarët e saj nuk mund të jenë objekt trajtimi i gjykatave të një shteti tjetër dhe rrjedhimisht nuk mund të ekstradohen në një shtet të tretë.
Se fjala është për një veprim që asocion me atë të Stokholmit (1973), por kësaj radhe për efekte të pastra politke, nuk ka dyshim. Se ndërlidhet rasti i mbajtjes peng i Ramush Haradinajt nga ana e Francës për interesa dhe agjendë politke të Serbisë në rajon, këtë do ta dëshmoj historia shpejt.
Hakmarrja e Serbisë ndaj çlirimtarëve dhe posaçërisht kësaj radhe ndaj Ramush Haradinajt, ndërlidhet me gjasë edhe me planin e dështuar të Serbisë dhe një pjese të shteteve evropiane në raport me hartën politike të Kosovës që ishte pregaditur në fund të luftës (1999), e ku përfshinte Deçanin, Pejën dhe Istogun si zona që do të duhej të mbeteshin nën kontrollin serb, ngjashëm sië kishte ajo hartë brenda saj edhe hapësirat që i kontrollon aktualisht Serbia në veri të Kosovës. Ky fakt tashmë është bërë sekret publik.
Gjykata e Colmar/it – instrument në duart e politikës
Intenca këmbëngulëse e Serbisë për krijimin e Bashkësisë Serbe (pra një lloj Republika Serbska) në Kosovë, si hap i parë drejt ndarjes de fakto dhe de jure të Kosovës, duket të jetë gjykuar nga Serbia dhe aleatët e saj se, nuk bëhet dot realitet vetëm me mbështetjen e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Kësaj dysheje i duhet bashkangjitur gjithësesi edhe Ramushi!
Përpunimi i tij në dobi të kësaj agjende, nuk është çështje ditësh e javësh. Prandaj Gjykata e Kalmurit sillet kështu si po sillet: si instrument tipik në duar të politikës.
Prej nga kjo fuqi e diktatit politik serb në raport me Francën, njërin prej shteteve që konsiderohet si bartëse e filozofisë përbashkuese panevropiane?
Çka dëshmon ndërkohë heshtja e organeve kryesore të BE-së për rastin Haradinaj?
Janë këto pyetje të cilave do të duhej t’ju jipnim përgjegje reale, në vend se të sillemi me kaq joseriozitet si Republikë e si Komb.
Promethe modern për një Shqipëri të re
Por, a do të arrijnë qëllimin Beogradi në këtë ndërmarrje atipike për epokën që po jetojmë? Apo, që të dy palët – Serbia dhe Franca, do të jenë vetëm kontribues “historik” të ngritjes së këtij rasti në fenomen politik të llojit të vetë,?!
Duke njohur shpirtin liridashës të Ramushit, lidhjet e tij të thella me fatin e Kosovës, karakterin e tij prej fisniku të Dukagjinit, jam i prirur të besoj se Ai sërish do të qëndroj vertikal, i pathyer, duke u shndërruar në një Promethe modern për një Shqipëri të re.
Në këtë përballje Ai nuk do të mbetet vetëm. Protestat dhe zëri i qytetarëve për mbrojtjen e heroit të tyre atshmë nuk mjaftojnë.
Francës dhe aleatëve tjerë historik të Serbisë, duhet t’ jua bëjmë të qartë se shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të mbahen tutje peng të agjendave politike të Serbisë, por as edhe të konjuklturave gjeopoliitke ruse.