Shkup, 10. 11. 2013 – Filozofi amerikan me origjinë spanjolle, George Santayana, 1863-1952, tha: “Kush e harron të kaluarën, është i dënuar ta përsërisë atë”. Shqiptarët e ngratë, për herë të parë në Histori, më 28 nëntor 1912, shpallën pavarësinë e një Shqipërie e cila do të ishte “e lirë dhe e pavarur”, por shqiptarët dhe trojet e tyre, me vendimin e padrejtë të Fuqive të Mëdha, u ndanë në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, duke mbetur, më tepër se gjysma e tyre, nën Greqi, Serbi, Mal të Zi…. Kjo padrejtësi e madhe historike: ndarja e një kombi në dy, tre, katër pjesë që ndodhi njëqind vjet më parë, u shoqërua me krime e masakra të tmerrshme dhe të papara të trupave serbo-malazeze e greko-bullgare mbi popullsinë shqiptare.
Është detyrë e shkencës dhe shkencëtarëve shqiptarë, e historisë dhe e historianëve të mirëfilltë në radhë të parë, dhe jo halabakëve sharlatanë, që t’i hulumtojnë dhe vejnë në letër këto ngjarje, jo për të ngjallur urrejtje mes popujve, por për të njohur të kaluarën dhe për të mos lejuar që ajo të përsëritet, ashtu siç u përsërit në Kosovë në fund të shekullit që lamë pas, dhe në Maqedoni në fillim të shekullit XXI.
Kur i lexojmë dhe rilexojmë dëshmitë e para njëqind vjetëve, shohim se ngjarjet e përgjakshme të fundshekullit XX, ishin, në masë të madhe, reprizë e atyre të fillimit të shekullit, sepse si të parat, ashtu edhe të dytat, kishin frymëzime e synime politike: pushtime territoresh, gjenocid dhe spastrime etnike mes shpërnguljeve dhe vrasjeve masive.
Janë të shumta dëshmitë e udhëtarëve, gazetarëve, publicistëve dhe diplomatëve të huaj për krimet që bënë trupat serbe, malazeze, greke e bullgare gjatë Luftërave Ballkanike në të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Preshevës, Ulqinit e Iliridës.
Mikja e shqiptarëve, shtegtarja angleze Mis Edith Durham (1863-1944), e cila ka lënë disa libra me shkrime për Ballkanin, tregon se gjatë tetorit të vitit 1912, kur ndodhej në Mal të Zi dhe kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, kërkoi që të vizitonte Prizrenin, por pushteti serb ia ndaloi udhëtimin.
“I pyeta malazeztë se përse nuk më lejohej të shkoja atje – dëshmon zonja Durham, ndërsa ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqiptar me hundë të paprerë!”. Dhe, vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqipërisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë e buzë të prera”, vepër e pushtuesve që mëtonin paturpësisht se sillnin “civilizimin” në ato vise shqiptare.
Historiani anglez, Noel Malcolm, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, sjell dëshmi të shumta për vrasjet masive të shqiptarëve në vitet 1912-1913, për djegien e fshatrave të tyre dhe krimet e tjera të bëra mbi ta. Edhe pse “shumicës së gazetarëve të huaj iu ndalua hyrja në Kosovë”, thekson Malcolm, megjithatë, e vërteta për një pjesë të mizorive të kryera në Kosovë arriti të depërtonte në botë. Një gazetar danez raportonte nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë 5.000 shqiptarë pas pushtimit të qytetit, për të shtuar se “fushata serbe kishte marrë karakterin e një masakre të tmerrshme mbi popullatën shqiptare”. Disa të dhëna depërtuan në Evropë nëpërmjet Kishës Katolike.
Kështu, një prift vendës katolik, sipas gazetës Daily Telegraph , informonte për një masakër në Ferizaj, ku komandanti serb u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të ktheheshin pa frikë në shtëpitë e tyre dhe kur ata e kishin bërë këtë ishin pushkatuar që të gjithë (rreth 300-400 veta), aq sa në këtë qytet kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15-vjeçare.
Arqipeshkvi katolik i Shkupit, Lazër Mjeda (vëllai i Ndre Mjeda), në një raport të datës 24 janar 1913 dërguar Vatikanit, shkruante se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, ‘edhe pse qyteti ishte dorëzuar pa rezistencë’, kurse Gjakova ishte shkretuar krejtësisht.
Akoma më keq kishte kaluar qyteti i Prizrenit, që, sipas raportit, ishte shndërruar në një “mbretëri të vdekjes”. Ushtarët serbë trokasin në dyert e shqiptarëve, i marrin burrat dhe i pushkatojnë në vend (numri i të vrarëve arrin në 400), kurse e tërë kjo plojë shoqërohej me grabitje, plaçkitje e dhunime, sepse urdhri ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë, madje jo vetëm lejohet, por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe kulmi i të gjithave: komandanti ushtarak serb, Bozho Jankoviq, urdhëron parinë e qytetit me revole në dorë që t’i dërgonte letër falënderimi kral Petrit për “lirinë” që ua solli!)
Revolucionari i njohur rus, Lav Davidoviq Bronshtajn, i mbiquajtur Trocki (1879-1940), i cili gjatë Luftërave Ballkanike ishte korrespondent i gazetës “Kijevskaja Misl”, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë në viset shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Në raportin e datës 23 dhjetor 1912, nën titullin “Krimet e shovinizmit dhe të demokracisë”, Trocki shkruan: “Tmerret filluan të duken posa kaluam kufirin.
Në orën pesë pas dite, kur iu afruam Kumanovës, dielli kishte filluar të perëndonte dhe të binte terri. Sa më shumë që ngrysej qielli, aq më shumë shndrisnin flakët e zjarrit, që ngjiteshin lart në qiell. Gjithçka shqiptare digjej. Vetëm vendbanimet shqiptare ishin në flakë…”) .
Më tutje autori tregon se pamjet e këtilla e kanë ndjekur gjatë gjithë udhëtimit të tij nga Kumanova në Shkup. Në stacionin e trenit në Shkupin e shkretuar, një ushtar i dehur serb, çetnik, me shishen e rakisë në njërën dorë dhe me kamën në tjetrën, luan me shqiptarët e zënë robër si macja me miun, duke u bërtitur: “Ngrihuni!”, “Uluni!” dhe duke i detyruar të pinë raki.
Ndërsa një ushtar tjetër, esëll, i thotë udhëtarit për njerëzit me të cilët tallej shoku i tij: “Këta janë arnautë. Tash do t’i therin e do t’i bëjnë copa-copa”. Në pamundësi që t’i shpëtojë ata, por edhe duke mos dashur të shohë me sytë e tij skena të tilla, Trocki vazhdon rrugën, por kur arrin te Ura e Gurit, në Shkup, i del para “një grumbull kufomash me koka të prera”. Që të gjithë shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga çetnikët.
Trocki jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqiptarët, duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes. ”Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre. ‘As vetë s’e di sa shqiptarë kam vrarë’, tha njëri nga ata. Por te asnjëri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e thera një grua, gjeta tek ajo dhjetë lira ari”. “Një natë në kafene takova një toger, njësia e të cilit ishte stacionuar në Ferizaj. ‘E çka bëni atje, në mes të shqiptarëve?’ – e pyeta. ‘Pjekim zogj dhe vrasim arnautë” – m’u përgjigj. ‘Por jemi lodhur edhe nga kjo’, shtoi duke hapur gojën nga mërzia“.“Po si mund të silleni kaq brutalisht?” – e pyeta i shokuar nga fjalët e tij.
“Nuk e di as vetë. Mësohesh. Në luftë, siç e dini, komanda jep urdhra dhe ju duhet t’i zbatoni”.Kur i thashë se po silleshin si banditë, duke vrarë e plaçkitur njerëz të pafajshëm, togeri u nxeh pak dhe filloi të arsyetohej.“Jo, nuk është ashtu.
Ne, ushtria e rregullt, u përmbahemi rregullave… nuk vrasim njerëz nën 12 vjeç! Për paramilitarët nuk mund të garantoj asgjë; ata nuk njohin kufij. Të rekrutuar nga djerraditës, të papunë, keqbërës dhe fundërrina të shoqërisë – ata vrasjet, plaçkitjet dhe dhunën i kanë shndërruar në argëtim”.
Këto pasazhe të llahtarshme për krimet e para njëqind vjetëve, ngjajnë si veja me venë me krimet e viteve 1998-1999 në Kosovë, veçanërisht ato të periudhës së bombardimeve: mars-qershor ‘99. Nuk ka pothuajse kurrfarë dallimi mes tyre. Vetëm koha ndryshon:falë mundësive pakrahasueshëm më të mëdha të komunikimit bota merr vesh për atë që ndodh në Kosovë, kurse Aleanca Veriatlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e sodit me indiferencë tragjedinë e një populli të tërë, por ndërmerr diçka për ta mbrojtur atë, qoftë edhe nga ajri, ndryshe nga ç’ndodhte në kohën e Trockit.
“Nuk isha në gjendje ta duroja këtë atmosferë; nuk e kam lukthin aq të fortë. Interesi politik, entuziazmi dhe kërshëria morale – të gjitha u zhdukën. Sërish u gjenda në tren, në vagonin e bagëtisë… Të iki nga ky vend, të largohem sa më parë dhe sa më larg!” – shkruan Trocki në “Kijevskaja Misl”, në artikullin e datës 23 dhjetor 1912, i cili, tok me shkrimet e tjera të tij nga gadishulli i quajtur ndryshe “fuçi baruti”, janë përfshirë në vëllimin e gjashtë të veprave të tij të zgjedhura.
Afërsisht në të njëjtën kohë, një diplomat i huaj, ambasador i një shteti perëndimor, harton një raport të hollësishëm për mizoritë e ushtrisë serbe në Dibër, Strugë, Kërçovë, gjatë operacionit për shtypjen e kryengritjes antiserbe të vitit 1913, kur kryengritësit shqiptarë të Dibrës, Strugës, Ohrit, Kërçovës, Gostivarit arritën t’i dëbonin trupat serbe deri në malet e Manastirit.. Rrallë ndonjëherë mund të gjendet një material me të dhëna aq të sakta e të hollësishme jo vetëm për vrasjet dhe masakrimin e njerëzve, por edhe për grabitjen e pronës dhe të pasurisë.
Në raportin në fjalë flitet me emra e shifra jo vetëm për qytetin e Dibrës,Strugës, Kërçovës e Peshkopisë, por edhe për secilin fshat veç e veç (rreth 80 vendbanime gjithsej), aq sa mund të thuhet lirisht se ai do të mund të shërbente si model për raportet e ngjashme të shoqatave që merren me të drejtat e njeriut përkitazi me krimet e bëra në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.
Njësoj vepron autori i raportit në fjalë edhe me shtatëdhjetë e sa vendbanime të tjera dibrane, duke regjistruar me emër e mbiemër të vrarët dhe të masakruarit, burra, gra e fëmijë; duke dhënë numrin e saktë të shtëpive të djegura dhe të bagëtive të grabitura: kuaj, qe, lopë, dhen, sepse atëbotë nuk kishte vetura, kamionë, traktorë, televizorë, frigoriferë dhe mjete të tjera teknike si ato që u grabitën nga policët dhe paramilitarët serbë në ’99-n, pa harruar as paratë e gatshme, kryesisht marka gjermane, shuma e të cilave, po qe se do të bëhej një llogari e përafërt, do të arrinte shifra marramendëse.
Është për të ardhur keq, por ne nuk kemi as sot, tre-katërmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës, një evidencë kaq të saktë, me shifra e fakte konkrete, për vrasjet dhe plaçkitjet që u bënë në Kosovë, në secilin cep të saj, në vitet 1998-1999 dhe veçanërisht gjatë fushatës së NATO-s (24 mars-12 qershor 1999) nga policia, ushtria dhe form. paraushtarake serbe.
Me të drejtë flasim për gjenocid a tentim gjenocidi, por pa e kompletuar dosjen e krimit, kryesisht për shkak të ngathtësisë dhe indolencës sonë të njohur. Madje edhe kur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave (Serbe), i dënuar nga Gjykata e Hagës, pranon fajësinë për krimet e bëra në Kosovë: vrasjet masive, depërtimin e popullatës, djegien e pronës, zyrtarët tanë heshtin; thua se ngurrojnë ta shfrytëzojnë këtë argument kaq të rëndësishëm në bisedimet me palën serbe, ta nxjerrin troç në tavolinë, duke kërkuar nga kreu shtetëror serb, presidenti dhe kryeministri aktual, që të ndjekin rrugën e gjeneralit Ojdaniq,i cili, sikurse edhe ata vetë Nikoliq, Daçiq ishte në shërbim të regjimit të Millosheviqit.
Dëshmitë e Trockit, të zonjës Durham dhe të diplomatit Italian të cituara më lart, të cilat nuk mund të lexohen me gjakftohtësi, paraqesin vetëm majën e ajsbergut të mizorive serbe mbi popullatën shqiptare në vitet 1912-1913, dëbimi dhe shfarosja e së cilës ishte program dhe strategji e të gjitha regjimeve të shtetit serb – nga Dushani, Karagjorgjeviqët e Pashiqi e gjer tek Rankoviqi e Millosheviqi.
Në Konferencën e Londrës (1912/13), ku u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar, qyteti i Dibrës dhe Gjakovës ishin koncesionet e fundit që iu bënë monarkive të shteteve fqinje, që kishin pushtuar me forcën e armëve viset shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike.
Ja ç’thotë lidhur me këtë çështje – për marrjen e Dibrës dhe shuarjen me gjak të kryengritjes së ’13-s, socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq: “Kryengritja e shqiptarëve në muajin shtator, për shkak të së cilës Serbia u detyrua të mobilizonte afër tre divizione, është një shembull klasik që tregon se si mund të shkaktohen luftërat koloniale.
Nga lindja, okupimi i ushtrisë serbe shtrihej deri në grykat e maleve…
Ajo e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, blerësin dhe shitësin nga tregu, rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike…”.
Ndarja e kombit shqiptar dhe e trojeve të tij njëqind vjet më parë u la në gjak. Ky është një fakt, që s’mund e s’bën të heshtet, e aq më pak të mohohet. Historia është mësuese e jetës. Kur i shërben të vërtetës e jo koniunkturës!
Ja përse viti 2013 duhet të jetë vit i ndriçimit të së vërtetës historike të para një shekulli, por edhe më parë e më pas, në funksion të lirisë dhe paqes e jo të urrejtjes dhe hakmarrjes. Le të na lejohet, pra, të propozojmë që ky vit të shpallet – në nivel kombëtar si “Viti i Kujtesës”.
Dhe jo për të nxitur ndjenjën e revanshit ndaj fqinjëve tanë, tek të cilët, fatkeqësisht, siç tregojnë edhe ngjarjet e vitit 2012-13, dmth pas 100 vjetësh të kaluara nga shpallja e pavarësisë, (heqja e lapidarit në Preshevë; intervista luftënxitëse e kreut të partisë naziste greke “Agimi i Artë”, deputet në parlamentin grek; sulmet e përditshme ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup, fjalimi i Grueskit në Kërçovë, se Fatmir Dehari, kandidat për kryetar të Kërçovës, të shkoi në Shqipëri, etj.), se nuk është fashitur ende urrejtja dhe mos durimi ndaj shqiptarëve si komb, por është shtuar dhe rritur dhe ne duhet të nxjerrim mësim nga kjo e kaluar e hidhur që të mos u përsëritet gjeneratave tona shqiptare në të ardhmen.
MASAKRAT SERBE PARA DHE PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË
Para 101 viteve (23 -24 tetor 1912) në Kumanovë u zhvillua skena më e përgjakshme e ballafaqimit ushtarak, në mes të Armatës së Serbisë, e udhëhequr nga trashëgimtari i fronit mbretëror, Aleksandër Karagjorgjeviq dhe Armatës Turke të Vardarit, e udhëhequr nga Zeki Pasha, që në Histori njihet si “Beteja e Kumanovës”, apo prologu i Luftërave Ballkanike.
Pas luftimeve të përgjakshme, rezistenca e ushtrisë turke thyhet dhe Zeki Pasha i dërgon një depeshe komandantit të Armatës Perëndimore turke, me seli në Selanik, Ali Riza pashës, me këtë përmbajtje: “Unë jam shumë fatkeq që më duhet t’ju njoftoj se beteja jonë e madhe është humbur”.Beteja e Kumanovës pati një logjistikë të fuqishme të përbëre nga një rrjet i gjerë vullnetarësh nga viset serbe të Bosnjës, Malit të Zi, Kroacisë, por mbi të gjitha pati pararojë në aradhet çetnike, të cilat zbritën në pjesë të ndryshme të Kosovës e Maqedonisë, disa muaj para se të shpërthente beteja afër Kumanovës. Për gjëmën që bënë këto aradhe çetnike mbi popullatën shqiptare, pati kronika të shumta historianësh, diplomatësh, gazetarësh të cilët nuk mund të bënin dallim në mes të masakrave çetnike dhe armatës serbe.
Strategët serbë e kishin zgjedhur pikërisht Kumanovën si pikë qëndrimin e rezistencës së tyre, për arsye se prej aty mund të drejtonin operacionet luftarake, të cilat, sipas planifikimeve të tyre, mund t’u sillnin fitore ndaj turqve po edhe ndaj tokave shqiptare.
Disa kilometra në veri të fushëbetejës, Armata e Parë Serbe e kishte vendosur shtabin e saj në hotelin “Vranja “, në qytetin me të njëjtin emër. Oficerët serbë në fushëbetejë nuk e kishin vështirë të mbanin kontakte dhe koordinata komanduese me Vranjën, prej nga bubullimat dhe tymi i luftimeve dukej pa ndonjë problem të madh. Gazetat kryesore të Parisit, Berlinit, Londrës, Moskës, kishin dërguar reporterët e tyre të luftës dhe nga dora e parë njoftonin lexuesit e tyre me zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit të trazuar. Për ta ishte me shumë interes se si do të përfundonte kjo dramë e madhe që pritej t’i jepte fund një epoke perandorake otomane dhe lindjen e një aleance të re ballkanike. Nga Vranja, më 24 tetor 1912, raportonte reporteri i gazetës “Riget” i Danimarkës, Fritz Magnussen.
Ai, me sensin e një kronisti besnik përshkruante në hollësi të gjitha ngjarjet që ndërlidheshin me Betejën e Kumanovës, mbi të gjitha, me pasojat që kjo betejë po linte mbi popullatën e pambrojtur civile vendase e që ishte shqiptare. Duke fokusuar vëmendjen e lexuesit tek jehona dhe efektet që shkaktonte Beteja e Kumanovës në opinionin publik, Magnussen shkruante: “Këtu në Vranjë fitohet përshtypja e vërtetë për entuziazmin ndaj luftës që i josh serbët. Oficerët janë të palodhshëm të paraqesin shkaqet kryesore të saj, që sllavët e jugut i kanë kundër armiqve të tyre të vjetër, shqiptarëve. “Arnautët (shqiptarët) janë si kafshë të egra”: është thënia e zakonshme e serbëve për shqiptarët. Ata që i kanë parë duke luftuar në Prishtinë dhe vende të tjera shqiptare, kanë kuptuar se sllavët janë një mijë vjet pas zhvillimit. Urrejtja e madhe sllave ndaj shqiptarëve është shumë nxitëse për shqiptarët, që ata në luftën e përgjakshme dhe vdekjeprurëse, akoma më shumë t’i kundërvihen kundërshtarit fitimtar.
Lëndimet që vijnë si pasojë e luftës së ashpër u ngjajnë mishtoreve. Ushtarët sllavë me lëndime të tmerrshme të shtruar në spitalin e Vranjës, janë dëshmi e një përleshjeje të karakterit mesjetar.”
Epilogu i Betejës së Kumanovës nuk do të mund të kishte një rrjedhë të tillë favorizuese për serbët dhe aleatët tjerë ballkanikë (grekët, bullgarët e malazezë), sikur të mos funksiononte diplomacia e standardeve të dyfishta të fuqive të atëhershme Perëndimore, të cilat haptazi favorizuan serbët dhe mohuan të drejtën e shqiptarëve për t’u organizuar ushtarakisht në mbrojtje të viseve të tyre që gradualisht dilnin nga dominimi turk.
Në anën tjetër, Historia do t’u japë të drejtë të gjithë atyre shqiptarëve që kundërshtuan dhe shprehën rezerva të hapura ndaj veprimeve të pamatura të krerëve të atëhershëm shqiptarë, të cilët pa kurrfarë kushti pranuan ultimatumin e Fuqive të Mëdha për të dorëzuar armët dhe për t’i urdhëruar ushtarët shqiptarë të shkojnë në shtëpi vetëm disa ditë pas triumfit që kishin pasur në Shkup (11-14 gusht 1912).
Gazeta ”Liria e Shqipërisë” më 29 gusht 1912, për këtë akt të pamenduar mirë, të krerëve shqiptarë shkruante: ”Dalja e shqiptarëve nga Shkupi me kondita dhe me premtime të pasiguruara, vërtet mund të quhej nisja e fundit, meqë nga kjo dalje e shqiptarëve nga Shkupi vareshin shumë gjëra me rëndësi…”
Beteja e Kumanovës dhe të gjithë Luftërat Ballkanike zbuluan mos sinqeritetin e shteteve ballkanike po edhe mos sinqeritetin e autoriteteve turke për dorëzimin në heshtje të viseve shqiptare në duar të shteteve ballkanike dhe dinakërinë e Fuqive të Mëdha, të cilat u bënë sikur nuk po i shihnin ekspeditat ndëshkuese të fqinjëve ballkanik tek po shkretonin vendbanimet shqiptare dhe i kthenin ato në gërmadha pa frymë njeriu.
PAVARËSIA U SHPALLË PËR TË GJITHA TROJET SHQIPTARE
Të gjitha studimet historike, kujtimet apo episodet e mëvonshme, që bëjnë fjalë për pavarësinë e Shqipërisë bashkohen në një pikë të vetme dhe në një konstatim të vetëm ku thuhet se: “Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, ndërsa ngjitej në shkallët e anijes “Baron Bruck”, “burri i urtë” Ismail Qemali dhe i gjithë grupi që e shoqëronte, ishin të qartë se po shkonin drejt pavarësisë së Shqipërisë , më 28 nëntor 1912”.
Në një intervistë të kohës, dhënë gazetës “Piccolo”, përpara nisjes, Ismail Qemali dëshmoi strategjinë e tij: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme e ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”.
Por, pak dihet për atë që do të ndodhte gjatë udhëtimit të tij të trazuar nga Stambolli në Bukuresht, e prej këtu në Budapest e Vjenë. “Plaku” nuk i kishte komentuar takimet gjysmë të fshehta me personalitetet më të rëndësishme të politikës së jashtme të atyre vendeve dhe padyshim as faktin se në Shqipërinë gjysmë të pushtuar nga fuqitë ballkanike, që i kishin shpallur luftë Turqisë, ishte krijuar tashmë një komitet, që merrej me përgatitjen e pavarësisë. Në fakt, nuk është sqaruar krejtësisht se si kishte ndodhur realisht që ideja e autonomisë së shqiptarëve, me të cilën ai qe nisur nga Stambolli e për të cilën kishte biseduar edhe me autoritetet e Portës së Lartë, për rruge ishte shndërruar tashmë në një pavarësi të kulluar nga Turqia. Por, pak dihet se Ismail Qemali ishte ai i cili më 1909, refuzoi nga Turqia dy herë rresht postin e Ministrit të Drejtësisë e më pas atë të Ministrit të Brendshëm të Perandorisë Turke dhe ishte ai burrë që i komunikoi haptas sulltanit: Se do të ndodhte shpallja e autonomisë së Shqipërisë dhe emërimin e një shqiptari në krye të shtetit të ri që pritej të lindte. Nuk është shumë i njohur edhe fakti kur ai në nëntor të vitit 1911, ndërsa ndodhej në një udhëtim në Trieste u ftua të takohej me Princin e Malit të Zi, Mirko, e më pas edhe Mbretin Nikolla (Kral Nikolla i Malit të Zi), ku nga ai takim në Kotorr iu ofrua që Shqipëria të luftonte në anën e fuqive ballkanike kundër Turqisë, dhe përfitimi do të ishte i tillë ku tokat shqiptare do të mbeteshin në kuadër të Serbisë e Malit të Zi. Ismail Qemali e refuzoi takimin me Mbretin Nikolla dhe ofertën e tij. Nuk është sqaruar deri në fund edhe roli e ndihma që e dhanë patriotët vendas për shpalljen e plotë të pavarësisë.
Eqrem bej Vlora, kushëri i Ismail Qemalit e një nga figurat e njohura të politikës shqiptare të mëvonshme, në kujtimet e tij të botuara diku në vitet e 60-ta, sqaron se që në fillim të korrikut 1912, në Shqipëri u bënë përgatitje dhe qenë ngritur komitete që ndihmuan në përgatitjen e vendit për shpalljen e pavarësisë dhe se kushëriri i tij, Syrja bej Vlora kishte mandatin e popullit të Vlorës për një Kuvend Kombëtar, që në muajin gusht 1912. Ismail Qemali niset për në Bukuresht në fillim të nëntorit 1912, ndërsa me Qamil Pashën në Stamboll nuk kishte arritur asnjë lloj kompromisi, me përjashtim të premtimit që nëse Fuqitë Ballkanike hynin thellë në territorin shqiptar, Ismail Qemali të shpallte vetëm një lloj autonomie dhe Porta e Lartë ta njihte këtë vendim të popullit shqiptar.
Më 3 nëntor 1912, me mbërritjen e tij në Bukuresht, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi gjetën një situatë krejt të ndryshme nga ajo që sundonte në Stamboll, ku kryeqyteti rumun ishte përfshire nga euforia dhe gjithë organizatat shqiptare që vepronin atje qenë të vendosura për pavarësinë. Në Rumani, shqiptarët e kishin përgatitur edhe flamurin, i cili do të ngrihej atje dhe do të ishte simboli i shtetit të ardhshëm shqiptar.
Këtu ishte përgatitur dhe banda muzikore që do të këndonte himnin kombëtar në mbrëmjen e 5 nëntorit 1912, kur në Hotelin “Continental”, ndër më luksozët edhe sot në Bukuresht, do të fillonte mbledhja e përfaqësuesve të kolonive shqiptare, ku merrte pjesë edhe “Kolonia Kërçovare” e udhëhequr nga Mulla Nashyt Zajazi e Rexhep Novosella, dhe delegacioni që vinte nga Stambolli i kryesuar nga Ismail Qemali.
Hulumtimet e deritashme na vërtetojnë se kjo ngjarje në të vërtetë përbën hapin e parë e kryesor për Pavarësinë e Shqipërisë, ku edhe shumë prej pjesëmarrësve aty kane lënë edhe kujtimet e tyre. Dy ditë më vonë, i përforcuar edhe me disa përfaqësues të Kolonisë së Bukureshtit, delegacioni shqiptar niset drejt Vjenës, ku pritej të merrte mbështetjen e diplomacisë së jashtme Austro-Hungareze.
Në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi, një ndër personazhet më të rëndësishme të politikës shqiptare të mëvonshme tregon se, “në momentin e largimit Kristo Meksi i la në dorë Ismail Qemalit një çek prej 500 mijë franga ari, dhuratë e Kryeministrit rumun me prejardhje shqiptare Taçe Jonesku, së bashku me urimet e tij”.
Më tej, delegacioni shqiptar niset drejt Triestes, ndërsa më parë mori garantin e ambasadorit italian Avana, për t’i vënë në dispozicion vaporin “Baron Bruck”, ku më datë 18 nëntor 1912, Ismail Qemali kryen edhe disa takime me zyrtarët italianë, ku të nesërmen pritej nisja e tij drejt brigjeve shqiptare.
Por, situata në Shqipëri ishte shumë më ndryshe nga ç’pritej, pasi territori detar patrullohej nga flota greke, ndërsa në qytet, një kompromis i dhespotit Jakov me Myftiun proturk të qytetit i kishin prishur shanset për një kuvend real, ndërsa po atë ditë niset telegrafikisht mesazhi për gjithë delegatët që të mblidhen në Vlorë.
Delegacioni i shtuar rrugës edhe me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe të atyre zonave nga kalonte Ismail Qemali, mbërriti në mbrëmjen e 27 nëntorit 1912, në Vlorë, ku situata e atjeshme në këtë qytet ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit: “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin tim të lindjes, entuziazmi dhe gëzimi na përshëndesnin kudo. Shkurt, u ndodha i rrethuar nga 83 delegatë, myslimanë e të krishterë, të mbledhur nga çdo anë e Shqipërisë së pushtuar nga fuqitë ndërluftuese”.
Delegacioni u vendos në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit, po ajo shtëpi ku “plaku i urtë” kishte lindur 71 vjet më parë. Eqrem bej Vlora, nga të paktët dëshmitarë që ka arritur të vizatojë natën atë shtëpi dëshmon se: “U mblodhëm të gjithë në selamllëk dhe si gjithmonë në këto raste rrëmuja sundonte gjithçka. Problemi ishte se disa krahina nuk kishin dërguar delegate, ose ata nuk vinin dot, ngase rrugët kontrolloheshin nga forcat e shteteve ballkanike.
Pas një fjale të shkurtër të Ismail Qemalit, 40 delegatët e ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë, me vullnet të lirë e pa dallim feje, vendosën që Shqipëria të bëhet me vete, e lirë dhe e pavarur. Procesverbali, origjinali i të cilit fatkeqësisht nuk gjendet, pasqyron gjithë emocionin e atij momenti, duke u ftuar të firmosnin të gjithë, edhe ata që mund ta bënin këtë vetëm në turqisht e tre vetë që ishin analfabetë dhe që e bënë këtë, duke vënë gishtin me bojë. Flamuri që Spiridon Ilo e kishte sjellë me vete nga Bukureshti dhe që Marigo Pozo e kishte zbukuruar me thekë, u vendos në murin e ballkonit nga vetë Ismail Qemali. Ishte ora 15:12 minuta, e datës 28 nëntor 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë. Një orë më vonë, shteti i ri kishte qeverinë e tij, ku kryetar u zgjodh Ismail Qemali dhe zv. kryetar, Dom Nikollë Kaçorri.
Në datën 1 dhjetor 1912, me përjashtim të Greqisë, të gjitha fuqitë evropiane dhe ballkanike njohën vullnetin e popullit shqiptar për të jetuar “me vete, i lirë dhe i pavarur”.
KRYENGRITJA E 1913-ës, NË BURIMET SHQIPTARE
Gazeta “Shqypnia e re” e cila dilte dy herë në javë, mundohet ta pasqyrojë kryengritjen e shtatorit 1913, në Dibër, Strugë e Kërçovë, gjerësisht. Në lajmin me burim nga Vlora të datës 25. IX, gazeta jep sihariqin: “Dibra, Struga e Kërçova janë marrë me nji luftë të rreptë të shqiptarëve, të cilët e kanë ndjekun anmikun deri në fushë të Ohrit”
Në lajmin e po asaj date, por tashmë në mbrëmje dhe nga një burim tjetër, Elbasani, theksohet se “Dy sahat ma parë erdh nji njeri prej sheshit të luftës, i cili lajmëron se anmiku kje shty deri në Pyll të Zezë dhe i muernë 11 topa, 2 mitraloza dhe shumë xhephane”, se “Lëvizje ka poashtu edhe ka ana e Kërçovës, Dibrës, Lumës e Prizrenit”. Në të dy lajmet e tjera, që botohen në faqen e katërt e që janë marrë në kohë të ndryshme të natës, tregohet se “Lufta u nis në malësi. Malësorët kryengritës bashkë me qytetarët e Dibrës, Strugës e Kërçovës, të dishpruem nga barbarizmat serbe i ranë anmikut dhe e shtynë në tri anë, në Gostivar, në Kërçovë e Strugë. Zaptuen 13 topa, xuen 300 serb rob e prishën fare pesë batallona”
Në një lajm të datës 27 shtator, tregohet se jo vetëm Struga, Kërçova, Gostivari e Ohri janë marrë, por është marrë edhe Gjakova, ndërsa Prizreni është rrethuar.
Dy lajme të tjera, njëri më 27 shtator në mbrëmje e tjetri natën, vetëm pak orë para botimit të gazetës, tregojnë se “Në Ohër, Strugë, Dibër, Kërçovë, asht ngrehun qeveria shqiptare”.
Kjo dendësi lajmesh, ky interesim për ngjarjet, duke i ndjekur ato ditën dhe natën, tregojnë se ato ditë jetohej me luftën e popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore.
Një tablo të plotë, jo vetëm të teatrit të luftimeve, por edhe të heroizmit popullor, na jep gazeta “Përlindja e Shqypnisë”, Organ i Qeverisë së Vlorës. Madje ajo na jep edhe emrat e atyre që “ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia duhet t’i shkruaj emnat e tyne për kujtim të përjetshëm”.
Në këtë numër, gazeta duke folur për “malet plot famë e nder”, luftën dhe unitetin luftarak të tyre thotë: “ Sot, pra, ka një marrëveshje të plotë midis dy Dibrave, Strugës, Kërçovës…Me gëzim të madh luftëtarët tanë ngritën flamurin e Shypnies… Qytetet qeverisen prej një komisioni popullore” duke nxjerrë në pah unitetin, qëndrueshmërinë, aftësinë për t’u vetëqeverisur, probleme këto që janë diskutuar gjerë në këtë kohë në kanalet diplomatike e që i mohoheshin popullit shqiptar.
Burim lajmesh për gazetën “Liri e Shqipërisë”, që botohej në Sofje, fillimisht janë agjencitë e huaja, të cilat theksojnë se “…shqiptarët e muntnë ushtrinë serbe pranë Dibrës dhe muarnë këtë qytet e po përparojnë drejt Ohrisë dhe Kiçovës”
Lajmet e agjencive dhe gazetave të huaja ajo i ballafaqon me lajmet që vijnë nga Beogradi duke theksuar se “Këto lajme duket se janë të vërteta se, në Beograd janë shumë të trembur dhe po bëhen përgatitje të mëdha për të shuar lëvizjen shqiptare, e cila po përhapet në tërë vendin”. Gazeta fillon ta ndjekë luftën shqiptare kundër pushtuesve serbë nëpërmjet korrespondentëve të saj në Durrës, Elbasan, Manastir, Dibër e Kërçovë etj., duke na pasqyruar hapat e kryengritjes, rritjen e saj, pjesëmarrjen e masave popullore, qëndresën e dëshpëruar të pushtuesve. Raportuesi i nënshkruar si “Dishnica”, një firmë që pasqyron ngjarjet në gazetë, ngre në një piedestal të lartë heroizmin popullor kur thotë: “Këto lajme mbushin me gëzim zemrat e shqiptarëve dhe i japin Evropës një mësim të plotë që kurrë shqiptari s’do durojë të jetë nën zgjedhë dhe se vendimet e Londrës s’mund të kenë forcë…”
Në gazetat e kohës shquajnë tituj të tillë si: “Dibranët dhe malësorët përreth po luftojnë kundër serbëve”, “Dibranët, struganët e kërçovarët dalin fitues në shumë beteja me serbët”, “Shqiptarët janë 6 000”. “Luftime të rrepta në Dibër, Strugë e Kërçovë…”., “Serbët hëngrën shuplakë nga shqiptarët e Dibrës, Strugës e të Kërçovës”,etj. Me gjithë politikën e heshtjes, që ndoqën fuqitë e mëdha ndaj ngjarjeve në Shqipëri, në këtë periudhë e veçanërisht ndaj kryengritjes popullore në Dibër dhe politikës së paparë të gjenocidit që ushtruan shovinistët serbë ndaj shqiptarëve, agjenci të ndryshme lajmesh, gazeta të ndryshme nuk munguan që të ngrenë zërin e tyre në anë të kryengritjes popullore të shqiptarëve. “Giornale d’Italia”, “Wiener Alge meine Zeitung”, “Neue Freie Press”, “The daily mail”, “Reichpost” etj., e pasqyrojnë kryengritjen që në ditët e para duke u munduar ta datojnë sa më saktësisht (10 të muajit, ora 10 në mëngjes), duke u munduar të japin edhe numrin e luftëtarëve (“Shqiptarët 6 000 vetë”). Gazeta Wiener Alge meine Zeitung”, duke folur për fqinjët e kryengritjes së Dibrës, Strugës e Kërçovës, na jep gjerësinë e luftës së shqiptarëve për të mbrojtur truallin e tyre shekullor.
Ajo thekson: “Gazeta lajmërohet prej Shkodre se çeta shqiptare nën kryesinë e Elez Isufit, Isa Boletinit, Bajram Currit, Ali Nuzit, u përpoqën dhe i zmbrapsën ushtritë serbe në Dibër, Kërçovë, Strugë, Gostivar, Prizren. Malësorët zunë gjithë kufijtë.
“Giornale d’Italia” tërheq vëmendjen edhe për shqetësimet në Beograd: “Lajmi i të hymit të shqiptarëve në Dibër i turbulloi fare mendjet në Beograd. Me pesë ditë, thonë gazetat e Serbisë, do të gjenden në Shqipëri 40 000 ushtarë serbë……”
Shtypi në këtë periudhë tërheq vëmendjen kryesisht në dy çaste kryesore; në qëndresën masive e heroizmin popullor kundër pushtuesve dhe terrorin e egër dhe reprezaljet e serbëve ndaj shqiptarëve. Barbarizmat, që u zhvilluan ndaj shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha u munduan t’i mbulojnë me heshtje. Megjithatë gazetarë të disa gazetave më në zë të kohës, diplomatë e të dërguar të ndryshëm duke udhëtuar nëpër viset shqiptare, nuk mungojnë të ngrenë zërin e t’i japin shtypit dokumente të pakontestueshme për barbarizmat dhe mizoritë serbe. Gazeta “Corriere de la Puglie” qe ndër të parat që përshkroi “Barbaritë serbe…..” të bazuara në “shënimet që i kishte marrur i dërguari i një fuqie të Evropës dhe pas të cilave i bëri guvernës së vet raportin”.
Në këto përshkruhen reprezaljet e bëra në 103 fshatra, duke treguar me adresë të plotë varjet, vrasjet dhe djegiet në zjarr të mbi 1700 burrave, grave e fëmijëve. Djegien e mbi 1600 shtëpive. Grabitjen e mbi 2 700 bagëtive të trasha, 21 000 të imta dhe 800 njëthundrakëve, grabitjen e një sasie të madhe lirash që e kalonin milionin. Në këtë numër nuk janë futur barbari të tilla masive që raporti i përmbledh me fjalët: “plaçkitën tërë fshatin dhe pasi morën gjithë ç’gjetën i vunë zjarrin dhe e dogjën fund e krye”, “Gjindjen; gra, burra e çilimi i shkuan të gjithë në bajoneta”, “s’është punë që mund të radhiten emrat e gjithë të vrarëve”.
Barbaritë arritën në kulme të tilla: “ të zotin (e shtëpisë A.A.) e therën në sy të s’ëmës plakë, të së shoqes dhe të fëmijës”, “vranë me bajonetë një çupëz 6 vjet”, “hodhën të gjallë në zjarr një djalë 5 vjetësh, dhe një 4 vjetësh, “Zenelit i dogjën në zjarr gruan me një djalë në djep” etj., etj.
Një tablo rrëqethëse e mizorive serbe jepet në një shkrim “Udhëtimi në Gollobordë” botuar në faqet 4 e 5, të dy numrave të “Përlindja e Shqipërisë” të janarit 1914.
Në gazetat e kohës, jehonë të madhe bëri letra e një ushtari serb, botuar në gazetën socialiste serbe “Randiçka Novine” më 22 tetor 1913, letër e cila u botua më pas në shumë gazeta të kohës.
“Shoku im i dashur, shkruante ai, gjëra të tmerrshme po ngjajnë. Unë po tmerrohen para tyre..Në këto anë nuk shikohet gjë, veç kufomave dhe hirit”… “Shqypnia e re”, në numrin e saj të 20 nëntorit 1913, duke folur për barbarizmat serbe, nxjerr në pah edhe devizën e pushtuesit: “Asnjë t’falun, asnjë pshtim”, ç’ka flet për egërsinë e pashembullt të këtij rrebeshi mesjetar ndaj shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.
Kryengritja e 1913-ës, ishte një kryengritje popullore, një kryengritje e masave, që ngriti në këmbë, siç theksojnë gazetat, mbi 6 000 luftëtarë. “Do të vijë ora, thoshte Luigj Gurakuqi në një intervistë botuar në gazetën “Atdheu” ato ditë, kur populli ynë do të organizohet në udhën që do t’i tregojë organizimi i tij politik, gjer atëherë nuk mbetet veçse udha e armëve… Buçitja e armëve shkon në veshët e Evropës. Do ta përdorim sa herë që veshi i Evropës është i shurdhër, që të na dëgjojë zërin, i cili nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi”
Për vetë kushtet e asaj kohe me mjete të pakta komunikimi e ndërlidhjeje, mungesë kronistësh në fushën e betejës etj., dhe mbi të gjitha të politikës së heshtjes që ndiqnin Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe shtetet ballkanike, lidhë kjo edhe me prapaskenat e turpshme që thurnin në kulisat e diplomacisë së fshehtë, gazetat arritën vetëm sa ta preknin problemin e shqiptarëve dhe barbarizmat që u ushtruan ndaj saj, politikën e një gjenocidi të tmerrshëm që u veprua në këtë kohë ndaj shqiptarëve me banim në trojet e tyre shekullore. Dokumentet arkivale e në veçanti fjalët e popullit me gojën e tij, janë një pasqyrë më e plotë e madhësisë dhe e forcës së kryengritjes popullore dhe e heroizmit popullor në luftë.
KRYENGRITJA E 1913-ës NË DOKUMENTET SERBE
Dihet mirëfilli se Lufta e Parë Ballkanike (1912), solli ndryshime të mëdha në hapësirën gjeografike të Shqipërisë etnike, sepse shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, që përbënin ”Aleancën Ballkanike”, pushtuan mëse gjysmën e territoreve etnike shqiptare. Këto shtete, duke u bazuar në vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës, në dëme të Shqipërisë, përfituan këto territore:
a) Serbia nga kjo luftë pushtoi 19 000 km (Kosovë e Maqedoni), duke u zgjeruar me territor shqiptar, me një popullsi prej afro një milion shqiptarësh që përbëjnë rreth 55% të tyre;
b)Mali i Zi pushtoi territor, ku jetonin 190 mijë shqiptar, gati po aq sa kishte vet shteti malazez;
c) Bullgaria pushtoi 29% territor me rreth 3% popullsi shqiptare;
d)Greqia pushtoi 68 % të Çamërisë ku jetonin 67 % e popullsisë shqiptare.
Krijimi i hartave të reja shtetërore në Ballkan, për shqiptarët ishte i papranueshëm, prandaj edhe qenë të detyruar që të mos e ndalojnë luftën, për çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë londineze. Pas përfundimit të luftës së parë ballkanike, drejtuesit e kryengritjes shqiptare: Bajram Curri, Isa Boletini, Sadik Ramë-Gjurgjeviku, Elez Isufi, Sali Hoxha, Kalosh Dan Zajazi, Nezir Koxha, e shumë prijës të tjerë u detyruan të tërhiqen në Shqipëri dhe qysh në muajt shkurt-mars të vitit 1913, filluan përgatitjet për kryengritje kundër pushtuesve serbo-malazez.
Qeveria serbe, ndonëse përmes bashkëpunëtorëve të vet, të sojit të Esat Pashë Toptanit, Arif Hiqmetit etj, përcillte këmba-këmbës çdo lëvizje të krerëve shqiptar, ajo me kohë përforcoi zonën kufitare. Në të vërtet trupat ushtarake serbe, as që ishin tërhequr në vijën kufitare të përcaktuar nga Konferenca e Londrës. Përkundrazi, brenda territorit shqiptar, në mënyrë arbitrare kishte vendosur të ashtuquajturën ”vijë strategjike”, në të cilën ngritën posta doganore, si në Kukës, aty ku bashkohen Drini i Zi me Drinin e Bardhë, në Okushtan-Çermenikë, në rrugën Elbasan-Dibër, në Qafë të Murit- në perëndim të Drinit të Zi përballë Dibrës dhe në Pogradec, për të siguruar kinse mbrojtjen nga sulmet e shqiptarëve.
Qysh në fillim të vitit 1913, kur regjimi serb instaloi një administratë ushtarake në Kosovë e në treva tjera të pushtuara shqiptare, gjendja e popullatës shqiptare u përkeqësua në të gjitha segmentet e jetës. Shqiptarët jetonin në mjerim të thellë, vuanin për bukë dhe gjësende tjera ushqimore. Gjithashtu ndaj shqiptarëve bëheshin ndjekje, persekutime e vrasje të pafajshme. Ndaj tyre pa farë hetimesh e as gjyqesh bëhej ekzekutimi i dënimit me vdekje, ndërkohë që as s´mund të flitet për të drejta elementare njerëzore.
Më 16 gusht 1913, Isa Boletini nga Malësia e Gjakovës, i shkruan një letër Ismail Qemalit dhe me shqetësim i flet për mjerimin dhe urinë që ka pllakosur malësorët e Gjakovës dhe kërkon ndihmën e Qeverisë së Vlorës. Në letër pos tjerash thuhet: ”…çdo skutë e Malësisë, gurë, shkëmb, gjithandej është mbushur plot me emigrantë të mjerë, të cilët kanë ardhur në gjendje jo të lypin, por të vdesin. Nuk ka zemër që duron përpara vajtimit të këtyre bijve të atdheut…”
Andaj duke mbretëruar kjo gjendje atje, natyrshëm që në pranverë të vitit 1913, u shtua numri i çetave shqiptare dhe filluan përgatitjet për një kryengritje çlirimtare. Një tablo realiste të gjendjes së rëndë në tokat e pushtuara shqiptare, na jep edhe socialdemokrati serb D.Tucoviqi në librin ”Serbia dhe Shqipëria”. Ai theksonte: ”Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtrëngua të mobilizojnë përsëri afro tre divizione, është një shembull klasik që tregon se si shkaktohen luftërat koloniale.
Okupimi i ushtrisë serbe shtrihej prej lindjes e deri në dyert e grykave dhe të qafëmaleve shqiptare. Ky okupim e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullosave, kopetë prej lugjeve, fshatin prej mullirit, blerësin e shitësin prej tregut, rrethinën prej qytetit, kurse tërë popullsinë malore prej qendrave ekonomike dhe drithoreve të saj. Shqiptari i andejshëm (i Shqipërisë londineze) nuk guxonte të shkelte më në tokën e tij që i kishte mbet në këtë anë të kufirit artificial dhe të dhunshëm (në Kosovën e pushtuar).
Të gjitha burimet e jetës iu prenë. Populli i dëshpëruar dhe i uritur pa masë, së pari u lut të vijë lirisht në tregje. Por, kur iu ndalua edhe kjo, ndërmjet vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ai zgjodhi këtë të dytën, plumbin. Me qëllim të koordinimit të veprimtarisë çlirimtare, krerët e krahinave të pushtuara do të mbajnë kontakte edhe me Ismail Qemalin. Sipas një njoftimi të botuar në gazetën ”Përlindja e Shqipnisë”, më 12 gusht 1913, Elez Isufi -udhëheqës i shquar i Dibrës, Ramadan Zaskoci nga Luma, Kalosh Dan Çeliku nga Zajazi e Rexhep Bajraktari nga Hasi, shkuan në Vlorë dhe u takuan e biseduan me kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin,”…mbi gjendjen e shqiptarëve që ata i përfaqësonin dhe mbi masat që duheshin marrë për të sunduar ato vise…sipas interesit të Shqipërisë. Tani të nderuar bajraktarë, thuhej në atë njoftim, presin shqiptarët e ikur nga ushtria serbe, prej atyre viseve, që të mund të venë në vendin e tyre e të zgjerojnë kësisoj fushën e qeverisë. ”Ismail Qemaili në emër të Qeverisë, në këtë takim, edhepse nuk kishte fuqi ushtarake e mjete financiare, u premtoi krerëve të Lumës, Dibrës, Strugës, Hasit e Kërçovës, ndihmë për t´u çliruar nga pushtimi serb, por edhe i udhëzoi që, me t´u kthyer në krahinat e tyre, të organizonin kryengritjen kundër pushtuesve serb.
Në fund të gushtit 1913, edhe Bajram Curri, Isa Boletini e Hasan Prishtina u ndodhën në Vlorë, ndërkohë që ky i fundit (në shtator) pranoi detyrën e ministrit në qeverinë e Vlorës.
ATA QË E UDHËHIQNIN KRYENGRITJEN
Një rol të veçantë në organizimin e kryengritjes shqiptare luajtën Elez Isufi, Ramadan Zaskoci, Kalosh Ramadan Zajazi, Nezir Koxha, Sadin Selmani, Qazim Lika etj, të cilët gjatë verës 1913, e deri në gjysmën e parë të shtatorit u morën në mënyrë intensive me përgatitjen e popullatës për kryengritje, ndërkohë që ky aktivitet ra shpejt në sy të pushtetit serb.
Kështu, komandanti i garnizonit serbë, kapiteni Vukotiq, në mesin e qershorit 1913, i dërgonte një raport majorit Leovac, në Lumë, me të cilin e njoftonte se ishte vënë në lidhje me disa mercenarë shqiptarë, të cilët, nëse paguheshin mire, mund t’i eliminonin këta krerë të popullarizuar në mesin ku jetonin dhe shumë të rrezikshëm për pushtetin serbë.
Komanda serbe në Lumë, më 26 qershor 1913, për këtë informacion, vuri në dijeni komandën supreme në Kosovë, duke theksuar se: ”Ndërprerja e veprimtarisë dhe e ndikimit të këtyre krerëve ishte shumë me rëndësi dhe emergjente për pushtetin serb, jo vetëm për këto kohë të vështira, por edhe për të ardhmen”.
Ndonëse, majori Leovac kishte kërkuar që për kokat e krerëve të lartpërmendur të paguheshin nga 1000-1200 dinarë, në një përgjigje të nënshkruar më 8 korrik 1913, nga Nikolla Pashiq, thuhet: ”Meqë njerëzit e përmendur janë të njohur si kriminelë…ndaj tyre duhet vepruar sipas ligjit dhe sa më shpejtë. Në qoftë se duhen para, ato të merren nga kreditë ushtarake”.
Gjithashtu më 24 gusht 1913, inspektori i policisë së Shkupit njoftonte komandën supreme serbe se Elez Isufi me çetën e tij dhe Kalosh Dan Zajazi, poashtu me çetën e tij, gjendeshin në Dardhë (Mali Dardha, rrëzë malit Bistra) dhe i ftonin shqiptarët të përgatiteshin për kryengritje. Prandaj propozonte shkatërrimin e fshatrave më të rrezikshme shqiptare.
Postime të Lidhura
DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (17)
Nga Prof. Dr. Sabit Syla -30- Gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë Krahina e Kosovës dhe Rrafshit…
IBRAHIM HAJDARMATAJ: UDHËTIMI I FUNDIT I BAJRAM CURRIT: DRAGOBI – KOLGECAJ – ZOGAJ KRUMË
Bajram Curr, 29 korrik 2018. 1. Babai im, Ukë Arif Ahmeti-Hajdarmataj, i cili u nda përgjithnjë nga jeta…
SI E PLANIFIKOI UDB-a KIDNAPIMIN E SABRI NOVOSELLËS, NË VERËN E VITIT 1982?!
42 vjet më parë SI E PLANIFIKOI UDB-a KIDNAPIMIN E SABRI NOVOSELLËS, NË VERËN E VITIT 1982?! Më…
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (2)
Pashtriku.org, 08. 05. 2015 – (2. PIKËPAMJET E GAZETËS “LIRIA” , NR 2. DHE ORGANIZATA E OMLK-së) –…