(Pashtriku.org, 30. 06. 2012) – Më 16 qershor 2012, në qytetin Solothurn – Bashkësia e Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër (BISHZ), në 134-Vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, organizoi tryezën – me temat: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja kombëtare” dhe “100 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”. Në këtë tryezë, me kumtesat e tyre janë prezentuar: Dr. Ahmet Gjikolli: „Lidhja e Prizrenit, një ngjarje me vlera historike për kombin shqiptar“; Dr.sc. Nikë Gjeloshi: „Lidhja e Prizrenit ide e parealizuar“; Gani Qarri: „Lidhja Kombëtare e Prizrenit“; Abas Fejzullahi: „Veprimet e vendorëve dhe të huajve në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar“ dhe Mr.Sc.Metush Zenuni: „Lëvizjet Politiko – Ushtarake në Kosovë 1981 -1999“. Ndërsa u lexua edhe kumtesa e Skënder Zogajt, nga Prishtina „Mehmet Pashë Dërralla – gjenerali dhe ministri i parë i ushtrisë shqiptare“, i cili nuk ka marrë pjesë në tryezë. Me këtë rast portali pashtriku.org, boton kumtesat e Dr.sc.Nikë Gjeloshit dhe të Mr.sc.Metush Zenunit.
* * *
DR.SC.NIKË GJELOSHI: LIDHJA E PRIZRENIT IDE E PAREALIZUAR!
Dr.Nikë GJELOSHI (majtas) – duke lexuar pjesë nga Kumtesa e tij.
______________________________________
Unë do të paraqes pjesë, të plotësuar, nga një Analizë, me Titull: “Si pati dështuar Lidhja e Prizrenit…”, publikuar në Librin tim “Kosova 1999 – as republikë e proklamuar as autonomi e imponuar”, EBP “Gjergj Fishta”, Tiranë, 2002 e 2004, por me plotësimet e bëra e kam emërtur „Lidhja e Prizretnit ide e parealizuar“. Në fund, jo për të parën herë, do të jap pikëpamjet e mia për të ardhmen tonë si komb.
Pas Kongesit të Berlinit (13 qershor 1878), forcat politike shqiptare, edhe pse të copëtuara në bajraqe e interesa grupore, kishin arritur më në fund të përqendroheshin në tri grupime të mëdha. Dy prej atyre grupimeve nuk kishin përcaktuar si qëllim të veten çështjen e kombit por forcimin e pozitave nën Perandorinë Osmane. Lidhja shqiptare e Prizrenit mbajtur më 10 qershor 1878 në Prizren ishte organizue si një lëvizje e madhe që nga periudha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo lëvizje kishte përbërje heterogjene mbase dhe kishte lënë anash reprezentë të një pjese të popullit, sipas përkatësisë fetare. Qëllimi i kësaj Lëvizjeje ishte: formimi i një shteti autonom që do të përfshinte vilajetet shqiptare nën sundimin Osman: Vilajetin e Kosovës, të Shkodrës, Manastirit e Janinës.
Nga raportet jo të mira të shqiptarëve mes veti; nga Fuqia jo e mjaftueshme kundërshtuese me luftë kundër Osmanëve; nga shkaku i mospërfaqësimit të reprezentantëve të popullit sipas përkatësisë fetare, Lidhja e Prizrenit qe kundërshtuar nga diplomacitë e atëhershme të Fuqive të Mëdha. Këto konstatime dëshmohen në relacionet e kohës nga ana e Konsujve të jashtëm me seli në Shkodër.
Nga trazirat e bëra në vilajete – provinca shqiptare, në fund të vitit 1880, nga Porta e Lartë qe nxjerr vendimi: “Krerët e trazirave të arrestohen dhe të lidhur në pranga të dërgohen në Stamboll”! Në të njëjtën kohë të shpalljes së Fermanit bëhej propagandë kundër krerëve të tillë shqiptarë me qëllim qe të shkëputej populli prej tyre; dërgohen emisarë për t’i akuzue udhëheqësit që kërkonin “autonominë e Shqipërisë” se ata po nxiteshin nga Austria, Italia e Greqia”. Stambolli, me një udhëzim të fshehtë, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e cilësonte “prodhim të farës së ngatërrestarëve” në Shqipëri. Porta kishte bërë shpalljen sipas së cilës “Shqipëria është pronë ekskluzive e Perandorisë osmane. Ajo ka në dorë ta bashkojë ose ta administrojë të copëtuar atë, …, dhe se me bashkimin e Shqipërisë në një vilajet do të dëmtoheshin vetë shqiptarët, sepse Shqipëria do të zhdukej ose do të ndodhnin shumë ndryshime që në të ardhmen e afërt do ta çonin drejt zhdukjes”. Porta e Lartë kishte dërguar Dervish Pashain me 30 batalione për ta ndëshkuar Kosovën për trazirat që kishin shkaktuar “ngatërrestarët” shqiptarë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit kishte reaguar në mënyrë të paorganizuar dhe me vonesë. Derisa Porta kishte vetëm dy taborre, asaj i ishin shtuar edhe 5 të tjera dhe ishin bërë afër 4000 ushtarë, kurse Lidhja nuk kishte arritur të organizohej. Në rrugën për në Ferizaj Dervish Pasha edhe pse kishte 30 batalione kishte ndaluar në Shkup dhe i kishte folur popullit: “Kam me vete 300 batalione, prandaj lini ngatërresat, hiqni dorë nga lëvizja”.
Sulltan Abdylaziz Hamiti II, i pohonte pashai popullit, ka dërguar pusullën: “Nisma për bashkimin e vilajeteve shqiptare është nismë joligjore e 5 – 10 ngatërrestarëve…. Shkëputja e viseve shqiptare nga Perandoria Osmane do t’u jepte shkas fuqive të huaja për t’i aneksuar ato vise”.
Në kërso acarimesh të gjendjes dhe të kërcënimeve shqiptarët: nen një (1), Nuk prekin asnjë nga garnizonet turke që ishin nëpër qytetet shqiptare, si në Shkup e gjetiu; nen dy (2), Nuk emëruan asnjë administrator në shqip në vend të turqve; nen tre (3), Nuk sulmohet mutesafiri osman Tajar Pashai, i cili kishte ardhur nga Stambolli si guverner; katër (4), Ishte lejuar Dervish Pashai nga Selaniku, nëpër Shkup e deri në Ferizaj, të arrinte me 30 batalione dhe të stacionohej aty për sulm ndaj ngatërrestarëve; pesë (5), Kindapimi i krerëve shqiptarë në Shkup – 11 anëtarë të Komitetit në prefekturen turke nga ana e Ibrahim Pashait dhe dërgimi i tyre në pranga në Stamboll e më vonë në kala të Rodosit, nuk kishte mjaftuar për të konkluduar se duhej radhitje e forcave atdhetare në tërë vilajetet shqiptare në mbrojtje të Atdheut.
Pse ndodhë kështu?
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pos shkapërderdhjes së pikëpamjeve të grupimeve shqiptare, nuk kishte arritë të artikulonte forcë unike luftarake për të bërë sulme ushtarake me kohë, me shpresë dhe bindje, se: një (1) “Turqia nuk do t’i ndëshkonte rreptë shqiptarët” dhe dy (2), se “ushtarët turq janë pa moral luftarak“ mbase luftonin larg vendlindjeve të tyre. Dervish Pashai megjithatë do të djegë katunde dhe do të rrënojë shtëpi të shumta shqiptare, kurse në muajn shkurt të vitit 1881 në Shkup porosiste shqiptarët: “Shqipëria do të zhytet në anarki nga vetë shqiptarët; shqiptarët…, nuk kanë armë për të mbrojtur vendin e tyre; por Porta nuk do të lejojë rrënimin e as shkëputjen e Shqipërisë”! Dervish Pashai kishte të drejtë, të paktën, në konkludimin se “Shqipëria do të zhytet në anarki nga vetë shqiptarët”.
Dr.Nikë GJELOSHI – gjatë bashkëbisedimit rreth kumtesës…
________________________________
Përvoja historike, nga atëherë e deri sot, dhe zhvillimet politike shqiptare në këtë përceptim i japin të drejt Dervish pashait. Mbase këtë konkludim të pashait, bërë 131 vjet më parë, shqiptarët do ta vërtetonin në vazhdimësi. Shqipëria bashkë me shqiptarët etnikë në Ballkan jo rrallë do të zhyten në anarki për çfarë, në periudha të caktuara kohore, jemi dëshmitarë dhe Ne!
Dervish Pashai, pos fjalëve, kishte orientuar veprimin e vet edhe politikisht: duke dëguar letra nëpër vilajete që populli t’i nënshtohej Perandorisë; që shqiptarët t’u bashkoheshin ushtarëve osmanë kundër rrebelëve shqiptarë; kishte ofruar shpërblime e poste për ata krerë shqiptar që shkëputeshin nga Lidhja. Nga ata krerë Ali Pashë Gucia i ishte përgjigjur pozitivisht Dervish Pashait dhe kishte penguar vullnetarët shqiptarë të udhëtonin për në Prizren. Rezistenca e armatosur kundër Stambollit është e kotë, u kishte thënë Gucia njerëzve që i pengonte në Pejë që të udhëtonin më tutje drejt frontit të luftës, në Prizren. Merret vesh se Ali Pashë Gucia nga Dervish Pashai kishte marrë shpërblim 1000 dukatë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit tashmë kishte kuptue domosdonë e organizimit të gjithë popullsisë në luftë të armatosur. Dhe kishte shpallur pikat për bashkimin e vilajeteve shqiptare, por jo edhe shkëputjen e atyre vilajeteve nga Perandoria osmane?! Shqiptarët me armë të dobëta e pa to i përgjigjen asaj thirrjeje të Lidhjes vetëm nga tri krahina: Prizreni, Luma e Gjakova. Vonesa në kushtrim kishte shtuar dyshimin se bashkimi i vilajeteve nuk ishte shpallur me një mendje.
Lajmet e rreme për 12 ditë, sa kishte qëndruar Dervish Pashai në Ferizaj, për gjendjen në ushqime, dezertime e të tjera lidhur me ushtrinë e tij, kishin vënë në optimizëm drejtuesit e Lidhjes. Derisa Dervish Pashai qëndronte në Ferizaj për të “vlerësuar gjendjen e luftës,” tek ai kishin shkuar krerë të tërë shqiptarë “në pendim” dhe pastaj “kishin marrë detyrat” të vepronin nëpër popull për të sulmuar krerët e Lidhjes për “tradhti”.
Shtabi i Lidhjes së Prizrenit kishte arritur të mobilizonte 5 mijë vullnetarë. Vetëm në luftën e Slivovës, me 20 mars 1881, kishin humbur mbi 400 veta kurse turqit humbin afro 800 veta. Në atë luftë të Slivovës para grykës së topit turk pati rënë Mic Sokoli. Sefë Kosharja qe varur në degë të lisit dhe nuk kishte lëvizë nga aty për tre ditë. Shumica e Shtabit të Lidhjes humbin jetën aty. Në Shtime kishte humbje të mëdha. Lufta vazhdoi deri në Prizren me ç’rast kreu i Lidhjes me një pjesë të Shtabit në krye me Sylejman Vokshin u arratis në malësi të Gjakoves. Osmanët në luftërat e Slivovës, Shtimes e të Prizrenit kishin zvogëluar numrin e të vrarëve dhe të plagosurve. Arsyeja taktike ishte të mos i jepej ndonjë peshë asaj lufte. Kishin bërë edhe arrestime e deportime të njerëzve për në Azi. Pas shpartallimit të Lidhjes së Prizrenit, Perandoria Osmane kishte vënë në jetë Planin plotësues për vendosjen e administratës osmane në katër vilajetet shqiptare.
Vetëm në fillim të qershorit të vitit 1881, pasi ishte krijuar bindja se Lidhja “nuk është më as forcë politike e as ushtarake”, Dervish Pasha kërkonte nga Porta zbatimin e 5 pikave të Planit plotësues:
1) Regjistrimin e popullsisë e të pasurisë.
2) Regjistrimin e rekrutëve shqiptarë, prej të cilëve vetëm ata të Gucisë mund të kryenin shërbimin ushtarak në vend (kjo sepse Ali Pashë Gucia kishte bërë argatin për një konsesion të tillë nga Dervish Pasha, duke sabotuar luftën dhe për atë argat ishte paguar mirë).
3) Regjistrimi i armëve dhe çarmatimi i popullsisë.
4) Nga 4 vilajetet kërkohej të bëheshin 7 sish dhe
5) kërkohej mbajtja e ushtrisë osmane në Kosovë edhe pas operacioneve luftarake.
Historiani dhe ballkanologu shqiptar Skënder Rizaj, për fatin e tokave shqiptare në fillim të shekullit që e lamë prapa, shpjegon se “në prag të shekullit, përkatësisht në vitin 1908 tokat shqiptare uu dhanë serbëve, malazezve e grekëve”. Kjo ndodhi sepse “Sulltan Abdylaziz Hamiti II, për pak para që i ishin dhënë nga ambasadori rus Ignjatov për të ndërtuar Pallatin Mbretëror Ylli-Yldiz, i dha ato toka”. Ky ambasador rus, theksonte më tutje Rizaj, kishte hyrë në haremin e grave të Sulltanit; kishte arritur t’i ndërronte edhe ministrat sipas dëshirës së vet, siç kishte arritur të ndërronte sadriazemin (kryeministrin e mbretërisë Osmane) me prejardhje shqiptare Mithat Pashain, i cili në vitin 1877 i kishte dhënë vilajetin Kosovës; pastaj valiun e Kosovës, i cili nuk kishte arritur të merrte postin (Qamil Pashai bashkë me sekretarin dhe këshilltarin e tij Pashko Vasa), dhe sekretari i sadriazemit Ismail Qemali internohet në Anadoll. Në fund ambasadori rus Ignjatov kishte arritur të futë Turqinë në luftë me Rusinë dhe me fuqitë e tjera, kur ajo ishte dobësuar tej mase, dhe vetë kishte nënshkruar marrëveshjen e paqes në emër të Rusisë me Turqinë, pasi rusët kishin arritur në dyer të Stambollit. Nga dëshmia historike kësisoj e hulumtuar nga historiani Rizaj, mund të nxirret konkludimi: “Kur lejohen të huajt brenda, frytet i korrin të huajtë, Jo populli”! Konkludimin e Rizajt se Lidhja e Prizrenit u shua nga tradhtarët shqiptarë unë do ta përforcoj me vlerësimin se nga atëherë jorrallë u shuan aspiratat dhe sakrificat e shqiptarëve për të jetue të lirë e të pavarur në një shtet etnik dhe sot Ideja e bashkimit – pengohet e mbase tentohet të shuhet nga tradhtarë shqiptarë, ashtu që çështja e bashkimit kombätar të mbetet çështje e pazgjidhur!
Qfarë duhet bërë?
Është në veprën e idealistëve, që: Ideja (si forcë) dhe ideali (si armë) për bashkimin kombëtar të artikulohen dhe bashkimi ynë kombëtar të BËHËT! Për këtë angazhohem dhe unë dekada me radhë! Forma e realizimit të kësaj Ideje është e njohur; Janë shkrue dhe Platforma të shumta. Po bëhen lëvizje e organizime. Idealistëve u mbetet: të forcojnë grupe expertësh, sipas kritereve të reprezentimit, duke mos bërë gabimet që u bënë kur po formoheshin grupet për Lidhjen e Prizrenit. Grupet e reprezentantëve, përmes organizimeve ekzistuese të idesë dhe idealit për bashkim, duhet të bëjnë veprime që t`i detyrojë krerët e institucioneve, përkatësisht ca pashallarë shqiptar të ardhur në fron pa vullnetin e popullit, një pjesë e të cilëve po tentojnë të shndërrohen në Despot, ashtuqë bashkimi kombtarë të mbështetet e mbase dhe të zbatohet dhe nga institucione politike e shtetërore.
Pse të mbeshtetet e të zbatohet nga Institucionet politike e shtetrore?
Sepse ky rrugëtim arrin qëllimin më shpejt. Ky rrugëtim është i mundshëm politikisht e juridikisht. Është i lejueshëm me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe dokumentet tjera ndërkombëtare. Nëse kjo Ide e bashkimit hasë në kundërshtime institucionale, atëherë Grupi i reprezentantëve do të njoftonte opinionin publik shqiptar (përmes masmediave elektronike e të shkruara) dhe do të bënte publike kundërshtimet, me emër, të perfaqësuesve të Institucioneve politike e shtetërore.
Në këtë rast, të pafavorshëm, Grupit të reprezentantëve të idesë së bashkimit do i mbeten dhe dy rrugë demokratike. E para, populli si votues i Institucioneve politike dhe shtetërore, do të kërkohej të braktisë përfaqësuesit shtetëror e politik kundërshtar të Idesë së bashkimit, dhe të insistoj që në zgjedhjet paralamentare qëndrore të radhës për legjislacion dhe ekzekutiv të zgjidhen përfaqësues të cilët në ato Institucione qendrore shtetërore, sapo të konstituohen ato, të shpallin bashkimin shqiptar në një Shtet. Në rrugën e dytë, përmes reprezentantëve të Idesë së bashkimit, do të kerkohej nga populli të artikulohej Ideja e bashkimit përmes Referendumit për bashkim. Në cilëndo nga këto rrugë – metodologjitë e veprimit janë të njohura dhe shpreh gatishmërinë të kontribuoj.
Dr.Nikë Gjeloshi dhe Abas Fejzullahi, kryetar i BISHZ-së.
___________________________________
Forma e regjimit politik dhe e funksionimit të Shtetit shqiptar të bashkuar, si për variantin e parë ashtu për atë të dytin, institucioneve do t`u propozohej nga Grupi i reprezentantëve të Idesë së bashkimit – kurse do të aprovohej nga legjislativët përkatëse apo me Referendum. Modalitete të përvojave të popujve e shteteve të unifikuara ka. Nuk do të zbulohej Amerika nga Ne! Bashkimi i shqiptarëve në prag të shekullit 21 në një shtet shqiptar unik është një proces i arsyeshem dhe i dobishëm për shqiptarët, dhe për popujt fqinjë. Është i arsyeshëm dhe i dobishëm edhe për Perëndimin. Në aspektin Historik, bashkimi i shqiptarëve do të përmirësonte një padrejtësi e cila u zbatue ndaj shqiptarëve nga faktorë të jashtëm, në prag të shekullit të kaluar. Në aspektin gjeopolitik e strategjik: bashkimi i shqiptarëve do të krijonte baraspeshën gjeopolitike të popujve në këtë pjesë të Europës. Shqiptarët e bashkuar në një shtet etnik – natyral me resurset e veta njerëzore, ekonomike e ushtarake do të kenë rol strategjik, do të bëhen më kontribues për stabilitetin, sigurinë e mirëqenjen e vet ekonomike dhe kontribues të koncepteve strategjike Euro-Perëndimore. Andaj ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë sonë politike le të prekë dhe më shumë ndërgjegjën e secilit subjekt: politik e shtetëror, ashtu që Ideja e bashkimit, e nisur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit – 134 vjet më parë, asnjëherë e shuar si e tillë, të mbështetet dhe të realizohet me mjete demokratike. Të bashkuar do të bashkohemi më lehtë në Europën e Bashkuar.
………………………………………
Literatura e shfrytëzuar:
1. LIDHJA E PRIZRENIT, në: http://sq.wikipedia.org/wiki/Lidhja_e_Prizrenit
2. QOBA, Engjëll, Relacione 22 janarit 1881, Shkodër, 1881
3. RIZAJ, Skender, E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje, QMP, Prishtinë, 2005
4. GJELOSHI, Nikë, Kosova 1999 – as republikë e proklamuar as autonomi e imponuar, EBP “Gjergj Fishta”, Tiranë, 2002 e 2004
…………………
– Kontakti me autorin: [email protected] & ++41762450000;++37744136344
(Kjo Kumtesë u lexua në Tryezën shkencore për nder të 100 – vjetorit të Shqiperisë dhe 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të organizuar nga Bashkimi i Intelektualeve Shqiptar në Zvicër, mbajtur më 16. 06. 2012 në Solothurn – Zvicër)