DR.VAXHID SEJDIU: PSE JEMI KAQ TË VRAZHDË ME GJUHËN E NËNËS?!

Zvicër, 23 shkurt 2020: Pse, jemi kaq të vrazhdë me gjuhën e nënës? – Pse i pëlqejmë shprehjet e huaja më shumë se shprehjet në gjuhën shqipe!
Gjuha amtare, edhe pas 21 Shkurtit!
Më 21 Shkurt u bë pak zhurmë për gjuhën amtare. Aty – këtu ndonjë fjalë, aty – këtu ndonjë takim, por jo ndonjë përpjekje serioze për të ndërgjegjësuar shqiptarët kudo që janë, që të kujdesen seriozisht për gjuhën e tyre amtare. Këto takime ishin nën hijen e “Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare”, por pa ndonjë seriozitet kombëtar. I kam vëzhguar me vëmendje mediet elektronike dhe të shkruara, por kjo ditë nuk i gjeti të zgjuar faktorët kryesorë, të cilët merren me gjuhën, ruajtjen dhe zhvillimin e saj. Do të ishte mirë, që sëpaku një ditë në vit të veçohej nga ditët e tjera, duke iu tërhequr vërejtjen të gjithëve pa dallim, sepse të gjithë pa dallim kemi nevojë për gjuhën amtare. Kjo ditë duhet të na obligoj, jo vetëm të mendojmë por edhe të punojmë më shumë për gjuhën amtare, apo siç e quajmë shqip – gjuhën nënës. Apo thënë pa ironi, se për gjuhën amtare duhet të mendojmë dhe të punojmë edhe kur jemi në gjumë.

Fakt është se gjuha është leja e njoftimit për një popull dhe pjesëtarët e saj. Sa te hapësh gojën, dalin zanoret dhe bashkëtingëlloret, dalin fjalët dhe shihet niveli i folësit dhe të folurit. Parashtrohet një pyetje shumë e thjeshtë :veprojmë mjaftueshëm si shqiptarë në shërbim të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare – gjuhës së shekujve të cilën baballarët tanë e ruajtën me përkushtim, me vuajtje dhe sakrificë.

Natyrisht se jo. T`i shohim me radhë: janë me mijëra dhe mijëra fjalë të cilat t`i dëgjon veshi gjatë gjithë ditës në Radio dhe Televizion. Gabime të panevojshme gjuhësore, të cilat janë shkurt fjalët të huaja, të përdorura nganjëherë dhe pa kriter. I madh është numri i udhëheqësve të emisioneve të ndryshme televizive e deri te lajmet qendrore të tyre, të cilët ngarkojnë fjalorin e tyre me fjalë – jo shqipe, të cilat e lëndojnë pamëshirshëm gjuhën amtare. Edhe mediet e shkruara nuk qëndrojnë më mirë. Gabime të shumta morfologjike. Për ato sintaksore, të mos flasim. Sa që shpeshherë formulimi i fjalive na ngjan në një “koshere bletësh”, ku fjalët e huaja na “pickojnë “ nga të gjitha anët. Sa për portalet të mos flasim.
Aty bëhet kërdi ndaj gjuhës shqipe.
E gjithë kjo na detyron të bëjmë një pyetje të thjeshtë. Pse, jemi kaq të vrazhdë me gjuhën nënës? – Pse i pëlqejmë shprehjet e huaja më shumë se shprehjet shqipe!
Gra dhe burra, nga njëri – te tjetri televizion, të cilët që nga mëngjesi – e deri në mëngjesin tjetër lëshojnë “xhevahir” që ia ndalin gjuhës shqipe frymëmarrjen. A mendojnë të mjerët, se nëse përdorin fjalë të huaja populli i merr si më të mençur! – Natyrisht se jo.
A mendojnë të mjerët, se kështu dëshmojnë se kanë ndonjë vlerë! – Natyrisht se jo. Vlerë kanë, kur e flasin anglishten mirë apo ndonjë gjuhë tjetër, si dhe kur e flasin gjuhën amtare mirë e drejt. E gjithë kjo katrahurë është krijuar në kohën e pluralizmit politik, që nga dëshira e madhe për t`u paraqitur se janë “dikushi” filluan të belbëzojnë si më keq. Në këtë fushatë kundër shqipes së pastër (e cila me dekada ishte mision për qindra mijëra studentë, intelektualë, profesorë, por edhe punëtorë) dallohen edhe profesorë të cilët punojnë me studentët në amfiteatrot e Universiteteve tona. Dhe merreni me mend kur ata që mësojnë nxënësit, studentët, nuk e flasin mirë e drejtë gjuhën, ç`ndodh me të tjerët?
Shqetësimet e fundit të disa gjuhëtarëve dhe pedagogëve si në Tiranë dhe Prishtinë nuk mjaftojnë. Institucionet tona përgjegjëse duhet të përgatisin projekte konkrete, për një ndërgjegjësim mbarëkombëtar. Vlerësimi i prof. Gjovalin Shkurtajt se “Do të dëshiroja që viti 2020 të jetë një vit i këndelljes për gjuhën shqipe. Populli shqiptar ka një pasuri fjalësh edhe shprehjesh, është një popull që ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot ka më shumë diploma edhe flitet më keq”, jep alarmin për gjendjen në të cilën gjendet gjuha shqipe, te vetë shqiptarët.
Por, për ta kuptuar edhe me mirë gjendjen në të cilën gjendemi ne dhe vetë gjuha shqipe me ne, po kthehemi në të kaluarën, duke lexuar me kujdes thëniet e poetëve dhe atdhetarëve të shquar kombëtar. Për vlerën dhe pasurinë gjuhësore të gjuhës shqipe flet edhe poeti kombëtar Gjergj Fishta, i cili thotë: “Gjuha shqipe ka aq pasuri fjalësh e është plot gjallëri e jetë, sa mund të përkthehen në të klasikët e çdo kombi, e çdo kohe”, kurse gjuhëtari i madh Eqrem Çabej na kujton se “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”. Atdhetari Mit’hat Frashëri, i vë vulën, ku thotë se “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”, kurse thënia e poetit Filip Shiroka, për të gjithë ata që hamenden, dhe për të gjithë ata të cilët lakmojnë ndaj të huajës, ua thotë troç: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.
Këto dhe shumë thënie tjera për gjuhën shqipe janë mësimi numër një për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë. Të gjithë ata udhëheqës të emisioneve televizive, por edhe të tjerët do të ishte më mirë t`i kushtojnë kujdes më shumë gjuhës që e flasin, se sa veshjeve të tyre, që mendojnë se dalin më bukur. Gjuha të zbukuron më shumë se veshja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura