Kush qëndronte prapa: Shërbimi Informativ i Kosovës apo Shërbimi Sekret Serb?
Nga Bardhyl Mahmuti
HYRJA
Sot askush nuk e mohon se në Kosovë gjatë dhe pas luftës janë vrarë, janë rrëmbyer dhe janë zhdukur civilë. Divergjencat lindin në momentin kur duhet të përcaktohen qartë se cilët ishin këta civilë dhe kush i vriste, rrëmbente dhe i zhdukte ata.
Po rikujtoj se duke u nisur nga fakti që luftërat e armatosura mobilizojnë institucionet ndërkombëtare, ato regjionale si dhe mijëra organizata joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat kërkojnë nga palët në konflikt që të respektojnë Konventën e Gjenevës për mbrojtjen e personave civilë gjatë kohës së luftës, Shtabi Strategjik i Millosheviqit aplikoi një strategji të “re” në luftën e Kosovës! Më poshtë do ta shqyrtojë këtë strategji. Në hyrje të këtij shkrimi të gjatë po kufizohem vetëm në disa të dhëna që do të trajtohen gjerësisht në vijim.
Në funksion të kësaj strategjie Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar «Libri i Bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi», të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, medieve ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.
Versioni i këtij «Libri të Bardhë» u ribotua nga regjimi i Millosheviqit në vitin 1999 dhe në vitin 2000, ndërsa në vitin 2001 dhe 2003, në përputhje me ndryshimin e konteksteve politike ndërkombëtare, u publikua i plotësuar dhe i modifikuar nga regjimi i “ri” i Beogradit.
Në këto libra të “bardhë” vrasja, rrëmbimi dhe zhdukja e civilëve u shndërrua në AKUZË KORALE e Serbisë dhe “koristëve” të saj kundër UÇK-së. Në rrafshin ndërkombëtar, sidomos pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, “koristët” e angazhuar për të “kënduar” AKUZËN KORALE kundër UÇK-së, të kompozuar në Beograd, u gjetën kryesisht në mesin e intelektualëve dhe politikanëve të profileve të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë «antiamerikanizmin» si këndvështrimin ideologjik. Ndërsa “koristët” në Kosovë dhe viset tjera të banuara me shqiptarë jashtë Shqipërisë u gjetën në mesin e djemve dhe vajzave, nipërve dhe mbesave të ish “patriotëve jugosllavë” apo të atyre që frymojnë me shpirtin e kësaj ideologjie. Për kategorinë e “patriotëve jugosllavë” dhe pjellën e tyre do të flas në pjesën e fundit të këtij shkrimi.
Pas përfundimit të luftës propaganda serbe u intensifikua vazhdimisht dhe arriti shkallën më të lartë gjatë procesit për përcaktimin e statusit politik final për Kosovën. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 u dha zjarr të gjithë “koristëve” të angazhuar të këndonin AKUZËN KORALE kundër UÇK-së. Shpresa e fundit e tyre mbetej Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila duhej të përcaktonte nëse akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Botimi i librit autobiografik të Carla Del Ponte-s, «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës», më 11 prill të 2008, shënoi kulmin e rezultateve të propagandës serbe. Në këtë libër Carla Del Ponte sqaron se burime të “gazetarëve të besueshëm” kishin “gjetur dëshmitarë qe pohonin se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u ishin hequr organet vitale, që u dërguan nga Aeroporti i Rinasit në klinikat jashtë shtetit, për t’u transplantuar pacientëve që paguanin për këtë ‘shërbim’.”
Edhe pse “gazetarët e besueshëm” nuk ia dhanë asnjëherë identitetin e dëshmitarëve as Carla Del Ponte-s, mbi bazën e këtyre dëshmitarëve anonim që gjoja kishin parë krimet UÇK-së, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish–Jugosllavinë, që në vitin 2003, kishte zhvilluar hetime për thëniet se “oficerë të rangut shumë të lartë dhe të rangut të ndërmjetëm të UÇK-së ishin tërësisht në dijeni të trafikimit me organe, madje edhe vetë merrnin pjesë aktive në këtë trafikim.”
Përkundër asaj se edhe vet Carla Del Ponte pohon se tregimet për trafikim organesh nga ana e UÇK-së u ngjasojnë “llojit të historive të burgosurish të vrarë nga trafikantët e organeve, histori që rikthehen mjaft shpesh në zonat e konflikteve, por në mungesë provash konkrete për t’i argumentuar këto tregime ato përfundojnë si legjenda të thjeshta” vëmendja e opinionit publik u përqendrua në këtë akuzë.
Por, pas publikimit të veprës së Carla Del Ponte-s, me iniciativën serbe dhe ruse, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u dorëzua propozimi për një rezolutë lidhur me “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë.”
Propozim rezolutae dorëzuar nga deputeti rus, Konstantin Kosachev-i, zgjoi interesim të madh, sidomos në kuadër të Komisionit për Çështjet Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës.
Ky Komision emëroi Dick Marty-n të jetë, në të njëjtën kohë, raportues, i ngarkuar që të propozojë një draft fillestar të rezolutës dhe të përpilojë një raport për këtë çështje. Përzgjedhja e Dick Marty-it në këtë funksion nuk ishte e rastësishme. Ai ishte personalitet i njohur për këndvështrimin e tij të influencuar nga ideologjia e «antiamerikanizmit», i cili, në përputhje me këtë ideologji, u ngrit haptas kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër UÇK-së që ia mundësoi amerikanëve të ndërtojnë bazën më të madhe ushtarake në Evropë.
Dick Marty, më 12 dhjetor 2010, dorëzoi projekt-raportin për «Trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin kundërligjor me organe njerëzore në Kosovë» dhe më 16 dhjetor ky propozim u miratua unanimisht nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, ndërsa më 7 janar 2011 u dorëzua në formën e Rezolutës, të cilën Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi më 25 janar 2011.
Në përputhje me Rezolutën 1782 të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, “John Clint Williamson u emërua shef i TASK Forcës Speciale të EULEX-it për të udhëhequr hetimet lidhur me thëniet për tregti me organe njerëzore.”
Pas më shumë se gjashtë vite propagande për “trafikimin e organeve”, kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale, Clint Williamson-i, shpalli rezultatet e hetimeve në konferencën e shtypit të mbajtur në Bruksel më 29 korrik 2014.
Gjatë kësaj konference Clint Williamson-i deklaroi se “përkundër ndihmës së madhe që kanë pasur nga të katër anët e botës, ndihmës së prokurorëve, hetuesve, oficerëve ligjorë, analistëve dhe specialistëve nga 18 shtete të BE-së, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës TFHS-ja nuk kishte gjetur prova të mjaftueshme për trafikimin me organeve njerëzore.” Përkundër kësaj, Clint Williamson-i premton se “do të vazhdojnë të kërkojnë ato”.
Në mungesë të provave, në mungesë të dëshmitarëve dhe në mungesë të çdo gjëje që do t’i mundësonte kryeprokurorit Williamson të përgatiste një aktakuzë për “trafikim organesh” ai e orientoi hetimin e Task Forcës Hetimore Speciale në drejtim tjetër, me shpresë se do të jetë më i suksesshëm!
“Edhe pse nuk ka qenë përgjegjësia jonë kryesore”- deklaroi Williamson-i gjatë konferencës- “ne e kemi ndjerë për detyrim të fortë të bëjmë gjithçka që kemi mundur për të mësuar për fatin e njerëzve që u zhdukën në vitet 1998 dhe 1999 dhe vendndodhjet e të cilëve ende nuk dihen. Për fat të keq, deri tani ne kemi sjellë vetëm pak informata që do të na drejtonin në vendet ku ishin varrosur trupat ose që do të ndriçonin fatin e atyre të cilët u zhdukën.
Me gjithë vështirësitë për t’i siguruar provat “ne besojmë se TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që ishte drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999, të cilët i etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve (…) dhe janë përgjegjës për veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhunë seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosje me dhunë …”
Për çdo lexues të vëmendshëm të Raportit të Dick Marty-t dhe konferencës së Clint Williamsonit është e qartë se qëndrimet që përmban ky raport dhe ajo që u tha gjatë kësaj konference e paragjykojnë rëndë lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prandaj, të gjithë ata që pretendojnë se nuk paragjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krijimin e gjykatës, prokurorisë dhe tërë mekanizmat ndëshkues që u krijua mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t dhe hetimeve të Clint Williamson-it ose nuk i kanë lexuar raportin dhe deklaratën e shpërndarë në konferencë ose dëshirojnë të manipulojnë qëllimisht. Shpresoj se në fund të këtij shkrimi lexuesi do të jetë në gjendje të kuptojë se rruga përmes së cilës është duke u bërë përpjekje për të ndriçuar vrasjet, rrëmbimet dhe zhdukjen e civilëve në Kosovë është rrugë e gabuar, që hyn në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit dhe të kriminelëve të vërtetë…
Jemi në periudhën kur përkujtohen çdo ditë vrasjet e personaliteteve të ndryshme në Kosovë dhe atyre që ishin të panjohur për publikun por që u vranë sepse QËLLIMI I SHTETIT SERB ISHTE SHKATËRRIMI I TËRËSISHËM APO I PJESËRISHËM I SHQIPTARËVE SI TË TILLË.
Përkujtohet vrasja e Bajram Kelmendit dhe dy djemve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit. Përkujtohen Profesor Fehmi Agani, Profesor Latif Berisha, Kryetar i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Agim Hajrizi i cili u vra së bashku me nënën e vet, Nazmien dhe me djalin e tij Ilirin, i cili ende nuk i kishte mbushur 13 vjeç… Përkujtohet veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Gafurr Loku, i cili u ekzekutua së bashku me djalin e tij, Dritonin 20 vjeçar. Përkujtohet aktorja 23 vjeçare e teatrit Ardiana Abdullahu… Do të përkujtohen dhe shumë të tjerë që ranë si viktima të politikës së gjenocidit serb në Kosovë.
Por, sa shqiptarë e dinë se të gjithë emrat e lartpërmendur dhe shumë të tjerëve që do t’i përmend në vijim të shkrimit, FIGUROJNË NË LISTAT E CIVILËVE TË VRARË QË SHTETI SERB IA VESH UÇK-së? Secili që do ta lexojë shkrimin në tërësi do të pajiset me argumentet e nevojshme që do t’i mundësojnë të shoh se kush organizoi, ekzekutoi dhe përpiqet t’i fshehë gjurmët e krimit të gjenocidit në Kosovë. Secili që do ta lexojë me vëmendje këtë shkrimin nuk do të ketë dilema se prapa vrasjeve, rrëmbimi dhe zhdukjes së civilëve në Kosovë qëndron Shërbimi Sekret i Serbisë e jo SHIK-u i Kosovës që është bërë objekt akuze edhe nga pjella e “patriotëve jugosllavë”. Dhe në fund, kam besimin e plotë, lexuesi do të identifikojë se kush është pjella e “patriotëve jugosllavë” që janë shndërruar në koristë të angazhuar për të “kënduar” AKUZËN KORALE kundër UÇK-së, të kompozuar në Beograd.
(VIJON …)
Howdy! I know this is kind of off topic but I was wondering which
blog platform are you using for this site?
I’m getting sick and tired of WordPress because I’ve had
issues with hackers and I’m looking at options
for another platform. I would be great if you could point me in the direction of a good
platform.
This article will assist the internet viewers for
building up new webpage or even a blog from start to end.
This article gives clear idea in support of the new viewers of blogging, that
truly how to do blogging and site-building.