SHERADIN BERISHA: RAPORTI I KMDLNJ-së MBI DHUNËN, BURGOSJET, VRASJET MASIVE, DËMTIMET DHE PALÇKITJET E PASURISË SË SHQIPTARËVE GJATË VITIT 1998

Pashtriku, 17 shkurt 2019: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ (Council for the Defence of Human Rights and Freedoms – CDHRF) me seli në Prishtinë është organizata e parë joqeveritare, e formuar në Kosovë më 14 dhjetor 1989 nga një grup i veprimtarëve për të drejtat e njeriut. Më 23 janar 1999 KMDLNJ ka bërë një raport lidhur me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë gjatë vitit 1998. KMDLNJ në këtë raport konsideron se këto të dhëna nuk janë të plota dhe nuk i përfshijnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut që kanë ndodhur gjatë periudhës njëvjeçare,janar – dhjetor 1998. Këtë raport e kam ruajtur në arkivin tim dhe me rastin e 11 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës po e publikoj në portalin pashtriku,org.
***
RAPORTI I KMDLNJ-së MBI SHKELJEN E TË DREJTAVE DHE LIRIVE TË NJERIUT NË KOSOVË, GJATË VITIT 1998
Prishtinë, 23 janar 1999: Këshilli Për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë bëri dje publik raportin për rastet e regjistruara të shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë gjatë vitit ta kaluar. Këtë raport po e japim të plotë.
Si rrjedhojë e dhunës disavjeçare shtetërore serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, në fillim të vitit 1998 shpërtheu konflikti i armatosur, që përfshiu gjysmën e territorit të Kosovës. Si pasojë e këtij konflikti pati qindra të vrarë, të masakruar e të ekzekutuar, të plagosur e të zhdukur, të marrur peng e të kidnapuar, të arrestuar e të dënuar, të përndjekur, pasuri të plaçkitura e të djegura dhe fshatra të tëra të shkatërruara deri në themel. Gjatë kësaj periudhe në zonat e përfshira në konflikt në fakt është shkatërruar çdo gjë dhe jeta në to thuajse është bërë e pamundshme.
Masakrat e Likoshanit e Qirezit, Prekazit, Lubeniqit, Poklekut, Rahovecit, Gollubovcit, Galicës dhe Obrisë kanë tronditur jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe atë botëror, për barbarinë dhe mungesën e çdo ndjenje njerëzore. Gjatë këtij viti KMDLNJ ka regjistruar 1934 shqiptarë të vrarë e të masakruar, ndër ta 229 femra, 213 fëmijë dhe 395 pleq. Nga ky numër, 436 viktimave ende nuk u dihet identiteti. Për shkak të kushteve të shkaktuara nga pasojat e luftës Këshilli ka evidentuar 92 raste vdekjesh, ndër to gra shtatzëna, lehona, fëmijë të posalindur, pleq e persona të sëmurë, të cilëve nuk ka pasur mundësi t’u ofrohet ndihmë mjekësore.
Janë arrestuar 2626 shqiptarë, nga të cilët janë mbajtur 1260 persona, 132 prej tyre janë dënuar, kurse të tjerët (1128) presin të dënohen.
Këshilli ka regjistruar, po ashtu, se gjatë vitit 1998 janë djegur, shkatërruar dhe granatuar mbi 450 vendbanime, e në to janë rrënuar, dëmtuar, plaçkitur e djegur 41.538 shtëpi banimi, 1995 lokale afariste e objekte të tjera ku zhvillohej veprimtari ekonomike, tregtare ejt., ndërkaq u detyruan të braktisin shtëpitë rreth 500.000 banorë.
Ka pasur dhjetëra raste kur kufomat kanë mbetur muaj të tërë nëpër rrugë, ara e livadhe ose janë varrosur me urdhër të policisë, pa u identifikuar viktimat. Raste të tilla pati në të gjitha anët e Kosovës ku u zhvilluan konfliktet.
Në këtë periudhë disa depo, fabrika, miniera, shkolla, madje edhe manastire, u shndërruan në depo armatimi ose në burgje hetuesie e kampe përqendrimi ku shqiptarët u torturuan mizorisht.
KMDLNJ-së çdo ditë i arrijnë informata për persona që konsiderohen të zhdukur a të kidnapuar. Në shtator, madje, të tillë konsideroheshin mbi 1.440. Pas ofensivave serbe gjatë këtij viti, popullata vendëse dhe bashkëpunëtorët tanë në terren zbuluan dhjetëra viktima, të vrarë gjatë sulmeve serbe, të cilët trajtoheshin të zhdukur. Për një numër të konsiderueshëm individësh KMDLNJ-ja ka mësuar se gjenden nëpër burgjet serbe. Listën e të zhdukurve KMDLNJ-ja asnjëherë nuk e ka konsideruar të plotë, për shkak të pamundësisë së verifikimit të personave të zhdukur. Në fund të vitit 1998 KMDLNJ ka të evidencuar 605 persona të zhdukur e të kidnapuar, e madje edhe familje të tëra për të cilat nuk ka kurrfarë gjurmësh.
KMDLNJ-ja në mesin e të zhdukurve e të kidnapuarve ka regjistruar edhe emrat e 42 serbëve e malazezëve.
KMDLNJ, si edhe më parë, me shqetësim të thellë ka përcjellë këto ngjarje, për të cilat me kohë ka alarmuar organizatat humanitare dhe faktorët relevantë të vendosjes, si paralajmërim të një konflikti në Kosovë me pasoja shumë tragjike.
Seria e arrestimeve dhe e dënimeve të shqiptarëve vazhdoi edhe gjatë vitit 1998. Gjykatat pa gjykatës shqiptarë në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan e Mitrovicë dhe ajo ushtarake në Nish, kanë hapur procedurë hetimore dhe kanë dënuar shumë shqiptarë, duke i akuzuar për “terrorizëm” dhe “rrezikim të integritetit territorial të Serbisë e Jugosllavisë”, formulime me të cilat me dekada dënohen shqiptarët në Kosovë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, që nga janari e deri në fund të vitit 1998, ka evidencuar 2.626 persona të arrestuar, 132 nga të cilët janë dënuar për vepra penale të sanksionuar sipas nenit 136 dhe 125, ndërkaq edhe 1.128 mbahen në paraburgim.
Karakteristikë e gjithë procedurës së ndjekjeve dhe hetimeve ka qenë torturimi i vazhdueshëm i të arrestuarve, madje edhe gjatë hetuesisë dhe në paraburgim. Si pasojë e torturave gjatë vitit 1998, në burgjet serbe të hetuesisë KMDLNJ ka regjistruar së paku 7 vdekje të dhunshme. Njëri nga të mbyturit në burgjet serbe është edhe Rexhep Bislimi, anëtar i Kryesisë së Nënkëshillit për të Drejtat e Njeriut në Ferizaj.
Sipas informatave që ka Këshilli, vjet në forma të ndryshme janë keqtrajtuar 14.905 veta ose mesatarisht nga 41 persona në ditë. Këshilli shënon edhe format e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Sipas kësaj nomenklature, janë shënuar 17.413 raste shkeljesh. Por, me siguri, këto të dhëna nuk janë të plota, sepse mijëra raste kanë mbetur të pashënuara në mungesë informatash, qarkullimi i të cilave ishte i penguar për shkak të luftimeve ose indiferencës së të keqtrajtuarve, të cilët nuk kanë parë ndonjë garanci se do të jenë të mbrojtur nëse informojnë për rastet e tyre.
Forcat e armatosura serbe, nga janari, kur eskaloi kriza e Kosovës dhe mori përmasa të luftës të armatosur, kanë bërë ekzekutime arbitrare e masakrime në masë duke mos kursyer, madje, as gratë e fëmijët, as pleqët e të sëmurët. Ekzekutime të tilla dhe masakrime e vrasje në masë pati:
– në Likoshan (28 shkurt 1998),
– në Qirez (28 shkurt 1998),
– në Prekaz të Poshtëm (mars 1998),
– në Poklek të Ri (maj 1998),
– në Deçan e Lubeniq (maj 1998),
– në Rahovec (korrik 1998),
– në Dobratin (shtator 1998),
– në Gërçinë (tetor 1998),
– në Obri (shtator 1998),
– në Galicë (shtator 1998),
– në afërsi të Tunelit të Magurës,
– në Radishevë,
– në Golluboc,
– në Rancë të Shtimjes,
– në Lugishtë të Hasit e në shumë zona të tjera, etj.
Vrasjet masive të shqiptarëve filluan në fillim të këtij viti në Likoshan, komuna e Gllogocit, dhe në Qirez, komuna e Skënderajt. Më 28 shkurt në këtë rajon të Drenicës u organizua një sulm i kombinuar i forcave serbe që zgjati 24 orë, me ç’rast u angazhuan një numër i madh i policëve, i paramilitarëve dhe i ushtarëve serbë të maskuar. Në atë sulm është përdorur edhe armatim i rëndë dhe helikopterë. Gjatë këtyre operacioneve në fshatrat e Drenicës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë vendosi lidhjen mes Beogradit dhe bazave të veta në Kosovë dhe me helikopter u sillte ndihmë forcave serbe që qëllonin pa ndërprerë në fshatrat me popullsi shqiptare. Civilët shqiptarë janë vrarë e masakruar në shtëpitë e tyre, mosha e të cilëve sillet prej 16 deri në 70 vjeç. Policët janë futur në familjen 36 anëtarëshe të familjes Ahmetaj, ku i kanë detyruar të gjithë, burra, gra e fëmijë, të shtrihen përtokë, i kanë ndarë meshkujt, i kanë nxjerrë jashtë dyerve të oborrit, i kanë rrahur dhe i kanë masakruar një nga një dhe në fund i kanë ekzekutuar arbitrarisht në mënyrën më barbare, aq sa vështirë është bërë identifikimi i tyre.
Drama tragjike kosovare filloi më 28 shkurt për të vazhduar më 5 mars 1998, rreth orës 5.00 të mëngjesit, kur forcat policore serbe ndërmorën një sulm të kombinuar mbi fshatrat Prekaz i Poshtëm, Llaushë, Polac, Marinë, Vojnik dhe Rakinicë të komunës së Skënderajt. Pasojë e këtij sulmi ishin 46 shqiptarë të vrarë e të masakruar, kurse vetëm nga familja e Shaban Jasharit janë vrarë 20 anëtarë. Ndër të vrarit ishin 15 fëmijë, të moshës 7 deri 16 vjeç, dhe 17 femra. Ndër të masakruarit kishte pleq e plaka deri në moshën 74 vjeçare. Të gjitha viktimat e identifikuara dhe të paidentifikuara policia i varrosi më 10 mars, pa respektuar kurrfarë normash të traditës ose të rregullave të varrimit, si dhe pa e bërë obduksionin.
Sulmet e ushtrisë dhe të policisë serbe vazhduan gjatë kësaj periudhe edhe në rajonin e Deçanit dhe të Pejës, ku më 25 maj, mbi fshatrat e këtyre anëve filloi një sulm që për pasojë kishte ekzekutimin pa gjyq në Lubeniq të Pejës të 7 anëtarëve të familjes Hamza, të një pjesëtari të familjes Gogaj-Cacaj dhe një të familjes Delimetaj.
Më 31 maj, rreth orës 13.30, pas një incidenti që kishte ndodhur në afërsi të fshatit Poklek të Ri, policia dhe paramilitarët serbë ndërmorrën një sulm mbi banorët e këtyre fshatrave dhe masakruan 11 persona, 3 prej tyre nuk janë identifikuar. Përveç Ardian Haxhi Deliut (18), që është varrosur, trupat e tjerë janë bartur me një kamion policie dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tyre. Dyshohet se personat e vrarë e të masakruar janë varrosur në ndonjë varr masiv ose janë asgjësuar, me qëllim të fshehjes së gjurmëve.
KMDLNJ-ja, me rastin e “zbulimit” nga ana e policisë serbe të “krematoriumit” në Kleçkë, ku akuzoheshin shqiptarët për vrasje të civilëve serbë, ka shprehur dyshimin se ndër skeletet e ekspozuara nga mediat serbe, mund të jenë pikërisht të vrarit në Poklek.
Më 18 korrik, në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë, forcat policore e ushtarake serbe masakruan dhjetëra shqiptarë, ndër ta gra, fëmijë dhe pleq. Ngjarja ka ndodhur përtej Rrasës së Zogut, afër tëbanave të Junikut, ku supozohet të kenë qenë afër 60 shqiptarë, ndërkaq mediat serbe, të mbështetura në burimet e armatës serbe, kanë pohuar të jenë vrarë mbi 100 shqiptarë. Numri i të plagosurve në këtë masakër ka qenë po ashtu i madh. Trupat e pajetë të shqiptarëve të vrarë nuk u janë dhënë as deri në ditët e sotme familjeve të tyre, ndërkaq identiteti i tyre as sot e kësaj dite nuk është i njohur.
Më 19 korrik, si pasojë e një sulmi të paramenduar të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar. Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonuzuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. KMDLNJ ka regjistruar 150 persona të vrarë. Dëshmitarët që kanë arritur t’i shpëtojnë këtij krimi tregojnë se ushtria, policia dhe paramilitarët serb kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht. Gjatë kësaj ofensive u morën peng u zhdukën e u kidnapuan shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit serb në Prizren, më 22 korrik, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe varrosën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofenzivës në Rahovec.
Rimorkio e traktorit me të cilin, më 16 gusht, po iknin 13 anëtarët e familjes Asllani nga Ranca e Shtimes, u godit nga një tank serb, me ç’rast u vranë 11 anëtarë të kësaj familjeje, prej tyre 7 fëmijë të moshës 6 muaj deri 13 vjet dhe 3 gra, ndërsa 3 meshkuj të tjerë janë plagosur.
Më 16 shtator, pasi ishin kthyer në shtëpitë e tyre në Dragobil dhe derisa po lëshonin bagëtinë, u rrëmbyen nga forcat serbe Osman M. Paçarizi (60) dhe Fehmi M. Paçarizi (45), u dërguan në Malishevë dhe u ekzekutuan.
Më 25 shtator, në fshatin Galicë të komunës së Vushtrrisë, forcat serbe hynë në fshat dhe ekzekutuan 14 meshkuj, kryesisht të rinj, dhe një grua.
Më 26 shtator, në afërsi të tunelit të Magurës, në komunën e Klinës, forcat serbe ndanë nga masa e të përndjekurve disa shqiptarë dhe, aty për aty, i ekzekutuan Smajl Millakun (72) dhe djalin e tij, Seferin (49), nga Ujmiri. Po atë ditë në Golluboc forcat serbe ekzekutuan 8 të rinj shqiptarë.
Më 27 shtator, në lagjen e Deliajve, në Abri e Epërme të Skënderajt, një kilometër larg shtëpisë së tyre, u gjetën të masakruar 22 anëtarë të familjes Deliaj, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq. Foshnja 3 muajshe Diturie Deliaj, u gjet e gjallë, e mbuluar e tëra në gjak në krahërorin e së ëmës së masakruar. Kjo foshnjë, si pasojë e kushteve të rënda, vdiq një muaj më vonë.
Më 4 tetor u gjetën edhe dy viktima të masakruara të kësaj familjeje: Antigona (14) dhe Mihane Hysen Deliu (16), të cilat para se të masakroheshin ishin dhunuar.
Këso masakrash forcat serbe kanë bërë dhe janë duke bërë në shumicën e vendeve të sulmuara.
Në bazë të mjeteve, metodave dhe taktikave të përdorura gjatë këtyre operacioneve luftarake, KMDLNJ ka konstatuar se forcat e armatosura serbe po përdorin taktikën e tokës së djegur. Prej fillimit të operacioneve luftarake, shkurt 1998, mbi 450 vendbanime kanë qenë objekt i sulmeve serbe. Në shumicën e fshatrave, pas granatimeve të forcave serbe dhe pas largimit të popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre, forcat serbe, në bashkëpunim me civilët serbë të armatosur, kanë plaçkitur çdo gjë me vlerë dhe më pas ua kanë vënë zjarrin shtëpive. Nga granatimet ose djegiet e qëllimshme janë shkatërruar mbi 41.000 shtëpi. Me shkatërrimin masiv të vendbanimeve shqiptare dhe të shtëpive të tyre qëllimi i regjimit serb është që të pamundësojë kthimin e shqiptarëve në vatrat e veta dhe me këtë vërtetohet edhe një herë pohimi i KMDLNJ-së për qëllimin e regjimit të Beogradit që rajone të caktuara të Kosovës të spastrohen nga elementi shqiptar.
Nga operacionet luftarake, ku është përdorur edhe aviacioni dhe artileria e rëndë, fshatra të tëra kanë mbetur pa banorë, pa shqiptarë. Nga gjithë kjo makineri lufte me qindra-mijëra persona janë detyruar të largohen nga vatrat e krizës dhe nga fshatrat të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shënjestër të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Që nga fillimi i këtyre operacioneve, shkurt 1998, numri i të larguarve nga shtëpitë e tyre kap shifrën rreth gjysmë milioni. Përjetimet e të ikurve, të cilëve u është dashur që të udhëtojnë nën breshërinë e zjarrit të armëve serbe, me ç’rast ka pasur edhe viktima, nuk mund të përshkruhen. Me mijëra shqiptarë kanë kaluar me muaj të tërë nën qiellin e hapur ose të strehuar nëpër tenda të plastikës në male, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Nga pasojat e qëndrimit nën qiell të hapur, pa gjërat më elementare për jetë, pa ilaçe dhe pa kurrfarë ndihme mjekësore, kanë gjetur vdekjen 92 shqiptarë, ndër ta fëmijë, lehona, gra shtatëzëna, pleq etj.
Sipas informatave, llogaritet se në Shqipëri janë vendosur rreth 26.500 të ikur, në Malin e Zi rreth 21.800 shqiptarë, në ish-RJ të Maqedonisë 5.000 shqiptarë të ikur nga Kosova, në Bosnjë e Hercegovinë, sipas burimeve të paverifikuara, janë vendosur mbi 6.000 persona të përndjekur nga Kosova. Një numër i madh i të ikurve, të cilët në përpjekje për të shkuar në Perëndim, gjenden nëpër kampe në Hungari, Çeki e në vende të tjera, po kalon ditë të vështira, meqë në ato kampe mungojnë kushtet më elementare të jetesës. KMDLNJ ka informacione se refugjatët shqiptarë që gjenden nëpër kampet hungareze po bëjnë një jetë shumë të rëndë. Ndër ta ka gra shtatzëna, lehona e fëmijë. Persona të ndryshëm nga këto kampe i janë drejtuar edhe Këshillit për të ndërhyrë te autoritetet hungareze që t’u përmirësohen kushtet.
Gjatë kësaj periudhe, sipas disa të dhënave që tash nuk mund të verifikohen, në shtetet e Evropes kanë ikur mbi 90.000 shqiptarë nga Kosova, ndërsa nga vendbanimet e tyre janë zhvendosur nëpër zona më të sigurta mbi 400.000 të tjerë. Përpjekja e disa të zhvendosurve për t’u kthyer në rrënojat e shtëpive të tyre të djegura, shumëkund u pengua nga policia.
Pas ardhjes së verifikuesve ndërkombëtarë (tetor 1998), ndërkaq, një numër i tyre janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre gërmadha, ku po mundohen të rindërtojnë ndonjë dhomë apo kthinë sa për ta futur kokën, e ka raste kur një dhomë me 16 metra katrorë jetojnë mbi 20 anëtarë. Po gjatë kësaj periudhe, një numër i madh i të rikthyerve janë detyruar të largohen përsëri, për shkak të pranisë së madhe të forcave serbe dhe granatimit të sërishëm të fshatrave të tyre (Malishevë, Dollovë, Këpuz, Rekë të Keq, fshatra të Deçanit, Loxhë, Raushiq, Prekaz i Poshtëm etj.). Përkundër marrëveshjes për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, nga bashkëpunëtorët tanë në terren njoftohemi se jo që nuk ka pasur tërheqje, por kanë ardhur forca të reja dhe teknikë e rëndë luftarake. Për të mos u rënë në sy verifikatorëve, forcat serbe janë ripozicionuar dhe maskuar në vende më pak të dukshme.
Një dukuri shumë kërcënuese, që ishte përshpejtuar gjatë këtij viti, është numri i shtuar i incidenteve të shkaktuara nga civilët serbë, veprimet e të cilëve ndihmohen ose ndiqen me indiferencë nga policia serbe. Gjatë këtij viti janë regjistruar 294 raste të tilla. Ndërkohë, vetë policia dhe ushtria serbe, haptazi, u shpërndajnë armë dhe uniforma civilëve serbë dhe tolerohen të shëtisin të armatosur nëpër vendbanime, duke provokuar dhe gjuajtur shqiptarët dhe shtëpitë e tyre.
Protestat paqësore të shqiptarëve gjatë muajve mars, prill e maj 1998 patën për pasojë qindra të lënduar rëndë. Gjatë muajve mars, prill dhe maj, në mbarë Kosovën u mbajtën protestat paqësore kundër masakrave serbe ndaj popullatës civile shqiptare të Drenicës dhe të viseve të tjera të Kosovës. Qindra pjesëmarrës, kryesisht nxënës e studentë, u keqtrajtuan nga policia dhe civilët serbë. Ata pësuan lëndime të rënda trupore dhe thyerje të gjymtyrëve të trupit, siç u ndodhi edhe profesorëve të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, më 10 qershor 1998.
Viti i kaluar ishte viti i tetë me radhë që kur nxënësit dhe studentët shqiptarë u nxorën me dhunë nga objektet e tyre shkollore. Procesi mësimor vazhdon të mbahet në klasa të improvizuara në shtëpitë shkolla, bodrume dhe lokale të tjera të papërshtatshme për një punë cilësore pedagogjike e shkencore.
Nga janari i vitit 1998, ndaj këtyre veprimtarëve janë manifestuar të gjitha format e dhunës nga pushteti serb. Pati të vrarë, të mbytur me torturë, të zhdukur, të arrestuar, të dënuar dhe të keqtrajtuar në mënyra të ndryshme.
a. Rexhep Bislimi, veprimtar i NKMDLNJ në Ferizaj, dhe Cen Dugolli, veprimtar, vdiqën nga pasojat e përdorimit të shfrenuar të torturës nga policia gjatë hetimeve.
b. Dr. Hafir Shala, aktivist i SHBH “Nëna Tereze”, u arrestua nga forcat serbe më 10 prill dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e tij.
c. Xhavit Haziri, veprimtar në zyrën e KMDLNJ-së në Prishtinë, është kidnapuar në Prishtinë, më 17 shtator, dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për të.
d. Derisa po shpërndanin ndihma në disa fshatra të Malishevës, nga granatimet, u vranë dy veprimtarë të SHBH “Nëna Terezë”: Hajriz dhe Adem Morina.
e. Dr Lec B. Uka u masakrua nga forcat serbe më 25.09.1998.
f. Më 1 tetor, afër fshatit Likoc, vetura KNKK hasi në një minë me ç’rast humbi jetën dr. Shpëtim Robaj, veprimtar humanitar, ndërkaq u plagosën 3 veprimtarë të tjerë. Këto ishin vetëm disa raste të vrasjeve të veprimtarëve shëndetësorë e humanitarë.
Shumë veprimtarë janë dënuar me shumë vite burgim, siç janë: Xhevat Haziri, Zahrije Podrimçaku, Rufki Suma, Enver Berisha e Ferit Tafallari.
KMDLNJ në Prishtinë gjatë vitit 1998 ka regjistruar 114 raste të keqtrajtimit të këtyre veprimtarëve në mënyra të ndryshme. Të dhënat flasin se aktivistëve të KMDLNJ-së dhe atyre humanitarë dukshëm u është vështirësuar veprimtaria e tyre.
Edhe gjatë këtij viti pati largime të shqiptarëve nga vendet e tyre të punës dhe nga banesat e tyre. Kështu, vetëm në Fabrikën e salonitit në Han të Elezit u larguan arbitrarisht nga puna 70 punëtorë shqiptarë. Por, nga puna i kanë larguar edhe shumë nga ata pak shqiptarë që kishin mbetur aty-këtu në ndërmarrjet shtetërore. Me dhunë nga banesat, sipas të dhënave jo të plota që ka Këshilli, janë nxjerrë 24 familje shqiptare dhe në to janë vendosur familje serbe.
Në këtë raport, si edhe në raportet e tjera të mëparshme, të KMDLNJ-së nuk ka kategori e të drejtave dhe lirive të njeriut që nuk është shkelur nga zyrtarët e regjimit serb.
Pasqyra tabelare e shkeljes së të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë për vitin 1998.
Gjatë këtij viti janë regjistruar:
a. 1934 shqiptarë të vrarë, të masakruar e të ekzekutuar arbitrarisht;
b. 818 të plagosur;
c. 148 tentim vrasje;
d. 2 raste dhunimi;
e. 650 raste të familjeve të bastisura;
f. 419 biseda informative;
g. 1.128 raste paraburgim;
h. 132 të dënuar për vepër penale (21 në arrati);
i. 5 shqiptarë të dënuar nga Gjyqi Ushtarak;
j. 87 dënime për kundërvajtje;
k. 3.758 raste të torturës fizike, nga të cilët 1.047 raste lëndimesh të rënda trupore;
l. 924 ndalime arbitrare;
m. 799 të zhdukur;
n. 58 uzurpime;
o. 171 raste të kërkimit nga policia;
p. 229 persona të thirrur (me ftesë) për t’u lajmëruar në polici;
q. 24 familje shqiptare të dëbuara nga banesat e tyre;
r. 135 shqiptarë të larguar nga puna;
s. 25 raste të marrjes së pasaportave.
Nga të keqtrajtuarit:
a. 913 ishin femra;
b. 439 fëmijë;
c. 441 pleq;
d. 66 veprimtarë të KMDLNJ-së;
e. 48 veprimtarë humanitarë;
f. 163 veprimtarë arsimorë;
KMDLNJ konsideron se këto të dhëna nuk janë të plota dhe nuk i përfshijnë të gjitha rastet e shkeljes së të drejtave dhe lirive të njeriut që kanë ndodhur gjatë periudhës njëvjeçare në Kosovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura