EJUP AJDINI: HESHTJA QË VRAU POETIN NEXHAT PUSTINA

Tetovë, 22. 01. 2015 – (Vetëm ai që gjen rrugën drejt jetës, mund të zbuloj thesare. Paulo Coelho) – Letërsia shqipe në Maqedoni, sidomos ajo e pas Luftës se Dytë Botërore, u krijua dhe u zhvillua në rrethana tejet të vështira historike. Edhe pse administrativisht vepronte e ndarë nga shteti amë, ajo nuk u shkëput nga esenca e përbashkët e trungut tonë kulturor kombëtar. Në kuptimin e thellë filozofik, letërsia shqipe që krijohej në të dy krahët e kufirit, përbënte letërsinë tonë të përbashkët kombëtare. Si për çudi, edhe pse trojet shqiptare, Fuqitë e Mëdha ia arritën qe t’i ndajnë me shumë kufij të ndryshëm administrativ, fatmirësisht gjuhën dhe letërsinë shqipe nuk pati forcë që ta ndajë, si pjesa më sublime të një kombi, që përcakton vlerat dhe shpirtin artistik të tij.
Njëri nga krijuesit letrarë të hapësirave tona në Maqedoni, i cili filloi të shkruaj menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore është edhe poeti, Nexhat Pustina. Ai u lind më 20 prill, 1926 në Dibër, e tetovarët e njohin për poet të vetin, pasi pjesën më të madhe të jetës dhe të krijimtarisë letrare e krijoi në Tetovë, ku edhe vdiq me 18 mars 1982. Kuptohet që, sipas porosisë se tij, u varos në qytetin e lindjes, në qytetin e Dibrës, që aq shumë e deshi.

Shkollën fillore e kreu në Kastriot të Peshkopisë. Gjimnazin dhe normalen e kreu në Peshkopi dhe Tiranë më 1947. Shkollën e Larte Pedagogjike e kreu në Shkup. Punoi në shumë qytete e fshatra të ndryshëm gjithandej. Gjatë vitit të luftës 1943/44 punoi në Ministrinë e Financave në Tiranë. Në vitin 1945 me urdhër të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë emërohet mësues në katundin Vollkovi të Mavrovës. Më vonë, me të njëjtin urdhër dërgohet me punë arsimtari në Kumanovë e Tetovë.
Ndërrimi i vendit të punës i behej shpesh, sa që edhe sot e kësaj dite s’dihet pse ndodhte kjo?! Pse kishte shoqëria nevojë të madhe për mësues, apo për të mos e lënë të qetë poetin dhe për ta lënduar në stabilitetin e tij jetësor. Deri me 1950 emërohet drejtor i shkollës fillore të Vrapçishtit – Gostivar. Nga 1951 deri me 1955 punon në Gllumovë e Bojanë të komunës së Shkupit. Një vit më vonë dërgohet në Strugë. Një vit më pas, gjatë vitit shkollor 1955/ 56 dërgohet në Dobrosht të Tetovës, ku punon nëntë vjet të plota. Në fund, nga 1965 deri ne vdekje (1982), punoi përsëri në fushën e arsimit, pra mësues në shkollën fillore “Migjeni“ në Tetovë.
Puna e këtij pedagogu të vyeshëm nuk mbaroi me kaq. Nexhat Pustina, bashkë me të sheqen, Adile Pustinën, qenë të angazhuar në shumë kurse për zhdukjen e analfabetizmit. Ai ishte kryetar i parë i klubit letrar pranë SH. K. A “Xheladin Zeqiri” në Tetovë. Ishte Pjesëmarrës në Mbrëmjet Poetike të Strugës, Gjakovës e gjetiu. Kjo punë e madhe vetëmohuese tregon se i takon plejadës krijuese të palodhshëm në Maqedoni e që karakterizohet me dhembjen e krenarisë kombëtare, pasi jetuan dhe vepruan në atë kohë tejet të mistershme, të cilën, sot të gjithë e kemi të qartë.
Për poetin Nexhat Pustina, të cilit i jemi përkushtuar në këtë shkrim, flet fakti se pas një heshtjeje të gjatë niste të shkruajë përsëri. Njëzet vjet para se ta botojë përmbledhjen e parë poetike ishte marrë me shkrime poetike e publicistike. Ai, pas përmbledhjes së parë,”Zë Bilbili”, gati një dekadë nuk shkroi fare, sikur të ishte i privuar nga e drejta e shkrimeve. Ishte koha kur ndiqej çdo intelektual, veçmas krijuesit, e assesi kohe avancimi për ata. Nga kujtimet e te birit të poetit, Ylber Pustina, për këtë periudhë kohore të heshtjes së Nexhatit rrëfehet duke thënë se: Ato vite babai humbiste nga 2-3 ditë. Kur kthehej rrinte shumë i qetë dhe në mendime të thella…Vetëm mendohej dhe nuk fliste lirshëm si ditët tjera. Ai nuk na tregonte për ndjekjet, mundimet dhe vuajtjet që e rendonin shpirtërisht, por ne e kuptonim nga rrethana të tjera. Ai punonte natën dhe sikur donte ta sfidojë dhembjen e asaj errësire përmes punës. Siç duket qartë, ajo politikë e asaj kohe donte që ta thyente këtë pendë të mprehtë krijuese, këtë zë të bukur e protestues letrar, i cili nisi mbarë në fushën e tij krijuese. Për njërën nga poezitë e tij, shtypi i kohës shkruante: “Vjersha Magja e Nexhat Pustinës dhe Kujtoi ne’e e Relës janë dy poezi të mbërrime e të bukura në poezinë tonë të re” (Rilindja, Prishtine, 16 dhjetor 1954.)
Ky poet i vuajtjes dhe i durimit, i forcës dhe i shpresës, i ndjenjës dhe i porosisë, përveç që shkroi në shtypin e kohës, ai kryesisht njihet me katër përmbledhjet e tij poetike, siç janë:“Zë bilbili, lule maji”,( Rilindja, Prishtine, 1969); “ Zëri në shtrëngatë”(Flaka e Vllaznimit, Shkup, 1972); “Mi vjedhin gurët”, (Flaka e Vllaznimit, Shkup,1977) dhe përmbledhja e fundit “Këngët rebele“ (Rilindja, Prishtine, 1981). Për këto vepra, shtypi i kohës në gjuhën shqipe bëri vlerësimet e veta, por jo edhe aq sa meritonte ky poet lirik, i cili ishte ndër të parët në letrave tona.
Nexhat Pustina u mor edhe me shkrime të shumta publicistike nëpër shtypin e kohës, të cilat duan një trajtim apo studim tjetër të veçantë, për të cilat shpresojmë, që edhe këto lloje shkrimesh, të shpëtojnë nga harresa e katër-pesë dekadave të kaluara.
Në shtypin e kohës, ky poet më tepër përmendet në kuptimin pozitiv e përparimtar, veçmas për disa nga krijimet e tij lirike, por edhe me ndonjë vërejtje eventuale. Për inteligjencien kosovare të kohës, gjendja e rëndë e shqiptarëve të Maqedonisë ishte brengë e përhershme. Në njërin nga numrat e revistës “Jeta e re“ , Ramiz Kelmendi shkruante se“…ndoshta do duhej me shpreh keqardhjen tonë për pasivitetin e disa pendave që shkruajnë në Maqedoni (! ), përveç një Nexhat Pustina e herë- herë Murat Isaku, në shtypin e krahinës tonë nuk botohet asgjë prej andej!“ (Jeta e re , Prishtine, 1955, f. 112 )
Me përmbledhjen e parë poetike, “Zë bilbili, lule maji” Nexhat Pustina bëri emër krijuesi dhe u lexua mjaft nga shkollarët e kohës, pasi edhe pak ishin veprat letrare në gjuhën shqipe që gjendeshin në duart e lexuesve shqiptarë. Kjo vepër i solli një konsolidim me të theksuar prej krijuesi. Lirikat e kësaj vepre arritën numrin 41, të cilat dëshmuan se lindi një pendë e mprehte, një zë krijues, i cili gjatë tërë kohës i mbet besnik vetvetes, që do të thotë se nuk do të kërkojë shtërzime të dhunshme për të sjellë diçka të veçantë në krijimtarinë e tij poetike. Edhe pse kjo vepër na vjen pak sa e vonuar, ajo çeli rrugë të mbarë për krijimet e tjera të autorit dhe një nxitje të re për krijuesit që do vinin pas tij. Këto poezi na erdhën në letërsinë tonë mjaft të pjekura, edhe pse një pjese e kritikës nuk do pajtohej me këtë. Them kështu, sepse edhe pas sa e sa dekadave, poezia e Nexhat Pustines ruan freskinë poetike dhe se ajo është e lidhur ngushtë me truallin arbëror, me jetën, zakonet tona, dashurinë etj, të cilat janë freski dhe ushqim shpirtëror për të gjitha gjeneratat.
Vargjet poetike të këtij poeti janë të ngrohta dhe me një ton optimist, që në vete kanë porosinë e qëndresës. Gjithashtu kanë muzikalitet, pasi poeti nuk shkëputet lehtë nga letërsia gojore dhe ajo tradicionale. Ai gradualisht ndërton tone origjinale -individuale, duke dashur të krijojë hapësirë të re“… që të angazhohet në rrugët bashkëkohore të poezisë”. (Rilindja, Prishtine,1969, f.12).
Disa nga poezitë e tij na dalin të zymta, sepse poeti ishte në kërkim të stilit individual. Ai që në atë botë preferonte letërsinë gojore, stilin e letërsisë së traditës dhe herë-herë ndërtonte edhe stilin e tij personal. Kjo kërkesë për mbështetje nuk ishte edhe e lehtë, që pastaj ta inkorporonte atë në stilin e tij të veçantë. Kritikët e kohës se tij e përshëndesin përpjekjen e autorit për kërkimet e letërsisë gojore, por gjithsesi kërkonin që poeti Nexhat Pustina, të pavarësohej në stilin e tij të veçantë krijues. Që me të parën përmbledhje pati edhe poezi shumë të realizuara, siç janë “Nusja“, “Cili jam unë”, “Magja” etj., të cilat dëshmojnë për një perspektivë të këtij autori. Siç na duket neve, aty
ku morri më tepër guxim autori, edhe poezia e tij na del më e suksesshme, siç ndodh p.sh.te poezia “Cili jam unë”:
Dhetë arnat e këmishës
Tymi n’kasollë dhe dritë e pishës
Saç, çerep, krande t’thata
Trualli i dhomës mbulue me hasra…
( Zë bilbili,lule maji, Prishtine ,1969,f. 8)
Pasqyrimi real i kësaj shtëpie shqiptari, ngërthen në vete të vërtetën se çka e mban gjallë shqiptarin nëpër shekuj:
Lugë e drunit, vorbë e dheut
Dhe stërnip i Skënderbeut.
( Po aty )
Poeti sikur kishte një brengë nga amaneti që i kishte lënë babai dhe pa e njohur ne, se nga cili satisfaksion niset poeti, ai e ndjen veten fitimtar dhe jeton i lumtur me amanetin e realizuar atërorr:
…unë kalit me të shpejt i hipa
me qit drejt n’armik qita.
( Po aty )
Në të gjitha përmbledhjet poetike Nexhat Pustina mundohet t’i përfshijë të gjitha llojet e lirikës. Vetëm lirikën patriotike mundohet ta përfshijë përmes ndonjë vargu, duke përmendur Skënderbeun, shqiponjën, truallin e vendlindjes etj. që na jep të mendojmë se lapsi i tij për motivin patriotik sikur vepronte me mjaft vështirësi në gojë të ujkut.
Më të realizuara na dalin lirikat me motive sociale e veçmas ato të dashurisë, pa i lënë anësh edhe ato refleksive. Te Poezia “Magja”, të cilën e vlerësoi edhe kritika e kohës, dëshmon për një realizim të bukur artistik dhe me parametra të kënaqshëm ideo-estetikë:
N’magje m’u plak gjyshja, nana, zonja e shtëpisë
Flokët iu mbuluan thinja si mielli i bardhë
Magja për ta ishte altar i shenjtërisë,
Nuset aty kanë ba zakonin e parë…
( Po aty , f. 22 )
Motivi i dashurisë e bën edhe më të bukur këtë poezi. Poezia e kësaj bote, sa është vërtetë poetike, po aq është edhe e përshkuar nga një fryme e veçantë bohemi. Atë nuk e pengojnë tabu temat e kohës, thjesht ai shprehën atë që ndien dhe për atë shkruan:
U fika nga dhembja për dashurinë e saj
……………………………………………………………………….
Për atë vajzë engjëllushë që kurë për risk s’më ra
Pse fati më ngre leqe e më ngre pusia
I shtyp nën, i flak tej, lotët e lutjet e mia.
( Po aty , f. 29.)
Edhe vargu refleksiv dhe ai përshkrues në poezinë e Nexhat Pustines është i pashmangshëm. Ata janë jo vetëm të realizuara bukur, por edhe tejet mbresëlënës. Për lirikën refleksive mjafton të kuptojmë këto vargje:
Nuk ashtë kangë ajo që s’ka melodi
Nuk ashtë fjalë ajo që thuhet mbas shpinës
Pse vetëm dlirësia njeriun e ban njeri.
( Po aty )
Poezia përshkruese, si mbresë e veçantë që buron nga bukuritë e natyrën dhe nga thellësia e shpirtit poetik, ndonjëherë na bën për të kujtuar një idilë të vërtetë:
Nata afron. Sonte ma i kaltërt duket qielli
Yj’ shkëlqejnë si copa diamanti të thyem
Ky shi i bekuam gushtin e bani muaj prilli
Lule, gjeth e fera duken si me ngjyra lyem.
( Po aty, f. 47 ).
Se vjen një poet i dëshmuar dhe rebel, tregon përmbledhja e dytë
“Zëri në shtrëngatë”, ku, edhe pse kritika kishte dhënë ca vërejtje për disa ndryshime që duhej t’i bënte ky autor, duket se poetit ato nuk i kane zënë vend në kokë, pasi kishte besim në vetvete dhe se duhet shkruar si i thoshte bota e tij poetike, e jo vëzhguesit nga larg, të ashtuquajturit kritikë. Në krahasim me përmbledhjen e parë poetike, përmbledhja e dyte ka 32 poezi. Siç duket ka insistuar, që sadopak, t’i ikë formës, e më tepër t’i kushtohet përmbajtjes. Këtu na duket pak më i kursyer në ndërtimin e vargut poetik. Tani di se çfarë dhe si të vjelë nga letërsia gojore, pastaj edhe me fuqishëm ta kultivojë atë, por pa ndonjë dallim shumë të theksuar. Tani haptazi duket se poeti më tepër synon nga simbolika e fjalës. S’do mend, pasi vetë titulli i përmbledhjes së dytë është më simbolik. Ky titull na bënë përshtypje se asocon në atë heshtjen e madhe që pati poeti para një dekade, para se ta shkruante këtë përmbledhje.
Edhe në këtë përmbledhje, poeti i mbetet besnik vargut tradicional, por jo vetëm kaq, këtë traditë të stilit, tani të veten, poeti do përcjellë deri në fund. Kjo poezi mishërohet me rrethanat në të cilat jetonte dhe vepronte autori. Ndonjëherë poeti është tejet i hapur dhe të bën përshtypje se e humb kuptimin e vargut poetik, por ajo poezi është po aq më refleksive. Kjo duket qartë te poezia “Unë dhe ata”, ku përmes digresioneve e ngren zërin protestues ndaj padrejtësive shoqërore dhe kritikon fillet e një morali të degjeneruar : “Ata me pallate, shtëpia / unë me vjershat e mia”. ( Po aty )
Poeti i satirizon disa udhëheqës, e sidomos ata të cilët stolisen me unaza e zinxhirë floriri nëpër duar, të cilët mundohen që me stolitë e tyre të mbulojnë zbrazëtirën e tyre shpirtërore. Në këtë poezi nuk lënë pa përshkruar përsëri bukuritë e natyrës, por kësaj radhe subjektet natyrore i ndërlidh me raportet njerëzore dhe u jep atyre kahjen simbolike siç janë: guri, shkëmbi, lulja, vesa etj. Me këtë përmbledhje poeti Nexhat Pustina iu afrua parimit bazë të estetikes
letrare që dëshmon për kontinuitetin krijues të një poeti. Tani jepet shpresa se u plotësua zbrazëtira prej një dekade e heshtjes poetike, heshtje kjo qëe edhe mund ta varrosë herët poetin .
Kritiku i kohës Nijazi Muhameti thoshte se ”Poezia e Nexhat Pustines posedon vlera, që jo vetëm e dëshmojnë prezencën e tij në letërsi, por edhe ia caktojnë edhe vendin ne suazat e reja…” duke marrë edhe këtë shembull:
Ku fshihesh burim i kallur
Prej teje dua ujë të pi
Je aq afër, por i pazbuluar
Nder gjelbërimet e pakufi
(Flaka e Vllaznimit, Shkup, 1974, 17 korrik)
Indi i ndjesisë së hollë e bën poezinë e Nexhat Pustinës sa poetike, po aq edhe sublime. Veçmas motivi erotik e kosmopolizon poetin, e largon nga tabu temat mediokre të kohës. Kjo e bënë që ta ruaj plasticitetin e ndjenjës krijuese, por pa u larguar për as një çast nga forca e thellë shpirtërore të kuptimit përgjithësues.
Sugjestiviteti i thellë krijues i këtij poeti do të duket më mirëfilli te përmbledhja e tretë “Mi vjedhin gurët”. Tani më thellësisht kishte sintetizuar gjallërimin poetik. Përjetimet janë më të gjithanshme dhe më një lirizëm më të veçantë e më individual. Duket etja e poetit për të vrapuar nga më e bukura e artit tonë. Kjo poezi sugjestive me figurën e saj më të theksuar stilistike synon drejt përjetësimit dhe organizimit më të mirë poetik për të balancuar formën dhe përmbajtjen.
Aso kohe, Arif Selmani për përmbledhjen poetike Mi vjedhin gurët shkruante se “ ndonjëherë poeti të duket se donë t’i hedhet në përqafim të kaluarës formale, këtë e bënë me qëllim që ta forcoj të tashmen për një të ardhme më të lumtur, ku njeriu i Nexhat Pustinës me fanatizëm ta ruaj besën, nderin larg çdo zënke…” ( Flak. Vlaznimit, Shkup, 1978, f. 15.)
Ciklet që përshkojnë këtë vepër janë: Gjurmëve të zërit, Gjethe shelgjesh, Një kafaz prej zambaku dhe Radhitje fluturuese. Këto vargje poetike i përshkon rima e alternuar dhe e puthur, sa që nuk diktohen me lehtësi. Veçmas e karakterizon ritmi, i cili e bën për vete lexuesin dhe e rrit individualitetin poetik të autorit. Këtë edhe shtypi i kohës e dëshmonte se Nexhat Pustina, kësaj radhe ka ndërtuar stilin e tij krijues. Te Përmbledhja “Mi vjedhin gurët” gjuha simbolike është më e dendur.
Në njërën nga intervistat e tij, poeti thoshte se i pëlqen që poezia e tij të qëndrojë midis tradicionales dhe bashkëkohores. Rritën e poezisë e kërkon bashkë me rritën e kulturës dhe civilizimit kombëtar. Nga kjo kuptojmë se arti poetik, pse jo edhe artet e tjera duhet të jenë në shërbim të masave popullore, e jo në shërbime kabinetike. Këtë e dëshmojnë edhe krijuesit dhe miqtë e vetë poetit, të cilet thonë se ky poet e ka pasur parim krijues qartësinë. Ka qenë i bindur se vetëm poezia, e cila mund të jetë e afërt për shtresa të ndryshme lexuesish mund të luajë rolin e vërtetë efektiv. Siç duket, kjo e ka nxitur poetin që të ngrejë kërshërinë e lexuesit tek gjeneratat e ardhshme, përndryshe, një poet që s’kuptohet nga rrethi, do ishte i mjerë, thoshte një mendimtarë i dikurshëm. Mbështetur në këto ide, poeti gjithmonë qëllon esencën e problemeve, për të cilat mendon se duhet trajtuar.
Duke qenë afër poezisë popullore, jo larg asaj tradicionale dhe me tendencë qe t’i afrohet modernes, poeti krijoi stilin e vet krijues, që ne sot e njohim si stili poetik i Nexhat Pustinës. Po të kishte vepruar sipas disa kritikeve të kohës, atëherë do të kishim një poet të kurdisur, e jo, siç e njohim sot, kaq origjinal. Estetika e vargut është e lidhur me kohen e autorit, edhe pse ndonjëherë na duket varg i rastit. Përveç asaj nacionales, poeti ka edhe një bagazh me ide kozmopolite. Për poetin të gjithë njerëzit janë prej gjaku. Ai qan edhe hallin e fqinjit rom, i cili një ditë nga ditët u largua nga lagjja, ikje kjo plot mbresa për poetin e që lënë vragë të thella në shpirtin e një poeti, vërtetë poet:
Sot më iku romi , fqiu im
S’di kah shkoi nëpër rrugët e verdha
S’më tha as lamtumirë, as kur kthen
Një qere ngarkuar me hasra e cerga!
( “Mi vjedhin gurët “,Shkup, 1977, f. 25)
Këto pak vargje dëshmojnë se poeti e do qenien njerëzore, çfarëdo qoftë ai. Për plaçkat e romit thotë: “ Nato cerga e hasra i tëri lidhem “ ( Po aty ) dhe në mënyrë figurative poeti e përcjell romin nëpër këtë botë të gjerë.
Veprimtaria poetike dhe publicistike për tri dekada të pandërprera, u rrumbullakua me përmbledhjen e katërt dhe të fundit “ Këngët rebele”. Edhe pse kishte mendime se ky poet ka vepruar njëtrajtësisht që nga vepra e parë poetike e deri te e fundet, kjo nuk mban fort, pasi duken qartë ndryshimet e lehta. Te marrim vetëm poezinë e pare fjala ime të përmbledhjes së fundi, do shohim se ndryshimet janë evidente, veçmas në ngritjen ideo-estetike. Këtu kemi edhe ngritje të zërit protestues ndaj fenomeneve negative të shoqërisë. Këtë e dëshmojë vargjet me titull Duron poezia:
Të shkruaj mbyllët
Duron poezia
Kam frikë e mbyllet
Mos mbetet liria.
(Këngë rebele, Prishtine, 1981,f. 14)
Intimja personale dhe idilikja e bukur e plotësojnë vlerën kuptimore të veprës si tërësi. Këtu trajtohen edhe momente të ndryshme ekzistenciale, apo
situata të prekshme sociale. Pastaj, përshkrimi si lloj i veçantë i lirikës është gjithmonë i pranishëm, saqë herë-herë na çon drejt idilës se vërtetë. Nuk mund të themi se kjo poezi i arriti të gjitha përgjithësimet e duhura, por mund të themi se.”Këngët rebele” është mjaft heterogjene. Herë i këndon jetës në katund, herë poezisë, e herë motiveve intime, siç është vajza e rinisë. U këndon edhe kategorive metafizike, siç janë mërzia, fati, ngushëllimi, malli i thelle etj. Ai shkruante lirshëm, pasi me tepër e mundonte malli për vëllezërit dhe motrën biologjike që i mbeten pa dashje andej kufirit shqiptaro–shqiptar. Gjysma e familjes jetoi ne Peshkopi, kurse gjysma ne Dibër. Një familje e ndarë për 50
vjet në dy kufij të veçantë administrativ, jetuan dhe vdiqën pa u parë asnjëherë në jetë, më keq dhe më dhimbshëm se te këngët e rinjohjes së motrës me vëlla dhe anasjelltas, pasi te këto këngë një dite, qofte edhe rastësisht takohen , kurse Nexhat Pustina mbeti një vëlla i përvëluar nga malli për motër, dhe motra për vëlla. Pastaj as prindër e fëmijë nuk u panë. Ky mall, në këtë rast për motrën andej kufirit, mbeti i thellë. Kjo dhembje shprehet fuqishëm në vargjet e tij poetike, sikur këto vargje t’i burojnë nga thellësia më e mundshme e shpirtit:
Si më je e dashur, hënë e perënduar
Mesditë e thatë për një pikë shi
Loçka ime, ti mal i rënduar
Për shëndetin tënd lus
dhe gotën pi
( Po aty, f. 36.
Studimin me serioz deri më sot për veprat e N. Pustnës e bëri miku i tij poet e prozator, Murat Isaku. Për motivin social në poezië e Pustinës, ky mik i madh thotë se në te “pasqyrohet varfëria e tmerrshme e kësaj ane. ..në mënyrë sugjestive jepen tablotë e zeze të skamës.”(N. Pustina, Poezi te zgjedhura, 1987, Shkup, f. 18)
Poezia me motiv social e këtij autori është një botë me një vulë më vete, e cila gjithmonë flet për kohën e vuajtjeve, kur jetoi dhe veproi autori. Ja sa e bukur estetikisht, po aq edhe e dhimbshme është poezia Shoqet e nenës:
Dymbëdhjetë vjeçe nuse për muri
S’plaste zemra, plaste guri
Bukën be, kripen zot
Sheqeri në arkë për mikun mot.
( Po aty, f. 39.)
Poezia e dashurisë, edhe pse është një frymëzim subjektiv, ajo gradualisht merr përmasa më të përgjithësuara, pasi kudo dhe kurdo që të lexohet mund të pritet mirë nga lexuesi, jo vetëm se është e krijuar bukur, por edhe shumëkush mund ta gjejë veten, pasi aty sundon çiltërsia shpirtërore, ndjenja e sinqertë dhe tejet e flaktë e që përshkohet me natyrë të bukur e me rreth të zgjedhur. Është lirika, ku rebelohet autori. I tejkalon tabu temat, sa i përket dashurisë. Ai shkruan atë e që ndien dhe nuk lodhet nga thashethemet. Krijon atë që e ndien dhe e përjeton më së shumti. Nga këto mund ta dallojmë poezinë, Gjato moj dashuria ime:
Ah kur më kujtohet ajo fytyrë agu
Ajo pëllumbeshë, lule zambaku
Oho! Ajo femër në at fshat
Përmbi të gjitha lulet dhe gratë.

Ah, sikur ta shoh edhe një herë
Në malin e thatë si në atë pranverë
Ato buzë të holla, ato dhëmbë të bardhë
Atë gjoks gufuar si ftua, si dardhë.
( Po aty, f. 55)
Nexhat Pustina me veprën e tij mbeti përgjithmonë poet thellësisht lirik.
Që poetët janë afër hyjnive s’do mend. Për këtë flet vetë vdekja e poetit. Ai për veprën e tij e di se cila është vepra e tij fundit, pasi edhe poezinë e fundit e emëron “kënga e fundit”. Vallë si e diti fundin e jetës se tij?! Si e diti se cila do tëjetë poezia e tij e fundit?! Ndoshta kjo është edhe nga poezitë më të bukura të tij. Me këtë sikur i krijoi epitaf vetes për së gjalli! Po në këtë vjershë të fundit poeti vetë e sheh dhe dëshmon në mënyrë porosie se dora i dridhet, këmbët i merren etj. Për kujtesën e humbur thotë “Pastë ndjesë” dhe porosit që dy lule t’i
mbillen atje ku do të vdesë dhe tek ai varr, kërkon që t‘i falin dy vjersha “qe t’mos vdesin asnjëherë”.
Ky poet kaq i dashur me njerëz e shokë, kaq sublim e me shpirt të rrallë bohemi, një lirik i një natyre autonome, poet që e di edhe cila do të jetë poezia dhe vargu i fundit, nuk donë të vdes pranë bregut, ku mund ta mbështjellë rëra, dhe në fundin e të gjitha fundeve, poeti Nexhat Pustina në thellësinë e tij shpirtërore tregon qartë botën e tij epike, duke thënë “Jam prej kepit mish e thua”, duke dashur të vdesë si luftëtari në fushë të betejës. Fundi i kësaj poezie madhështore përfundon me figurën e retiçencës, apo pikat e heshtjes, që lë të kuptohen edhe gjërat e pathëna, të cilat nuk ia lejoi koha vrastare, e që do të kuptohen përmes varrit të tij në maje të kepit:
Majë kepit ta kem Varrin
Është paqja më e thellë
……………………………………………..
Jam prej kepit mish e thua
Kep të jem dua përherë…
( Po aty, f. 66 )

_______________________

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura