Shëngjinë, 7 prill 2021: Sa bukur – po thosha me vete duke ngritur shikimin pingul në qiellin e kaltër!Ndërsa shushurima e valëve të detit më miklonte tërë qenien time, era e lehtë më ledhatonte fytyrën e kthyer kah dielli që buzëqeshur rrinte varur në qiellin e paanë! Një nënqeshje e lehtë më depërtoi thellë midis rrudhave të ballit duke i zgjeruar ato sikur me ndërhyrje kirurgjiko-estetike!!
..Pasanikët e ngratë sa shumë kilometra kalojnë anë e përtej planetit për të gjetur një plazh privat! Bile, bile hapësira e tyre nuk krahasohet me gjerësinë dhe gjatësinë e këtij plazhit tim në të cilën isha shtrihur dhe ndjehesha pronarja e tij, meq frymë njeriu nuk pipëtinte në te. Vetëm qeni i Letës-gruas që kisha njohur këtu, ishte shtrirë pak matan në momentin që e kuptoi se unë do të rrija aty. Ai po kryente rolin e bodygardit!
– Do të ketë vende të reja pune, do të ndërtohet ky e ai aks rrugor, Shqipëria do të bëhet kopsht me lule… ishin copëza refrenesh që po përsëriteshin pa reshtur, sa herë ta hapje ekranin gjatë këtyre ditëve të qëndrimit tim këtu! Këto copëza refrenesh ngadal po i zinin vendin këngës së Mozartit që kisha mësuar sot në online me Edisë nga Presheva!
Po thosha me vete, po edhe nëse premtimet e X politikanëve i merr era si çdoherë, në këtë kohë fushate një gjë na mbetet e bukur pas! Gjuha me të cilën ata i shprehin premtimet e tyre duke i vënë në pah fjalët më të bukura shqipe, bile bile edhe ndonjë shprehje të huaj duke shtuar si dekor, në mënyrë që të tingëllojë më ledhatues premtimi i tyre për një të ardhme më të mirë të vendit Amë!
Kur…..
Po ecja rrugicës së gjatë buzë valëve të detit! Palmat gjigande si rrokaqiejtë përtej plazhit, të sillnin freskinë e tyre në shpirtë! Gjithçka dukej bukur! Ulëset e mermerit, shadërvanët – stërkalat e të cilëve si ujëvara ngjiteshin drejt qiellit duke krijuar një imazh mahnitës! Gurët që rrethonin ato dhe muret stolisëse përgjatë shëtitores, shkëlqenin ngjyrë floriri që të mirrte sytë vezullima e tyre! Kisha zgurdulluar sytë aq shumë sa kur më pa ashtu nënë P renga, u merakos dhe u ngutë që shpejt e shpejtë të më sqaronte!
-Nuk e ditke ti Eli ?? Më shikonte me një buzëqeshje tinëzare në sy!
– Ndodhi mrekullia këtyre muajëve sa nuk ishe ti!I sheh këta gurë ngjyrë flori!! Këta janë me të vërtetë flori! Na i sollën nga Artana juaj dhe minierat tjera me ar! I shtruam gjithë rrugët e parqet e qytetit tonë!
Tani e tutje do të kemi një qeverisje gjithëkombtare! Mjaft i eksploatoi minierat tuaja shkjau e të tjerët! Ëndërra ime po bëhet realitet! Jam 82 vjeçe dhe 82 vjet u munduam që t’i shihnim tokat tona të mbledhura prap bashkë! Dhe politikanët tanë në programin e tyre nacional, nuk do ta kenë të rëndësishme a do ta udhëheqë vendin Rama apo ai i juaji Albini! Me rëndësi që këtyre tokave më në fund t’u shkundet hiri dhe mjegullnaja shekullore e padrejtësive dhe e injorancës e dembelizmit dhe hileve! – Po fliste pa frymë nënë Prena!
-Po si nuk e ditke moj! Çamëria iu mor grekut, Struga, Ohri e Manastiri u bën prap tonat, Ulqini, Plava e Gucia e deri në Sanxhak mooojjj! Përplaste duart ajo tërë entuziazëm duke hapur edhe më sytë e saj që i shndërisnin nga knaqësia e lajmeve që po më jipte!…
Oh… ishte ofshama ime kur pak më tutje pashë një grumbull ekspertësh detar që po u mbanin lekcione fëmijëve nga Lypjani i Dardanisë!
Edhe Kosova tashmë kishte ndërruar emrin sllav me ate autokton! Nga Kos- ishte bërë Dardhë – ashtu sic kishte qenë që nga lashtësia e saj!
Pa-pa-pa! S’po mund të vija në vete! Qenka përmbushur shpejtë peticioni i para ca ditëve… po thosha me vete!
Është kjo e gjitha e vërtetë nëna Prengë-përplasja qepallat e mia si krahët e pulbardhave muzgut mbi Adriatik!
– Për Kishën e Laqit po! – po thoshte ajo tërë shend e verë!
– Sorry Lady! Can You to explain us … mu kishte drejtuar një zotëri me kapele ngjyrë ari!
Donin të gjenin vendin ku do të vinin themelet e fabrikës së barnave nga bimësia origjinale e shkrepave të Shqipërisë anekënd!
-Do të punësohen me dhjetëra ekspertë farmacie që sapo kishin mbaruar studimet e tyre.
Pra, rinia le që do të kishte perspektivën e saj me dhjetëra vende pune, por po ktheheshin edhe të gjithë ata studentë shqiptar që kishin studiuar në filan e filan fakultete të Londrës, Berlinit, Vjenës e gjetiu!
Uauu! Kjo nënkuptonte që do më kthehej edhe biri im! Vajza veç ishte kthyer nga qyteti i studimeve të saj në Gjermani, por që ende nuk kishte nevojë vendi për dijen e saj! Dmth, tani ajo do të hap lëndën e saj dhe studentët në vend që të shkojnë në Firenze, do të studiojnë të njëjtën lëndë në Prishtinë.
Mrekullia vet! Po flisja ndër dhëmbë!
– Vendi juaj veç është bërë shembull për kujdesin ndaj rinisë! Produktet tuaja janë bërë të njohura në gjithë tregun europian dhe do të ketë përplot student anekënd europës që do të vijnë të studiojnë nëpër Universitetet tuaja! Keni bregdet të virgjër ju! Duhet eksploruar ky! – Po thoshte maqedonia që kisha takuar dje teksa po ecte për shtat palë qejfe përgjatë valëve të trazuara të detit kaltrosh!
-Pooo – zgjaste zërin një zotëri tjetër që me vëmendje kishte dëgjuar bisedën e saj! Me gjermanishten e tij nga Bajerni, aty-këtu kriposte bisedën edhe me ndonjë fjalë shqipe që kishte mësuar këtyre maujve sa kishte qëndruar në malin e Thethit! Do të ketë ujë bjeshke të lartë e gjithë krahina ime në Gjermani! Keni ujvara sikur Niagara! – Thoshte ai duke qitur në pah dhëmbët e tij si rruza të qelibarta! Këtu do të vërshojnë turistët! Do të hapen qendra rehabilitimi për të shkundur depresionin e mykur në ajrin e pastërt që ka Shqipëria !
Çfarë thoni ore!! – mahnitesha unë pa i akceptuar të gjitha këto që fliteshin rreth meje!
– Teksa po mundohesha të ktheja kokën anash me shpejtësi dhe të shihja sportistët gjatosha që po vraponin përbri meje duke bërë stërvitje për kampionatin botëror që përfaqësonin kombëtaren andej e këndej Drinit, seç më ushtoi në kokën time një zë që më ngjau si një shkëmb gjigand që po rrokullisej me gjëmë teposhtë nga majet e Tomorrit plak!
– Hummm – Hummm … po lehte qeni I Letes….
Uauuuuuu … po fërkoja sytë me dëshpërim!
Paskan qenë një ëndërr … dhe duke i zvarritur këmbët mbi rërë, po shkundja xhyben e mbushur rërë…
Nga larg dallova siluetën e nënë Prengës që kishte mbushur duart me ca kokrra vezë fshati e hudhra bashqeje tërë gaz e knaqësi që do të kalonim ca orë të mesditës bashkë duke shpalosur storie nga jeta e saj në koperativë për 40 vjet me radhë, dhe nga kjo mosha e tretë në plazhin buzë detit, i cili llafosjet tona mbështillte me pëlhurën e tij kaltroshe….
Postime të Lidhura
DR.JAKUP KRASNIQI: DEBATI I ‘KOMANDANTËVE’ ZHVENDOS PROBLEMET REALE TË SHOQËRISË SHQIPTARE
Prishtinë, 14. 03. 2016: Ka kohë, mbase edhe vite që në shoqërinë shqiptare nuk është organizuar një debat…
PROF. ASOC. DR. VANGJEL KICI: NAFTA PËR ZHVILLIM NË SHQIPËRI (SIPAS PROGRAMIT TË NORVEGJISË PËR QEVERISJEN E MIRË TË NAFTËS DHE GAZIT!)
Toronto (Kanada), 27 prill 2018: Nafta dhe gazi në Norvegji janë pronë shtetërore. Ato janë në shërbim të…
KUSHTËZIM I VIZAVE NGA FRANCA DHUNON LIBERTE, EGALITE DHE FRATERNITE!
KUSHTËZIM I VIZAVE NGA FRANCA DHUNON LIBERTE, EGALITE DHE FRATERNITE! Nga Behxhet Shala BAJGORA, Prishtinë, 16. 10. 2022…
REXHEP KASUMAJ: DISTANCË …
Berlin, 22 qershor 2018: 1. Përherë jam përpjekur t’a shoh në sy, por e vërteta ka rastisur t’më…