TEUTA KAMBERI’LLALLA: ABETARJA, LIBRI I SHENJT I NDALUAR PËR NXËNËSIT SHQIPTAR NË MAQEDONI

(Tetovë, 16. 11. 2012) – Lëvizja e Re “Programi Unik Shqiptar”, me qendër në SHBA dhe degët e saj në Europë pasi u njoftua me skandalin e mungesës së librit të Abetares në Maqedoni ka nisur fushatën: “Abetare për të gjithë nxënësit shqiptar në Maqedoni”. Kjo iniciativë ka për qëllim që të sigurohen rreth 9.000 copë Abetare që edhe vogëlushët shqiptar në Maqedoni të mësojnë me Abetaren ashtu siç mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, Kosovë, Preshevë dhe në Diasporë. Vetëm nxënësit shqiptar në Maqedoni nuk u është mundësuar që edhe këta si të gjithë shqiptarët të mësojnë shkronjat e para me librin e dashur me emrin ABETARE. Pra, fjala ABETARE u mungon sot vogëlushëve, kjo fjalë është hequr pa të drejtë për tu mësuar nga këta nxënës të shkollave fillore. Kjo jo për faj të ndarjes territoriale, por për faj të politikanëve të dobët shqiptar. Këta politikanë harrojnë se në Maqedoni u vendos Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës shqipe, prandaj është ofendim i rëndë që vetëm vogëlushëve shqiptarë në IJRM tu mohohet mësimi me Abetaren mbarëkombëtare.

Sot si pasojë e politikës diskriminuese nxënësve shqiptar u mungon libri bashkë me termin Abetare e cila është simbol i sakrificës i shumë pishtarëve të arsimit. Brez pas brezi ne kemi mësuar shkronjat e para me librin Abetare, që nga gjyshërit tanë dhe deri pak vite më parë, ndërsa sot fëmijët tanë nuk e gëzojnë të drejtën për të mësuar A, B, C me librin e quajtur ABETARE.
Historiku i Abetares së gjuhës shqipe fillon në vitin 1844, atëherë kur Naum Veqilharxhi botoj Abetaren e parë, dhe që atëherë janë botuar rreth 150 modele të ndryshme të shtypura në disa vende të Europës si në Bukuresht, Stamboll, Bruksel, Vjenë, Sofje, Napoli, Selanik, Athinë, Paris, Milano, Bari, Konstancë, Aleksandri etj. Autorë të këtyre Abetareve kanë qenë Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri, Gaspër Benusi, Jani Risto Terova, Paraqshqevi Simaku, Luigj Gurakuqi, Jani Minga, Mati Logoreci, Simon Shuteriqi, Jashar Erebara, Nikoll Lako, Qamil Guranjaku, Aleksandër Xhuvani, Mehmet Gjevori etj. Këta autorë kanë pasur njohuri të thella metodike dhe analitike, duke e pasuruar dhe përshtatur Abetaren ndër vite, deri në ditët tona. Abetarja e gjuhës shqipe ka një jetë të gjatë mbi një shekull e gjysmë, një rrugë plot vështirësi dhe luftë duke lënë gjurmë në historinë, në arsimin dhe kulturën tonë. Ajo ka krijuar traditë në pedagogjinë e arsimit fillor duke zënë vend të merituar, me plot gojë mund të thuhet se Abetarja është libri i shenjtë i gjuhës shqipe. Pra ky libër ka qenë dallëndyshja e parë ku çdo shqiptar ka mësuar ABC e gjuhës së bukur amtare. Si një dallëndyshe e parë Abetarja u luftua ashpër nga armiqtë e kombit dhe arsimit shqip, prandaj ky libër edhe u vu në listën e botimeve të ndaluara për shumë vjet në shek.XIX. Në disa raste u dogj, u dhunua, autori i parë i saj Naum Veqilharxhin e helmuan dhe u përpoqën në mënyra të ndryshme që librin e tij ta zhduknin. Dëshmorë të tjerë të Abetares shqipe janë Anastas Kullurioti, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Koto Hoxhi etj. Lufta kundër Abetares bëhej në emër të pushtuesit, në emër të injorancës, të fanatizmit, të prapambetjes, të antishqiptarizmit. Por sërisht ky libër i mësimit të gjuhës shqipe mbijetoj. Lufta për të mbrojtur këtë libër ishte më e fortë se dëshirat e armiqve të kombit shqiptar, dëshira për mbijetësën e Abetares ishte më e madhe se dhuna që ushtrohej mbi të gjithë ata që merreshin me të nga përgatitjet, botimi, e deri te shpërndarja e saj.
Abetarja jonë është tekst mësimor i lidhur kaq gjatë dhe ngushtë me historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare. Kjo, padyshim, është si rrjedhojë e funksionit dhe rolit që luajti në Rilindjen Kombëtare në luftën për çlirimin kombëtar nga errësira e pushtimit të gjatë osman.
Sot ky libër ashtu si në shek.XIX është i ndaluar në Maqedoni për nxënësit shqiptar, pra me një taktikë diskriminuese qeveritë sllavo-maqedonase në bashkëpunim me shërbëtorët e tyre tradhtar shqiptar e kanë hequr nga qarkullimi librin e Abetares pa të drejtë, ky është një atentat flagrant që i bëhet gjuhës shqipe dhe klasa jonë politike hesht, heshtë edhe shteti Amë, heshtim të gjithë përpara zhdukjes së termit ABETARE. Kjo vetëm për nxënësit shqiptar në Maqedoni të cilët me Kushtetutë të Republikës së Maqedonisë janë pjesë e kombit shqiptar. Fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë nuk do mund ta këndojnë asnjëherë këngën Abetare fort të dua, Me ato shkronjat e tua, Dora ime u mësua, Mendja ime u ndriçua, Kam mësuar të lexoj, Shkruaj bukur, recitoj…, nuk do të festojnë “Festën e Abetares”, atë festë ku të gjithë fëmijët e brezave të shkuar përgatisnin një program me vjerrsha e këngë për prindërit, ku së bashku përcillnim Abetaren e dashur që na kishte mësuar shkronjat. Në fund, shfaqja mbyllej me ardhjen e mikut të ri “Leximit” dhe gjithë librave të tjerë…

Naum Veqilharxhi – ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. 

Çfarë krimi është bërë me heqjen e këtij libër, ndërpriten urat e kaluarës me të tashmen, shlyhen gjurmët e sakrificës dhe përpjekjet e popullit shqiptar për ta mbajtur të gjallë gjuhën tonë. Nuk e ka të drejtën morale dhe politike askush të zhduki nga fjalori i gjuhës shqipe termin ABETARE, të zhduki librin me këtë emër, atë libër që është derdhur gjak. Prandaj zëvendësministri i arsimit z.Safet Neziri dhe shefat e tij politik nëse i thonë vetës shqiptar, nëse ndihen vërtet shqiptar, nëse në venat e tyre kalon gjak i pastër shqiptari, atëherë duhet urgjentisht të lirojnë nga robëria librin e Abetares për vogëlushët tanë në Maqedoni të cilët duhet të ndihen të barabartë me bashkëkombësit e tyre në Tiranë, Prishtinë, Preshevë, Diasporë e kudo.
Klasa jonë politike në Maqedoni po toleron shumë viteve të fundit në çdo drejtim. Nuk e kam fjalën për Flamurin shqiptar i cili nuk po qenë rehatinë, vendin që i takon me nder, por shqiptarët po ofendohen në çdo aspekt si komb në librat shkollor fillorë dhe të mesëm. Sot shqiptarët mësojnë në gjuhën shqipe ofendime nga më të ndryshme ndaj kombit dhe gjuhës së tyre dhe askush më nuk po ju thotë NDAL këtyre botimeve të shëmtuara edhe pse në Kushtetutën e Maqedonisë ka një Ligj që ndalon diskriminimin racor dhe fetar. Prandaj ne si Lëvizje e re në SHBA, Programi Unik Shqiptar do të punojë për tu siguruar nxënësve të klasave fillore librin e dashur, Abetaren e gjuhës shqipe falas deri sa përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Maqedonisë dhe në qeveri bashkë me zëvendësministrin e arsimit të bëjnë përpjekje që emri ABETARE të zyrtarizohet. Nuk është e drejtë që libri me emrin ABETARE të zhduket të zëvendësohet me një emër tjetër vetëm për fëmijët shqiptar në Maqedoni. Shqiptarët vërtetë janë të ndarë territorialisht në disa shtete, por ne jemi të gjithë vllazën të një gjaku dhe gjuhe prandaj nuk duhet të tolerojmë që në foshnjore të na ndajnë dhe të mësuarin e gjuhës amtare.
– Autorja është Kryetare e Programit Unik Shqiptar (PUSH) në Maqedoni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura