Kosova e veshur në petkun festiv e pret Zonjën e Madhe, përfaqësuesen e shtetit më të fuqishëm të botës, Sekretaren e Shtetit amerikan Hillary Klinton. Kosovën hallemadhe, por të lirë e të pavarur e viziton mikja ambasadore e paqes dhe urtësisë, për të rikonfirmuar edhe një here mbështetjen e madhe amerikane për shtetin e Kosovës. „Amerika kurrë nuk do t’ju lë vetëm, gjithmonë do të jemi me ju“ i kishte premtuar Hashim Thaçit (përfaqësues politik i UÇK’së në atë kohë) ish’Sekretarja e Shtetit znj. Medllin Ollbrajt më 1999 gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës në Rambuje. Ishte kjo koha kur populli i Kosovës po rrezikohej edhe me zhdukje fizike nga gjakësorët serb. Por, administrata amerikane e presidentit Bill Klinton e bashkoi botën demokratike në krye me NATO-n, për t’i dhënë fund gjenocidit millosheviqian në Ballkanin Perëndimor të Evropës Juglindore. Për t’i dhënë fund eksodit biblik të largimit me dhunë të shqiptarëve nga tokat e tyre etnike.
Sot Kosova e shpallur shtet demokratik, e mirëpret si ambasadore dhe heroin të veten Sekretaren e Shtetit, znj. Hillary Klinton, bashkëshorten e ish’presidentit amerikan Bill Klinton i shpallur tanimë shpëtimtar dhe hero i popullit të Kosovës. (Foto: Bill Klinton dhe Hillary Klinton në kampin e refugjatëve shqiptar në Maqedoni – 1999) Kjo është ditë feste për ne. Ditë e respektit, nderit dhe krenarisë. Ditë e lartësimit të vlerave të lirisë, barazisë dhe demokracisë, vlera këto të çmuara, dhe zgjeruara ndër popujt e botës nga shteti më demokratik në planet Amerika.
Hillary Diane Rodham, e lindur më 27 tetor 1947 në Çikago, qysh herët ishte dalluar me veprimtari kombëtare duke u rrekur problemeve të ndryshme që e preokuponin shoqërinë. Si grua, nënë dhe Zonjë e Parë, ka dhënë kontribut të veçantë në avancimin e të drejtave të grave dhe fëmijëve, pa lënë anash edhe iniciativën e saj për të nxitur pjesëmarrjen e gruas në politikë kudo në shtetet e tyre nëpërmjet shoqatës jo qeveritare „Voices Vital”. Dy here është emëruar si një ndër gratë juriste më me ndikim në Amerikë. Përderisa nga amerikanë të shquar është vlerësuar si aktiviste dhe dijetare më e rëndësishme e dy dekadave të fundit. Që nga viti 1993-2001, si Zonjë e Parë i printe reformës kombëtare për kujdesin shëndetësor. Ajo kërkonte nga punëdhënësit të mbulojnë kujdesin shëndetësor për punonjësit e tyre. Edhe pse iniciativa e saj nuk u përkrah nga kongresi amerikan, me 1999 ajo arriti të realizoj sigurimin shëndetësor për fëmijët e familjeve të varfra. Politikat mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe të popujve të shtypur, Hillary do t’i shkallëzoj edhe më tej si senatore e New York-ut që nga viti 2001 deri më 2009. Kurse më 2008, do të kandidojë për presidente të SHBA’ve, si kandidate e partisë demokratike. Hillary Klinton në fushatën presidenciale nuk mori vota të mjaftueshme për presidente të SHBA’ve, por u shpall si gruaja më e votuar ndonjëherë në Amerikë. „Unë kam dalë në tribunë si përkrahëse e Barak Obames“ do të shprehej Hillary Klinton në fjalimin e saj shumë të popullarizuar. Ajo i ftoi votuesit që ta votojnë kundër kandidatin e saj Barak Obamen për president të SHBA’ve, të vetmin kandidat nga radhët e partisë demokratike, duke treguar unitetin e partisë demokratike dhe dëshmuar kulturën e lartë politike në demokracinë amerikane.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Klinton po e viziton Kosovën pas dhjetë viteve të çlirimit nga pushtuesi serb. Me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ajo në ditarin e saj do të shkruan: “po lindë një shtet i ri në vendin e Dardanëve të vjetër”. Shqiptarët e Kosovës thotë ajo u bën të njohur sidomos në vitet e ’80 me protestat dhe gjakun e tyre, duke u dalluar me luftën e tyre çlirimtare të viteve të ’90. Që nga marsi e deri në qershor të vitit 1999 në gazetën ‘Washington Post’ Hillary Klinton në shkrimet e saja javore për temë kryesore pati Kosovën. Dhe jo vetëm kaq. Në rrugëtimet nëpër botë si Zonjë e Parë, përkrah bashkëshortit të saj, Bill Klinton, në vazhdimësi do ta ngrehë zërin në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe ftonte autoritetet e rëndësishme që të mos lejojnë „persekutimet e hebrenjve të përsëriten në Kosovë“. Ajo çdo here diti të lidh ura miqësie mes popujve, në veçanti diti të ngjall shpresën e lirisë ndër shqiptarët kosovar.
Kur masakrat dhe krimet serbe në Kosovë mbuluan kanalet televizive të botës, znj. Klinton udhëtoi drejtë kampeve të refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë për t’i parë dhe dëgjuar për së afërmi tmerret e përjetuara të shqiptarëve. Më vonë ajo do të shkruan: „me sytë e mi i kam parë dhe dëgjuar vuajtjet e refugjatëve kosovar. Ata si bagëti grumbullohen nga policia serbe në qendër të qytetit dhe shtien me plumba mbi ta“. E tmerruar me ato që kishte parë e dëgjuar ajo do të shkruan me ndjesinë më të veçantë se si i faniten fytyrat e fëmijëve të vuajtur kosovar. Dhe përkundër të gjithave shton ajo, të gjithë refugjatët kishin një dëshirë. Të kthehen në Kosovën e tyre!
Sot, Hillary Klinton pas dhjet viteve përsëri i viziton shqiptarët e Kosovës. Por, kësaj here jo në kampet e refugjatëve, por në shtetin e ëndërruar të tyre. Pavarësia e Kosovës është shpallur legjitime nga GJND’ja. Ky legjitimitet është aprovuar edhe me rezolutën e AP të OKB’së. Përkundër të gjithave edhe më tutje Republika e Kosovës sulmohet nga bandat serbe, në çdo pjesë të territorit të saj. Gazeta „Dello“ e Lubjanës këto ditë shkruan se „Sekretarja amerikane po e viziton Kosovën në një kohë krize të brendshme pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të shtetit, për shkak të shkelje së kushtetutës“. Qëllimi i vizitës së znj. Klinton në Kosovë dhe rajon shton gazeta, është „fillimi i bisedimeve ‘teknike’ mes serbëve dhe shqiptarëve që duhet të bëhen me ndërmjetësimin e BE’së, të përcaktuar me rezolutën e AP të OKB’së, ku roli i SHBA’ve nuk është i përcaktuar“.
Por, për shqiptarët e Kosovës vizita e Sekretares së Shtetit znj.Hillary Klinton ka kuptim krejt të ndryshëm me ato që shkruhen e thuhen nëpër gazeta të ndryshme. Në rend të parë vizita e zjn. Klinton në Kosovë, në zemrën e çdo familjeje shqiptare do të zgjon kujtimin e dorës së zgjatur, të përkrahjes e solidaritetit nga miqtë e në veçanti ata Amerikan në çastet e përballjes me tmerret nën holokaustit millosheviqian. E sa i përket rolit të SHBA’ve lidhur me çështjen e Kosovës, ai tanimë është i vulosur që në Rambuje! Për çdo shqiptar kosovar Amerika dhe Kosova kanë një kuptim në emërtim. Prandaj, Kosova e veshur me petkun festiv, madhërishëm e pret miken e saj të madhe, Sekretaren e Shtetit znj. Hillary Klinton, që siç thotë edhe vet bashkëshorti i saj, Bill Klinton: „Ajo di më mirë se të gjithë t’i mbledh njerëzit bashkë rreth çështjeve të vështira dhe t’i qojë punët deri në fund“.
Lubjanë, 09. 10. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.
Postime të Lidhura
DR.ARBEN HOXHA: FLAMURI KOMBËTAR SI VULLNET DHE SI PËRFAQËSIM
Prishtinë, 3 Dhjetor 2018: Hyrje Këtë 28 Nëntor e festuam në një vit jubilar festash kombëtare: në vitin…
UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (12)
UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (12) Nga Nafi Çegrani, Pashtriku 17 korrik 2022 UDB-A DHE SPIUNAZHI JUGOSLLAV NË…
GLAUK KONJUFCA: KRYEMINISTËR, BETOHUNI PËRPARA FLAMURIT SE NUK DO TË PRANONI KURRFARË AUTONOMIE PËR VERIUN
(Prishtinë, 16. 11. 2012) – Z. Kryeministër, sot unë këtu me vete kam sjellë një flamur kombëtar të…
HAZIR MEHMETI: PROMOVIM FESTIV NË AMBASADËN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË VJENË TË AUSTRISË
Vjenë, 1 Dhjetor 2018: Albumi Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, vepra e dhjetë e Prof. Dr. Eqrem Zenalaj…