ME SHKAS: MARSHI BARBAR I, PLANI I VOJISLLAV SHESHELIT I VITIT 1995 PËR KOLONIZIMIN E KOSOVËS (I)

ME SHKAS: MARSHI BARBAR I

PLANI I VOJISLLAV SHESHELIT I VITIT 1995 PËR KOLONIZIMIN E KOSOVËS (I)

Nga Mustafë Xhemaili, Pashtriku 09. 11. 2022

Pas vetdaljes të zyrtarëve serbë nga mekanizmat udhëheqës shtetërore të Republikës së Kosovës, të katër komunave në Veriun e vendit, dhe nga Qeveria qendrorer, si dhe pas dorëzimit të 10 mandateve të deputetëve të “Listës serbe” (SL), të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u shpërfaq edhe parulla gjigante që kanë vendosur serbët në Mitrovicën e Veriut: OVO JE SERBIA! Kjo parullë gjithmonë ka shprehur, thelbin e politikave gjenocidale të pushtuesve serbë në Kosovë. Beogradi më në fund e shpalli thelbin e programit të vet të pushtimit të Veriut të Republikës së Kosovës.

Plani për RIKOLONIZIMIN E KOSOVËS I VITIT 1995, është hartuar nga Vojisllav Shesheli, njëri prej politikanëve më të shquar që kishte Serbia, (trashëgimtar i denjë i të cilët sot është Aleksandër Vuqiqi, dhe  nxënës i devotshëm i Millosheviqit). Aty janë paraqitur kërkesat themelore të Serbisë ndaj Kosovës. Serbia, nga ai Plan, edhepse e ka humbur luftën me armë në terren me Kosovën, në tavolinat diplomatike ka arritur tashmë ta ruaj, ate çka ka mundur ta shpëtoj: thelbin e Planit. Ajo edhe pse e humbi Kosovën, u arrit të futet dhe vendoset terminologjia politike dhe diplomatike nëpër kancelaritë evropiane, madje edhe ato anglo-amerikane: kompromis me njohjen reciproke, përmes dialogut Prishtinës-Beogradi!

Mund të mos jetë larg kur, Presidenti Biden, ashtu siç kërkoj sot nga Kievi të ulet sa më shpejt e të bisedoj me Moskën për të vendosur paqen, të kërkoj shprehimisht edhe nga Prishtina të ulet më shtruar me Beogradin dhe të përfundoj menjëherë dialogun, duke u realizuar kompromisi dhe njohja reciproke!!

Shesheli në vitin 2018 e ka shprehur katërcipërisht thelbin dhe ambicjen e politikës së Serbisë ndaj Kosovës. Ai në një postim në Twiter ka thënë shprehimisht: “Duhet të punojmë gjatë kësaj kohe me modernizimin e ushtrisë dhe armatimit për të qenë gati për rimarrjen e Kosovës pas rënies së NATO-s. Ndërkohë, duhet që nën kontroll të fortë serb, ta mbajmë një pjesë të Kosovës.”. Pra “ta mbajmë një pjesë të Kosovës” – ky është KOMPROMISI, ndërsa NJOHJA nga Serbia, mund edhe të mungoj!

E dhimbshme dhe krejt e padrejtë, NËSE sakrifikohet edhe një herë Kosova për gjeopolitikat e reja në Ballkan edhe me një Ahtisar II.

Sot po postoj një Kolumne me titull MARSHI BARBAR, që e kam shkruar dhe botuar më 1995 në shtypin e kohës si dhe në librin tim publicistik,“Publicistika kryengritëse”, të botuar nga KOMBI, Prishtinë, 2010.

Ndërsa, duke pasur interesin për të riaktualizuar dhe mbajtur në vemendje qëllimet e Serbisë së sotme ndaj Kosovës që ka shprehur vazhdimisht me plane dhe projekte të veçanta pushtuese, kolonizuese dhe shfarosëse, do ta postoj të nesërmen, PLANIN E SHESHELIT TË VITIT 1995 PËR RIKOLONIZIMIN E KOSOVËS.

***

KOLUMNA:

MARSHI BARBAR

Titulli i këtij shkrimi është titulli i poezisë së poetit Sabri Hamiti nga libri KaOSMOS. Barbarët kësaj radhe po marshojnë mbi traktorë. Po marshojnë barbarët modernë të kohës sonë mbi Kosovë me kolona të motorizuara, jo si dikur në tufa këmbësorësh e mbi kuaj të stepave plot lesh të gjatë kur erdhën e u derdhën mbi Iliri.

Rikolonizimi më i ri i Kosovës me kolonët serbë po arrin kulmin. Në bazë të njohjes së rrethanave dhe gjendjes politiko-strategjike të Serbisë mbi Kosovën, nuk u besoj thënieve TONA, e as atyre të HUAJAVE se kolonët po i sjellin me dhunë në Kosovë! Përkundrazi. Ata vijnë me dëshirë dhe qëllime të caktuara qysh me kohë. Ndonjë, apo grup i parëndësishëm prej tyre mund të protestojë dhe të thotë se nuk dua të shkoj në Kosovë. Kjo s‘ka rëndësi fare, kur në Kosovë janë planifikuar që, sëpaku, të vendosen 20.000 kolonë.

Partitë politike, Presidenca, Parlamenti që nuk funksionon, as grupet parlamentare, as militantët marksistë-leninistë, as enveristët, as ballistët as… në Kosovë, deri tash, nuk kanë krijuar mundësi dhe pozicion për të bërë sot diçka kundër kolonizimit më të tmerrshëm që ka parë Kosova që prej dyndjes së barbarëve sllavë në shekullin e VI-VII dhe VIII-të të Epokës së Krishtit mbi tokat e iliro-arbëreshe të Gadishullit Ilirik. Pikërisht në këtë kohë, thonë, se luftuan me invaduesit barbarë ushtritë e Mujsit dhe Halëyllit (Mujit e Halilit). Nga ata shekuj të largët neve na mbetën legjendat kurse barbarëve tokat e Ilirisë. Ndërsa sot, a mos po vjen ajo kohë kur do të konstatojmë se pak do të kemi mundësi t‘u lëmë brezave legjenda e edhe më pak tokë nga toka e Kosovës!

Të theksoj menjëherë këtu se shqiptarët nëpër partitë, degët e nëndegët brenda në Kosovë dhe diaspora janë në plazhe e hije dushku fshatrave e rreth lumenjve dhe kanë «harruar» të bëjnë protesta, demonstrime rrugëve të Kosovës dhe para ambasadave e konsulatave të Serbisë nëpër Evropë! Ndërsa, nënkuptohet vetvetiu se ndonjë protestë publike në Kosovë me një formë dhe përmbajtje adekuate për këtë rast, sigurisht me rreziqe dhe sakrifica të mëdha, do të kishte një efekt të jashtëzakonshëm për të tërhequr vëmendjen e faktorëve dhe qendrave të vendosjes në Evropë dhe Amerikë.

Por po ndodhë e kundërta. Gjithë propaganda e Kosovës kundër këtij krimi e gjenocidi të Serbisë mbi etnicitetin e Kosovës, mjerisht, do të përfundojë ashtu siç filloi: me protesta verbale e të shkruara përvajshëm, por bukur, mbi letrën e bardhë dhe faqet e gazetave.

Serbia e ka planifikuar me kohë dhe me institucionet e saj të specializuara për Kosovën ka arritur t‘i dijë saktësisht të gjitha këto, prandaj edhe nuk shqetësohet nga protestat verbale e me shkrim që bëhen.

Pas vendosjes së kolonëve, do të konstatojmë me keqardhje: Ne shqiptarët përsëri u vonuam dhe situata na gjeti të papërgatitur.

Ndërsa sa i përket kërcënimit të Amerikës për «shkeljen e vijës së kuqe në Kosovë», nga ana e Serbisë, kryetari Klinton le të rrijë i qetë: Vija e kuqe nuk do të shihet e gjendet më as nga aeroplanët spiunë, sepse kolonët serbë që deri dje bënë luftë «krajshnikësh» për Serbinë e Madhe, tash, me kolonat e tyre të pafund, zhag e zhag, e kanë fshirë përgjithmonë atë vijë të kuqe, duke e shndërruar në litar për varje për veten dhe për shqiptarët.

Por unë më shumë e kam drejtpërdrejt me qeverinë e Shqipërisë, me studentët e dhjetorit 1990, me shoqatat dhe partitë e panumërta. Gjenocidi kolonial mbi Kosovën vazhdon me një stihi të paparë. Toka e Kosovës është toka e Shqipërisë: «është zemra e Shqipërisë» dhe jo «zemra e Serbisë». Ndërrimi etnik i Kosovës po merr tash anën tragjike të saj. Drejtpërdrejt sot preken rëndë interesat më vitale të kombit tonë në Ballkan. Ndërrimi me dhunë i strukturës së popullsisë përmes kolonizimit është i ndaluar me akte ndërkombëtare, në bazën e të cilave Shqipëria mund ta ngrisë zërin, madje të kërcënohet edhe me përdorim force.

Në Tiranë është Ambasada e Serbisë, domethënë e Millosheviqit, domethënë e pushtuesit të Kosovës. Studentët, qytetarët, politikanët, partitë, shoqatat duhet të ngrihen dhe të bëjnë demonstrata para Ambasadës serbe në Tiranë, të kërkojnë mbylljen, largimin e saj nga Tirana si kundërpeshë të gjenocidit më të ri etnik në Kosovë. Pse jo! Vetëm kështu mund të internacionalizohet dhe sensibilizohet shumë më shpejt dhe në mënyrë efikase problemi aktual i Kosovës, pra i kombit tonë. Të bëjë presion të drejtpërdrejtë Ministria e Jashtme e Shqipërisë përmes demarsheve; të ftojë ambasadorin serb që t‘i japë notë proteste etj. Fundi i fundit, ajo ka të drejtë, dhe aq mundësi të menjëhershme, që Serbisë t‘ia kushtëzojë punën e Ambasadës në Tiranë, me ndërprerjen e menjëhershme të valës së kolonëve serbë mbi Kosovë dhe mjaft mënyra të tjera që i di shumë mirë, dhe të cilat i ka në fushëveprimtarinë e vet Qeveria e Shqipërisë.

Vetëm Protesta e Shqipërisë e datës 18 gusht, e cila u vu në qarkullim në Selinë e OKB-së nga ambasadori Pëllumb Kulla, është veprimi më i qëlluar në gjithë këtë heshtje kombëtare dhe ndërkombëtare. Por, kjo Protestë derisa të marrë forcën vendimore obligative, do të jetë shumë vonë: brenda kësaj jave, anekënd Kosovës do ta vërshojnë sëpaku 20.000 kolonë serbë.

Forcën diplomatike Qeveria e Shqipërisë duhet ta përdorë deri në fund në mënyrë urgjente dhe energjike , duke protestuar me forcë dhe paraqitur kushtëzime deri në acarimin kulmor të niveleve ndërshtetërore dhe rajonale. Me sa di unë, bashkë me Luftën e Ftohtë, tashmë në Shqipëri ka rënë, edhe teza bllokuese «e mospërzierjes në punët e brendshme të Jugosllavisë».

Nëse ende vlen kjo tezë, dikur e shndërruar në parim, së shpejti refugjatët kolonë serbë, Shqipëria do t‘i ketë në mes të Tiranës, ashtu siç kërkon të bëhet, politikani dritëshkurtër Neritan Ceka! Madje, kolonët serbë, me ndihmën e mikut të tyre Ceka, do të vendosen edhe në pesëmbëdhjetëkatësh si dhe në plazhet e Durrësit, sepse janë lodhur dhe djersitur nga rruga e gjatë, nga marshi i mundimshëm, por i lavdishëm barbar!

Gazeta “Bota sot”, 20 gusht 1995, Cyrih

***

(Nga libri “PUBLICISTIKA KRYENGRITËSE”, botoi, KOMBI, Prishtinë, 2010)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura