Edhe kësaj here Kosova u kurorëzua me fitore në përballjen e saj diplomatike me Serbinë. Botë e qytetëruar demokratike e detyroi Serbinë të gjunjëzohet para realitetit të shtetit të Kosovës, më 9 shtator 2010, duke e miratuar rezolutën e BE’së në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Pas shpalljes legjitime të pavarësisë së Kosovës nga GJND’ja, edhe A.P e OKB’së, nëpërmjet rezolutës të miratuar nga përfaqësues të të gjitha vendeve anëtare, përfshirë edhe Serbinë, e rikonfirmoi, duke e vulosur përfundimisht legjitimitetin e shtetit të Kosovës. Sa do që Serbia po deklarohet se rezoluta e miratuar përmban qëndrim neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, ajo edhe vet e ka të qartë se në rezolutë është saktësuar respektimi i mendimit këshillëdhënës të GJND’së. Edhe Rusia, aleatja tradicionale e Serbisë, e lodhur nga lojërat konfliktuoze e votoi rezolutën. Dozë e theksuar dëshpërimi kundrejt politikës serbe nga ana ruse ishte vërejtur edhe gjatë bisedimeve në Rambuje, kur Ministri i Jashtëm rus Ivanov, në përpjekjet e tija për ta bindur Millosheviqin që ta nënshkruaj marrëveshjen, pas një takimi me te krejt i dëshpëruar, ishte deklaruar se: ‘nuk kishte parë tjetër përveç se idiot të gatshëm për të filluar luftën’. Gjithsesi unifikimi i qëndrimit rus me shtetet e tjera për çështjen e Kosovës është arritje diplomatike.
Serbia besoi dhe investoi në diplomacinë e saj ngatërrestare e përçarëse, duke nxitur thyerje në mesin e bashkësisë ndërkombëtare rreth çështjes së Kosovës. Mbështetej sidomos në 5 shtetet anëtare të BE’së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por ndodhi e kundërta. Brukseli i obliguar edhe me Kartën e Lisbonës, për një politikë të jashtme të përbashkët, i harmonizoi qëndrimet me 27 vendet anëtare nëpërmjet rezolutës, ku respektohet legjitimiteti i shtetit të Kosovës. Nuk ka dyshim se Brukseli kësaj here tregoi kujdesin më të veçantë për ti dhënë fund konflikteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e përmbyllur përfundimisht diskutimin për statusin e Kosovës. Mediet e huaja suksesin e arritur e vlerësuan si ‘rezultat shekullor’. Kurse Serbia po i fsheh popullit të vet të vërtetat e rezolutës duke e komentuar sipas dëshirës së saj dhe proklamuar fitore gjatë dialogut me Kosovën.
E në realitet pas fjalës ‘dialog’ qëndron i tërë pazari i Serbisë me BE’në. Borxhet, korrupsioni, krimi i organizuar, kohëve të fundit gjithnjë e më shumë (edhe rritja e pakënaqësive të minoriteteve në Serbi), e kanë futur atë në rrugë pa dalje. Këto janë arsyet që e detyruan Serbinë ta pranoj rezolutën e plotë nga BE’ja, ku respektohet legjitimiteti i shtetit të Kosovës, duke startuar me shpresë një fillim të mbar, drejtë normalizimit të politikës së saj. Por, patjetër se nuk përjashtohet edhe ndonjë koncesion dhënë nga Brukseli për ta nxjerr Serbinë nga katrahura ku ndodhet.
Kurse dialogu i paraparë mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin aq shumë po flitet edhe në Kosovë nga medie dhe individ me qëllime të caktuara, po përdoret si shantazh kundër Qeverisë dhe shtetit. Duhet ditur se ky dialog i çfarëdo niveli çoftë, asgjë të keqe nuk mund t’i sjellë Kosovës, me pozicione tani më të përforcuara në të gjitha drejtimet. Përkundrazi ky dialog vetëm sa do ta afirmon shtetin tonë. Dialogu ndër fqinjësor është një ndër standardet për t’u integruar në BE kah është e orientuar Kosova. Pastaj, askush nuk mundet ta detyroj Qeverinë tonë të dialogojë me Serbinë. Ajo vet do t’i përcaktoj konditat apo dhe dëshirën për dialog.
Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës së pavarur dhe demokratike është i paprekshëm dhe i pacenueshëm si kurrë më parë, sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare. Brezi ynë është i lumtur dhe krenar për fitoret e Kosovës. Me përulje dhe respekt i kujtojmë të gjithë ata që u sakrifikuan për këto arritje. Kurse sa i përket opinioneve të diskutuara këto ditë rreth zhvillimit të dialogut në Bruksel, do të doja të kujtoja se SHBA’të janë e vetmja superfuqi globale dhe prijëse e rendit të ri në botë. Ndihma e SHBA’ve dhënë shtetit të Kosovës, do të respektohet me kujdesin më të madh për jetë të jetëve kurdo dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Pa miqësinë besnike shqiptaro-amerikane, Kosova e mbërthyer nën kthetrat pro sllave, herë-herë e përbuzur nga Evropa, nuk do të mund të arrinte as deri tek bisedimet e parapara në Bruksel. Andaj dhe populli i Kosovës, i falënderon miqtë që e ndihmuan jetësimin e shtetit të Kosovës, duke e lartësuar përjetësish kontributin e SHBA’së, si mbështetëse e të gjitha proceseve prosperuese për shtetin tonë.
Prishtinë, 14. 09. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY , Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.
Postime të Lidhura
FADIL MALOKU: ASGJË NUK ËSHTË DEMARKACIONI, KUNDRUALL ASOCIACIONIT(LEXO:COPËTIMIT TË KOSOVËS)
Prishtinë, 26 shkurt 2018: 1. Opsioni i ndarjes, po rikthehet ngadalë por sigurt, por, tash jo më si…
HALIL SELIMI:VUAJTJET S’MBAROJNË,NDËRSA PRODHOJNË POLITIKË
Prishtinë, 09. 05. 2012 – (Kush nuk ndjenë mungesën e ndërgjegjes nuk ndjenë as mungesën e lirisë as…
ADNAN ABRASHI: MENTALITETI SHQIPTARË DHE METAFORA E KALASË SË SHKODRËS!
(Prizren, 17. 05. 2012) – Edhe pse e dua popullin tim ashtu si është dhe gjithsesi krenohem që…
DEMONSTRATAT E VITIT 1981 SOLLËN NDRYSHIME EDHE NË SJELLJEN POLITIKE TË SHTETIT SHQIPTAR
DEMONSTRATAT E VITIT 1981 SOLLËN NDRYSHIME EDHE NË SJELLJEN POLITIKE TË SHTETIT SHQIPTAR Nga Skënder Gjinushi, Pashtriku 26…