REXHEP KASUMAJ: VËREJTJA E NJË MENDIMI TË PAMËSHIRË (MBI PROVËN GJENERALE TË LUFTËS CIVILE)

Berlin, 11. 09. 2014: (1.) Ç’do të ndodhte me Kosovën paszgjedhore sikur të mungonte Prania e huaj? Ngjan e rëndë për një truall, bijtë e të cilit ende janë të tretur gropash të paemër, por dhe fantazia më optimiste nuk do ta përjashtonte lehtë një sprovë të luftës civile. Pasioni instinktiv, gati parasocial për dominancë mbi llojin a fisin, i ka hequr pudrosjen Kosovës së re. Në vend të partive politike moderne alternativash prosperuese, janë fortifikuar dy vrajë organizimesh të përçudshme e përballëse: njëra, tirania e kooperativave familjare patriarkale, „oxhaqeve“, tashmë josojnike, prirë nga dinastë provincialë e të errtë dhe tjetra, grupimet e kartelave të krimit që vërviten e kërcëllejnë dhëmbët e prishur për të ruajtur a për të rrëmbyer pushtet! Të pleksura fort në turrin dhe mendësinë, ato krijojnë një realitet të vështirë që humneron themelet e shtetit, sikur dhe gropën e thellë mes tij dhe Europës. Që hibriditeti të jetë mnerisht i përkryer, ndër ta pështillet dhe një kastë, poaq e veçantë, ajatollahësh: Baballarë të vetëçertifikuar gjyqesh të fundme, Tribunë të hargjuar të vegjëlisë, dhe Instanca shpërdoruese të flijimit brënda gjakut të vet. Kurse krejt poshtë, nën këmbët e të gjithëve, janë shtruar elektorët e shkretë, të lodhur e fatpajtuar, të cilët, të trandur nga drita e fortë e lirisë, nuk e përvetësojnë dot nenin 3 të Kushtetutës frënge që përligj të drejtën e kryengritjes kur guvernat shkelin liritë e tyre.


Tiranët e kooperativave familjare patriarkale dhe grupimet e kartelave të krimit…!!!

2.
Sepse “kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, do të shkruante rebelshëm dhe Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës. E tani, qindra vjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!.. Vërtetë, ç’kuptim ka rrnesa dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij. Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej. Ndaj, rrjedhimisht, vetëjetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni jete!..
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje? Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht! Mirëpo, për paradoks, kjo fatkeqësi ka dhe një të mirë. Vonestarë siç janë dhe pa edukatë demokracie e kulturë shteti, shqiptarët e sidomos, personeli politik i tyre, s‘do të dinte ç’të bënte me lirinë e vet. A nuk ndodhë kështu me shqiptarët e matanshëm tash 100 vjet? Asistenca e huaj, sado e përzjerë tipash të larmë e hedonizmash të ulët, mund ta shtyjë e vetmja përpara karron e shkallmuar. Në fakt shqiptarët nuk janë rëndomësuar të lëvizin vet asnjëherë. Gjëndjen sociale dhe statusin politik në rrotullime kohësh, ua ndryshonte prore faktori i jashtëm: ose pushtues ose çlirimtarë i tyre. Madje as zgjedhja e tyre nuk ishte e lirë. U mbetej vetëm afiniteti i shkëlqyer i përshtatjes dhe identifikimit me ideologjinë dhe administratat e hegjemonit madhnor!
3.
E tani i referohemi sërish pyetjes së fillimshkrimit: si do venin punët sikur të mos ishte ky faktor në Kosovë? A do evoluonte zjarri i vërbër për Fuqi, e përmes saj, për sundim e grabitje pronash e lirish, i titajve të barrikaduar luftarakisht, në një zjarr tjetër, në zjarr armësh, civil e total, që do të përvëlonte të gjithë? Duke rrezikuar keqkuptimin, mund të thuhet krejt sigurisht: mbase zor të rrëzohej një pandehmë pohuese!
Fundja, së paku teorikisht, nuk do të ishte fundi i botës. Shumë kombe historikë kanë kaluar kalvar të tillë dhe janë këndellur si kurrë më parë. Por në këtë tokë të ngushtë, drama e saj do të ishte e barabartë me tragjedinë. E para, pse ajo është larë me shumë nga gjaku se nga shiu, pastaj e dyta, kombet e tjerë, duke qenë të mëdhenj e konsolidë, ishin të pakanosje për zhbërje dhe e mbrama, përplasja, në mungesë të një kauze sublime, do të përfundonte e katrahurshme. Kudo që pati shpërthyer në botën e qytetnisë, ajo kishte një kauzë të epërme: ata të shumtët që merrnin anë kishin një idhull që përsonifikonte idealin e tyre. E këtej, ndërkaq, nuk do të gjendej kund as idhulli, as ideali e as misionari i tyre. Përse? Thjeshtë sepse në skenë, në të gjithë anët e krahët, ka një të vetme pamje, mendësi, flamur dhe yshtje: alternimin e radhës së figurantëve pa moral, kredo, besë e dedikim publik. Të ndryshëm i kanë veç emrat dhe fytyrat. Madje dhe këto të fundmet, si tek teoria kriminale e Lombrozës, sikur përgjasojnë hutueshëm duke krijuar tipologjinë unike të tyre. Edhe sikur e keqja të shmanget, ata nuk meritojnë stolisjen me suporet e lavdisë, sepse, thjeshtë, faktori frenues gjendet diku tjetër. Fundja a nuk është tragjike vetë ngasja dhe potenciali i tyre i afishuar për të prekur pragun e saj? Ata, në fakt, po e bëjnë këtë: kjo është prova gjenerale e saj. Dhe ja, kjo është, pra, ndjenja e tyre, ndërgjegja e tyre, Kosova e tyre!
Ndaj, nuk i thurim odë aspak Prezencës së jashtme, por ngjanë të jetë e tillë, shpëtimtare, pse njeriu politik kosovar është i krejtësisht i çorientuar nga fiksioni i mirëqenies që vjen pas suspendimit të represaljeve serbiane… Në vend të ndërsymjes nga politika e ndërkryer që i mbanë në jermi dhe i kërkon gjakun, ai do të duhej të formonte vetë një bosht të tretë: të organizuar e inteligjent, kritik e vetmohues, për të çelur një kaptinë të re të historisë.
Është në duart e tij… Çdo status që do të gëzojë, po të shprehemi sipas mësimit hegelian, është real dhe i arsyeshëm!.. Dhe ky i përtashmi i nëpërkëmbur, mjerisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

TE DEUM (*)

TE DEUM (*) Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 12. 02. 2023 Oh, Zot !…Ishte kjo psherëtimë që sot…