Prishtinë, 21. 02. 2016:
Shtigjeve të mërgimit udhënise, vëlla
Me plagën atdhe përvëlitur ndër deje
Ëndrrat si copëza mermeri tinëzisht t’i thyen
E fati t’u rrokullis si gur sizifi drejt teje.
Pirgje brengash kanë brejtur vitet e tua
Dhembja ethshëm të prushon në ballë
Maje qepalle pikëllimi të bulëzon i idhët
Kosova plagë në trup e gjallë….
Fushave djerrinë gjarprinjtë zgavrojnë
Me kukamë qyqesh vajtohet rënia e yjeve
Mbrapshtitë si furtuna uragani përmbytës
Në agshole dite jetën pamundësojnë, eh!
Në harkun e kohës dramë pa epilog
Kosova, e mira, a thua mbet?
Kthehu vëlla kthehu se ajo të pret
Si Itaka Odiseun e vet.
▼▼▼▼▼▼▼▼▼
Autore: Elife Luzha
Prishtinë, 20. 02. 2016