NJË VARG …

“Një varg, një këngë, një tufë lule për Dritëroin”

Të dielën, më 1 tetor 2023, nxënësit e ”Shkollës Shqipe”, organizuan festë të madhe shkollore, në Uster të Kantonit të Zyrihut në Zvicër, në shenjë nderimi dhe respekti për 92 -vjetorin e poetit kombëtar Dritëro Agollit. Nuk ka gjë më të bukur kur nxënësit e shkollave shqipe, të cilët edhe pse të lindur me mijëra kilometra larg vendlindjes së poetit, paralajmërojnë manifestimet që duhet të organizohen në përkujtim të veprës së tij madhore.

Në foto: Mësuesi dhe koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër, Dr. Vaxhid Sejdiu, duke folur për veprën e poetit Dritëro Agolli

Programi shkollor u hap në shenjë kujtimi me zërin dhe vargjet e poezisë “Sikur s`jetoj në vendin tim”, të recituar nga vetë autori, duke vazhduar me një prezantim të shkurtër për autorin dhe veprën nga  mësuesi dhe koordinatori i Shkollës shqipe në Zvicër,

Dr. Vaxhid Sejdiu dhe duke e përmbyllë pjesën e parë me fjalën përshëndetëse (video – mesazh) të bijës së Dritëroit, Elonë Agollit, e cila përgëzon  mësuesit, prindërit dhe gjithë organizimin e bërë në shenjë përkujtimi të emrit dhe të veprës së Dritëroit. Programin e begatuan me fjalën dhe prezencën e tyre sekretar i parë i Ambasadës së R. së Shqipërisë, z. Valon Gashi, kryetari i Shoqatës “Bashkimi”, z. Guxim Alushi, z. Adnan Imeri, kryetar i “FHPBM”, gazetari Rexhep Rifati si dhe shumë mysafirë dhe veprimtarë të arsimit shqip në Zvicër.

Në këtë manifestim shkollor në qendër të vëmendjes ishin vetë nxënësit e shkollave shqipe Afoltern, Rümlang, Regensdorf, Dällikon, Fahrweid, Rüti, Wetzikon, Uster, Schwerzenbach,  Volkteswil, Pfäffikon të Kantonit të Zyrihut, si dhe të pikave shkollore Neunhof dhe Spreitenbach të Kantonit të Argaut të përgatitur nga  mësuesit Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu, të cilët me një përkushtim të veçantë prezantuan vargjet, tregimet dhe këngët e Dritëroit.

Nxënëset Anesa Zymeri, Sara Zymeri, Eliona Muçaj Tana Limoni, Alea Halimi, Melisa Selimi, Anesa Huneli, Anesa Shaqiri, Lina  Limoni dhe Ajlina Huneli me një përkushtim të veçantë prezantuan tri tregimet: “Sonata e tetë”, “Ujku” dhe “Shuarja e humorit”, kurse  ish – nxënësja  e shkollës shqipe Donikë Sejdiu, tani doktorante në Universitetin e Zyrihut mrekulloi publikun  me këngën “Poçari”.  

Në pjesën e dytë nxënësit Era Kelmendi, Nora Nocaj, Arianita Kryeziu,  Lijana Idrizi, Amela Frangu, Eris Ferati, Eliesa Idrizi,  Rina Morina, Aurora Zejnullahu Nejla e Alejna Kosumi, Rinesa Daka, Alea e Arnela Halimi, Rina Kelmendi, Arjan e Rejana Thaqi, Luiza Beqiri, Lorina Nuredini dhe Ajra Shala recituan vargjet e Dritëroit kushtuar atdheut, Devollit – vendlindjes së poetit, Naim Frashërit kurse nxënësja  e shkollës shqipe në Neuenhof Melisa Selimi këndoi këngën  “Kur të jesh mërzitur shumë”, këngë e krijuar me vargjet e poetit Dritëro Agolli.

Dhe në fund të programit nxënësit e shkollës shqipe kishin përgatitur në vend të “një tufë lulesh”,  “një tufë këngësh” nga aktiviteti i tyre shkollor duke dëshmuar se vepra  e Dritëroit si dhe vepra e shumë poetëve e shkrimtarëve kombëtarë nëpërmjet orëve mësimore në shkollën shqipe është ngulitur thellë në shpirtin e tyre. Me prezantimet e tyre të shkëlqyera mahnitën pjesëmarrësit nxënësit: Tana Limoni, Alea dhe Arnela Halimi, Eliza dhe Anika Zeqiri, Eliona Muçaj, Rina dhe Arta Morina, Lina Limoni dhe Gresa e Gentonis Shala, të cilët dëshmuan se shkolla shqipe është vatër e edukimit kombëtar.

Programi u mbyll me grupin e valleve “Dallëndyshet”, të cilët interpretuan vallen “Vallja e shqipeve” nën drejtimin e Diellza Alishanit të Sh.K.A. “Bashkimi” në Uster, dhe korin e shkollës shqipe me këngët “Xhamadani i ri” dhe “O, sa mirë që jam shqiptarë”.

Ashtu siç e tha edhe moderatorja Anila Muçaj njëherit edhe kryetare e këshillit prindëror në Dällikon të Kantonit të Zyrihut, “njëqind e shtatëdhjetë e pesë fëmijë pjesëmarrës në këtë eveniment shkollor dëshmuan se ruajtja e gjuhës dhe kulturës kombëtare është obligim i yni moral dhe kombëtar dhe në këtë drejtim nevojitet një angazhim më i madh i mërgimtarëve nëpërgjithësi dhe prindërve shqiptarë në veçanti me qëllim që të realizojmë dëshirën dhe kërkesat në ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës amtare në mërgatën shqiptare.  

“Shkolla shqipe” – Zvicër

Sektori për informim

Total
0
Shares
2 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura