ELIFE PODVORICA JASHARI: LAMTUMIRË VJEHRRI IM!

Prishtinë, 23 dhjetor 2020: -“Ngushëllime! Ka qenë i urtë i ngrati…!
“Iurtë, i urtë…! Ishte kjo fjalë që dje u bë si një refren që këndohej në korin mortor nga të gjithë ata që kishin ardhur për t’ia dhënë lamtumirën e fundit vjehrrit tim!

“I urtë”-Ishte fjala, me të cilën po përmbyllej një cikël jete gati prej një shekulli, sa kishte bërë plaku!
“Dekë me rend….ishte përshkrimi tjetër i këtij akti , kur vdekja vjen fuqishëm dhe të përfshinë në djepin e saj të përjetshëm! Mirëpo, në këtë rast ishte vlerë , sepse po na e thoshte lamtumirën në mënyrë natyrale një njeri!
Një njeri….në jetën e së cilit morën në thua shumë e shumë ngjarje, e të cilat kishin nuanca nga më të ndryshmet!
U rrit midis luftërave dhe mbante në mend edhe ushtarët gjerman, edhe ata bullgar, por edhe ata që i kishin dëbuar nga trojet e tyre të Toplicës!
Përrallat e tij fillonin gjithëmonë me fytyrën e larë nga lotët e babës së tij kur i rrëfente për dëbimin e dhunshëm e të përgjakshëm nga Toplica-vendlindja e gjyshit të tij dhe të parëve tanë!
Vjehrri im kishte qenë pjesë e shumë gjeografive! Nga Toplica e gjyshit dhe babait të tij e deri në shkrepat djerra të Anadollit të largët!

Pra, procesi i shpërnguljeve me dhunë të shqiptarëve e kishte përcjellur qysh si fëmijë i vogël! Dhëmbët e mprehtë të fatit, i kishte përjetuar pa i dalur mirë dhëmbët e tij si fëmijë !
E humbjen dhe poshtërimin, i kishte pasur të njohura më shpejtë se ninullat e djepit!
Shpërngulje dhe dëbim përjetoi edhe para 20 vitesh, atëherë kur forcat e paramilitarëve sërbe, i hynë në konak dhe djalin ia mbështetën për muri me tytat e automatikut në fyt!
Pamje e vështirë kjo për një baba si ai!I ka rritur me shumë dashuri e mund katër fëmijët e tij!
Plaku kishte besimin ne Zote e në fe, por asnjëherë nuk ishte predikues i saj, nëse nuk ishte vullneti i të tjerëve! Në mënyrë shumë të pastërt e koshiente, e ndante religjionin nga kombi!I kishte rënë hise qysh si i vogël për ta kuptuar që kombin duhej respektuar vet, sepse askush nuk e nderon dhe ruan para teje! Është detyrë dhe obligim i gjithësecilit që njerëzit e popullin e tij, ta duaj e respektojë ashtu siç Zoti e ka dashtë!-Thoshte shumëherë ai nëse dikush kërkonte një këshillë prej tij!
Po nuk e ruajte e mbrojte popullin e kombin që i përket , dënohesh edhe nga Zoti! Sa herë e thoshte këtë fjali… Emrat e nipërve e mbesave të tij ishin të pagëzuar me emra që bartnin ndojë copëz të historisë kombëtare si: Arta, Marigona, Vesa, Visari, Genti e të tjerë! Ai priti të bëhej jo vetëm gjysh, por edhe stërgjysh i Anjës, Malit dhe Borës!
***
Krejt fati i tij, ishte rikthimi i vëllezërve dhe babait në Kosovë nga trojet e largëta e të shkreta të Anadollit ! Ka aq shumë histori në këtë kthim që ai vertëtë e tregonte në detajet më të imëta!
E kishin filluar jetën e tyre nga zeroja!Nga gjithë ajo pasuri e babait që tregonte se e kishte pasur me bollëk, kishin shpëtuar vetëm një palë gjedhë me të cilët kishin arritur të blinin një copëz toke dhe të ndërtonin një shtëpi me llaq këtu në Prishtinë!
Të gjithë pasurinë tjetër e kishin shqyer sërbët , duke u marrë gjithë çka kishin, ndërsa lirat e pjesën tjetër të pasurisë, ua kishin vjedhë turqit, të cilët në ato shkrepa anadaolli i kishin pritur hiq më mirë se sërbi!
-“Shkjaut” nuk duhet zënë besë biro! Ishte kjo një këshillë e tij, që sa herë e thoshte shoqërohej me një ofshamë të thellë dhe një shiqim që ngulej diku në horizontin shumëngjyrësh , që shpërfaqte ndonjë nga ngjarjet e përjetimet e shumta të plakut!
Në memorien e tij, kishte përplotë krisma armësh!Herë në fushat e Toplicës , herë në lëndinat e Bërnicës , herë në ”strelishte” të Prishtinës ku pushkatoheshin patriotët dhe rinia shqiptare, vetëm e vëtëm pse donin një thërrrime drejtësi për mirëqenien e tyre në trojet e tyre të vjetra!
Vjehrri im nuk kishte kryer shkollë.Bile i kishte rënë hise qysh në moshën e njomë të përkujdesej për babain e vërbër, i cili nga dhunat e shumta që kishte përjetuar, kishte humbur shiqimin.
Në vend të shkollës , ishte përpjekur që të gjente një punë kudo qoftë, që të siguronin jetesën e rënduar nga varfëri e tmerrshme!
Kishte gjetur edhe punën me të cilën siguronte kafshatën e gojës për veten dhe babain e verbër, i cili e priste në qoshen e shtëpisë, mu aty ku ky e kishte lënë në mengjes bashkë me ujin dhe bukën që i kishte gatuar me duart e tij!
Më vonë kishte punuar si gazetashitës në Teatrin Kombëtar dhe kishte pasur fatin t,i njihte nga afër të gjithë aktorët e dikurshëm shqiptar që nga themelimi i tij!Ishin shumë të pasura tregimet e tij për figurat e tyre!
Vjehrri im ishte një njeri shumë i ndershëm! Në punë, në familje, në sjelljen e tij me fëmijët e vet!
Sidomos me bashkëshorten e tij!Nuk njoh njeri, që ka respektuar më shumë gruan e tij!Në përditshmëritë e jetës, kishte një aftësi të çuditshme që t,i qetësonte gjërat edhe nëse ato shpërfaqeshin furishëm!Kishte një sens humori shumë të veçantë që e bënte për vete këdo!Ishte puntor i devotshëm deri në frymën e fundit të tij!

“Njeriu në momentin që i ndalet puna, nuk ka gjë prej tij.Është vetëm barrë për të tjerët” – thoshte shpeshë ai!
Por, jo! Nuk ishte barrë për djalin dhe nusen e nipërit e tij, sepse gjyshin e përcollën në botën e Amshimit me kujdesin dhe respektin më të madhë që mund ti bëhet një babai , vjehrri e gjyshi të devotshëm, siç ishte ai!
Në brezat e familjes, do të kujtohet si një njeri i urtë, pa fjalë, i buzëqeshur e hokatar çdoherë, punëtor i pandalshëm!Njeri fisnik për veten dhe të tjerët!
Dhe siç i thashë mbrëmë një mikut tim, erdhi dhe shkoi nga kjo botë pa zhurmë, pa rrëmujë, i qetë dhe me plot dinjitet njerëzor!
Shkoi dhe banori më i vjetër i Prishtinës! Kishte jetuar rrafsh qe 80 vite në te, dhe ishtë dëshmitari i saj më besnik!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura