Skenderaj, 03. 10. 2013 – (“Stinë e mërzitshme në Olimp”) – Deputetët e zonës zbritën me radhë. Edhe deputetkat. Edhe ndonjë zëvendësministër. Paria e Komunës, po se po. Me në krye më të madhin, pas Të Madhit të madh. Shpura e militantëve para e prapa. Është orar pune, po s’ka gjë. Ngjarja që do të ndodhë së shpejti kërkon respekt, nderim. Qytetarët e trazuar shohin me habi. Pyesin njeri-tjetrin: Çka po bâhet more? Tash e marrim vesh, se edhe gazetarët po shkojnë – thotë dikush.
Varg e vijë drejt selisë së Partisë. Atje është rregulluar skena si për çdo ngjarje të madhe. Me gjithë butaforinë përcjellëse. (Butafori: Kushte e rrethana të jashtme të krijuara në mënyrë të rreme për të mashtruar dikë). Gazetarët raportojnë për gazetat: “Pa dyshim se shijen e fitores së radhës në zgjedhjet e 3 nëntorit e shton aderimi i aktivistëve dhe drejtuesve të VV-s në Skenderaj, të cilët janë të respektuar dhe nderuar në mesin ku jetojnë”, ka deklaruar Abdyli. Pasi ka shtuar se beson në potencialin e tyre intelektual e profesional dhe kreativitetin e idetë e tyre, ka nda rreth 10 libreza, 3 prej të cilave nuk pati kush t’i marrë”. E pra, kishin deklaruar se po ‘kalojnë’ te Partia dhjetëra sish, që i bjen deri 99. Për një më pak se 100…
Të na rrojë Partia!
“Tensionet në sallë u shtuan kur Zeka u pyet, a qëndron prapa deklaratave të bëra në kohën kur ishte në VV, kur kishte qenë mjaft kritik ndaj Kryetarit dhe Partisë, ai tha se “edhe tash e kam të njëjtin mendim, mirëpo shpresojmë që bashkërisht t’i përmirësojmë ato dobësi” – raprtojnë gazetarët.
Ja pra, kjo është e madhërishmja e kësaj ngjarjeje historike: Zeka (që s’e njoha kurrë kush është ky ‘potencial intelektual’) paska ardhur t’i përmirësojë dobësitë. Dobësitë e Partisë. E Nanës Parti. Se ne, një Parti kemi! Po si more, Partia na paska rënë në këtë derexhe, sa ta ftojë shpëtimtarin anonim?!
Gazetarët nuk paskanë ndejtë rahat. E paskanë pyetur si qe puna kur Kryetari deshi të ju shkelë me xhip tek po e shkruanit një parullë kundër hajnisë, më filan datë? Atëherë qenkan nxe gjakrat. Militantët, që lum Partia që i ka! tek janë çartë. Hyxhym kah gazetarët, pse “po rrejnë”?!
Prit e ‘daj! Për fat, gjithçka paska kaluar pa pasoja në njerëz. Pasojat do të shihen nëse këta militantë, hyzmeçarë të verbër të Së Keqes, nuk e ndalin turrin.
Amoku është një sëmundje e përcjellë me çrregullime mendore që godet banorët e viseve tropikale, në vapë të madhe. E pra, këtu është vjeshtë dhe freskët. Por, amoku po rrok dikë !
Të na rrojë Partia! Ajo ka ilaç për gjithçka. (Ah, sikur të mos na e kishte kapur amoku Partinë!)