Tiranë, 26 shkurt 2020: Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure në shelfin kontinental me një rezervë deri në 220 milionë fuçi dhe 5.7 miliard metra kub gaz natyror. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë (AEA), Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva deri në 277 milionë fuçi.
Skandali/ Në 7 vitet e fundit nga nëntoka shqiptare janë përfituar rreth 7 milion ton naftë, pa llogaritur gazin. Duke bërë një konvertim të thjeshtë dhe duke e llogaritur në litra ( 7 milion ton x 1000 = 7 miliard litra. Dhe nëse këtë shume e llogarisim me 1 dollar litrin, i takon që nga nëntoka shqiptare janë përfituar 7 miliard dollarë. E nëse llogaritë do të bëhen me çmimin real të naftës sot në treg që është rreth 165 lekë kjo shumë arrinë në 10 miliard USD. Po ku kanë shkuar 7 miliard USD ,kur naftëtarët janë pa rroga dhe pa status. Shteti nuk përfiton asnjë qindarkë dhe shqiptarët janë në kulmin e varfërisë. Po të kemi parasysh situatën e pas tërmetit dhe kërkesat që Kryeministri Rama u bëri donatorve për ndihmë financiare, ajo çka Rama përfitoi është një pikë uji në oqeanin e milionave të naftës të zhdukur në drejtim të paditur pikërisht në periudhën që vetë Rama ka qenë kryeministër. Me këtë shumë pensionet do ishin shumëfishuar, rrogat do ishin 5 fishuar, rrugët dhe industria do ishin nga më modernet në botë dhe do kishim likuiduar 80% të kredisë që ne si shtet këmi në kurriz. Ndërkohë që qytetarët burgosen për një faturë dritash apo uji dhe shqiptarët paguajnë çmimin më të shtrenjtë të karburanteve, oligarkët, të favorizuar me kontrata nga qeveria, edhe pse qarkulluan mbi 7 miliardë USD, nuk i paguan asnjë qindarkë buxhetit të shtetit. Ja investigimi sipas shifrave zyrtare të autoriteteve shtetërore AKBN.
Kompania nuk pagoi asnjë qindarkë tatim fitimi për naftën e nëntokës së Shqipërisë, pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe naftëtarve që po sakrifikojnë dhe jetën në greva urie, pasi janë pa rroga dhe status të zbatuar.
Prodhimet i naftës nga viti 2013 deri në 2019 në Shqipëri
1.005 milion ton naftë u prodhuan në 2019-n,
910 mijë ton naftë u prodhuan në 2018-n,
956,000 ton naftë u prodhuan në 2017-n,
1.055 milionë ton naftë u prodhuan në 2016
1.3 milionë ton naftë u prodhuan në 2015
1.37 milionë ton u prodhuan në 2014-n
1.6 milionë ton eksporte të natës deri në fund të tetorit 2013
Shqipëria prodhoi në 2019 -n, 1.005 milion ton naftë. Në vitin 2018 prodhoi 910.000 ton naftë bruto dhe rreth 5 për qind krahasuar me 2017 d.m.th., 956,000 ton naftë bruto më pak dhe 47 për qind më pak në krahasim me prodhimin pik të vitit 2014 prej 1.37 milionë ton, sipas një analize të Altax, që i referohet të dhënave zyrtare.
Prodhimi i naftës për vitin 2014 dhe 2015
Në vitin 2015, prodhimi i naftës në vend ishte rreth 1.3 milionë tonë, sipas vlerësimeve paraprake nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, nga 1.37 milionë tonë që kishte arritur në 2014-n, niveli rekord i pas viteve ‘90. Burime nga Ministria e Industrisë pohuan se ndonëse në sasi prodhimi i naftës ka rënë me vetëm 5%, të ardhurat e siguruara kanë qenë shumë më të ulëta për shkak të tkurrjes së çmimeve. Sipas të dhënave paraprake nga Bankers Petroleum, të ardhurat e kompanisë u përgjysmuan në vitin 2015, për të arritur në rreth 300 milionë dollarë.Ditët më të mira në historinë e saj industria i ka pasur në vitin 1974, kur prodhimi arriti rekordin në 2.2 milionë ton. Më pas prodhimi ra dukshëm duke arritur në nivelin më të ulët në vitin 2000 me vetëm 330 mijë tonë. Riaktivizimi i industrisë përmes marrëveshjeve koncesionare nxiti prodhimin, sidomos pas vitit 2009, kur Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, hyri në eficiencë të plotë. Rritja e çmimeve të naftës ishte gjithashtu një tjetër faktor që nxiti industrinë, teksa në periudhën 2011-2014 nafta tregtohet me rreth 100 dollarë për fuçi.Por, teksa rënia e çmimeve të karburanteve filloi në gjysmën e dytë të 2014-s dhe vazhdoi e pandalshme në 2015-n për të arritur në rreth nivelin më të ulët të 11 viteve në ditët e para të janarit (rreth 33 dollarë për fuçi), dhe 35 dollarë aktualisht, sektori i prodhimit të naftës në vend është futur në një krizë të thellë.Ndikimin e parë do ta kenë investimet e secilës kompani në hapjen e puseve të reja, sondave, etj. Bankers Petroleum, operatori më i madh i nxjerrjes së naftës në vend, që shfrytëzon burimin e Patos Marinzës, ka pohuar se nuk planifikon të hapë puse të reja në vitin 2016, ndërkohë që në 2015-n kishte hapur 61 puse të reja. “Si pasojë e çmimeve të paqëndrueshme të naftës edhe në fillim të vitit 2016, Bankers ka zgjedhur të pezullojë aktivitetin e shpimit deri në përmirësimin e çmimeve, me qëllim për të mbrojtur forcën e bilancit financiar të kompanisë. Dy sondat shpuese të përdorura përgjatë vitit 2015 janë ndalur përkohësisht në muajin dhjetor. Aktiviteti i shpimit do të rinisë me rritjen e çmimeve, sondat do të qëndrojnë në vend dhe do të jenë të gatshme për të rinisur aktivitetin në një të ardhme të shpejtë”, ka bërë të ditur zyrtarisht operatori.Kompania turke Trans Atlantic Petroleum (ish-Stream Oil), – që shfrytëzon burimet e Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës – e ka nxjerrë në shitje në nëntor 2015 degën e saj në Shqipëri dhe ka reduktuar në minimum aktivitetin.Frenimi i investimit apo prodhimit prek indirekt dhe shumë kompani të treta që ofronin shërbime për to, si në transport, magazinim etj. Ekspertët nga industria nxjerrëse thonë, se kompanitë që investojnë në industri nuk kanë arritur të mbulojnë kostot përkatëse dhe, rrjedhimisht, Shqipëria ka përfituar më pak se 2 për qind të vlerës së prodhimit deri tani. Prodhimi më i lartë i naftës në Shqipëri daton që nga viti 1974, kur shteti i atëhershëm komunist prodhoi 2.25 milionë tonë të barabartë me rreth 38,408 fuçi naftë në ditë në një industri që përfshinte 34 ndërmarrje shtetërore dhe punësonte rreth 25,000 njerëz. Industria e prodhimit të naftës është eksportuesja e dytë më e madhe në Shqipëri dhe punëson më shumë se 3,000 vetë.
Shqipëria, më e pasura me naftë në Evropë por naftëtarët janë pa rroga , me pensione qesharake dhe çmimi i karburantit është më i shtrenjti në Europë
Shqipëria posedon thesarin më të madh të naftës në Evropë me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish nafte në vit.Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se në Shqipëri ekzistojnë rreth 400 milionë tonë naftë të pashfrytëzuara. Sipas të dhënave nga kjo agjenci, thesari më i madh i arit të zi gjendet në zonën Patos-Marinza, në një hapësirë prej 44 mijë hektarësh. Siç thuhet ky është thesari më i madh i naftës në Evropë me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish nafte në vit.Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksporti i naftës shqiptare, siç raportojnë mediet nga Tirana, është rritur dukshëm viteve të fundit. Sipas ekspertëve, eksporti i naftës gjatë vitit 2013 është rritur për 36 për qind, ndërsa kundrejt vitit 2005 është rritur për 2880 për qind.Të njëjtën ecuri pozitive regjistroi edhe eksporti në sasi, duke shënuar 1 milion ton në fund të vitit 2012, raporton mediat informative. Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës bruto vijoi të ishte pozitive. Në fund të tetorit 2013, eksportet arritën në 1.6 milionë tonë.Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Nafta shqiptare për shkak të cilësisë së saj, eksportohet si bitum në tregjet e huaj dhe shërben për asfaltimin e rrugëve.
Asnjë kompani aktualisht nuk paguan normën e tatimit mbi fitimin që aplikohet në nivelin 50 për qind të fitimit që deklarohet në pasqyrat financiare
Qeveria shqiptare merr nga eksporti vetëm rentën, si taksë kombëtare me normën 10 për qind, pasi asnjë kompani aktualisht nuk paguan normën e tatimit mbi fitimin që aplikohet në nivelin 50 për qind të fitimit që deklarohet në pasqyrat financiare vjetore, sipas Altax. Sipas kontratave aktuale, koncesionarët duhet të fillojnë të paguajnë tatimin mbi fitimin, pasi të kenë përmbushur kostot e investimeve. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) përfundoi një auditim të performancës për “Procedurat dhe Rezultatet e Marrëveshjeve të Naftës në Shqipëri” në fillim të vitit 2017, duke vënë në dukje se ndikimi në ekonomi prej përdorimit të aseteve nëntokësore ka qenë minimal, si në aspektin e efektit mbi punësimin dhe në të ardhurat buxhetore.
Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure në shelfin kontinental me një rezervë deri në 220 milionë fuçi dhe 5.7 miliard metra kub gaz natyror. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë (AEA), Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva deri në 277 milionë fuçi. Zona e naftës Patos-Marinëz-Kolonjë njihet si fusha më e madhe naftëmbajtëse në Evropën kontinentale. Në total, janë nënshkruar 16 marrëveshje për eksplorimin e naftës dhe gazit me ndarje prodhimi (MNP), nga të cilat 7 kompani janë angazhuar në nxjerrjen e naftës bruto në pjesën jugore të Shqipërisë dhe 4 kompani të angazhuara në aktivitete eksploruese.Investimi gjithsej në kërkimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit në të paktën vitet e fundit llogaritet të jetë realizuar deri në 1.25 miliardë euro, ku 1/3 e tij është investuar direkt nga Shell Company, e cila është aktive në tregun shqiptar në 6 vitet e fundit, duke synuar për investime të tjera shtesë që planifikohen në shumën prej 42.5 milion € duke filluar nga 2018 pas një zbulimi shumë pozitiv në fushën e naftës Shpiragu-2.Sipas të dhënave zyrtare, Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, i cili në mesin e vitit 2016 u ble plotësisht nga kompania Geo Jade e Kinës, përbën shumicën dërrmuese prej 89 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendas, ndërsa Albpetrol sh.a. prodhimi (kompania shtetërore) përbën rreth 6% të prodhimit vendor.
Pjesa më e madhe e naftës së nxjerrë në Shqipëri eksportohet e papërpunuar, duke e bërë atë një produkt me vlerë të shtuar të ulët dhe vetëm një pjesë e saj shkon në rafinerinë lokale, Ballsh dhe Fier, e cila ka ndryshuar pronësi disa herë pas privatizimit të dështuar të vitit 2008, duke falimentuar dhe mbyllur disa herë në dekadën e fundit
Renta minerare llogaritet si detyrim mujor i subjektit taksapagues, zotërues i lejes së shfrytëzimit, në çastin kur ai shet apo eksporton mineralin apo nënproduktin e prodhuar. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim publik në 6-mujorin e parë 2019 një projektligj mbi regjimin fiskal në sektorin e hidorkarburëve, duke përcaktuar sesi do të funksionojë përllogaritja dhe mbledhja e taksës së rentës minerare, duke e zhvendosur në këtë mënyrë nga ligji i taksave kombëtare. Sipas projektligjit, renta do të llogaritet duke aplikuar një normë prej dhjetë për qind të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë.
10 naftëtarët e Ballshit 2 ditë në grevë, rëndohet gjendja e njërit prej tyre: Flemë mbi ‘florinj’, por jemi pa bukë! Mos na sillni firma fantazmë.
Alban Muça, njëri nga naftëtarët, që tha se ka 20 vite që punon në rafineri i kërkon qeverisë që të mos sjellë firma fantazmë në Mallkastër dhe ti kërkojë llogari kompanisë. “Ne duam pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në uzinën e Ballshit. Me këtë firmë kemi 5 muaj që nuk kemi marrë pagat. Në total shkojnë 24 paga pa marrë edhe nga firmat e tjera. Ne jemi 10 punonjës që përfaqësojmë familjet tona dhe 870 punëtorëve për të drejtat tona dhe kërkojmë bukën tonë. Na pinë gjakun dhe po na hedhin në rrugë. Kryeministrit dhe 16 deputetëve të Fierit u bën thirrje. Jam babai i dy vajzave dhe një djali. Gjendja shëndetësore e grevistëve nuk është e keqe, por shokët i kemi të sëmurë. Pa u plotësuar kushtet e naftëtarëve ne nuk lëshojmë grevën, vetëm të vdekur ikim këtej. Ata janë thjeshtë mashtruesa, të paguajnë sigurimet dhe të lënë me një pagë 230 mijë lekë…Shteti është si babai që mbledh fëmijët në darkë, shteti të gjejë dhe të na japë bukën e gojës. Nuk kam lekë që të paguaj çerdhen, fëmijët dhe të ushqehem. Mallakastriotët po flenë mbi florinj dhe të jemi në këtë gjendje. Mos sillni firma fantazma në Mallakastër, nuk jemi pula që të na fusni në kotec” tha ai.
– Autori është Drejtor i Gazetës “Telegraf”
***
PROF.ASOC.DR.VANGJEL KICI: A MUND TË RISHTETËZOHET NAFTA DHE GAZI I SHQIPËRISË? PO MUNDET!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9695