SADRI RAMABAJA: RAJONI EUROPIAN – VERIU I KOSOVËS – UVERTURË E FEDERALIZIMIT TË REPUBLIKËS

(Prishtinë, 17. 03. 2013) – Marrveshja për krijimin e Rajonit Evropian – Veriu i Kosovës (REVK-së) është thjeshtë marrëveshje e imponuar nga Brukseli. Ky model, duket se Unionit Evropian do t`i shërbejë si në rrafshin gjeopolitik ashtu edhe për të unifikuar politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë, ndërkaq Serbisë për të filluar negociatat për anëtarësim në UE.
Europa e rajoneve është koncept politik për të cilin angazhohen një varg shtetesh të Unionit Europian, që në esencë nxisin dhe promovojnë idenë për një Europë Federale. Ideja ka në embrion të saj krijimin e një qeverisje të decentralizuar, duke bartur sa më shumë kompetenca të nivelit qendror tek ai lokal.
Me nocionin rajon, në këtë kuadër, janë përfshirë territore subnacinale që shtrihen brenda shteteve të UE-së ose që ndahen nga këto shtete, por që cilësohen se i përkasin një etnie, që ka gjuhë, kulturë e fe të përbashkët. Në Britanin e Madhe Wellsi (Vellsi) është një rajon i tillë, në Francë është Bretagne dhe në Gjermani janë Zakseni (Sachsen) ose Brandenburg-u.

Kjo ide ka hasur në rezistencë aktive dhe vazhdon të kundërshtohet në rrafshin politik para së gjithash në vendet ku forma e qeverisjes është krejtësisht e përqëndruar (centraliste). Shtimi i kompetencave qeverisëse të rajoneve, vlerësohet nga kjo lagje kundërshtarësh, se shkon pashmangshëm në dëm të shtetit nacional, detyrave dhe obligimeve që ka ai si mbrojtës dhe kultivues i interesave afatgjata nacionale.
Marrveshja për krijimin e Rajonit Europian – Veriu i Kosovës (REVK-së) është thjeshtë marrëveshje e imponuar nga Brukseli. Ajo, po të kishte karakter obligativ edhe për shtetet tjera të rajonit që pretendojnë të jenë pjesë e UE-së, e para së gjithash për Serbinë dhe Malin e Zi, do të mund të ofronte zgjidhje optimale edhe për shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore (Luginë), por kjo çështje as që është hapur nga zonja Eshton dhe nga kryeministri i Kosovës!
Le të kujtojmë faktin se edhe Pakoja e Ahtisarit nuk kishte gjetur mbështetje të duhur te një varg shtetesh në UE, pa përjashtuar edhe ato të Europës Juglindore, sepse në parim ajo ishte diçka përtej Traktatit të Lisbonës dhe vet parimit të Europës së rajoneve.
Qëllimi i përkrahësve të idesë së Europës së rajoneve, një lloj federalizimi që i afrohet shumë sistemit qeverisës gjerman, por duke tejkaluar atë në planin nacional, është krijimi i një Europe Federale të llojit të vet.
Në dobi të përfaqësimit rajonal në rrafshin europian dhe atë ndërkombëtar, në vitin 1985 është mbajtur Mbledhja e Rajoneve Europiane, që rezulton me themelimin e një organizate politike më vete. Aktualisht në kuadër të kësaj organizate bëjnë pjesë 270 rajone nga gjithësej 33 shtete europiane, por edhe 16 organizata me karakter rajonal.
Kjo strukturë më pas gjeti vend edhe në dokumentet themelore të UE-së, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Mastrihtit të vitit 1992 (Neni 198a). Sipas këtij neni krijimi i Komisionit të Rajoneve rezultoi si organ këshillëdhënës i Unionit Europian. Aktualisht ai ka në përbërjen e vet 337 përfaqësues të rajoneve dhe njësive territoriale lokale e administrative dhe ka për detyrë, të këshilloj Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Europian për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me njësitë administrative lokale të nivelit të tretë, rajonet, bashkësitë autonome, komunat dhe bashkësitë lokale.
Madje në çështjet që prekin sferat politike obligohen organet legjislative që të marrin mendimin e Komisioneve Rajonale, megjithëse qëndrimet e tyre nuk kanë karakter obligativ.
Një status i tillë po i garantohet veriut të Kosovës nga ana e Brukselit ende pa u njohur Republika e Kosovës si shtet sovran nga një pjesë e këtyre shteteve që mbështesin dhe nxisin këtë ide. Ky model, duket se Unionit Europian do t`i shërbejë si në rrafshin gjeopolitik, ashtu edhe për të unifikuar politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë, meqë në raport me Republikën e Kosovës pesëshja e shteteve që nuk njeh Kosovën sovrane ende (Greqia, Qiproja, Spanja, Rumania dhe Sllovakia), ishte pengesë reale në këtë rrafsh, ndërkaq Serbisë për të filluar negociatat për anëtarësim në UE.
Se në këtë rrafsh marrveshja ishte arritur që në takimin e gjashtë në Bruksel më 4 mars 2013, nëse jo më herët, flasin edhe vizitat e koordinuara të ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës në Greqi dhe sinjalet që vinin nga këto shtete (le të kujtojmë me këtë rast edhe deklaratën e ministrit të jashtëm rumun…) në raport me njohjen e realitetit të ri në Kosovë.
Sipas pakos së Ahtisarit komuna e Mitrovicës së veriut do të duhej të shërbente si element për një kuazi ribashkim të qytetit, meqë qyteti do të duhej të kishte një Këshill të përbashkët drejtues… me krijimin e KRVK-së, pakoja e Ahtisarit shkon në histori, ndërkaq eksperimenti vazhdon tutje…
Duket se Kosova sërish po shërben si laborator eksperimental në shumë plane, duke krijuar presedanin në dëm të Republikës, ashtu si e përcakton kushtetuta, por edhe në dëm të përspektivës integruese nacionale.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura