GJOKË DABAJ: PA NJOHUR KRIMET, S’MUND TË KETË MARRËDHËNIE NORMALE ME SËRBINË

Durrës, 13. 11. 2014 – Ta themi me fjali më të plotë: PA NJOHUR SËRBIA KRIMET, DMTH. PA E PRANUAR QEVERIA SËRBE, QË SHTETI DHE KOMBI SËRB KANË BËRË KRIME NDAJ SHQIPTARËVET, NUK MUND TË VENDOSEN MARRËDHËNIE NORMALE MIDIS SHQIPTARËVET DHE SËRBËVET. Pranimi i krimit nga ana e kriminelit ia ul hundën kriminelit, e çarmatos kriminelin nga veprimtaria e tij negative. Kjo është çështje metodike, me anën e së cilës hapen rrugët e zhvillimevet të mëtejshëm. Kjo zbatohet ndaj secilit individ, i cili ka kryer krime. Kur kemi të bëjmë me një shtet kriminal, problemi është, sigurisht, më i ndërlikuar, por gjithsesi PRANIMI I KRIMEVET mbetet çelësi i zhvillimevet të mëtejshëm. Vetë shteti i kriminalizuar nuk mund ta vazhdojë rrugën normale të jetës, nëse nuk çlirohet disi nga barra e krimevet që ka kryer, dhe, rruga e vetme për t’u çliruar, është: PRANIMI PUBLIK I FAJIT dhe shprehja e gatishmërisë për të paguar dëmshpërblimet.
Në rastin e marrëdhënievet shqiptaro-sërbe, pranimi i krimevet nga ana e Sërbisë, nga njëra anë, krijon kushte për një katarsis kombëtar brenda kombit sërb, nga ana tjetër, i jep arsye kombit shqiptar që të mos ndjehet i poshtëruar.

Kriminelët e pandëshkuar!

SHERADIN BERISHA: KRIMET E PANDËSHKUARA NË KOSOVË!
HAPE: http://pashtriku.beepworld.de/krimet_kosove_9899.htm
………………………………………………..

I kemi thënë këto gjëra edhe më parë (jo vetëm unë, por edhe të tjerë), sa herë që është folur për bisedime me Sërbinë, por, duke mos u marrë kjo punë shtetërisht në dorë, sa herë që janë bërë bisedime, pa e vënë si kusht pranimin e krimevet, sërbët kanë vazhduar të bëjnë manovra politike të ulëta dhe poshtëruese ndaj shqiptarëve.
Kështu ka ndodhur në bisedimet Kosovë-Sërbi, kështu ndodhi edhe me vizitën e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në Beograd. Puna arrin deri aty, sa ata po mundohen ta paraqesin si „fyerje“ faktin që Ed Rama „guxoi e kërkoi“ „mu në mes të Beogradit“ që Sërbia ta njohë Republikën e Kosovës.
U sollën në mënyrë të ulët, njëlloj si janë sjellë edhe ndaj lojtarëvet tanë, veçse jo me britma e ulurima dhe jo me gurë e me stola. Ed Rama bëri të njëjtën gjë si dhe ekipi ynë i futbollit: U përpoq të luajë mirë. Sërbët bënë të njëjtën gjë: U sollën ndaj kryeministrit tonë siç janë sjellë para 1 muaji me ekipin tonë të futbollit. Madje, vetë A.Vuçiqi e shprehu keqardhjen që s’kish marrë dot një shkop për ta goditur Ed Ramën.
Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar dhe kombi shqiptar po e paguajnë moskërkimin që Sërbia t’i njohë krimet që ka bërë ndaj nesh. Varet tani nëse „gjyqi“ ndaj kësaj vizite do të sillet prapë siç u suall UEFA ndaj ekipit tonë. Dhe duket se pikërisht ashtu po sillen. Ndërsa Platinia e sportit i dënoi thuajse njësoj të dyja palët, Platinia i politikës po i lavdëron njësoj të dyja palët. Platinia i politikës, dmth Evropa Perendimore, nuk po i thotë A.Vuçiqit: “Mirë të tha Ed Rama! Sërbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës.” Rusia i tha Sërbisë: “Mos e njih Republikën e Kosovës!” BE-ja nuk po i thotë Sërbisë: “Njihe Republikën e Kosovës!”
Presidenti i atij shteti dhe kryetarja e parlamentit të Republikës së Sërbisë, nuk e pritën kryeministrin tonë. Kryeministri i Sërbisë nuk i dha as dorën kryeministrit tonë dhe u shtir sikur ndjehej „i fyer e i provokuar“. Ky është çmimi që paguajmë ne, në vend që të paguajnë ata.
Fundja, ç’tha Ed Rama, që A.Viçiqi ta quante “provokim”? Tha që Republika e Sërbisë duhet ta njohë Republikën e Kosovës. Tha fare pak në krahasim me ç’duhej të thoshte dhe, megjithatë, ata tentuan t’ia mbyllin gojën, duke na fyer ne për të miliontën herë me shprehjen „Kosova është Sërbi“. Ky është çmimi që paguajmë!
Kur të hapim albumin e Nusret Pllanës dhe një mori albumesh, statistikash e dokumentesh të tjerë, a duket sikur „Kosova është Sërbi“?! A vrasin popullin e vet sërbët në Kosovë?! Si qenka Sërbi një vend që masakrohet prej sërbëvet?!
A.Vuçiqi i fyeu edhe shqiptarët e Anamoravës, duke thënë që ata jetojnë „në tokën sërbe“, në një kohë kur gjithkush e di që shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit etj. jetojnë prej shekujsh NË TOKËN E VET. Si do t’u vinte sërbëvet nëse ne do të thoshim: „Sërbia është Shqipëri“, duke aluduar që Singiduni (Beogradi) dhe Naissusi (Nishi) kanë qenë qytete të Ilirisë dhe të bënim masakra në emër të kësaj idje?!
Në çdo hap të asaj të ashtuquajturës mikpritje kishte fyerje, të natyrës që vetëm sërbët shovinistë dinë t’i bëjnë. Në konferencën e shtypit kishin vënë vetëm 1 mikrofon, njësoj siç ndodh në disa festivale, ku organizuesit janë vajtimisht të varfër.
Kur u këndua himni shqiptar, ku duhej të ishte dhe ku ishte vënë flamuri shqiptar?!
Në atë të quajturin „forum për marrëdhëniet etnike në Ballkan“, kryeministrin tonë e kishin ulur te një tavolinë që mezi i merrte 3 vetë dhe krejt salla, ku ishin grumbulluar nja 200 njerëz, u ngjante vatravet të kulturës në kooperativat tona, ku kooperativistët mblidheshin për të bërë analizat mujore e vjetore.
Për çfarë u fol në atë „forum“?! S’u fol thuajse për asgjë, në një kohë kur, lidhur me marrëdhëniet ndëretnike në gadishullin tonë, ka qindra probleme tepër të rëndësishëm, madje jetikë për t’u trajtuar dhe analizuar. Midis tjerash, aty e kish vendin për t’u përmendur e trajtuar pikërisht TEMA E KRIMEVET TË SHTETIT SËRB MBI KOMBIN SHQIPTAR.
Kur flasim për problemin e njohjes së krimevet, ia vlen edhe të kthehemi në kohë.
Më 1924-n as që mund të pyetet, pse A.Zogu nuk foli për krimet që kishin bërë sërbët ndaj shqiptarëvet. Nuk mund të pyetet kështu, sepse ai shkoi atëherë në Beograd, jo si një burrë shteti, por si një qyqar. Shkoi për të kërkuar ndihmë, që të rrëzonte Fan Nolin! Faqja e zezë, e tija dhe e jona!
Por as E.Hoxha në vitin 1946, nuk foli për krimet që kishin bërë komunistët jugosllavë ndaj shqiptarëvet, gjithandej nëpër ato pjesë të Shqipërisë, që nga Zajazi i Kërçovës e deri në Tivar. Prandaj, kur Enveri i kërkoi Titos që Kosova t’i bashkohej Republikës Popullore të Shqipërisë, Titoja ia mbylli gojën me një fjali të vetme: “Jam dakord, por ç’t‘i bëjmë Sërbisë që nuk është dakord!?“
A.Vuçiqi iu përgjigj E.Ramës edhe më keq se Titoja Enverit: „Kosova është Sërbi!“, shprehje të cilën ai do ta përdorë edhe në Tiranë, nëse nuk do t’i dilet përpara një të tillë SKANDALI, i cili do ta ASGJËSONTE krejt punën e mirë që E.Rama ka bërë në Beograd e në Preshevë. Ç’dobi ka kërkesa E.Ramës në Beograd, që Sërbia ta njohë Kosovën, kur A.Vuçiqi do të vijë nesër në Tiranë dhe do të na thotë përsëri: „Kosova është Sërbi!?“ Ai do të thotë ashtu, kurse BE-ja do të gëzohet që, më në fund, “u rregulluan edhe punët e Ballkanit“.
Që të 3-a vizitat që i përmenda më lart, i kanë shkaqet e vet pikërisht te fakti që shteti ynë, në atë kohë, kurse sot 2 shtetet tanë, nuk e kapin problemin e marrëdhënievet me sllavët (edhe me grekët) NGA THEMELI: Të sqarohet njëherë BOTËRISHT problemi i KRIMEVET që ata shtete kanë kryer ndaj kombit tonë! Nuk kemi shkuar ne në tokat e tyre, por kanë ardhur ata në tokat tona dhe krimet i kanë kryer ndaj popullsisë CIVILE, ndaj fëmijëvet e ndaj gravet tona!
E gjithë e keqja qëndron te boshllëku që kemi ne në kushtetutat tona. (Sepse kuptohet që një kryeministër nuk mund të shkojë e t’u kërkojë fqinjëvet: „Njihini krimet që keni kryer! Pranojini krimet që keni kryer!“) Unë, 2 ditë para se të shkonte Ed Rama në Beograd, thashë që ai duhej të merte me vete albumin e Nusret Pllanës. Thashë kështu, sepse e dija si do të sillen sërbët. Por, në të vërtetë, punët duhen bërë ndryshe. Duhet PARAPRAKISHT dhe SHTETËRISHT të trajtohet ky problem kaq i madh dhe t‘i gjendet një zgjidhje para se një kryepushetar i yni të shkojë për vizitë te kryerësit e qindra mijë krimeve.
NE NUK KEMI STRATEGJI, AS SHTETËRORE, AS KOMBËTARE, PËR MBROJTJEN E JETËS SË SHQIPTARIT. Shiheni SHBA-në si e ruan dhe si e mbron jetën e një shtetasi të vet! Ndërkaq, ne shqiptarët E KEMI një ligj FAMILJAR, që vrasësin eventual të një pjesëtari të familjes, o duhet ta dënojë gjyqi, ose e dënon vetë familja, qoftë edhe me kosto shumë të lartë. 2 SHTETET TANË, PARADOKSALISHT, NUK I KANË TË PËRCAKTUAR NË KUSHTETUTAT E VETA, AS MBROJTJEN E DINJITETIT, AS RUAJTJEN E JETËS SË SHQIPTARËVET.
Duhet, pra, të merren sa më parë masa në fushën e legjislacionit, përndryshe, çdo përpjekje për marrëdhënie normale me fqinjët, jashtë këtij parimi themelor, do të përfundojë, si në dëmin tonë, ashtu edhe në dëmin e vetë shtetevet fqinjë me ne, të cilët, pa këtë „terapi“, kurrë nuk do të mund të shërohen nga megalomania e tyre, krejt e paarsyeshme. Dhe, për të gjitha këto, nuk duhet të dëgjojmë fort ç’na thonë të huajt, sepse atyre nuk u dhemb kurrizi ynë.

………………………………………………….

Rijedan snimak Šešelja i Vučića iznad Sarajeva 1995

 …………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura