ENIS SULSTAROVA: NAUM VEQILHARXHI DHE LINDJA E KOMBIT

(Tiranë, 19. 11. 2012) – (“…sa vjet i madhi Zot të më falnjë i kam për të tërthertur duke punuar për vendin tem e tuajnë, edhe për këtë gjuhënë tënë.” Naum Veqilharxhi.) Naum Veqilharxhi është konsideruar si pararendësi dhe ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sepse vepra e tij përbën një nga përpjekjet e para për një alfabet origjinal të shqipes (1844 dhe 1845), si edhe përmban në trajtë embrionale idetë që do të zhvilloheshin më vonë gjatë periudhës së Rilindjes.
NGA MILETI TE KOMBI
Naum Veqilharxhi me përpjekjen e tij për shkrimin e gjuhës shqipe dhe me idetë e tij për “zgjimin” e kombit, është nga të parët nacionalistë shqiptarë. Veprimtaria e tij duhet parë në kuadrin më të gjerë të një lëvizjeje kulturore panevropiane, që zgjati nga shekulli XVIII deri në shekullin XX, e që në disa raste vazhdon edhe sot, me anë të së cilës u “zbuluan” paraardhësit e kombeve, u krijuan gjuhët letrare kombëtare dhe u hartuan historitë dhe mitet e kombeve të veçantë.

Naum Veqilharxhi (1767 – 1846) – ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

………………………………………………..

Krijimi i kombit prej intelektualëve nuk duhet kuptuar si një stisje me elementë artificialë, sepse intelektualët u bazuan në traditën e përcjellë gojarisht të popujve, në kujtimet për kohët dhe heronjtë popullorë të shkuar. Ajo që bënin intelektualët ishte organizimi i së shkuarës dhe i trashëgimisë kulturore të popujve në trajta domethënëse për mobilizimin politik për themelimin e shteteve kombëtare. Shkrimi i gjuhëve deri atëherë vetëm të folura dhe arsimimi masiv i popullsisë shiheshin prej tyre si mjetet më të rëndësishme për të ngulitur dhe përhapur përfytyrimin kombëtar. Në Evropën Qendrore e Lindore, veprimtaria e intelektualëve mori përmasa më të gjera dhe më domethënëse se sa në Evropën Perëndimore. Në këtë të fundit, shtresa e intelektualëve përbënte vetëm njërin prej grupeve shoqërore në konkurrencë me njëri-tjetrin për ndikim politik dhe veprimtaritë e tyre në rrafshin kulturor ndërlidheshin ose binin ndesh me ato të klasave të sipërmarrësve, aristokratëve, klerikëve, burokracisë shtetërore apo klasave punëtore. Ndryshe ishin kushtet në Evropën Qendrore e Lindore të sunduar prej perandorive, ku intelektualët kishin monopolin e kodifikimit të gjuhëve kombëtare, të mbledhjes së trashëgimisë popullore dhe të krijimit e shpërndarjes së përfytyrimeve kombëtare. Sidomos kjo vlente për trevat ballkanike që gjendeshin nën sundimin osman.
Në këtë përpjekje, intelektualëve ballkanas iu desh të përballeshin me institucionet fetare dhe përfytyrimet e përhapura prej tyre. Në Rumeli, elementi fetar mbizotërues për nga numri ishin ortodoksët, të përfaqësuar nga Patrikana e Stambollit, e cila paraqitej si trashëgimtare e Perandorisë Bizantine. Ajo kishte përqendruar në duart e klerit të saj jo vetëm funksionet shpirtërore, por edhe ato civile të të gjithë ortodoksëve të perandorisë, duke formuar në këtë mënyrë një shtet brenda shtetit osman. Prandaj, ishte e natyrshme që përpjekjet për “rilindjen” e kombeve dhe lëvrimin e gjuhëve kombëtare nga ana e intelektualëve nacionalistë ballkanikë të binin ndesh si me interesat e perandorisë, po ashtu edhe me ato të Patrikanës.
Në fakt, lëvizje kulturore të bazuara në gjuhët amtare kishin ndodhur edhe më parë mes ortodoksëve të Rumelisë, por ato niseshin nga të tjera synime. Kështu, botimet e fjalorëve disagjuhësh në Voskopojë gjatë shek. XVIII, si p.sh. botimi i fjalorit greqisht-vllahisht-shqip nga Teodor Kavalioti, apo ai greqisht-bullgarisht-vllahisht-shqip nga Danieli i Voskopojës, nuk kishin për synim “rizgjimin” e kombeve, por afrimin edhe më shumë të ortodoksëve të Ballkanit me kishën, aq më shumë që mësimi i gjuhës greke mund t’u shërbente laikëve dhe klerikëve ortodoksë për të ngjitur shkallët shoqërore brenda sistemit të miletit ortodoks. Shën Kozmai u predikonte shqiptarëve ortodoksë se “kisha jonë flet greqisht dhe raca jonë është greke. Nëse nuk mësoni greqisht, nuk mund të kuptoni se çfarë thotë kisha jonë. Më mirë të keni një shkollë greke në vendin tuaj se sa të keni burime dhe lumenj”. Patrikana në fillim ishte kundër lëvizjeve nacionaliste të grigjës së saj në Ballkan dhe gjatë Revolucionit Grek, Patrikana mbrojti interesat perandorake që ishin edhe interesat e saj, gjë që çoi në formimin e Kishës Autoqefale të Greqisë më 1833. Por me kohë, interesat e Kishës së Greqisë dhe ato të Patrikanës së Stambollit filluan të njësoheshin, sidomos gjatë kundërshtimit ndaj kishave të tjera kombëtare që po lindeshin ndër ortodoksët e Ballkanit, aq sa në fund Patrikana u vu tërësisht nën orientimet e shtetit grek. Në këtë mjedis e zhvilloi veprimtarinë e tij Veqilharxhi, pothuaj i vetëm dhe pa përkrahës, prandaj edhe ndihmesa e tij në krijimin e kombit shqiptar duhet të vlerësohet si një përpjekje titanike intelektuale dhe e vullnetit.
KOMBI DHE GJUHA
Naum Veqilharxhi është konsideruar si pararendësi dhe ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sepse vepra e tij përbën një nga përpjekjet e para për një alfabet origjinal të shqipes (1844 dhe 1845), si edhe përmban në trajtë embrionale idetë që do të zhvilloheshin më vonë gjatë periudhës së Rilindjes. Gjithashtu ai është edhe dëshmori i parë i lëvizjes kombëtare shqiptare, sepse besohet gjerësisht se ai u helmua nga agjentë të Patrikanës rreth vitit 1846.
Nga punimet e tij, tekstet që na kanë mbërritur neve sot janë Evëtari (Abetarja), e botuar në vitin 1844 dhe ribotuar në vitin 1845, kësaj radhe shoqëruar me një parathënie të titulluar E parathënme mbi djelmt e rij shqiptarë, një letër në greqisht drejtuar të nipit, Jani Calit, dhe një letër qarkore po greqisht drejtuar ortodoksëve shqiptarë (më poshtë gjatë citimeve do t’i referohemi këtyre teksteve duke u shkurtuar titujt, përkatësisht: Evëtari, Parathënie, Jani Calit dhe Enciklika). Leximi i këtyre teksteve na paraqet një mendimtar të formuar tashmë dhe me synim të qartë për misionin që i ka vënë vetes: zgjimin dhe ndriçimin e kombit të tij.
Në përfytyrimin nacionalist, njerëzimi ndahet në kombe që janë secili të ndryshëm nga të tjerët, por me të drejta dhe aspirata të barabarta. Për veçimin e kombit shqiptar prej kombeve të përparuar të Evropës, Veqilharxhi çuditet se si “ne shqiptarët jemi kaqë të ndarë e të pangjajmë farëvet të tjera pa pasur fare të shkruar e të kënduar mbë gjuhën tënë. Si ka duruar kjo dora (fara) e Shqiptarit të jetë mbetur ndënë të qeshurit e botës huaj” (Parathënie). Pra, shqiptarët dallohen qartë prej kombeve të tjerë, por janë mbrapa atyre ngaqë nuk kanë të zhvilluar shkrimin e gjuhës amtare dhe, për pasojë, janë mbrapa edhe për sa i përket diturive, sepse “farët e çdo njerëzve mundohen pa reshtuar si të mundënjënë të ndërtojnë e të shtojnë gjuhën e tyre dhe të mësuarit” (po aty). Nipi i tij, Jani Cali, e akuzon Veqilharxhin se është duke shpikur një bashkësi njerëzore që nuk ekziston, ngase i duket e pamundur që myslimanë, ortodoksë e katolikë të lidhen në një ndërgjegje të përbashkët e të formojnë një njësi politike të vetme. Kundërargumenti që paraqet Veqilharxhi në këtë rast na ndihmon të kuptojmë konceptin e tij për natyrën e kombeve. Zoti, sipas tij, i ka krijuar njerëzit të pajisur me arsye. Njerëzit për të plotësuar nevojat e veta komunikojnë me njëri-tjetrin dhe me anë të komunikimit në një gjuhë të përbashkët, arrijnë një nivel të caktuar njësimi të mendimeve e të ndërgjegjes, duke formuar bashkësi njerëzore: “Këta vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta mund të lidhen e të bashkohen dhe të formojnë mbi tokë shoqëritë njerëzore të vogla dhe të mëdha: d.m.th. racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha” (Jani Calit). Kombet që nga lindja e tyre i nënshtrohen një procesi evoluimi të vazhdueshëm prej gjendjes së barbarisë drejt qytetërimit: “dhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot” (po aty). Veqilharxhi misionin e tij e kupton në frymën iluministe si të atij të ndriçimit mendor të kombit: “Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e kombit” (po aty).

Duke dashur të ruajë funksionin përbashkues të gjuhës shqipe prej të gjithave ndarjeve brendashqiptare, Veqilharxhi mendonte se alfabeti më i përshtatshëm do të ishte një me simbole origjinale që të dallohet nga alfabetet arabe, greke, cirilike apo latine në përdorim në Ballkan. Por abetarja është veçse fillimi. Siç rrëfen vetë, Veqilharxhi iu fut punës për të shkruar tekste në gjuhën shqipe, të cilat do të shërbenin për të hedhur bazat e arsimimit dhe shkollës shqipe. Me mësimin e shkrimit dhe leximit në gjuhën amtare, mundësohej jo vetëm përparimi individual, por edhe ai i kombit: “Fare lehtë mund secili të njohë lehsinë (lehtësinë) që ka çdo farë (komb, racë) e njerëzve të mësojnë të mësuarit mbi gjuhë të vet” (Parathënie). Shkollat në gjuhën amtare janë një domosdoshmëri e çdo programi nacionalist, sepse në to mësohet jo vetëm gjuha, por u jepet brezave të rinj ndërgjegjja kombëtare me anë të njohjes së historisë, gjeografisë dhe kulturës së kombit, apo siç i thotë Veqilharxhi të nipit, kombi shqiptar mëson për “shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij” (Jani Calit). Paralajmërimet e të nipit grekoman për të hequr dorë nga misioni i shqiptarisë nuk kishin kurrfarë ndikimi tek Veqilharxhi: “nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet” (Jani Calit).
PËRPARIMI I KOMBIT
Veqilharxhi, shkakun e prapambetjes së shqiptarëve, krahasuar me kombet e tjerë, e kërkon tek pushtimet e shumta, ndryshimet politike dhe fetare që sollën ato, por më të rëndësishmen ai quan moskultivimin e gjuhës dhe të kulturës kombëtare. Moskokëçarja me të cilën shqiptarët në shekuj kanë trajtuar çështjen e shkrimit të gjuhës së tyre dhe të arsimit i ka lënë ata mbrapa jo vetëm nga pikëpamja materiale, për shkak të privimit nga zhvillimet shkencore, por edhe nga pikëpamja e vetëdijes kombëtare. Veqilharxhi u jep lexuesve të qarkores argumentin se mungesa e vetëdijesimit kombëtar te shqiptarët ka bërë që ata të punojnë jo për vete, por për të mirën e kombeve të tjerë: “ato kombe që mbetën në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve, duke punuar çdo ditë për begatinë e kombeve më të qytetëruara dhe më të fuqishme” (Enciklika). Gjendja e mjeruar e kombit në fillimet e shek. XIX përballohej me optimizëm nga Veqilharxhi. Këtë optimizëm ai e bazonte edhe në njohuritë e historisë së kombeve të tjerë që ishin ringritur pas periudhave të tyre të errësirës. Ja si i shkruan ai të nipit: “Duket se nuk e ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njëri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky. Kur shikon përparimin e kombeve të tjera dhe gjendjen e kombit tonë shqiptar sot, mos vallë dëshpërohesh? Dhe përse? Cili Komb mbiu menjëherë i madh, i fortë, i ditur, i lavdishëm?” ( Jani Calit).
Përgjithësisht, nga tekstet e tij kuptojmë se Veqilharxhi e konsideronte kombin shqiptar plot gjallëri e me virtyte që kishin bërë të mundur mbijetesën e tij në shekuj. Por për të shkuar më tej se sa mbijetesa, ajo që nevojitej sipas tij ishte një shtytës shpirtëror, një moral i ri udhëheqës për shqiptarët: vetëdija kombëtare. Arsyeja pse ai i mëshon kaq shumë arsimimit është sepse nëpërmjet tij do të fitohej morali kombëtar, do të përsoseshin cilësitë e shqiptarëve e mundi i tyre nuk do të shkonte dëm për të tjerët: “Shtrëngohi të mësoni e të shtoni (shtoni dijen) se është e ditur që frymët e Shqiptarëvet, veç që mendjen e kanë të hollë e të mprehtë nga të lerturit (lindja, natyra) e tyre, që mund pa frikë të them se, nukë vetëm arrijnë, po edhe shkojnë shumë farë njerëzve (kombeve) të tjerë” (Parathënie). Hendeku që i ndante shqiptarët nga kombet e tjerë të Evropës Perëndimore dukej shumë i madh, por Veqilharxhi nuk dëshpërohej “duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por bile duhet të mbushemi me hov dhe guxim” (Enciklika). Me entuziazëm iu përvesh ai idealit të shqiptarisë, si pak shqiptarë të kohës së tij, dhe ata që e patën frikë këtë entuziazëm e helmuan, por nuk mundën të helmojnë frymën e tij që i dha jetë Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
VEQILHARXHI SOT
Planet e Veqilharxhit për themelimin e shkollave shqipe dhe “zgjimin” e kombit shqiptar u prenë përgjysmë dhe tragjikisht, megjithatë, ai me të drejtë është quajtur ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Së pari, Veqilharxhi e vendosi kombin në qendër të të gjitha marrëdhënieve njerëzore. Së dyti, ai theksoi domosdoshmërinë e arsimimit në gjuhën amtare. Së treti ai propozoi për këtë qëllim përdorimin e një alfabeti sa më të veçantë prej alfabeteve përqark, në mënyrë që shkrimi dhe leximi i gjuhës shqipe të ishte një veprim përbashkues i shqiptarëve dhe jo përçarës. Së katërti, Veqilharxhi e shihte zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare në kuadër të laicizmit, sa më larg ndikimeve të besimeve fetare, por pa i mohuar këto të fundit. Së pesti, ai shprehu një optimizëm të thellë për zhvillimin dhe përparimin e shqiptarëve.
Mesazhet e tij, si edhe të rilindësve, duken aktuale edhe sot. Të vjen keq dhe dëshpërohesh kur lexon në shtypin e sotëm thirrje për të mos shikuar mbrapa te Rilindja dhe për të parë përpara, në kohën kur në kulturën shqiptare besimi te përparimi dhe tek e ardhmja, si pjesë të botëkuptimit modern, janë artikuluar për herë të parë nga Rilindja Kombëtare. Braktisja e ideve dhe simbolikës së Rilindjes shfaqet edhe përmes veprimeve vandale kundër simbolikës së Rilindjes, siç ka ndodhur para ca vitesh me bustin e Veqilharxhit në Korçë. Është në nderin e shtetit dhe qytetarëve që të kujdesen për ruajtjen e simbolikës kombëtare. Të paktën kaq gjë ua kemi borxh burrave dhe grave që me vetëmohim u përpoqën për krijimin e Shqipërisë në epokën e lindjes së kombeve.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura