Prishtinë, 26. 02. 2015 – Kontrolli i shtetit nga një grup i vogël njerëzish, kryesisht pronarë të bizneseve të mëdha në vend, gjithnjë e më shumë po vërehet në opinion. Kompani të mëdha, që dikur ishin me nam, kanë shuar veprimtaritë e tyre, ose janë në shuarje e sipër. Ndërkaq, kompani të reja të ngritura, sidomos në vitet fundit, sikur kërpudhat pas shiut, kanë marrë në dorë shtetin. Në bazë të dokumentacioneve të siguruara nga “Zëri”, shihet shumë qartë se vetëm 20 kompani të mëdha kosovare mbas të cilave dyshohet se qëndrojnë njerëz të politikës, po mbushin 50 për qind të arkës së shtetit. Ndërkaq, më shumë se 50 mijë të tjera sa janë të regjistruara në vendin tonë, paguajnë së bashku pjesën prej 50 për qind. Si për çudi në mesin e pesë kompanive më të mëdha në vend ndodhen edhe të tilla që para 5 vitesh ishin në falimentim e sipër.
Ndërkaq, sot po tentojnë të krijojnë monopol në tregun e derivateve, duke “zaptuar” dhe “përvetësuar” çdo pikë të shitjes që është në gjendje të rëndë financiare dhe nuk po mund të vazhdojnë më tutje, pasi që kanë hyrë në gojë të “ujqve”.
Mosfiskalizimi i pjesës dërmuese të pikave të shitjes së derivateve në vendin tonë edhe më tutje mbetet i pashpjegueshëm. Këta në njërën anë po dyshohet se po vjedhin shtetin me taksa, e në anën tjetër ka dyshime se janë duke vjedhur edhe konsumatorin me sasi.
Këto biznese edhe më tutje qarkullojnë qindra miliona euro, e që janë jashtë kontrollit institucional, pasi që pjesa dërmuese e tyre edhe më tutje funksionojnë pa arka fiskale. Shteti këto të fundit i ka amnistuar dhe në një farë mënyre i ka lejuar që të punojnë në një formë të tillë, por në anën tjetër inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës janë vënë në “gjah” pas bizneseve të vogla nëpër fshatra të thella të vendit, të cilat në mungesë të mjeteve nuk kanë arritur t’i fiskalizojnë pilarët e tyre.
Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të krijojë klimë të barabartë për të gjitha bizneset kosovare, e jo disa t’i ledhatojë e disa të tjera t’i shkatërrojë, së paku kështu ka ndodhur deri më tash. Edhe më tutje mbetet i pashpjegueshëm fakti se si ndërmarrje të vogla dhe të mesme, që në kushte dhe shtete normale janë promotor i zhvillimit ekonomik, ndërsa të njëjtat në vendin tonë çdo ditë po e shuajnë veprimtarinë.
Disa nga to janë goditur nga konkurrenca e pandershme, e disa të tjera nga bankat komerciale në vend, pasi që deri vonë shumica e tyre kanë aplikuar norma shumë të larta të interesit për kredi, e që në disa raste thuajse kanë qenë të barabarta me ato të fajdeve.
Gjatë vitit që lamë pas, ka pasur një rritje enorme të bizneseve të kësaj natyre që e kanë shuar veprimtarinë e tyre, e në anën tjetër pronarë të bizneseve të lidhura kryesisht me politikën kanë trashur edhe më shumë kuletën.
Shteti është kapur nga një grupi vogël i bizneseve që për përfitime materiale po rrezikojnë seriozisht shëndetin e popullatës, pasi që në disa raste dyshohet se prodhimet e tyre, apo edhe produktet që ata importojnë nga Serbia, por edhe nga shtete të ndryshme nuk janë konform standardeve të parapara në vendin tonë.
Mirëpo, çuditërisht në vendin tonë bizneset e kësaj natyre po rriten çdo ditë e më shumë, e ato që kanë pasur traditë dhe kanë punuar me nder, kanë falimentuar ose janë duke shkuar në një rrugë të tillë.