ENVER ROBELLI: JEAN’JACQUES ROUSSEAU – NJË PEHLIVAN MES DIJETARËVE

Pashtriku.org, 28. 06. 2012 – (Në 300-vjetorin e lindjes: ç’na duhet Jean-Jacques Rousseau sot?) Filozof francez? Kjo është e diskutueshme. Zviceranët e konsiderojnë Jean-Jacques Rousseau si dijetar helvetik. E vërteta është se ai u lind në Gjenevë, se e kishte quajtur veten krenar që ishte “citoyen de Genève”. Por, qyteti i lindjes nuk ishte aq i përzemërt me filozofin e ardhshëm. Në shekullin e 18-të Gjeneva ishte republikë e pavarur, por jo edhe aq demokratike, siç shpallte nga të katër anët.
1.
Natyrisht është rastësi absolute, por Jean-Jacques Rousseau ka lindur në ditën e Shën Vidit (për Vidovdan, siç thuhet në serbisht) – pra, më 28 qershor 1712. (Lexoni: http://de.wikipedia.org/wiki/Jean-Jacques_Rousseau – Sh.B) Në kohërat moderne të etablimit të nacionalizimit serb 28 qershori shënohet si ditë e rëndësishme historike dhe religjioze. Si interpretues tepër të guximshëm të ngjarjeve historike jo pak serbë, sidomos ata të proveniencës nacionaliste, e kremtojnë humbjen e 28 qershorit 1389 në Fushë-Kosovë si triumf hyjnor kundër myslimanëve (osmanëve). Ndonëse në mesjetë nuk kishte kombe, Beteja e Kosovës në vitet 1980 jo vetëm nga qarqet luftënxitëse serbe u lartësua si përpjekje heroike e popullit serb për të mbrojtur Europën e krishterë nga pushtimi osman. Derisa në gjithë Europën Lindore ngadhënjente ideja e demokracisë, e të drejtave individuale, e qytetarit si bartës të sovranitetit shtetëror – tamam ashtu siç e kishte propaganduar Jean-Jacques Rousseau në shkrimet e tij – në Serbi u popullarizua doktrina e homogjenizimit kombëtar: jo qytetari, por kombi unik shikohej si instrument për të arritur horizontin e lumturisë. Doli që kjo lumturi ishte vetëm një aventurë e përgjakshme.

________________________________

“Por, si avokat i qytetarit ai (Rousseau) u angazhua vendosmërisht për supermacinë politike dhe refuzimin e të gjitha pretendimeve sunduese, të cilat arsyetohen me religjion. Si filozof ai e di se filozofia dhe dëgjueshmëria ndaj fesë nuk shkojnë së bashku”, shkruan profesori i filozofisë Heinrich Meier në një ese për gazetën “Neue Zürcher Zeitung”. Pra, mesazhi mbetet aktual: filozofia, politike, angazhimi publik nuk shkojnë bashkë me fenë. Kundër kësaj logjike të bazuar në dijen dhe përvojën shekullore të mendimtarëve kishin vepruar në vitet 1980 liderët politikë dhe fetarë serbë. Në këtë kuadër hyn edhe bartja e eshtrave të car Lazarit nëpër mitingjet nacionaliste që mbaheshin pak para fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë në fund të viteve 1980. E kaluara më e re e konfliktit serbo-shqiptar mund të shpjegohet edhe me Rousseau-në: suspendohet e drejta e individit për angazhim publik dhe fiton mendësia e masës, së cilës i prijnë grahësit. Me këtë nuk është thënë asgjë në lidhje me moralin e konfliktit, i cili nuk është temë e këtij teksti.
2.
Në veprën “Diskurs mbi pabarazinë” Rousseau shkruante: “Çka tani? A ta shkatërrojmë shoqërinë, të eliminojmë ty dhe mua dhe të kthehemi në mal për të jetuar me arinj”. Kjo dukej iluzore, e pamundshme, sepse procesi i zhvillimit të njerëzimit është i pakthyeshëm prapa. Gjatë këtij zhvillimi mund të ketë eksese dhe fundosje, por popujt kanë dalë edhe prej humnerave më të mëdha. Shembulli më i freskët është kombi gjerman, i cili pas Luftës së Dytë Botërore, pas krimeve të pashembullta dhe llahtarisë të paharrueshme, u ngrit nga rrënojat dhe brenda një kohe rekorde ringjalli ekonominë dhe nisi një proces të përtëritjes morale dhe kulturore. Kthimi te arinjtë s’është i mundshëm as për vendet e Ballkanit. Por, kjo do të kuptohet më mirë kur në rajon do të ketë më shumë politikanë që nxjerrin mësimet e duhura nga veprat e filozofëve si Rousseau. Qe, pra, edhe një arsye për aktualitetin e veprës së filozofit francez.
3.
Filozof francez? Kjo është e diskutueshme. Zviceranët e konsiderojnë Jean-Jacques Rousseau si dijetar helvetik. E vërteta është se ai u lind në Gjenevë, se e kishte quajtur veten krenar që ishte “citoyen de Genève”. Por, qyteti i lindjes nuk ishte aq i përzemërt me filozofin e ardhshëm. Në shekullin e 18-të Gjeneva ishte republikë e pavarur, por jo edhe aq demokratike, siç shpallte nga të katër anët. Pushteti ndodhej në duart e disa familjeve të pasura, të cilat kishin ndërtuar një sistem oligarkik. Për rend e qetësi në metropolin e protestantizmit kujdesej policia e moralit. I ati i Rousseau ishte një orëndreqës dhe i përkiste shtresës së lartë të mesme, e ëma kishte vdekur pak ditë pas lindjes. Rousseau shkruan me admirim për të atin, i cili që herët e kishte orientuar drejt dijes: “Fëmijët e mbretit nuk mund të gëzojnë kujdes më të madh se sa unë që gëzova në vitet e para”. Për babë e bir tregohen plot legjenda. Njëra ndër to ka të bëjë me pangopësinë e tyre me lexim deri natën vonë, madje nganjëherë deri në mëngjes. “Kur i dëgjonim dallëndyshet, baba i turpëruar thoshte: hajde shkojmë në shtrat”.
Si filozof Jean-Jacques Rousseau shpejt u bë i padurueshëm si në Francë, ashtu edhe në Gjenevën nominalisht republikane. Duke u angazhuar që pushteti të kalojë në duart e popullit, ai në kryeveprën e tij “Kontrata shoqërore” shkroi: “Monarkia do të rrëzohet, populli do të sundojë”. Librat e tij pastaj u dogjën në Paris, një parlamentar madje kërkoi: “Nuk mjafton të digjen vetëm librat, duhet të digjet edhe autori i tyre”. Djegia e veprave vazhdoi edhe në Gjenevë. “Në Gjenevë unë isha një i pafé, një ateist, i çmendur, i çakërdisur, një kafshë e egër, një ujk”. Jean-Jacques Rousseau ishte padyshim një pehlivan mes dijetarëve. Raporti i tij me Zvicrën dhe zviceranët ishte ambivalent. Nga njëra anë ai ishte i entuziazmuar me sistemin demokratik zviceran (së paku në krahasim me vendet tjera), ku vendimet merren nga “populli më i lumtur në botë”, i cili tubohet “nën një lis dhe vendos për punët shtetërore”. Nga ana tjetër zviceranët realë Rousseau i përshkruante si dorështrënguar, si koprracë të mëdhenj. Sipas tij, edhe kur bën vaki që zvicerani pranon të jetojë në luks, ai prapë mbetet i pagdhendur dhe i ngathët. I dëshpëruar pas djegies së librave Rousseau u drejtohet qytetarëve të Gjenevës: “Gjenevianë, nëse kjo është liria juaj, atëherë s’kam pse ta vajtoj. Por, unë do t’i dua përherë qytetarët tanë edhe nëse ata janë mosmirënjohës. Edhe pse tash atdheu im për mua po bëhet i huaj, unë mbetem i lidhur me të përmes kujtimeve të përzemërta dhe do t’i harroj poshtërimet që m’i ka bërë”. – “Vitam impendere vero” (Ta bekosh jetën me të vërtetën” – kjo ishte motoja e jetës së Jean-Jacques Rousseau.
4.
Në hapësirën kulturore ku flitet gjuha gjermane të panumërta janë botimet me rastin e 300-vjetorit të lindjes së Jean-Jacques Rousseau. “Ëndrra të një endacaku të vetmuar” titullohet një libër i Rousseau i botuar nga shtëpia botuese “Matthes & Seitz” nga Berlini. “Unë pashë një botë tjetër” – titullohet vëllimi me letra të filozofit (botuar nga “Carl-Hanser-Verlag”, Mynih). Autorët Winfried Böhm dhe Michel Soëtard kanë shkruar një libër për Rousseau si pedagog (publikuar nga “Ferdinand Schöningh” në Paderborn), është ribotuar vepra e Ernst Cassirer “Mbi Rousseau”, pastaj disa libra mbi rrëfimet kyç të filozofit, mbi magjinë e mendimeve të tij, mbi ëndrrën e filozofit për paqen e përjetshme, mbi lumturinë e jetës filozofike dhe patologjitë e dashurisë ndaj vetvetes etj. Të panumërta janë po ashtu edhe aktivitetet kulturore në Zvicër, Francë e gjetiu në Europën Perëndimore me rastin e 300-vjetorit të lindjes së Rousseau.
5.
Pa asnjë dyshim Jean-Jacques Rousseau mbetet aktual. Porositë e tij edhe sot janë udhërrëfyese për zhvillimin e shoqërisë. Qe tri prej tyre: “Liria e njeriut nuk qëndron në atë se ai mund të bëjë çfarë të dojë, por në atë se nuk duhet të bëjë atë që nuk do”. “Njeriu lind i lirë dhe prapë gjithkund është nën pranga”. “Paraja që e kemi është mjet drejt lirisë, paraja pas së cilës vrapojmë është mjet drejt skllavërisë”. Prandaj, edhe ky tekst duhet të përfundojë këtu me këtë porosi: “Carpe diem” (shijoje ditën)! Me Jean-Jacques Rousseau. Për shembull me këtë vepër të tij: “Kontrata shoqërore – mbi origjinën dhe bazat e pabarazisë midis njerëzve”, botim i “Rilindjes”, viti 1977. Ose: “Zhylia ose Heloiza e re”, “Rilindja”, 1987. Duket e pabesueshme, por për aq sa shihet në fondin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës që nga atëherë, pra nga fundi i viteve 80-të, në Kosovë s’është botuar asnjë vepër e Jean-Jacques Rousseau. Ndoshta do të jetë ndryshe në vitin 2078, kur do të shënohet 300- vjetori i vdekjes së tij.
– Kontakti me autorin: [email protected]

_________________________

The Classics: Rousseau — Social Contract

…………………………………………….

Was ist negative Erziehung? (Jean-Jacques Rousseau)

…………………………………………………

Jean-Jacques Rousseau, parasitär, verlogen und verkommen, ein Vordenker der EU

………………………………….

(ILUSTRIMET I PERGATITI KRYEREDAKTORI  I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura