EPIDAMN ZEQO: POLITIKAT FINANCIARE TË BANKËS, IDETË E MUNGUARA TË DALJES NGA KRIZA

Pashtriku.org, 21. 03. 2013 – Simptomat dhe Dështimet: Aktiviteti ekonomik në vend ka ndaluar. Ekonomia vuan nga një krizë e shkaktuar nga jashtë por e lejuar nga brenda. Kriza e borxhit sovran në Itali dhe Greqi kërcënon drejtpërdrejt ekonominë tonë (dhe jo koncepti abstrakt i krizës globale). Ndërkohë, politikë-bërësit dhe opozitë-bërësit nuk kanë dhënë ende ide të reja dhe zgjidhje konkrete, si metodat monetare, për adresimin e krizës dhe rritjen e ekonomisë.
Kanë kaluar kohe që kur kriza tregoi katër simptomat e saj më të rënda:

Së pari, rritje të papërfillshme ekonomike – nuk krijon punë,
Së dyti, papunësi të lartë, nuk ka punë;
Së treti, rënia e konsumit – nuk ka para;
Së katërti, të marrësh kredi është e vështirë ose e pamundur – nuk ka kredi.

Shkurtimisht, ekonomia përjeton një krizë të rëndë. Ka pasur një mbikëqyrje relativisht të mirë të sistemit bankar dhe ekonomia nuk është në recesion. Megjithatë, duhet thënë se, Banka Qendrore ka bërë shumë pak për të stimuluar ekonominë, pavarësisht se ajo është në gjendje që të përmisojë direkt dhe indirekt simptomat e krizës. Ajo nuk ka krijuar asnjë metodë bindëse dhe efektive monetare (zyrtare ose jo-zyrtare) për të stimuluar ekonominë. Për më tepër, politika konservatore e Bankës – objektivi i stabilitetit të çmimeve, pra inflacioni – është një gabim strategjik për një ekonomi akoma të pazhvilluar si e jona. Gjithashtu, Banka Qendrore ka dështuar me politikën e normës së interesit që nuk e stimuloi ekonominë. Që kjo të ndodhë, në fillim është e domosdoshme që Banka Qëndrore dhe drejtuesit e saj, të bëjnë një pyetje të rëndësishme: a është kjo politikë monetare konservatore – e krijuar në kontekstin e kolapsit ekonomik të vitit 1997 dhe e kushtëzuar nga FMN-ja – një politikë e mirë për ekonominë sot?
Sot, Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të ulët të GDP-së për frymë në Europë, në më pak se 30 për qind të mesatares së EU27-s. Konsumi aktual individual, gjithashtu mbetet më i ulti në Europë. A nuk është edhe kjo një krizë në vetvete?

Në fakt, është e domosdoshme për një ekonomi si e jona që të rritet me një ritëm më të shpejtë dhe kjo domosdoshmëri është e mundur të realizohet. Ajo, për të cilën ka nevojë ekonomia, është një Bankë Qendrore që punon për lehtësimim e kredisë për sipërmarrësit, që në mënyrë që të lehtësojë marrjen e kredive nga çiftet e reja për blerje banese dhe kështu me radhë. Në një situatë ku bankat e ndryshme tregtare nuk “ushqejnë” ekonominë, Banka Qendrore duhet të ndërhyjë për të “ushqyer” ekonominë me kredi më të lirë dhe më të lehtë. Në mendimet pro dhe kundër, duhet gjithmonë të kihet parasysh se varfëria është shkaktuar pjesërisht më shumë nga mungesa e metodave monetare sesa nga ekzistenca e tyre. Në fund të fundit, ndryshimi – një përmirësim thelbësor në mirëqenien e qytetarëve – mund të bëhet vetëm nga institucione të përgjegjshme, që bluajnë dhe japin zgjidhje gjatë një krize ekonomike, duke përfshirë këtu metoda monetare.
Problemi(et)-Mosveprimi nuk ka kosto:
Muajin e kaluar, Guvernatori i Bankës Qendrore, z. Fullani, mbajti konferencën mujore me shtypin dhe deklaroi se norma reale e interesit do të mbetej e pandryshuar në 3.75 për qind. Kjo sepse, Banka e ka arritur objektivin e inflacionit prej – +3 për qind. ‘Mission Accomplished’ (Mision i kryer) – tha Guvernatori i Bankës.
Ky lajm, në dukje i mirë, në fakt është i keq, sepse objektivi i inflacionit të ulët është i mirë kur ekonomia është mirë dhe jo kur ekonomia është keq ose shumë keq! Ky lajm do të ishte i mirë nëqoftëse, për shembull, norma e rritjes së PBB (prodhimi brendshëm bruto) do të rezultonte 10 për qind në vit, d.m.th., edhe më e lartë sesa nivelet e parakrizës së borxhit sovran në Itali dhe Greqi. Fatkeqësisht, ekonomia nuk ka regjistruar 10 përqind rritje, që nga vitet e para të tranzicionit postkomunist. Në 2000-shin mesatarja ishte 6 për qind në vit, ndërsa në këtë dekadë, ekonomia është parashikuar që, ose të rritet me 1-2 për qind në vit, ose të kolapsojë nëse Italia dhe Greqia e bëjnë të parat. Sido që të jetë, parashikimi ekonomik (dhe politik) është mëse i zymtë. Gjatë po të njejtës konferencë për shtyp, Guvernatori deklaroi linjën e zakonshme: aktiviteti ekonomik është nën-potencial dhe e ardhmja ekonomike e vendit është në duart e botës. A nuk ka këtu një problem? A nuk duhet të jetë Banka Qendrore më proaktive kur ekonomia është në krizë dhe jo vetëm të ankohet që ekonomia nuk është mirë, pa ofruar ndonjë apo asnjë zgjidhje?
Kjo është një mungesë e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë së pashembullt nga Bankat Qendrore në vendet e tjera. Në një ekonomi në krizë, për të shmangur recesion apo performancë të dobët ekonomike, varet shumë nga inteligjenca e politikës monetare. Banka Qendrore duhet të lejojë një politikë më fleksibël monetare – duke zëvendësuar objektivin e stabilitetit të çmimeve me atë të mirëqenies ekonomike – dhe të stimulojë ekonominë. Kjo është e rëndësishme, edhe sepse një stimul fiskal është praktikisht i pamundur, për shkak të borxhit të lartë. Prandaj, kur ekonomika është në krizë, shtypja e Lek-ut është një alternativë ndryshe nga rritja e taksave dhe shkurtimeve të thella në shpenzimet qeveritare, si dhe stimulon ekonominë. Kjo është mënyra, që çdo Bankë Qendrore në botën e zhvilluar, apo të tjera nga bota në zhvillim, ka bërë për të adresuar recesionin ose performancën e dobët të ekonomive të vendeve përkatëse.
Banka jonë Qendrore mbetet “samurai i fundit”, që nuk ka bërë asgjë për të stimuluar ekonominë. Kjo është e pajustifikueshme. Banka Qendrore mund të ketë frikë inflacionin, por pyetja është: sa destruktive janë alternativat si një ekonomi e “sëmurë”, ose kolapsi ekonomik?
Për më tepër, ekonomia nuk vuan nga inflacioni, por ka një rrezik shumë të lartë për deflacion. Problem është mungesa e Lekut, sesa bollëku i tij. Banka Qendrore duhet menjëherë të krijojë disa instrumente bindëse dhe efektive monetare (zyrtare dhe jo-zyrtare), për të stimuluar ekonominë, që ajo të rritet me norma më të shpejta. Pse kjo nuk ka ndodhur deri më sot? Përdorimi i politikave monetare për të stimuluar ekonominë është e drejtë sovrane e një vendi dhe e Bankës Qendrore të tij. Ne nuk jemi të kushtëzuar nga Banka Qendrore Evropiane apo FMN-ja, ashtu si Greqia dhe Italia, për të mos miratuar një politikë më fleksibile dhe intervencioniste monetare. Një shpjegim mund te jetë: Banka Qendrore konservatore i jep fare pak rëndësi prodhimit në ekonomi, për rrjedhojë nën-përgjigjet ndaj goditjeve reale. Kostoja është e ulët për goditjet e vogla dhe e lartë për goditje ekstreme. Kjo është ajo që thonë librat. Një shpjegim tjetër më realist është se, Banka Qendrore është ose e papërgjegjshme, ose thjesht e paaftë. Por, mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies gjithashtu thekson mungesën e kostos së audiencë për politikat monetare. Asnjë ekonomist profesionist, i pavarur apo përfaqësues i opozitës nuk bën thirrje për një politikë alternative monetare. Prandaj, nuk ka kosto për bankier qendror të jetë joaktiv përballë krizës, sepse audiencat- palët e interesuara – janë memece. Një prej rezultateve është se Banka Qendrore nuk gjeneron as ide dhe as zgjidhje te reja.
Disa Ide dhe Zgjidhje:
Zgjidhjet dhe alternativat duhet të formulohen duke përdorur idetë që gjenden në ekonominë makropolitike, e cila është nënfusha e ekonomisë politike që ka të bëjë në mënyrë specifike me politikën monetare dhe institucionet monetare.
Fakti kyç për tu mbajtur në mend është si vijon: e thënë troç, printimi i Lekut nxit konsumin, prodhimin dhe punësimin. Prandaj, politika monetare mundet që, ndër të tjera, të bëjnë Leku-n më të lirë apo më të shtrenjtë, të bëjë më të lehtë apo më të vështirë kredi – marrjen, e kështu me rradhë. Egzistojnë shumë propozime për metoda- angazhuese që mund të përmirësojnë trade-off-in midis inflacionit dhe objektivat e prodhimit të brendshëm të politikës monetare. Banka Qendrore duhet të lejojë një shkallë më të ulët angazhimi për inflacionin (të mjaftueshme për të ulur pritjet inflacioniste të njerëzve), por të jetë më shumë fleksibile dhe proaktive sidomos kur goditjet ekstreme të prodhimit të jenë realizuar ose të jenë të mundëshme. Si mund të bëhet kjo gjë?
Gjëja e parë, që duhet thënë, është se metodat zyrtare dhe jo-zyrtare monetare të këtij lloji duhet të jenë të përkohshme, por duhet të zgjasin aq mjaftueshëm sa të kenë një efekt të konsiderueshëm në ekonomi. Nga njëra anë, është e rëndësishme që kur hartohet politika monetare të mbahet parasysh rreziku i hiperinflacionit, megjithatë, inflacioni nuk duhet të jetë i vetmi indikator që të përcaktojë objektivat e politikës monetare, sidomos kur ekonomia është në krizë. Një indikator më i rëndësishëm për një ekonomi si e jona është rritja e PBB. Nga ana tjetër, në mënyrë që të jenë efektivë, stimujt monetarë duhet të zgjasin mjaftueshëm për të rivendosur besimin dhe të kenë një ndikim të vërtetë e real në ekonomi. Një plan pesë-vjeçar është një fillim i mirë. Banka Qendrore, mbase të ketë ulur normën e interesit në rreth 1 për qind, duke shterur instrumentat e saj monetare konvencionale, ajo mund krijojë mjete jo-konvencionale por të nevojshme si ‘Quantitative Easing’–blerja e bonove të thesarit në mënyrë që të rrisi paranë në ekonomi. Këto dy veprimet duhet të ulin normën reale të interesit. Qëllimi kryesor i kësaj politike është për të nxitur si shpenzimet e brendshme ashtu edhe investimet. Si një efekt, normat e ulëta reale zakonisht dobësojë monedhën (lekun), si edhe mund të ulin importet. Por, kjo gjë përmirëson konkurrencën duke ulur çmimin e mallrave të prodhuara në vend. Nëse politika është e suksesshme në ringjalljen e kërkesës së brendshme, ajo përfundimisht do të çojë në rritjen e importeve, në rritjen e produktivitetit dhe në rritjen e prodhimit. Prandaj, një politikë fleksibile dhe intervencioniste monetare është një instrument i fuqishëm për të adresuar krizën. Por që kjo të ndodhë, është e nevojshme që Banka Qendrore dhe Qeveria të bashkëpunojnë proaktivisht në mënyrë që të krijojnë një plan koheziv afatmesëm për stimulimin e ekonomisë, duke përdorur edhe metoda monetare.
Në të njëjtën kohë, Qeveria së bashku me Bankën Qendrore, duke përfshirë edhe bankat tregtare, duhet të sajojë menjëherë skema për ta bërë më të lehtë për çiftet e reja matjen e kredisë për bjerjen e një banese. Kjo do të stimulonte edhe sektorin e ndërtimit, prandaj do të krijonte vende pune dhe të rriste ekonominë. Gjithashtu, sipërmarrësit e rinj duhet të mbështeteshin me kredi më të lehta në mënyrë që ato t’i zhvillojnë bizneset e tyre. Kjo gjë është e nevojshme edhe për të mbështetur rregullimet strukturore që synojnë zhvillimin e forcës punëtore në përputhje me kërkesat e veçanta të teknologjisë moderne (një rrugëdalje nga papunësia e të rinjve). Një ide e fundit është një skemë për t’i dhënë kredi studentëve për shpenzimet dhe faturat e tyre dhe kjo kredi të paguhet atëherë kur studenti të punësohet.
Përfundim (e):
Për të përmbledhur sa sipër, Banka Qendrore dhe Qeveria janë përgjegjëse që nuk kanë dhënë as idetë dhe as zgjidhjet. Opozita gjithashtu duhet të bëjë dhe të nxisë hartimin e një politike alternative monetare. Në fund të fundit, ndryshimi mund të vijë vetëm nga institucionet të përgjegjshëm dhe të aftë, dhe që janë proaktive kur ekonomia është në krizë ekonomike.
Idetë dhe zgjidhjet venë përpara në këtë artikull nuk janë politike, por thelbësore për ekonominë. Partitë e mëdha politike, në qoftë se ata vërtetë kanë një largpamësi, ose nëse zgjedhjet ishin të prodhonin një qeveri teknike, duhet të arrijnë një konsensus për të lejuar një politikë fleksibile dhe intervencioniste monetare, për të stimuluar ekonominë, të paktën për një periudhë afatmesme. Banka Qendrore dhe Qeveria nuk duhet të kenë ngurim që ekonomia është në krizë, por në vend të kësaj ndjesie, ata duhet të jenë jashtëzakonisht të alarmuar dhe pro – aktivë. Gjithashtu, është e rëndësishme që, Banka Qendrore e Shqipërisë dhe Qeveria, të ketë konsulta me Bankën Evropiane (dhe FMN), për të marrë disa këshilla se si politika monetare mund te stimulojë ekonominë. Kjo krizë paraqet një mundësi ideale për Banka Qendrore, që të zhvillohet në bashkëveprim me presionet që burojnë nga aktorë të ndryshëm politikë dhe ekonomikë. Ka tre parimet udhëzuese që Banka Qendrore duhet të ketë parasysh gjatë këtij tranzicioni:
Së pari, të mbështetet larmia e brendshme e ideve dhe lidhjet me komunitetet intelektuale, për të marrë teoritë monetare konkurruese.
Së dyti, të krijojë mënyra sondazhi për të kuptuar se çfarë po ndodh vërtet “në terren”.
Së treti, të zhvillohen lidhjet e jashtme të tilla që vendimet e Bankës të pasqyrojnë preferencat e njerëzve, fati ekonomik i të cilëve është në duart e Bankës.
Së fundmi, ky artikull nuk synon që të bëj thirrje për një rishikim të plotë të Bankës Qendrore, por synon që ajo të përshpejtojë ritmin e saj të evolucionit. Banka duhet të pushojë së qeni një relike e viteve 1990 dhe tregojnë se mundet të bëjë më shumë për ekonominë.
Për të gjitha këto arsye, atëherë, nëse ju lexues jeni duke luftuar për bukën e gojës apo jeni drejtues të një institucioni kyç ose jo, kurrë nuk ka qenë më shumë se sa është sot, e nevojshme për të kuptuar ekonominë makropolitike. Nëse ky artikull thyhen koncepte, atëherë nuk qenkam munduar kot.
– Autori ka një Master të Arteve nga Universiteti Saint Andrews në Skoci dhe një Master Shkencor nga London School of Economics. Ai jeton dhe punon në Londër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura