‘EPOPEJA E FLAMURIT’

Londër, 5 dhjetor 2018: Ndryshe nga manifestimet e zakonshme që shohim çdo vit, me rastin e 106 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë shoqata Balkan Muslim Society (BMS “Drita”) ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shënuar këtë ditë. Ajo ka organizuar një takim historik me temë “Epopeja e Nëntorit” me pjesëmarrjen në panel të tre lektorëve, z. Muhamed Sytari, myfti i Shkodrës, z. Sali Shasivari, teolog me origjinë nga Tetova dhe znj. Jeni Myftari juriste, pjesë e diasporës shqiptare në Britani.
Aktiviteti u mbajt më 28 nëntor në Harris Akademi, Londër, dhe u ndoq nga qindra pjesëmarrës të të gjitha moshave.
Mbrëmjen e hapi i riu Ekrem Hoxha i cili lexoi pjesë nga Kurani Fisnik. Më pas, tingujt e Himnit të Flamurit mbushën sallën.
Moderatori Tasim Darsi, pasi falënderoi pjesëmarrësit i uroi të pranishmëve mirëseardhjen dhe foli për rëndësinë e kësaj ditë të shënuar për shqiptarët kudo që janë.
Në emër të shoqatës BMS “Drita” pjesëmarrësit i përshëndeti z. Shkëlzen Mustafa, kryetari i kësaj shoqate. Ai foli shkurtimisht për aktivitetet e shoqatës me grupmosha të ndryshme, që nga aktivitetet sportive me fëmjët, leksionet javore të anëtarëve të shoqatës, femra e meshkuj.
Një vidio e shkurtër me veprimtarinë e shoqatës tregoi për përpjekjet modeste të saj për të ndihmuar jetimët dhe të varfërit në Kosovë e Maqedoni, si në shpërndarjen e pakove ushqimore për ata në nevojë, mbledhjen e fondeve për fëmijët e sëmurë, ndërtimin e shtëpive për të pastrehët, ndihmat në sigurimin e druve dhe rroba të familjeve të varfëra, në muajt e acartë të dimrit etj.
Më pas z. Sali Shasivari mbajti kumtesën me titull “106 vjet Shtet Shqiptar: populli shqiptar mes sfidave dhe shpresave”.
Në fjalën e tij, z. Shasivari bëri një pasqyrë të përgjithëshme historike të përpjekjeve të popullit shqiptar për pavarësi. Ai foli për rrugën e vështirë dhe të përgjakshme nëpër të cilën ka ecur populli ynë derisa arriti tek pavarësia.
“Pavarësia -tha Shasivari- erdhi si një domosdoshmëri e kohës. Me dobësimin e Perandorisë Osmane ishte e domosdoshme shpallja e pavarësisë, për të evituar asimilimin e shqiptarëve nga vendet sllave të Ballkanit, të cilëve Traktati i Shën Stefanit i kishte aneksuar një pjesë të madhe të territorit të banuar nga shqiptarët.
Shpallja e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së të gjitha Vilajeteve shqiptare, jo vetëm e asaj Shqipërie që njohim sot e cila mund të quhet “Shqipëria Londineze”, pasi kufinjtë e saj u shënuan në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 e më vonë në Konferencën e Paqes në Paris më 1919.
Vilajetet e banuara nga popullsi shqiptare u vetëshpallën të pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë.
Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Pavarësisë shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë, për shkak se kombi shqiptar ishte i rrezikuar nga vendet fqinje pasi kishte një vlerë të madhe gjografike dhe strategjike.
Megjithatë – theksoi Shasivari – pavarësia nuk e zgjidhi problemin e shqiptarëve. Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 40% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë”.
Duke vazhduar fjalën e tij Sali Shasivari, bëri një pasqyrë të përgjithshme të Luftrave Ballkanike. “Në vitin 1913 – tha ai – filloi lufta e parë ballkanike me aleancën e katër shteteve ballkanike, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë, kundër Perandorisë Osmane”.
Duke vazhduar fjalën e tij, Shasivari bëri një kronologji të përgjithëshme të 106 viteve të pavarësisë deri më sot.
Lektori i dytë, Muhamed Sytari, Myfti i Shkodrës, mbajti kumtesën më titull: “Roli dhe kontributi i dijetarëve myslimanë shqiptarë në Pavarësinë e Shqipërisë dhe në mbrojtjen e viseve dhe vlerave shqiptare”.
Në fjalën e tij ndërmjet të tjerave Sytari tha:- “Është e pastudiuar sa duhet, moria e madhe e shkrimeve, kushtimeve, vargjeve, himneve dhe përkujtimoreve kushtuar Ditës së Pavarësimit të Shqipërisë sonë të shtrenjtë, si dhe e kontributit të vyer të hoxhallarëve dhe intelektualëve myslimanë për çështjen kombëtare. Në revistat islame dhe botimet e ndryshme, kryesisht ato të gjysmës së parë të shekullit 20-të hasim një volum të madh tekstesh me vlerë kombëtare dhe gjuhësore. Kjo fakton ndjenjën e sinqertë kombëtare të elitës myslimane të vendit tonë, një ndjesi e natyrshme e lindur me njeriun, që kuptohet më së miri në fjalët me të cilat Profeti Muhammed (s.a.a.s.) i drejtohej Mekës, vendlindjes së tij:
“Me të vërtetë ti je toka më e mirë e All-llahut të Madhëruar dhe më e dashura tokë e All-llahut për mua dhe, sikur të mos më detyronin të largohesha nga ty, nuk do të largohesha kurrë!”.
Sytari bëri një kronologji të krijimtarive të dijetarëve myslimanë të mesit të shekullit të 19-të dhe të shekullit të 20-të.
“Kam dëshirë të sjell në vëmendjen tuaj citime interesante -tha Sytari- të cilat i kam nxjerrë gjatë studimit në revistat e njohura të kësaj periudhe, si: “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” dhe “Njeriu”, por edhe në botime që dritësojnë personalitetet e ndryshme islame të vendit tonë dhe trashëgiminë e tyre të grumbulluar gjatë hulumtimit në dorëshkrime apo libra të shpëtuara nga shkatërrimi dhe djegia e kohës”.
Duke cituar Revistën “Zani i Naltë”, Sytari përmend:- “Ja si nis kryeshkrimi i këtij numri:
“Njizet’ e tetë Nanduer 1912! Shqipnia u bâ, u njoft ai shtet indipendent.” – (f. 321)
“Feja Islame si feë e vërtetë qi âsht, kje çmue peej Shqiptarëve edhe pat fillue me u përhapë në Shqipni qysh para kohës së Skënderbeut. Prandaj nuk âsht çudi qi të përpjekim me emna muslimanësh ndër burra shqiptarë qi kanë jetue para Shkënderbeut.
Kleri Musliman Shqiptar kjenë ata qi dhanë kontributin mâ të madh në ruajtjen e gjuhës kombëtare; sepse ata, mësimet, këshillat dhe predikimet fetare i bânë në gjuhën shqipe…
Ndofta mund të thotë ndokush se këta kanë shkrue me alfabet arab! Ani qysh! Mjaft qi kanë shkrue shqip; mjaf qi këtij populli i kanë dhanë të kuptojë se edhe gjuha e tyne, -Shqipja- mund të shkruhet…” – (f. 330)
Duke mbyllur fjalën e tij Sytari tha:- Pa udhëzimet e Islamit tonë, ne nuk do ishim këta shqiptarët që jemi, as do lexonim me krenari e përulje shembullin dhe gjurmën e gjyshërve dhe baballarëve tanë muslimanë, që i shërbyen kombit dhe atdheut me gjithë shpirt, aq sa Vetëm Një Zot e di!
All-llahu i begatoftë shqiptarët e urtë e të ndershëm, na udhëzoftë të gjithëve drejt më të mirës, na bëftë të dobishëm për vete, krenarë e plot dinjitet, respektues të njëri-tjetrit, mbrojtës të kufijve të tolerancës, ushqyes me vepra konkrete të harmonisë e vëllazërisë kombëtare, shembull për të sotmen dhe të ardhmen!”

Lektoria e tretë, znj. Jeni Myftari, mbajti kumtesën me titull:
“Ata që ruajtën këngën e djepit” – Roli i diasporës shqiptare në procesin e pavarësisë dhe amaneti për brezat”.
Pas një përmbledhje të përgjithshme të rrugëtimit të shqiptarëve për pavarësi, Myftari tha se diaspora shqiptare ka luajtur një rol të rëndësishëm në pavarësinë e shqiptarëve.
Ajo e filloi udhëtimin e disporës më 1896 kur Faik Konica, në moshën 22 vjeçare, udhëton në Bruksel dhe nxjerr numrat e parë të revistës “Albania”, e cila shumë shpejt u bë një nga organet më të rëndësishme për shqiptarët.
Më pas ajo foli për diaporën shqiptare në SHBA, si diapora më e madhe e kohës, jashtë kufinjve të Perandorisë Osmane. Në SHBA- tha Myftari- më 15 shkurt 1909 u botua gazeta “Dielli” e cila nisi udhëtimin si organ i shoqërisë “Besa-Besën”, një nga shtyllat mbi të cilën u mbajt Federata Pan Shqiptare “Vatra”, kur u themelua në Boston me 28 prill 1912 me iniciativën e Faik Konicës në bashkëpunim me Fan Nolin. “Gazeta Dielli – tha ajo – është gazeta më e vjetër shqiptare që vazhdon të botohet që prej 109 vitesh”.
Myftari tregoi për rolin e Vatrës para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Vatra” – tha ajo – dërgoi delegatë Faik Konicën dhe Fan Nolin në Konferencën e Londrës në 1913, ndërsa në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919 “Vatra” dërgoi delegatë Mehmet Konicën, britanikët Edith Durhamin dhe Aubrey Herbertin si dhe amerikanin Charles Erikson.
Më 1918-1919 “Vatra” grumbulloi mjete monetare në ndihmë të shtetit shqiptar. Punëtorët shqiptarë në Amerikë kanë investuar pagën e 6 muajve në ndihmë të shtetit shqiptar. Fondi i mbledhur e kalonte buxhetin e shtetit të kohës. Fondet e grumbulluara iu dërguan qeverisë së Durrësit në mbështetje të Konferencës së Paqes për përfshirjen në kufinjtë e shtetit të ri Shqiptar të trojeve të Kosovës, trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e Greqi, të mbetura jashtë nga vendimet e Traktatit të Shën Stefanit dhe Konferencës së Londrës.
Por përjekjet e tyre nuk u realizuan dhe të gjitha këto troje mbetën përfundimisht jashtë kufinjve të shtetit amë”.
Duke vazhduar me rolin e diasporës Jeni Myftari theksoi rolin që ka luajtur Kolonia shqiptare e Egjiptit në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, veçanërisht Thimi Mitko i cili botoi “Bleta Shqiptare” më 1878. Më pas ajo foli për kolonitë shqiptare të Rumanisë, Bullgarisë, Turqisë, ku veçoi kontributin e vëllezërve Frashëri (Naim, Sami dhe Abdyl), Hoxha Tasim, Kristoforidhi, etj.
Në Stamboll u themelua “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” dhe “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”, themeluar nga Abdyl Frashëri.
Më pas Myftari foli për Shoqërinë “Djalëria” të Austrisë dhe rolin e arbëreshëve të cilët fillojnë aktivitetin për pavarësi të frymëzuar nga botimet e Jeronim De Radës (1814-1903).
Myftari u ndal më me hollësi tek kontributi i diaporës shqiptare në Britani dhe bëri një kronologji të veprimtarisë së shqiptarëve në këtë vend që nga koha e Lidhjes së Prizrenit deri në ditët tona.
“Në Londër – tha Myftari ndër të tjera- u botua revista “Albania” e Faik Konicës nga 1904-1909. Po kështu Ismail Qemali ka nxjerrë revistën “E ardhmja e Shqipërisë” në jug të Britanisë në 1908. Nga revista ka dalë vetëm një ose dy numra.
Më 1912 themelohet në Londër “The Albanian Committee” me iniciativën e Aubrey Herbert, anëtar i Parlamentit Britanik. “The Albanian Committee” u themelua me qëllim që të ndihmojë pavarësinë e Shqipërisë dhe të mbledhë fonde për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Komiteti mbrojti çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore si dhe në Konferencën e Paqes. Më 1918 Komiteti ndryshon emrin në Anglo-Albanian Association (AAA) shoqatë e cila vazhdon të kryejë funksionet e saj dhe sot.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në mungesë të marëdhënieve diplomatike Shqipëri-Angli, boshllëkun e ka plotësuar AAA e drejtuar nga e veja e Kolonelit Herbert, me anëtarë Kolonel Darel Ockley Hill, Harry Hojkinson etj. Më pas Kryetar i AAA ka qenë Dervish Duma. President aktual i AAA është historiani i njohur dhe miku i shqiptarëve, Sir Noel Malcolm, i cili me librin “Kosova, histori e shkurtër” botuar më 1998, ka ndihmuar në procesin e pavarësisë së Kosovës. AAA ka festuar ditën e pavarësisë çdo vit, në Londër, në mungesë të një ambasade shqiptare në vend.
Vetë emigrantët – tha Myftari – kanë ndihmuar në çështjen shqiptare. Në fillimet e viteve 1990 çështja e pavarësisë së Kosovës bëhet një çështje kryesore për emigrantët. Pavarësia e 1912 nuk ishte kompletuar. Kishte ardhur koha për pavarësinë e një pjese tjetër që mbeti jashtë kufinjve më 1912 dhe pikërisht të Kosovës.
Edhe një herë diaspora tregoi vlerat e saj- citoi Myftari. Pas viteve 2000 shohim një rritje të konsiderueshme të numrit të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar (MB). Kjo çoi në domosdoshmërinë e hapjes së shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve. Sot në shumë qytete të MB ku janë përqëndruar shqiptarët funksionojnë shkolla shqipe, të cilat ofrojnë mësime të gjuhës dhe të kulturës shqiptare për fëmijët.
Veç kësaj në Londër funksionon Qendra për Studime Shqiptare e themeluar nga studiuesi Bejtullah Destani, e cila me nivelin e botimeve të saj akademike, duket se brenda një kohe të shkurtër ka arritur të kontribuojë për çështjen shqiptare, mbase shumë më tepër se sa institucionet studimore shqiptare në Tiranë e Prishtinë.
Gazeta “The Albanian” është një tjetër organ shumë i rëndësishëm që pasqyron veprimtaritë e komunitetit mbarëshqiptarë pa dallim. Duke patur një numër ndjekësish që e kalon milionin ajo është bërë mjeti më i madh informativ mbi atë që ndodh në MB me shqiptarët”.
Duke përfunduar fjalën e saj Jeni Myftari tha:- “Amaneti im për brezat është të integrohemi në vendet ku jetojmë por, integrim nuk do të thotë asimilim. Të ruajmë rrënjët tona, gjuhën dhe traditat shqiptare dhe t’ia përcjellim ato me fanatizëm fëmijëve tanë. “Integrim JO Asimilim””.
Më pas aktivitetin e përshëndeti një grup fëmijësh, të veshur me ngjyrat kombëtare. Fëmijët të drejtuar nga Enida Meta paraqitën një program artistik me këngë dhe poezi për atdheun.
Në fund të aktivitetit, përshtypjet e pjesëmarrësve ishin nga më të ndryshmet. I riu Enes Hoxha, nga Kosova, i lindur dhe rritur në Britani, i emocionuar nga aktiviteti u shpreh:- “Sonte, ka njerëz që kanë hyrë në sallë patriotë pa arsye dhe kanë dalë nga salla patriotë me arsye. Duke dëgjuar kumtesat -tha Enesi- kuptova sa pak dimë për historinë tonë. Mësova aq shumë nga këto leksione dhe u ndieva vërtet krenar që jam shqiptar. U befasova kur dëgjova për kontributin e diaporës shqiptare në mbrojtje të tokave shqiptare. Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Dëshiroj të dëgjoj sa më shumë për hisorinë e popullit tim, të mësoj për rrënjët e mia dhe të të parëve të mi. Kam filluar të lexoj vetë historinë e shqiptarëve dhe jam gjithmonë në kërkim të lavdisë shqiptare”.
Ndërsa nëna e Enesit, Afijete Hoxha u shpreh:- “Sonte, duke dëgjuar për kontributin e elitës myslimane shqiptare për çështjen kombëtare, jam ndier vërtet krenare që jam myslimane shqiptare, e mbuluar me shami. Po ashtu kuptova sa shumë gjëra i kemi mësuar gabim e sa shumë nuk na janë mësuar”.
Një pjesëmarrës tjetër në aktivitet duke falënderuar lektorët për kumtesat me nivel akademik tha se ndiejmë nevojën të dëgjojmë më shpesh kumtesa të tilla, të cilat na mësojnë e na tregojnë për madhështinë shqiptare dhe na ndezin gjoksin.
“BMS “Drita”- përfundoi ai- ka bërë përzgjedhjen e duhur duke zgjedhur këtë mënyrë për të festuar pavarësinë e shqiptarëve”.
Përgatiti M.M

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura