HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (11)

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (11)

KOMITETI I DRENASIT

Siç u theksua më lart, në mbledhjen e dytë të Komitetit të Deçanit, njërën nga detyrat më parësore në veprimtarinë e mëtejshme e konsideruam zgjerimin e rrjetit organizativ të Lëvizjes anekënd Kosovës. Në këtë drejtim, përveç Dritës, kontribuan Ismaili, Avdullahu dhe Xhaviti. I pari i sapo të cekurve e theu akullin me një të ri, që në një aspekt ishte më tepër se befasues. Si i tillë mund të shërbente edhe si mësim… Atdhetarizmi në botën shpirtërore të llapushjanit nga fshati Llapushnik mugulloi nga heroizmi i krahinës që i përkiste e për t’u bymuar me atë të të gjitha viseve shqiptare. Bajram Gashi, pasi e kishte kryer shkollën e mesme për punë të brendshme në Vushtrri, ishte caktuar që të punojë në sektorin përkatës në Gjakovë, sikur në tërë rininë e Kosovës, në formimin e tij kombëtar, ndikim të veçantë patën edhe emisionet e RTSH-së. Prandaj, shkurtimisht, po e parafrazoj një rrëfim të protagonistit, sepse, siç do të shihet, nuk është i pa domethënie. Në 100-vjetorin e LSHP-së, më saktë në njërën nga mbrëmjet e shtatorit të atij viti, në dhomën e kujdestarisë së Postëkomandës ishte duke i përcjellë emisionet e studios së sapocekur, kur dy policë shqiptarë ia kishin hapur derën. Bajrami s’i kishte pritur mirë, meqë mendonte se atë veprim e kishin bërë me qëllim të caktuar, prandaj u kishte thënë “… nëse nuk guxojnë ta përcjellin, mua të mos më pengojnë.”  Por, doli i gabuar, sepse ata edhe e ndihmuan për ta rregulluar antenën kur humbte sinjali… Jo vetëm kaq, dy kolegët ishin pranë tij kur disa milicë “serbë e malazezë synonin që dhunshëm ta ndërronin kanalin televiziv…”  Ndërrimin e moteve 1978/79 e kishte pritur në Postëkomandë me një tog kolegësh shqiptarë duke i përcjellë emisionet e RTSH-së. Domethënia: Rasti i mësipërm dëshmon se as në mesin e atyre që e kishin veshur uniformën e milicisë dhe as në mesin e atyre që e mbanin në xhep teserën e LKJ-së, nuk mungonin atdhetarë, që ishin të gatshëm edhe të sakrifikojnë për lirinë e vendit.

  • Bajram Gashi

I etshëm edhe për dije, në vitin 1979 veprimtari i ardhshëm regjistrohet me korrespondencë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Duke i lexuar veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë, në të cilat pasqyrohet rrugëtimi ynë nëpër shekuj e dekada, vetëdija e tij kombëtare ngrihet deri në shkallën e gatishmërisë për ta dhënë kontributin e vet për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi.

Duke i përcjellë ligjëratat, aq sa kishte mundësi, u njoftua me disa studentë, me të cilët gjeti gjuhë të përbashkët edhe për kauzën kombëtare. Ndër ata që duhet të përmenden ishin: Ibish Neziri, Ramë Zeqiri, Ismet Sopi, Ilmi Gegaj e ndonjë tjetër. Me të parin e të sapocekurve kishte shkuar ndonjë hap më larg se me të tjerët, prandaj përmes tij, në prillin e vitit 1979 anëtarësohet në organizatën ilegale “Fronti i Kuq Popullor”.

Në dimrin e atij viti, Bajram Gashi, me dëshirën e tij, ishte transferuar në Postëkomandën e Cërmjanit – një nga fshatrat e Dushkajës, qysh e quajnë atë pjesë të Dukagjinit, jo vetëm banorët e asaj ane. Në ambientin e ri jo vetëm që vazhdoi t’i përcjellë programet e RTSH-së dhe të simotrave të tij, por i nxiste edhe vendësit, që të mos ngurrojnë, prandaj ata filluan ta quajnë edhe Bajram Kukësi. Atë aktivitet e zhvillonte në fshatrat që ishin nën “juridiksionin” e Postëkomandës së Cërmjanit.

Në fshatin e sapocekur, miku i Ismail Haradinajt, Avdyl Hoxha, e kishte një dyqan, në të cilin polici atdhetar e kalonte një pjesë të kohës së lirë, duke biseduar me ata që i gjente aty. Në dasmën e tij, dhëndri u kishte folur krushqve për padrejtësitë që iu kishin bërë popullit shqiptar duke e copëtuar atë dhe trojet e tij që nga Kongresi i Berlinit, por pa e lënë anash as qëndresën heroike të kombit. Ismaili nuk ishte i panjohur për cërmjanasit, por as për familjarët e miqve të tij. Megjithatë, u befasuan, sepse ato që i dëgjonin i thoshte një arsimtar i edukatës fizike, shumë kolegëve të të cilit çështja kombëtare nuk u hynte në njërin, as në veshin tjetër. Ndonjëri nga të pranishmit e hidhte shikimin në drejtim të llapushjanit me uniformë me qëllim që t’ia lexojnë reagimin. Mëdyshjet ishin zhdavaritur sa çel e mbyll sytë, sepse ai u foli haptas: “Ne mund të themi çka të duam, por faktet historike dhe të vërtetën nuk mund ta ndryshojmë. E jona është që ta ndryshojmë gjendjen dhe t’u japim fund padrejtësive të deritashme…”

Pas dy – tri takimeve që Bajram Gashi i kishte pasur me Ismailin, në qershorin e vitit 1980 anëtarësohet në LNÇKVSHJ; pra, pak ditë para se të formohej Komiteti i Deçanit. Detyra e parë dihej: organizimi i bashkëmendimtarëve, ndërkaq, dilemën që e kishte llapushjani se a duhej të njoftohej dikush nga të “Frontit …” se po largohej nga Organizata, Ismaili ia kishte sqaruar, gjithnjë po e parafrazoj: Jo, sepse nuk do të mungojnë “komentet”, mjafton që të pasivizohesh gradualisht. 

Bashkëveprimtari i parë i Bajramit, Ismet Sopi, ishte dëshmuar veprimtar i zellshëm. Brenda një kohe relativisht të shkurtër arriti t’i organizojë tre veprimtarë: Alush Thaçin, Çerkin Sopin dhe Nuhi Sopin. Meqë pesëshja e përmbushte kriterin e përcaktuar në një nga nenet e Statutit për formimin e Komitetit të Vendit, në shtatorin e vitit 1980, në “Saishtë” të Llapushnikut e konstituojnë instancën e sapocekur të strukturës organizative të LNÇKVSHJ-së. Bartësit e funksioneve: Alush Thaqi – kryetar, pseudonimi – Bregu, Bajram Gashi – sekretar organizativ – Skyfteri, Ismet Sopi – arkëtar – Shpetimi dhe Çerkin e Nuhi Sopi – anëtarë – Flaka dhe Koci. Këtu duhet theksuar se ai hap ishte ndërmarrë me dijen, respektivisht me pëlqimin e Ismail Haradinajt, të cilit, pak më vonë, një pjesë e të hollave të grumbulluara nga anëtarësia i dorëzohen që t’i shfrytëzojë për zhvillimin e veprimtarisë së Komiteteve. Ndërkaq, Halil Kuliqi dhe Naim Bujupi kanë qenë veprimtarë të Lëvizjes dhe kanë bashkëpunuar me ndonjërin nga anëtarët e Komitetit.

V E P R I M T A R I A

Lëvizja ilegale, në kuadrin e së cilës në vitet e tetëdhjeta vepronin jo më pak se katër organizata, e dha provimin edhe në Panverën e vitit ’81, siç e pat dhënë edhe në vjeshtën e 68-s. Nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse ajo me veprimtarinë e saj të vazhdueshme, siç është dëshmuar katërçipërisht, synonte që një ditë Kosova të ngrihet në këmbë për t’i kërkuar të drejtat e veta legjitime. Megjithëse demonstratat e studentëve më 11 e 26 mars në Prishtinë e një ditë më parë në Prizren deri në një farë shkalle e patën befasuar, Lëvizja, nga 1 prilli, siç është theksuar edhe më lart, u shndërrua në katalizator të atij vullkani, që shpërtheu anekënd Kosovës gjatë atyre dy muajve të asaj pranvere, e cila hyri në historinë e popullit shqiptar.

Ndonëse Komitetit të Drenasit i mungonte nismëtari, respektivisht sekretari organizativ, Bajram Gashi, i cili qe arrestuar në fund të nëntorit të vitit 1980, rrethanave të krijuara iu përgjigj në përmasa të lakmueshme. Nuk ishte reagim spontan, sepse “Lajmëtari i lirisë”, jo më pak se 300 ekzemplarë, që Naimi i kishte sjellë në Kosovë, siç është theksuar më lart, një pjesë e tyre ishte shpërndarë edhe në Drenicë. Krahas “Lajmëtarit”, “Bashkimit” dhe “Lirisë” – organ i OMLK-së- nëpër duart e lexuesve qarkullonin edhe një sërë veprash letrare e historike, pra edhe monografi, që u kushtoheshin figurave më të ndritura kombëtare. Me pemët e asaj bahçeje të shqiptarisë ushqeheshin veprimtarët e Lëvizjes… – organizatorët dhe të organizuarit e kthesave, siç qe edhe ajo e Pranverës së vitit 1981.

Ndonëse atje ku është shtjelluar formimi dhe veprimtaria e Komitetit të Deçanit, lexuesi, pa vështirësi mund të ketë vërejtur se një pjesë e punës së tij ishte e përbashkët, ndërsa pjesa tjetër vetjanake, megjithatë, për ta sqaruar edhe për lexuesin e rëndomtë mjafton fakti se asnjë anëtar i Komitetit s’i ka njohur të organizuarit e tjetrit. Ky segment ishte një nga normat statusore të  organizatave ilegale. Arsyeja dihet… edhe Komiteti i Drenasit është formuar dhe ka vepruar sipas Statutit. Ndërkaq, pas shpërthimit të demonstratave ai “gardh” duhej të shthurej…

Bajram Gashi me bashkëveprimtarët e tij

Megjithëse mungesa e nismëtarit për formimin e Komitetit të Drenicës, i cili, po e përsëris, qe arrestuar në fund të nëntorit të ’80-s, nuk mund të mos hetohej, anëtarët e tjerë të asaj “celule” të LNÇKVSHJ-së u dolën përballë rrethanave të krijuara. Prandaj, me disa rreshta po përpiqem ta përthekoj veprimtarinë e tyre. Së pari, po theksoj se Ismet Sopi ishte pjesë e grupit që i organizoi demonstratat, prandaj më 2 prill në ballë të nxënësve i kishte brohoritur parullat “Duam Republikë!”, “Lart grushti i proletariatit!”, “Rroftë Rrevolucioni Popullor!”, “Rrepublikë Kushtetutë – ja me hatër ja me luftë!”. Ndërkaq, të nesërmen, në orët e mëngjesit, së bashku me Naim Bujupin dhe me një numër të konsiderueshëm të nxënësve në rrugën nga Orllati në drejtim të Llapushnikut i kishin brohoritur parullat e cekura më lart, e nxënësit i përsëritnin. Në të njëjtën ditë, iniciativën e Ismetit, në shkollën fillore në Orllat i kanë shkruar parullat e sapocekura dhe njëkohësisht i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të dalë sërish në demonstrata…

Ndërkaq, edhe Halil Kuliqi e kishte dhënë “kushtrimin”: “Vëllezër e motra, mos e koritni Drenicën e kuqe – dilni në demonstratë në orën 10:00” dhe ua kishte dhënë disa nxënësve parullat e cekura më sipër për t’i shpërndarë në shkollën fillore “Vllaznim-Bashkimi” në Drenas. Edhe ky veprimtar ishte pjesë e grupit, që i kishte organizuar demonstratat…

Më 3 prill, në orët e mëngjesit, në shkollën fillore “Emin Duraku” Naim Bujupi i kishte rreshtuar të gjithë nxënësit dhe u kishte folur për demonstratat duke i mbështetur kërkesat politike që ishin artikuluar para dy ditësh në qendër të Prishtinës dhe bashkë me ta gjatë rrugës Orllat – Llapushnik i ka brohoritur parullat e cekura më lart bashkë me nxënësit. Pasi ishte kthyer në shkollë, në librin e kujdestarisë, ndër të tjera, e shkroi edhe fjalinë: “ Dita e premte është ditë zie”, fjali përmes së cilës veprimtari e dënonte dhunën që organet e rendit e kishin përdorur ndaj nxënësve. Megjithatë, ai kishte bërë thirrje që edhe të nesërmen të dalin në demonstratë, por përpjekjet mbetën vetëm të tilla…

Përveç veprimtarëve të Lëvizjes…, pra të anëtarëve të Komitetit, prapa grilave ishte mbyllur edhe një numër i konsiderueshëm i demonstruesve, disa prej të cilëve u dënuan për kundërvajtje. Por, pas konkluzioneve të KQ të LKJ-së se demonstratat nuk ishin asgjë më pak se kundërrevolucion, një pjesë e tyre u akuzua, prandaj u dënua edhe penalisht.

 Me rrëfimin e një të riu, po dua ta mbyll kapitullin për veprimtarinë e Komitetit të Drenasit: Në fund të javës së parë të nëntorit, në burgun e Pejës, s’më kujtohet dita, as data, pas mëngjesit, gardiani sapo e hapi derën më tha: merri plaçkat dhe eja pas meje. Në automobil i sollën dy të “Shqiponjës”, Nasimin dhe Aliun, cilin e takoja për herë të parë, dhe tre drenicakë: Selim Bucollin, Ramadan Nikajn dhe Enver Dugollin… Në burgun e Prishtinës policia serbe na përplasi njërin pas tjetrit në “kampanjollën” e tyre. Më ra hise që me Nasimin të jem i lidhur dorë më dorë. Ndërkaq, në burgun e Nishit, në njërën nga dhomat e izolimit prologun e viteve në kazamatin famëkeq e fillova me Aliun, Ramadanin dhe Enverin – nxënës i vitit të fundit të gjimnazit. Në mesin e evokimeve të pranverës së atij viti, që s’e kam harruar, është një rrëfim i të tretit, të cilin po e parafrazoj: Pjesëmarrës në demonstratën e 2 prillit në Drenas duke dëgjuar brohoritjen e masës “Rrnoftë Bajram Gashi!” kishte bëlbëzuar në vetvete “çka po ju duhet Bajram Gashi!”, duke menduar se po i brohoritej një tjetër Bajrami, nëpunës i Komunës që Enveri e njihte… Pas disa ditësh e kishte kuptuar se kush ishte ai që i brohoritej emri. 

(VIJON)

© Pashtriku.org

…………………………………….

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (12)

GRUPI I MITROVICËS

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura