EPOPEJA E UÇK-së (5,6 E 7 MARS 1998) NJË NGJARJE KULMORE NË HISTORINË TONË KOMBËTARE

5-6-7 Marsi 1998, Epopeja e UÇK-së është ngjarje kulmore në historinë e popullit shqiptar

Nga Skënder Sadri KAPITI

Epopeja e UÇK-së është ngjarja më kulmore e historisë së popullit shqiptar dhe si e tillë, manifestohet cdo vit si përkujtim i sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Lufta Çlirimtare e saj është faqja më e lavdishme në Historinë tonë Kombëtare që iu kundërvu me guxim dhe vetmohim makinerisë ushtarake dhe genocidit barbar serb për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës prej kolonizatorit sllavo-serb.

Foto te Memoriali i UÇK-së te “Drenica” e Durrësit, 2008

UÇK, Lufta e drejtë e saj për çlirim kombëtar është vepra më heroike e popullit tonë, është UÇK-ja dhe lufta e saj ajo e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë më parë Çështjen kombëtare shqiptare në arenën botërore.

UÇK është ajo e cila i detyroi Fuqitë më të Mëdha të Botës, edhe ato të cilat i kishin coptuar padrejtësisht trojet Shqiptare në Vitin 1913, që të mblidhen në një konferencë ndërkombëtare, në atë të Rambujesë, posaçërisht për Çështjen Shqiptare; dhe ishte kryesisht Lufta e UÇK-së ajo që mundësoi që për herë të parë në një Konferencë të përmasave të tilla Ndërkombëtare që të jenë pjesmarrës përfaqësues të Kombit shqiptar, Konferencë që ndryshe nga ato të mëparshmet që bënë tragjedinë me shqiptarët dhe me trojet e tyre si ajo e Berlinit dhe e Londrës, kësaj radhe aty ishim të pranishëm edhe Ne shqiptarët, me delegacionin tonë, si dhe aleati ynë i Madh, Fuqia më e Madhe botërore, SHBA.

Ishin vullnetarët e UÇK-së nga të gjitha trojet shqiptare bashkë me ata të cilët vinin me uniforma dhe të organizuar nga Perëndimi dhe diaspora për lirinë e Kosovës, gjë e cila i dha kësaj ushtrie karakterin e një ushtrie gjithëkombëtare shqiptare dhe të një Lufte për çlirim dhe Bashkim kombëtar.

UÇK ishte faktori i cili për herë të parë në Historinë tonë Kombëtare bëri të mundur një aleancë ushtarake shqiptaro-perendimore, UÇK-NATO, kundër barbarisë sllavo-serbe për Çlirimin e Kosovës; NATO ishte Aviacioni i UÇK-së, ndërsa UÇK ishte këmbësoria e NATO-s.

Pas faktorit NATO, nën drejtimin e SHBA-s, faktori kryesor që mbrojti dhe që ka meritën kryesore për Lirinë, për Pavarësinë dhe për Shtetin e sotëm demokratik të Kosovës është Ushtria Çlirimtare e Kosovës e Komandantit Legjandar Adem Jashari.

Këtë mision historik të kryer prej saj dhe që njihet edhe botërisht madje, e ka shënuar Historia jonë Kombëtare.

Këtë realitet, këtë meritë, këtë sakrificë dhe rol vendimtar të jashtëzakonshëm, këtë faqe të lavdishme të historisë tonë kombëtare të UÇK-së nuk e njeh dhe nuk e pranon Serbia për faktin se UÇK në aleancë me NATO-n i sollën asaj disfatën më të madhe, dëbimin përfundimtar të saj  nga Kosova dhe fitoren e pavarësisë dhe të shtetit të Kosovës.

Lavdi Veprës së Lavdishme të UÇK-së, Lavdi Dëshmorëve të Lirisë!

Nga Skënder Sadri KAPITI, Veteran i UÇK-së  

Durrës, 6 Mars 2024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura