ADNAN ABRASHI: A DUHET TË KËRKOHET “LEJE” PËR NJË TUBIM PUBLIK?!

(Prizren, 28. 10. 2012) – Neni 3, pika 1 e Ligjit Për Tubime Publike të Republikës së Kosovës (Nr. 03/L-118) decidivisht përcakton se çdo qytetar i Republikës se Kosovës pa asnjë dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, besimi, përkatësisë nacionale, gjendjes ekonomike e financiare, arsimore e sociale, të bindjeve politike, ose të çdo lloj rrethane tjetër vetjake, ka të drejtë të organizoj dhe të marr pjesë në tubimet publike, sipas rregullave të përcaktuara me këtë ligj. Ky nen konkret është në harmoni të plotë me principin universal shoqëror -demokratik, i cili, në emër të shprehjes grupore së fjalës së lirë, qytetarëve të vetë, detyrimisht duhet t’ju garantojë këtë të drejtë, që njëkohësisht te ne është e instaluar edhe si e drejtë e pacenueshme kolektive kushtetuese.
Në parim, çdo ligj apo akt tjetër i përgjithshëm juridik që garanton një të drejtë konkrete, përmes dispozitave të veta rregullative gjithë/përmbledhëse, gjithsesi parasheh edhe mënyrën e organizimit dhe detajet tjera të mbajtjes së këtyre tubimeve publike; procedurat e duhura të njoftimit të organit kompetent dhe në fund masat ndëshkuese për mosrespektimin e tyre.
Kohën e fundit, posaçërisht pas demonstratave të lëvizjes VETËVENDOSJE!, në opinionin tonë publik, është lansuar një lajthim që ka të bëjë, në rend të par, rreth formës dhe natyrës së realizimit të këtyre tubimeve protestuese, e veçanërisht rreth procedurave të lejimit apo të moslejimit të mbajtjes së tyre nga organi kompetent policor.
Fatkeqësisht (nuk e di a me qëllim apo pa dashje) këto lajthitje në publikë më së shumti po dëgjohen nga goja e ekspertëve juridik dhe eprorëve të lartë policor, të cilët, pikë së pari, as që vërejnë dallimin në mes të termit “protestë” dhe “demonstratë” .

…………………………………….

Pikërisht, në Ligjin për Tubime Publike të Republikës së Kosovës, nenin 2 (aty ku konkretisht sqarohen përkufizimet e përdorura terminologjike në këtë ligj), thotë: “Protesta” nënkupton kundërshtimin e vendosur për një padrejtësi a për një veprim te paligjshëm, shprehje e mospajtimit në diçka në mënyrë të prerë; ndërsa, “Demonstrata” nënkupton – manifestimin e masave popullore nëpër rrugë e sheshe për të shprehur haptas një kërkesë politike, ekonomike a shoqërore, për të kundërshtuar diçka.
Edhe pse, këto dy definicione ligjore, për shumë kë, në shikim të parë mund të perceptohen si të ngjashme, ato esencialisht dallojnë në mes veti. Protesta si kundërshtim grupor (i më tepër se 20 vetëve) ndaj një padrejtësie apo veprim të paligjshëm, para se të mbahet në praktikë, së pari shprehet në opinion si reagim i pakënaqësisë së disave, më pas evoluon në paralajmërim për organizim grupor, dhe, së fundi, nga ana e një autoriteti të caktuar shoqëror si bartës, performon si tubim publik në një hapësirë të hapur. Në dallim prej “protestës”, shpesh edhe “demonstrata” mund të ketë karakteristika të ngjashme, por kjo mënyrë e shprehjes së pakënaqësisë, në të shumtën e rasteve, në praktikë shfaqet si reagim i menjëhershëm kolektiv spontan i masës së frustruar popullore (sikur e definon edhe ligji – “manifestimi masiv popullore nëpër rrugë e sheshe për të shprehur haptas një kërkesë politike, ekonomike a shoqërore, apo për të kundërshtuar diçka”).
A duhet të kërkohet “LEJE” për një tubim publik?
Kohën e fundit, përsëri them Fatkeqësisht, nga goja e shumë (b)analistëve politik, ekspertëve ligjor dhe eprorëve kompetent policor, shumë kemi pasur rastin të dëgjojmë se “filan-fisteku” si organizator i në Tubimi publik nuk ka kërkuar leje nga policia, andaj edhe ajo e ka intervenuar dhunshëm. Me këtë rast, me plotë përgjegjësi duhet të konstatoj se asnjë ligj dhe dispozitë tjetër pozitive në fuqi në Republikën e Kosovës, askund nuk parasheh se për çfarëdo lloji të tubimit publik, paraprakisht duhet kërkuar leje nga Policia e Kosovës. Në këto raste, assesi dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ngatërruar institucionin e “NJOFTIMIT” dhe atë të “KËRKIMIT TË LEJES” për mbajtjen e një tubimi publik. E para (njoftimi), obligon organizatorin që ta bëjë me dije policinë për një tubim të caktuar protestues, ndërsa, po të ishte e vërtetë kjo e dyta (kërkimi i lejes), përveç rolit kryekëput ekzekutues – zbatues të ligjit, ajo formë, policisë do t’i jepte edhe rolin vendimmarrës-gjykues. Po ashtu, njëkohësisht me këtë rast, do të vihej në kontradiktë, e drejta universale për tubime publike, e cila nuk kërkohet, por REALIZOHET (zbatohet).
Neni 6, pika 4, e Ligjit për tubime publike të RK, në mënyrë precize përcakton mënyrën e “LAMËRIMIT”, e jo të “KËRKIMIT TË LEJES”, për një tubim publik. Aty thuhet: Çdo tubim publik duhet detyrimisht të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë nga organet e policisë. Lajmërimi për organizimin e tubimit të qetë publik për qëllimin, vendin dhe kohën e organizimit bëhet para policisë së Kosovës në vendin ku mbahet tubimi (neni 6, pika1). Lajmërimi bëhet më së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë para se të mbahet tubimi i qetë publik (neni 6, pika 2). Policia e Kosovës duhet që më së voni dyzet e tetë (48) orë para mbajtjes së tubimit publik të lajmëroj organizatorin për lejimin apo ndalimin e tubimit publik. Nëse në afatin e paraparë nuk shpallet vendimi i ndalimit, tubimi konsiderohet i lejuar (Neni 6, pika3). Nga këto (disa) dispozita ligjore mund të shohim qartë se për shkaqe të caktuara (po ashtu të definuara saktësisht në këtë ligj), një tubim publik, mund të ndalohet nga policia, por, me këtë rast, “ndalimi” kompetent, assesi nuk nënkupton edhe të drejtën e vendosjes së këtij institucioni për lejimin apo për moslejimin e mbajtjes së saj.
Diçka që unë e konsideroj si të padefinuar qart në këtë ligj dhe që gjithnjë len hapësirë për interpretime të ndryshme, është pikërisht mënyra e njoftimit të policisë për një tubim publik. Ligji në fjalë thotë se organizatori i një tubimi të qetë publik vetëm duhet të njoftoj policinë, por nuk e përcakton saktësisht edhe formën e njoftimit (me shkrim, me gojë…). Pra, edhe pse në këtë ligj definohet qartë se çfarë të dhëna duhet të përbëj ky njoftim, atëherë edhe bërja me dije e një demonstrate apo proteste me kohë përmes medieve, logjikisht duhet të konsiderohet se është përmbushësh edhe kjo klauzurë ligjore.
Të thuhet publikisht nga një kompetent meritor se policia në një protestë apo demonstratë ka intervenuar me pretekst se organizatori nuk ka pas leje për mbajtjen e saj, së pari, kjo është naivitet, e më pas joprofesionalizëm, e, mbi të gjitha – tendencë e qëllimshme e mbajtjes së qytetarëve në lajthim. Andaj, në këtë kontest, dëshiroj ta dinë të gjithë se, në një shoqëri të mirëfilltë demokratike, për mbajtjen e një tubimi të qetë, qytetarët e saj me ligj, KURRË NUK KËRKOJNË LEJE, por ata janë të obliguar ta NJOFTOJNË me kohë policinë për mbajtjen e saj.
Mbi të gjitha, mosnjoftimi i mbajtjes së një tubimi të caktuar publik, nuk është vepër penale, por kundërvajtje, dhe me dispozita të po këtë ligji mund të ndëshkohet vetëm me të holla në një shumë prej njëqind (100) deri në dyqind (200) euro (Neni 21, pika 1.1, e Ligjit Për Tubime Publike të Republikës së Kosovës) Por, assesi ky mosnjoftim me kohë i policisë, nuk mund t’i jep të drejtë asaj që të intervenojnë brutalisht ndaj protestuesve duarthatë…?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura