ERGET CENOLLI *): MOIKOM ZEQO, EPISTOLARI MES HAPËSIRËS DHE PAKOHËSISË

Korçë, 29 gusht 2017: (Për librin e Moikom Zeqos “Letra per Makabe Zaharian”, botim i APARKEAS-ABRAXAS,-2017,-328 faqe.)
Në teoritë e fizikës moderne thuhet pak a shumë se: në hapësirë ne mund të lëvizim pa kufizim, brenda të gjitha dimensioneve që ajo ka, ndërsa koha është pak a shumë e kufizuar.
Ne ecim në një lëvizje të qartë drejtvizore: lindim, rritemi, mplakemi dhe vdesim.
Por, ka një vend ku mund të sfidojmë trajektoren e kohës dhe ky “vend” është Poezia.
Nëse shfletojmë, fizikisht, shfaqjen e galaktikës së re poetike që Moikom Zeqo e ka titulluar “Letra për Makabe Zaharihan”, koha humbet dhe lexuesi fillon të lundrojë në pakohësi.
Në këtë libër frymëzimi poetik vjen nga sinkretimi i dy figurave historike: Judës Makabe dhe Makabe Zaharihas. I pari çlirimtari i madh i tempullit të Jerusalemit, rreth 200 vite p. e. s., nga perandoria seluçide; i dyti gjyshi i poetit, një luftëtar për liri i para 100 vjetëve. Nga përplasja e këtyre figurave lind Big Bengu më i fundmit poetik i Zeqos, në një hapësirë ku koha nuk mund të ketë të matur.
Vëllimi hapet me një Epistolar prej dhjetë letrash, i cili përbën një zhanër të ri për poezinë tonë, por ndoshta edhe për poezinë botërore, ky zhanër mund të quhet : Epistolar Poetik.
“Sikur copëra letrash zbresin nga qielli…”
Copëza të vockla dhe copëza të mëdha letrash bien rrotull teje si një shi meteorësh dhe të krjohet një pirg hermetik: mendimesh, kujtimesh, ndienjash, ëndrrash.
Të duhet t’i mbledhësh një nga një, t’i shqyrtosh në një gjendje ankthi, nën tingujt e Vagnerit: shkronjat, rrokjet , fjalët; të formosh një sintaksë të mistershme, ashtu si nga shiu i meteorëve do të rindërtosh hapësirën nga e cila ata zbresin.
Tëmthat të buçasin të rrahura nga një tokmak (Makabe) kozmik; e valët që shpërndahen nga këto të rrahura të rrëfejnë të shkuarën duke të parathënë të ardhmen.
Një lëvizje para- mbrapa, një ambinguitet ëndërr –zhgjëndër, që të çon pashmangshmërisht tek një Ëndërr e Rremë.
Kjo ëndërr të zhvendos në ndodhitë Homerike, kur Zeusi i dërgoi një “ëndërr mashtruese” Agamemnonit, për të vënë në provë “birin e Atreut” dhe të nxirrte faqebardhe Akil Pelidin.
Pra “ëndrrat e rreme”, janë një projekt Qiellor për të krjuar një lëmsh Misteri të pazgjidhshëm, që të çon tek një rubai e Khajamit, shqipëruar prej Nolit:
Mysterin sa e sa më kot po tarrë,
Gjer sot asnjë përgjigje s’kanë marrë,
Ç’gojë memece Evë puthe vallë
Që na ke bërë të shurdhër e të marrë?!!!
Pakohësia poetike ka si shfaqje në mënyrë të lëndët tek shndërrimi në një galeri formash.

Lexojmë:
“ Dhe tani metaforat abstrakte zhduken dhe
humbin. Ah, Lajmëtari Hermesian rrëzohet dhe thyen kockat në
boshllëk. Kush kërkon të lexojë Kujtimet e një gaforreje eremite?” (Letra e parë)
Vetë hermetizmi vjen prej shpërbërjes së Hermesit Trismegjist. Hemetizmi poetik i Moikomit shpërbëhet dhe bashkohet, zhduket dhe rikrijohet në vorbullën e metaforave.
Në Epistolarin Poetik elementët krijues janë katër:
Virgjëresha e Madhe
Syri Sekret
Bisha Retorike
Tjetërbota
Duke qenë të barabarta me zjarrin, ujin, ajrin dhe dheun, këta katër elemntë janë fillesa dhe përbërësit që formojnë rëndesën galaktikëformuese.
1.Virgjëresha e Madhe, është ngjizja e krijimi nga e para e një vepre poetike.
Çdo libër i Moikom Zeqos është si një krijesë femërore, e re dhe e virgjër,e panjohur, që duhet duhet prekur nëpërmjet leximit, centimetër për centimetër e pëllëmbë për pëllëmbë.
Duhet eksploruar e zbuluar, fjalë pas fjale, deri sa t’i hysh në brendësi, në shpellat më të thella të pavetëdijes.
Aty do të zbulosh thesarë të ametistë, të krijuar nga fuqi të brendshme e të mistershme vullkanike.
Lexojmë:
“Ah, prania ime, e kthyer në shekuj pranë Vezuvit, do ta parandalonte katastrofën !” (Letra e tretë)

Në këtë Epistolar Poetik, lexuesi rreket fjalë pas fjale e varg pas vargu të rrokë thelbin; epshohet pas bukurisë së verbit poetik, sheh të lindë nga e para krijimin e një Eve të re që mbart në vetvete një vetëkrijim shpërthyes, të bukur, të rrëmbyeshëm e të dhimbshëm:
“Dhe Eva e di se gjarpëri penis i Adamit, do të përdorej si alibi, për t’i përzënë, që të dy, nga Parajsa !
***
“Prekmë ! Nga trupi im del fuqi jetëdhënëse ! Dhe shkretëtira kthehet në pyje! Dhe më thërresin të vdekurit, që darkojnë me lulet! Dhe
rrëzohen afresket nga muret e lashta. Dhe zbardhen ikonat si
fotografitë e çngjyrosura!” (Letra e tretë).

Zhvirgjërimi do të vijë duke u zhytur nëpërmjet leximit e rileximit, në honet e kënaqësisë shpirtërore, që të jep rishfletimi nga fillimi në fund dhe sërish nga fillimi i Epistolarit dhe gjithë veprës.
***
2.Syri Sekret
Syri hyn në atë grup metaforash, të cilat Borges i quan “metafora thelbësore” sipas tij “në jetë të jetëve kemi pesë a gjashtë metafora thelbësore, të cilat janë: koha dhe lumi, jeta dhe ëndrrat, vdekja dhe gjumi, lulet dhe gratë, yjet dhe sytë.”
“Ç’tru, ç’sy, ç’dorë e vrazhdë kanë modeluar këtë metaforë bronxi? A argjili?” (Kënga e shtatë)
Syri Sekret është një metaforë sa kozmike aq edhe ktonike, parë kjo nën këndvështrimin e përcaktimit hermetik se: “Siç është lart, është edhe poshtë.”
Lart qëndron Syri i atij që thotë: “Unë jam Horusi, Fajkoi, që ndodhet në ballin e kështjellave, emri i të cilit mbahet fshehur. Fluturimi im krenar përfshin horizontin, unë ua kam kaluar perëndive të qiellit, unë jam më i kudondodhur se ujërat e zanafillës…”(“Tekstet e kofinit”)
Citojmë nga libri i Moikomit:

“Në udhëkryqet e qytetit të madh e gjej të fshehur yllin Alef. Dhe
duart e mia përpëliten si peshqit në ajër, jashtë akuariumit të thyer!
Mbështillem me zogj, si me një hardhi dionisiake në qiell!” (Letra e shtatë)
Poshtë është Syri Ktonik i Gjarpërit, vështrimi i Së Ëmës të Vatrës, që kundron deri thellë tek rrënjët e lisit aty ku nis “Ora biologjike” e fillesës:
“Dhe lisi i Milosaos është ora biologjike e imagjinatave!” (Letra e shtatë)
Syri Sekret është metafora zhbiruese që na fton të zbërthejmë vargjet mojkomianë, t’i copëtojmë e sërishmi t’i rimblidhem si në një “uadjed” horusian, për të krijuar një komunikim të brendshëm shpirtëror, ku nëpërmjet vargjeve e fjalëve, na shpaloset bota e panjohur vetjake.
***
3.Bisha Retorike, si metafore është një nga qoshet themelore të kësaj vepre. Retorika është fjala e gdhendur, por edhe fjala e pamenduar. Retorika është një prej shkencave më të para që ka shpikur njeriu.
Ajo është një trini e zberthyer në : ethos, pathos dhe logos, pra një qënie me tri gojë. Këto tri gojë u përgjigjen, sipas Aristotelit, tri lloje dëgjuesish, pra tri palë veshë, pra thjesht, një bish-kuçedër me shumë gojë, sy e veshë.
Ndërsa për poetin Zeqo ajo është:
“O, Bishë Retorike, me dhëmbë zjarri, që djeg kaq shumë letra të
shkruara dhe të pashkruara! Dhe poetët janë Dele të Uritura, që
kullosin me sy, jo me stomak!” (Letra e parë)

Duke i lexuar këto vargje m’u kujtua një çast nga Kristoforidhi: “A shkojmë për gjah në malin e Tomorrit?… Aty ka egërsira, po ka edhe bisha…”
Pra bisha e fjalës vjen e sendërzohet në bishën e Malit të Shenjtë dhe që padashur të çon tek “E Bukura dhe Bisha”.
Bisha Retorike është fjala e shpërdoruar, fjala e lëmuar, fjala që përpin gjithçka, ngjarje, ndjenja, ëndrra, vargje.
Ajo është “vrima e zezë” e mendimeve tona, aty ku gjithçka shndërrohet:
“Lux in tenebris! Dritë në terr!”(Letra e katërt)
A mundet që nga Bisha Retorike të krijohet një Statujë Retorike, një Altar Retorik apo vetëm një Lakrimor Retorikash?! Këtë mund ta kuptojmë nëpërmjet ndijimit që na krijon leximi e rileximi i këtij Epistolari Poetik.
***
4.Tjeterbota
Nga prekja, leximi dhe rileximi i vargjeve moikomiane, gradualisht, herë shpejt e herë ngadalë; atëherë kur “dita i pështillet natës e nata ditës”, ne fillojmë e tjetërsohemi.
Tjetërsimi është një dukuri e ngadaltë, ashtu si krijimi i maleve, prej magmës së Mantelit tokësor.
Tingujt, fjalët e vargjet e Moikomit, krijojnë trysni në veten tonë të përbrendëshme.
Aty në vetminë e kësaj Vetjeje fillojnë e shkrihen metalet e vargjeve, ndryshojnë formë aliazhohen me njëra-tjetrën dhe aty krijohet “mishellana” e pakohësisë. Ne metamorfizohemi pa kuptuar.
Në rrugë, në dyqan, në kafene apo stadium jemi të njëjtët njerëz si më parë, por në vetvete jemi Tjetërsuar në qenie të pakohshme.
“Letrat për Makabe Zaharian”, libri i ri i e Moikom Zeqos, janë një poetikë filozofike, për skutat e fshehta e lirishtat e ndriçuara të jetës.
Nëpërmjet leximit të këtij vëllimi, ne edukohemi estetikisht dhe ndryshojmë qenien tonë të brendshme.
Shembulli më i mire e më i plotë, i ndryshimit të përhershëm të jetëve njerëzore, na jepet në letrën e dhjetë.
Jeta aty kalon nëpër katër stinë filozofike: çelja e lulëzimi, faza e kallirit dhe pjekjes, vjeshta e vjeljes së mendimeve dhe ëndrrave dhe dimri i kalimit në një botë tjetër, nga e cila do të rikthehemi sërish në pranverë.
Leximi i këtij libri më jep përshtypjen se po përjetoj ringjalljen Zarathustriane të një Niçeje postmodern.
Vonë, pasi siç përmendëm edhe më sipër, si e kemi lexuar dhe rilexuar, ne hedhim sytë tek qielli vetjak dhe:

“Shiu bije pjerrtas. Shoh përmes shiut nga një largësi e pabesueshme.

Shiu bije, por nuk më prek, nuk më shpagon qiellërisht! Gjatë hedhjes së bombës atomike në Hiroshimë, unë isha diku, në shekullin XII.”

“Dhe rri në një meshë shqiponjash në Zenit.
Më iku kjo plagë nga balli. U bë xixëllonjë vigane nëpër terr. Iku për
të mos u kthyer më!” (Post Scriptum i letrave)

Shdërrimi ndodhi!
Tashmë jemi në Tjetërbotë.

*) ERGET CENOLLI , jeton dhe punon neë Korçë, mësues i gjuhës dhe letërsisë. Është shkrimtar, publicist, ka punuar në vite si korespondent i disa gazetave. Është autor i librave “Historia e germave” dhe “Frymëmarrja e mençur”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura