ERMIRA BABAMUSTA: FILMI ‘THE SUPERINTENDENT’ PËRZGJIDHET TEK FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I FILMIT NË TIRANË

New York, 25. 10. 2013 – Filmi i regjizorit të talentuar Roland Uruçi me titull “The Superintendent” do shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë të premten, me datë 25 tetor 2013. Filmi me metrazh të shkurtër, me skenar dhe regji të Roland Uruçit ka tre protagonistë kryesorë: Kate Mason, Brooke Volkert dhe John Noel. Kinematografi i filmit është Albert Elmazovski me producent asistent të xhirimit, Kastriot Uruçi.
“Ta kem filmin tim të parë si përzgjedhje e Festivalit të Filmit në Tiranë është si të marr aprovim nga familja ime shqiptare. Ndjehem tepër i gëzuar që filmi im gjeti vatrën e vet,” u shpreh regjizori dhe skenaristi i njohur Roland Uruçi. Xhiruar në New York, Amerikë filmi bazohet në një histori të shkurtër shkruar nga Blerta Alikaj. Produksioni u mbarua në 2013-të dhe filmi zgjat 18 minuta.
Filmi i referohet një teme shumë interesante të kulturës shqiptare, burrneshat dhe rrëfen historinë se si një burrneshë, Shota, imigron në Amerikë dhe bëhet manaxhere roje pallati. Të gjithë mendojnë se Shota (luajtur bukur nga Brooke Volkert) është burrë sepse ka karakteristika mashkullore.

– Regjizori i talentuar Roland Uruçi – 

Filmi nxjerr në pah një histori shumë emocionuese dhe të fuqishme dhe tregon se çfarë ndodh kur e vërteta del në pah dhe pasojat që le pas. Shpeshherë në jetë ndodh që njerëzit kanë sypozimet e tyre për dikë, pa ditur sakrificat, sfidat dhe të vërtetën që kalon ai person. Shota detyrohet t’i rrëfejë sekretin e saj një të huaji dhe historia ndërthur shumë bukur konfliktet socio-kulturore dhe ato gjinore të shoqërisë.
Ky fenomen akoma praktikohet sot në Shqipërinë veriore, Kosovë, Montenegro dhe Bosnje, një traditë e vjetër lindur para 300 vitesh, përmendur që me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ndërkohë kur vashat e reja ëndërrojnë të martohen, ndër shekuj burrneshat betohen për virgjëri para krerëve të fshatit për t’u bërë burrë për të dalë në luftë ose për të përballuar detyrat e familjes. Ky koncept kulturor është mjaft i huaj për kulturën amerikane dhe ndryshon nga termi “orientimi seksual” siç përdoret më shumë në Sh.B.A.

– Aktorja Brooke Volkert, e cila luan rolin e Shotës – 

– Aktorja Kate Mason – 

“Burrneshat kanë karakteristika shumë të veçanta dhe të papara për vendet e tjera të botës. Për shqiptarët ka të bëjë me identitetin dhe perceptimin e karakterit të fortë, vjen nga një kulturë e lashtë që pranohet si traditë nga shoqëria shqiptare. Ky koncept është i huaj për kulturën amerikane dhe bie në konflikt me pranimin e orientimit dhe identitetit. Kur u shfaq filmi në New York ka patur shumë komente pozitive dhe filmi u pëlqye shumë sepse është një film tepër unik,” tha regjizori i filmit ‘The Superintendent’, Roland Uruçi. 
Regjizori Uruçi ndjehet krenar me projektin e tij të parë, që nxorri në pah një histori majft të veçantë për publikun amerikan dhe atë të huaj, duke i nxitur të mendojnë rreth temave të identitetit, kulturës dhe rolit gjinor në familje.
“Ishte një eksperiencë shumë e mirë në krijimin e një historie duke i shtuar aspekte të kulturës time shqiptare dhe duke e bërë të pranueshme për publikun amerikan. Falenderoj Blerta Alikën që më besoi mua me historinë që ajo shkruajti për ta zhvilluar në film, si dhe Albert Elmazovski (kinematograf i filmit The Superintendent, nga Dibra me origjinë) që e solli vizionin tim në kamera për të krijuar një histori reale dhe të bukur,” shtoi regjizori Roland Uruçi.
_____________

Trailer i filmit mund të shikohet këtu: http://vimeo.com/51704867 . Momentalisht regjizori Roland Uruçi po merret me projektin e tij të ri “Paftuar” bazuar në ngjarje të vërteta përjetuar nga Julian Biba. Z. Uruçi shpreson ta xhirojë filmin ‘Paftura’ në Shqipëri në 2014 me aktorë shqiptarë. Për më shumë vizitoni: www.rolanduruci.com.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura