FAHRI DAHRI: ÇAMËT- PËRBALLË EGËRSIVE NJERËZORE GJATË 100 VITEVE

Itali, 10 tetor 2017: Ecim në kohën e sotme dhe vëzhgojmë; hulumtojmë në kohët e shkuara nëpërmjet shkencave të ndryshme si histori, antropologji, gjeneallogji, filozofi, njihemi me zbulimet shkencore, dhe konkludojmë ç’farë është bërë mirë dhe jo mirë. Në këtë këndvështrim, trajtesa jonë do të ndalet, tek diferencimet e bëra nga studiuesit, shkencëtarët, strategët dhe pushtetarët e vendeve të ndryshme, lidhur me kulturën, gjuhën dhe traditat mes popujve të mëdhenj dhe të vegjël. Të gjithë të “mënçurit” ndër kohëra, janë përqëndruar tek kulturat “elite”, i kanë studiuar ato, kanë dhënë vlerësime pafund, ngandonjëherë me mbivlerësime të panevojshme, apo të pamerituara, ndërkohë kanë anashkaluar kulturat, gjuhën, traditat e popujve të vegjël.
Në pamje të parë nuk jep përshtypje të gabuar, por nëse diferencimet e këtij lloi krahasohen me fenomenet natyrore, gjithçka rezulton ndryshe. Të gjitha llojet e bimësive, gjallesat e nënëdheshme, ujore dhe të mbidheshme, nisjet e tyre fillojnë nga “të voglat”, më pas madhohen, shuhen, përsëi rinisin por të shumuara në sojin e tyre.
Këto diferencime të theksuara, mes të dy përmasave, sidomos të zhvilluara pandërprerje në popuj e vegjël dhe të mëdhenj, kanë shkaktuar trazira, përplasje të vazhdueshme, duke filluar nga skllavëria, mbivlerësime për të fortët dhe e kundërta për më të pafuqishmit, deri në luftëra të përgjakshme mes popujve më të vegjel dhe atyre më të mëdhenj. Kur dihet që edhe popujt e mëdhenj, janë rritur e shumuar nga baza e të qënurit të vegjël. Nuk quhen rastësi apo mëshirë e popujve të mëdhenj ndaj të vegjëlve, nxjerrja e ligjeve ndërkombëtare, si: Pakti ndërkombëtar i Drejtave Civile dhe Politike (Mars 1976), ku thuhet: “Të gjithë popujt kanë të drejtën e Vetëvendosjes. Në virtyt me këtë të drejtë, ato vendosin lirshëm për statutin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor. Për të arritur qëllimet e tyre, të gjithë popujt mund të disponojnë pikërisht lirisht burimet pa paragjykim të detyrimeve që rrjedhin nga bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, të bazuar mbi principin e interesit të përbashkët, dhe nga e Drejta Ndërkombëtare në asnjë rast, asnjë popull nuk mund të privohet nga mjetet e jetesës”.

Ose, “Parimi i mbrojtjes së popujve të vegjël, është një nga parimet bazë që ka shpallur presidenti (Woodrow Wilson).…Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjen e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes e ka për detyrë t`i përgjigjet sinjalit SOS dhe t`i ofrojë ndihmë anijes që po mbytet.”
Personalisht falenderoj të gjithë personalitetet shtetërore brenda dhe jashtë vendit, historianët, studiuesit dhe autorët e ndryshëm, të cilët brenda hapësirave që u lejohen, qofshin ato politike, studimore, gjeografike dhe historike, janë përpjekur dhe përpiqen duke dhënë kontribute të çmuara në vazhdimësi, nëpërmjet analizave bazuar në argumente shkencore, në mbrojtjen dhe sensibilizimin e problemit të madh kombëtar. Njëkohësisht të konsolidimit të shteteve, në mbrojtje të së drejtave ndërkombëtare, konkretisht në rivendosjen e të drejtave ligjore të banorëve të komunitetit shqiptar të Çamërisë (çamëve myslimanë të martirizuar dhe çamëve ortodoksë të vuvosur-të pagojë-etnikisht).
Kohët e fundit, sidomos mbas zgjedhjeve të 25 qershorit, kanë qarkulluar dhe vazhdojnë të qarkullojnë hamendësime të ndryshme, disa prej të cilave dashamirëse, por disa dashakeqe, duke synuar në përçarjen e tyre me goditje të kamufluara se në këto zgjedhje komunitetit çam i mungoi solidariteti dhe uniteti për të siguruar rrugët e zgjidhjes së “Çështjes Çame”.
Mendime të tilla janë nul, nuk kanë aspak vlerë, dhe mbi të gjitha ata, qoftë individa me apo pa pushtet, qoftë institucione shtetërore, apo joshtetërore, studio televizive, shtypi i shkruar apo elektronik, në arësyetimet e tyre si më sipër, tregojnë se janë larg njohjes së intelektit të komunitetit çam në tërësi dhe problemit madhor për të cilin shoqëria euroatlantike u a ka krijuar, në kundërshtim të hapur me ligjet ndërkombëtare të të drejtave universale në fuqi, të cilat jo pa qëllim u cituan më lart.
Dhunimi masivisht i çamëve, me të gjitha metodat antinjerëzore nga ana e shtetit Grek, grabitja e pasurive, masakrimet, mohimi i çdo të drejte edhe ato sociale, dëbimi masiv nga e drejta e vendlindjes, duke përdorur me sukses mashtrimet dhe manipulimet ndaj tyre tek aleatët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nuk kanë dhe as që duhet menduar nga askush se kanë lidhje me fletushkat e kutive të votimit. Mendim, absolutisht i papranueshëm!. Dy gjëra tejet të ndryshme si në përmbajtje dhe në të drejtat ligjore. E para është çështje jetike, goditje shpirti, rënkim i përhershëm zemrash, dhembje e thellë. E dyta është veprim i zakonshëm, i përsëritshëm në dy dhe katër vjeçarë, dëshirë për të zgjedhur alternativat më të dobishme, më të përshtatshme për shoqërinë në tërësi, shkurt një e drejtë për të zgjedhur.
Të njësosh të parën me të dytën, fjala vjen, duhet t’u kërkosh që familjet e komunitetit çam të vrapojnë në çdo dy apo katër vjet, sa tek njëra parti tek tjetra, kur dihet fare mirë se motivi i vrapimit nuk përkon me zgjidhjen e problemit të tyre, prandaj ata, në këtë drejtim janë të qartë dhe nuk bien pré e cytjeve mediatike dhe jo vetém. Ata nuk vrapojnë tek kutitë e votimit për zgjidhjen e dhembjes së tyre të thellë, por vrapojnë si gjithë qytetarët për të votuar alternativat. Nuk ka askush të drejtë tu kërkojë familjeve çame të votojnë për këtë apo atë parti duke tundur parrullat se do zgjidhin “Çështjen Çame”, kjo spjegohet fare thjeshtë, sepse asnjë parti nuk ka atribute për të zgjidhur çështje bilaterale apo multiraterale dhe as ti zbatojë, vendimmarrjet dhe vënien në ekzekutin të tyre janë “pronë” e institucioneve përkatëse shtetërore!..
Nëse ndokush ka oreks për të ditur se ndër familjet e komunitetit çam, ka solidaritet, apo unitet për të qenë të njëzëshëm në zgjidhjen e “Çështjes Çame”, mos u lodhni kot ta kërkoni tek kutitë e votimit elektoral. Për të kuptuar këtë unitet, rruga e vetme është një dhe vetëm një, pikërsiht realizimi i referendumit nën drejtimin e Bashkimit Europian, me pyetjen: “A dëshironi të riktheheni në vendin e të parëve tuaj?”. Dhe me përfundimi e referendumit, të fillojë seriozisht ekzekutimi i vullnetit të lirë të shfaqur nga ai komunitet, e sigurtë se fiton fjala “PO”. Të nisin veprimet për të rimarrë dhe fituar të gjitha të drejtat e njohura me ligje ndërkombëtare. Besoj se zgjidhja e atij problemi e ka rrugën të gjetur, por duhet shteti shqiptar sëbashku me institucionet zyrtare ndërkombëtare, të marrin përsipër vetëm zbatimin e ligjeve të karakterit ekzekutiv.
Megjithatë, nisur nga trajtimet që bëhen, lidhur me nevojën e unitetit të atij komunitet, në realizimin e zgjidhjes së kërkesave të tij, parashtroj disa probleme specifike të cilat në “pamje të jashtme” lënë të kuptohet se gjoja ato kanë ndikuar dhe ndikojnë për të arritur një veprim solidar të tyre dhe konkretisht:
1.-Tashmë, është arritur bërja e njohur për varganin dhe udhëkryqet e gjata të vuajtjeve të atyre banorëve ku, nga viti 1913 deri në vitin 1944, Fuqitë e Mëdha përkëdhelën shtetin dhe kishën ortodokse greke, duke sakrifikuar një komunitet të vogël për nga numuri, por të madh në vlerat e trashëguara nga pellazgjia. Është një nga shembujt ku ka vepruar egërsisht parimi i diferencimit mes popujve të vegjël dhe popujve të mëdhenj, të cilai u trajtuan në fillim të shkrimit.
2- Me të drejtë, sot më shumë se kurrë, kërkohet një unitet i këtij komuniteti (gjithëmonë në dukjen e jashtme). Sigurisht, thirrja për solidaritet, dhe unifikimi i mendimit dhe i veprimit është domosdoshmëri dhe duhet të ishte e realizuar, sepse është e pranishme në çdo familje të atij komuniteti. Nuk dyshoj aspak se në zemrat, mendjet dhe dëshirat e atij komuniteti mungon uniteti, por thellë në ndërgjegjen, vetëdijen e tyre, bile për ata është objektivi kryesor, sa i përket zgjidhjes së një çështje shumëpalëshe (për anëtarët e komunitetit çam; shtetit shqiptar; grek dhe institucioneve ndërkombëtare), por bashkësia e këtij komuniteti, për të qenë e suksesëshme në një mendje për thirjet partiake që i bëhen, ka patur dhe ka vështirësira të shumta, për të besuar një apo më shumë subjekte politike, apo dhe institucione shtetërore, brenda dhe jashtë vendit.
Le të njihemi në mënyrë të përmbledhur me disa prej të shumtave vështirësi të diktuara, vetëm ndaj një grupi specifik njerëzish:
●- Në fillimet e ardhjes, për çamët ishin arësyet e vendosjes së refugjatëve jo në bazë fshatrash, siç ishin në vendin e tyre, por sipas rastësisë dhe ndonjë të afërmi, udhërrëfyes i ardhur më përpara se ata në Shqipëri, ose disa me shpresën e kthimit qendruan në afërsi të qyteteve dhe fshatrave pranë kufirit me Çamërinë. Vargani i familjeve çame në ato fillime lëvizte dhe mendonte për mbijetesë!
●- Përballja me vështirësitë ekonomike, strehimin, mungesat e punësimit, shkollimi, mostrajtimet shendetësore etj. ishin pa fund. Kryefamiljarët e çamëve ligështoheshin nga faktet e shumta që fëmijët u flinin pa bukë, dridheshin nga të ftohtit si ditën dhe natën, mungesa e shtrojeve dhe veshjet e arnuara. Frontet e punëve mungonin për të gjithë popullsinë, por më e theksuar ishte për çamët e dëbuar. Hija e vdekjeve e pranishme në çdo familje. Kriza e madhe ekonomike e vitit 1953, pllakosi gjithë Shqipërinë, por tek ai komunitet, ajo krizë rëndoi më me ashpërsi dhe mbijetesa po lëkundej.
Krahas tyre, shteti pritës, sado që e dinte se “bërthama” e pellazgëve gjendej tek ata, “refugjatët e ardhur”, i druhej qendrimit njerëzor ndaj tyre nga frika e përplasjeve ndërshtetërore. Si rrjedhojë filluan strategjitë e nënëdheshme, deri, pse jo, dhe zhdukjen fizikisht, sidomos burrat emigrantë, masë kjo e dukshme me vendosjen e mobilizimit të meshkujve emigrantë-çamë, kundër ndërhyrjes ushtarake greke të vitit 1949. “Meshkujt emigrantë çamë, të dërgohen të luftojnë kundër grekut në Gramos, ndërsa familjeve të tyre tu jepet tokë, ku të punojnë gratë dhe të ushqehen!!”. Kjo ishte “ndihma” e shtetit komunist shqiptar për familjet e ardhura, në periudhën kur rreth tyre vërtiteshin uria, strehimi, sëmundjet, papunësia, përbuzja, përndjekja dhe pragvdekja e cila nuk mbeti pa gjë, megjithatë nuk po largohej.
Qendrime jo korrekte ndaj këtij grup-njerëzish lidhur me problemin e tyre, si nga politika dhe shteti shqiptar, kanë qenë të pranishme sa herë që ky problem bëjet i “gjallë”. Pa i shtjelluar të gjitha rastet, le të veçojmë më të afërmet. Prill 2004, pjesëtarë të komuniteti çam dhe jo vetëm, me parrulla paqësore grumbullohen para selisë së Kuvendit duke pritur miratimin e Rezolutës çame, e cila ishte premtuar paraprakisht se në atë seancë do të miratohej. Por politika, për arësye që kuptohen, urdhëron policinë për shpërndarjen e tyre dhe shkopinjtë vërviten në trupat e pjesëmarrësve, duke i gjakosur fytyrat dhe goditur trupat. Turma largohet e pezmatuar, e zhgënjyer; shpresat veniten, besimi në mbrojtjen e së drejtës nga shteti, drejt shuarjes.
Mbas afro një dekade, u dëgjuan zërat “mashtruese” se Rezoluta e vitit 2004 na paska qenë miratuar!?. Familjet çame dhe jo vetëm, të habitur dhe të zhgënjyer, me të drejtë rrinë e mendojnë, duke pyetur vetveten: “Rezoluta mori miratim, po pse policia duhej urdhëruar të shpërndante paqësorët duke i gjakosur dhe pse u fsheh ai miratim?!. Mos vallë me atë veprim parlamenti deklaroi: “Populli im, unë bëj ç’farë të dua me ty, por frikën ja kam dikujt tjetër, prandaj po ruaj mospërplasjet me fqinjët tanë të dashur”!
Vitet iknin të shoqëruara nga heshtja dhe hera herës nga demagogjitë e “studiove të avokative angleze”, me takimet e ndonjë europarlamentari, apo senatori, me gjetjen e “mekanizmit” çudibërës etj. se “Çështja Çame” është shtruar për zgjidhje, kur dihet se çështje të tilla zgjidhen në rrugë institucionale. Euforia “adoleshente” arrin deri atje sa deklarohet me pompozitet: “Sot jemi në Kllogjer, miq të dashur, por vitin tjetër homazhet do ti bëjmë në Gumenicë-Çamëri!”. Demagogji, apo tallje?. Përsëri vitet ikin dhe përsëri nga egërsia njerëzore 100 vjeçare, dëgjohen fjalët ” inekzistente”, “bashkëpunëtorë me okupatorin”.
Erdhi fillimviti i 2017 dhe i vitit të 73-të, i kryerjes së atij gjenocidi. Kërkesë në parlament për një seancë dëgjimi të historisë së atij gjenocidi. Brofet në këmbë nga disa ligjbërës. Si, seancë parlamentare? Për ç’farë? Nuk ka kohë për të tilla probleme, na duhen pregaditjet për zgjedhje etj. etj. Kështu u mbyll edhe kjo tentativë, si të tjerat dhe si për herë!
Ku ta kërkojë komuniteti çam subjektin serioz dhe të besueshëm shtetëror apo partiak, për të siguruar vërtetësinë e zgjidhjes së problemit, që ai të tregohet edhe në pamjen e jashtme solidar dhe në unitet? Në të vërtetë, në brendësinë e trupit dhe të shpirtit të tij, atij nuk i mungon njëmëndësia për domosdoshmërinë e zgjidhjes, por nuk janë pjekur kushtet e krijimit të subjektit të besueshëm, të duhur dhe kopetentët për ta marrë përsipër zgjidhjen e plotë të shumëdhimshurisë së familjeve çame.
Pa kaluar dekada e shpërnguljes, po shteti shqiptar, negocioi me shtetin grek, vrasësin e tyre, duke i tradhëtuar me dhënie shtetësie shqiptare në grup. Veprim, për të plotësuar kërkesën dhe qëllimin shfarosës të shtetit fqinj ndaj tyre, i cili donte një shkak zyrtar për ti përjashtuar çamët nga amnistia që po përgadiste për “demokratët” e saj, ku ligjërisht përfshiheshin edhe çamët. Demokratët grekë, përfituan nga amnistia dhe u kthyen në shtëpitë dhe pronat e tyre; ndërsa çamët u përballën me heshtje, trysni, burgime dhe vrasje, duke sajuar akuza tepër të rënda “tradhëtarë të partisë dhe atdheut”, për një grup intelektualësh çamë, të vlerësuar për merita, si gjatë L.Na.Çl. ashtu dhe në postet e rëndësishme shtetërore.
Masat e dënimit: varje, vrasje, burgime dhe internime. “Bombë” shfarosëse, përçarje, përbuzje dhe çvleftësim masiv ndaj komunitetit çam!!?. Trysni, ndrydhje ndjenjash, goditje në palcën e trupit çam. Heshtje e detyruar, deklasim, seleksionim masiv në të drejtat e punësimit, shkollimit, kulturës. Çoroditje, vështirësi mbijetese për gjatë gjithë viteve të pushtetit socialist.
Më pas, filloi disi “zgjimi” për bashkësi, me organizimin e SHPAÇ. Ai organizim ndërrtoi baza të mira dhe përgjithësisht pati lëvizje të admirueshme. Duhet theksuar, se në SHPAÇ, ishin “rrjeshtuar” po thuaj të gjithë çamët e larguar dhunshëm nga vendi i tyre dhe drejtuesit ishin shumica të lindur në Çamëri, dëshmitarë dhe mbartës të gjenocidit grek.
●- Krijimi i subjektit politik, fillisht pa shtesën e shkronjës “U”, eci po thuaj në trasenë e shtruar nga SHPAÇ, pavarësisht se në anëtarësimin e saj, si në kryesinë drejtuese dhe në ato vendore pati mungesa intelektualësh, përsëri ndjehej ndjenja dhe përgjegjësia për mbrotjen e “aromës” së gjakut të fëmijëve të therur, grave të djegura me benzinë, pleqëve të groposur gjallë. Kaluan pak vite dhe ai subjekt politik u shtua duke mbartur dhe shkronjën “U”, që nënkupton “Unitetin”, konsolidimin e njëmendëisë së komunitetit çam, të bashkëshoqëruar nga e gjithë shoqëria shqiptare kudo ku gjendet.
●- Dalëngadalë po ikën një shekull, trupat e po thuaj të të gjithë atyre të ardhurve nga Çamëria, dergjen nën dhé, shpirtërat si yje shkëlqejnë në qiellin e Çamërisë. Malli, dhëmshuria për bashkëqytetarët çamë kur jetonin në vendin e tyre, për shtëpitë, arat, pronat etj. është drejt “shuarjes”, sepse shumica e atyre të dëbuar dhunshëm kanë ndërruar jetë, ajo mbahet e pashuar plotësisht prej atyre të pakmbeturit gjallë!. Plaga po thuaj ka zënë dregëz (kore). Tek të rinjtë, brezi i parë i të lindurve në këtë anë kufiri, si dhe brezat që do vijnë, kërkesat, përpjekjet dhe angazhimet për “zgjidhjen e çështjes çame” nuk u janë shuar dhe as nuk do të shuhen, sepse i shtyn malli ndaj prindërve, instinkti natyror, ndjenja e tërheqjes së gravitetit drejt “vendit autokton”, respekti për tokën e të parëve dhe përgjegjësia për të realizuar “Amanetin Çam”.
“Fjalët e liga”, përhapen nëpërmjet demagogjisë dhe argalisen (thurren-enden) në shkrimet historike, romane, etj. duke nxjerrë nga syrtarët e ndryshkur të gënjeshtrave se tek komuniteti çam rezident në Shqipëri, nuk është shuar kërkesa për rikthim, mbasi ata u zhgënjyen me gjendjen e prapambetur ekonomike, politke dhe sociale që gjetën në atë vendd, nëse ata do të ishin vendosur në ndonjë shtet tjetër, nuk do ishte kjo situatë. Urtësia popullore na këshillon: “Gjuha kockë nukë është, por kocka thyen”. Në demokraci mendimet si të mënçura dhe të pavlerë, e kanë “sheshin” e hapur, por pikërisht është po “sheshi” që i sheshon, i seleksionon dhe mbi kriterin e së vërtetës, mendimet e çoroditura, siç është ky i mësipërmi, i hedh në koshin e mbeturinave dhe me që qelbin, spërkaten me ilaçe asgjësuese.
Çamët, kudo që të degdiseshin nga egërsitë njerëzore të kohës, shenjtërinë e tokës së tyre nuk do ta çpërdhosnin, sepse ajo tokë është unike për ‘ta, e shtrenjtë, jo vetëm si pasuri, por edhe si trashëgimi dhe me vlera historike, antropologjike, dhe gjenealitike, që Zoti u a ka caktuar atyre. Ata, nuk u larguan prej saj me dëshirë, nuk e kanë shitur, as e kanë dhuruar, apo dhënë me qera; po ata, tokën e tyre të shenjtë, u a kanë lënë në trashëgimi pasardhësve të tyre, mbështetur në ligjet ndërkonmbëtare mbi pronësinë e tokës, pasurive të patundshme dhe të tundshme. Por këto parime nuk kuptohen nga të pafetë, nga vrasësit, vjedhësit apo rrëmbyesit, sepse tek qenia dhe ndërgjegja e tyre, ka vend vetëm për egërsi.
●- Trysnitë e pafundme, të shumëllojta, të tërthorta apo ballas, si nga brenda fisit dhe nga jashtë, apo etnisë dhe të antikombëtarëve, i detyrojnë të rrëgjohen nga “vuajtjet tashmë të plakura”.
●- Të merret përsipër zgjidhja e çdo lloj problemi kombëtar, sidomos kur ato mpleksen me interesa të specifikuara me fqinjët, krahas shumë strategjive dhe taktikave, sipas përkatësisë, duhen dije të shumta, ide të qarta për “ç’farë dhe përse” duhen ndërmarrë rrugët e zgjidhjes; kërkohet mbi të gjitha të sigurohet drejtësia dhe saktësia e të vërtetës që kërkonhet për zgjidhje; duhet të studiohet statukuoja gjeopolitike që përkon me problemin për zgjidhje dhe, me njohjen e saj duhen përpjekje që statukuoja ti afrohet seriozitetit dhe krijimit të bindjes tek aktorët që koha i ka caktuar për të vendosur “goditjen e çekanit të drejtësisë”. Duhet siguruar seriozitet, vërtetësi në deklarimet për përgjegjësitë që merren për të realizuar zgjidhjet, sado të pamundura që mund të duken, ose diktohen.
Me qenë se jemi tek problemi i zgjidhjes së “Çështjes Çame”, nga kushdo që deklarohet për ndjekjen e zgjidhjes së saj, kërkohen hedhje hapash tepër të kujdesëshme, të vërteta, të zgjuara, të arrihet të sigurohet bindja se ka ndershmëri, seriozitet dhe aspak demagogji.
Si duhet quajtur mungesa e organizimit të përvishëm i homazheve për martirët e nënëdheut të Kllogjerit? Harresë, nënvlerësim, apo mbivlerësim dhe parësor vetëm procesi zgjedhor? Kur të dyja ato ngjarje janë dhe duhet të jenë të pandashme, ti shërbejnë dhe ti qendrojnë devotshëm, besnike dhe të sinqerta njëra-tjetrës!!? Ndryshe mendoj se, dashje pa dashje, krijohen hije dyshimi për demagogji në trajtimin e “Çështjes Çame”, sidomos nga subjektet politike! Kjo, godet në ndjeshmërinë e plagës të këtij komuniteti dhe , siç u trajtua më sipër, ndikon negativisht në besueshmërinë dhe seriozitetin e cilitdo subjekti politik që mendon të angazhohet në zgjidhjen e “Çështjes Çame”.
●- Në fund të këtij shkrimi, me ndershmëri dhe sinqeritet dashamirës, po i drejtohem subjektit politik PDIU me disa pyetje, për të qartësuar opinionin mbarëshoqëror lidhur me cilësimet e asaj partie, si parti e çamëve, kur dihet se nuk mund të ketë partira me kritere krahinore, gjithashtu nëpërmjet këtyre pyetjeve shpreh dëshirat e mia për të shërbyer si këshilla, nëse edhe ata i dëshirojnë, i quajnë të vlefshme dhe të pranueshme:
-Sa përqind e anëtarësisë në atë parti janë çamë?
-Sa përqind e të punësuarve nga ky subjekt, janë nga komuniteti çam?
-Sa përqind nga këta çamë, janë intelektualë dhe me reputacion në shoqëri?
●- Së fundi, me keqardhje çamëve, si ortodoksë dhe myslimanë, shansi natyror dhe historik i fqinjësoi me shtetin fetar ortodoks, i cili vazhdimisht bëlbëzon vetëm fjalët: “Inekzistente” dhe “mos ballafaqim” me të shkuarën, sepse e tmerron humbja e kështjellave prej rëre të ndërtuara në këto 100 vite!.
●- Të marra në tërësi dhe në kompleks situatat shoqëruese ndaj tyre, gjatë gjithë një shekulli, personalisht qendrimet e banorëve të komunitetit çam, të cilët i njoh “nga koka deri në majën e thoit”, si i thonë fjalës, i shikoj “duke buzëqeshur lehtë dhe me tundje koke të avashtë (të ngadaltë)”, ndaj kujtdo që mendon se po merret me “çështjen çame” duke përdorur demagogjinë!! Qendrim i tillë, i qytetarëve shqiptarë me origjinë nga Çamëria nënkupton: “A e din ti zotëri me cilin po flet??!”
Përshëndetje të sinqerta dhe të përzëmërta, ndaj të gjithë personaliteteve dhe institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që merren seriozisht me trajtimin e “Çështes së çamëve myslimanë dhe çamëve të krishterë banues në Çamëri, në vendin e tyre autokton.”.
Zoti i bashkoftë vllezërit çamë (myslimanë dhe të krishterë) në vendin e të parëve të tyre!?
Fahri Dahri, më 10 tetor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura