SHERADIN BERISHA: ZANAFILLA E ‘DEMOKRACISË’ NË SHQIPËRI!

Pashtriku, 21 janar 2020: Mbledhja e partive komuniste që u mbajt në vitin 1986 në Katovicë të Polonisë, mbetet një takim i rëndësishëm historuk i shekullit XX’të, për faktin sepse kjo mbledhje shënon fillimin e shpërbërjes së perandorisë sovjetike “BRSS” dhe të gjithë bllokut komunist lindor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Ngjarjet e mëvonshme që nisën me rënien e murit të Berlinit (9 nëntor 1989), vrasja e diktatorit rumun Nikolai Çaushesku (bashkë me gruan – Elenën) më 25 dhjetor 1989 etj., të cilat kulmuan me shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) më 26 dhjetor 1991…, shpërfaqën skenarin e Platformës së “Katovicës”, ku bartësit e regjimeve komuniste gjatë këtij “ndryshimi” iu përshtatën plotësisht sistemit perëndimor (kapitalist) duke trashëguar pushtetin me metoda të reja!
Republika e Shqipërisë edhe pse nuk ishte pjesëmarrëse në mbledhjen e Katovicës, Ramiz Alia /ish Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990) dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991)/, qysh në vitin 1987 e ka pranuar Platformën e “Katovicës” nga Presidenti i BRSS, Mihail Gorbaçov, për përshtatjen e regjimit në rrethana të reja që po vinin.
Në tetor 2013, ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi – në emisionin “Debat” të televizionit “Channel One” me gazetarin Roland Qafoku, ka zbardhur detaje të një dokumenti sekret që Ramiz Alia e kishte lexuar në mbledhjen e Byrosë Politike në tetor të vitit 1989, si strategji të kalimit të Shqipërisë në demokraci!
“Unë i jam përmbajtur gjithmonë tezës që Ramiz Alia ka qenë çelësi i të gjitha situatave që janë zhvilluar në Shqipëri. Ramiz Alia ka qenë në dijeni edhe për strategjinë e Katovicës së 1987’tës. Madje, në një pritje, në prezencë të ish-presidentit Moisiu e kam pyetur: “Të ka dërguar Gorbaçovi një material për Katovicën?”, sepse Ramiz Alia ka qenë në një periudhë me Gorbaçovin në shkollën e partisë. Më tha se erdhën disa materiale në atë kohë, por asgjë konkrete. Ai e mohonte të ketë pasur informacione për Katovicën dhe për materialin përkatës. Por, në të vërtetë ai ka qenë në dijeni të plotë dhe ka vepruar në përputhje me atë strategji.”- ka deklaruar Servet Pëllumbi.
Sipas këtij dokumenti, që njihet si platforma “Katovica”, Pëllumbi ka thënë se ishte Ramiz Alia ai që vendosi drejtuesit politikë të partive politike pas vitit 1990 (Komunistin Sali Berishën në krye të Partisë Demokratike, Komunistin Fatos Nano në krye të Partisë Socialiste etj.), dhe bëri reformat për pronën dhe trajtimin e ish të përndjekurve politikë etj.

***
DOKUMENTI: “JA KUSH DO TË JETË “DEMOKRACIA” E JONË – MARRË NGA VENDIMET E BYROSË POLITIKE NË TETOR TË VITIT 1989″
Në dokumentin me titull: “JA KUSH DO TË JETË “DEMOKRACIA” E JONË – MARRË NGA VENDIMET E BYROSË POLITIKE NË TETOR TË VITIT 1989″, ndër të tjera Ramiz Alia thotë: “Sistemi ynë komunist ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji” dhe kjo strategji, sipas tij do të synojë në dy drejtime:
1) Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe
2) Në krijimin e pluralizmit politik.
Në vazhdim Ramiz Alia para kolegëve të Byrosë politike ka deklaruar: “Do të nxisim të krijojmë parti sa të duan; të majta dhe të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet kontrolluar e të drejtohen nga ne, programet e themelimit të këtyre partive do i formulojmë ne…Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin në themel e në çati, në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e perëndimit dhe të Disidencës Anti-Komuniste… Neve kemi kuadër sa për shtatë Komitet Qëndrore dhe të mos kemi frikë. Ne kemi studimin dhe platformën gati për zbatim, do të ketë shumë intelektualë që do kundërshtojnë, këtyre nuk do ju japim punë… Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës së lartë komuniste, ne komunistët reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, që kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne, njerëzit tanë… Me këtë strategji brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish-klasën komuniste në klasë kapitaliste”!!!
Dhe kjo strategji duket se është realizuar në tërësi, sepse sot ish’klasa komuniste (PD – Sali Berisha…, PS – Fatos Nano, Edi Rama, Koço Kokëdhima…, LSI – Ilir Meta… etj) janë kapitalistët e këtij vendi!
Në këtë dokument Ramiz Alia citohet të ketë thënë edhe një fjali për Kosovën! Ai para Byros Politike deklaron, se: “Kosova është në pragun e shpalljes Kushtetuese, le të bëjnë si të duan, neve kemi platformën tonë.” Òªfarë absurdi! Në tetor 1989 (në kohën kur flet Ramiz Alia) nuk kishte ndryshime kushtetuese në Kosovë! Debati për ndryshimet kushtetuese në Kosovë kishte ndodhur në gjysmën e dytë të vitit 1988 sipas diktatit të Serbisë, dhe kjo ngjarje kulmon me heqjen e Autonomisë së Kosovës, më 23 mars 1989!
***
Në vazhdim lexoni të plotë tekstin e mbledhjes së Byrosë Politike që u mbajt në tetor të vitit 1989:
JA KUSH DO TË JETË “DEMOKRACIA” E JONË MARRË NGA VENDIMET E BYROSE POLITIKE NË TETOR TË VITIT 1989
Sistemi ynë komunist ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji” u ka thënë Ramiz Alia të panishmëve.
Kjo strategji do të synojë në dy drejtime
1) Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe
2) Në krijimin e pluralizmit politik.
Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s’bën, – thotë Ramiz Alia.
Do të nxisim të krijojmë parti sa të duan; të majta dhe të djathta e të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet kontrolluar e të drejtohen nga ne, programet e themelimit të këtyre partive do i formulojmë ne.
Në krye të tyre duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë. Partia që do të marrë pushtetin do të shajë komunizmin në themel e në çati, në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e perëndimit dhe të Disidencës Anti-Komuniste.
Ata që janë në burgje, të denuarit dhe të persekutuarit Politik, do të thonë për ne: Dhe këtë e urrejnë Komunizmin. Do të afrohen e do na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre, do t’i afrojmë dhe do tu japim punë të parëndësishme; por kurrë nuk do t’i lëmë të marrin pushtetin, sepse atë sapo ta marrin fuqinë, fillojnë dhe hakmerren, Neve bëhemi izmeqarët e tyre.
Në zbatimin e të drejtave të njeriut duhet që tu japim dhe kompensim në para të burgosurve e tu kompletojmë komoditet banimi, të sigurestruarve dhe të ç’pronsuarëve, do t’u japim nga një letër në dorë që ju njifet prona, por asnjëherë nuk do ju japim, në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri-tjetrin, të kalojnë në gjykata, ku do të zbatohet rrotacioni, nga Gjykata e shkallës së Parë – në të Dytën dhe për difekte teknike kthim për rigjykim në shkallën e parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë, duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por këta duke ju dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë, ata që do të pretendojnë dhe do të këmbëngulin, do të lëndohen. Pasurija, e tëra në përket ne, se ne e bëmë.
Materjalin, që ma dërgoi Gorbaçovi, kam dy vjet që e studjoj dhe ata kanë hecur shumë përpara, për këtë jeni në dijeni.
Neve kemi kuadër sa për shtatë Komitet Qëndrore dhe të mos kemi frikë. Ne kemi studimin dhe platformën gati për zbatim, do të ketë shumë intelektualë që do kundërshtojnë, këtyre nuk do ju japim punë.
Një shqetësim mund të krijojnë intelektualët pensionist, këtyre do tu afrojmë krijimin e shoqatës së Veteranëve të luftës dhe të punës, do u japim një mini pension dhe do ju mbajmë ison.
Kosova është në pragun e shpalljes Kushtetuese, le të bëjnë si të duan, neve kemi platformën tonë.
Cdo gjë e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misjonit tonë.
Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës së lartë komuniste, ne komunistët reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, që kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne, njerëzit tanë.
Me këtë strategji brenda dy apo tri legjislaturave, do të kemi ish klasën komuniste në klasë kapitaliste”.
Lexoni faksimilin

***
DEKRETI I RAMIZ ALISË PËR FORMIMIN E PARTIVE POLITIKE NË SHQIPËRI – Nr.7442, datë 17. 12. 1990
***
DEKRET – Nr.7442, datë 17. 12. 1990
VENDOSI:
Neni 1
Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në bazë të nenit 54 të Kushtetutës, shtetasve u njihet e drejta të formojnë organizata (parti) ose shoqata politike e shoqërore.
Neni 2
Veprimtaria e partive ose e shoqatave politike mund të shtrihet për një a disa rrethe ose në gjithë territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Neni 3
Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti ose shoqatë politike, detyrohen t’i drejtojnë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statutin e partisë apo të shoqatës së tyre.
Neni 4
Kërkesa për formimin e një partie ose shoqate politike duhet të nënshkruhet të paktën nga 100 shtetas, kur veprimtaria e kësaj partie a shoqate do të shtrihet në një ose në disa rrethe, dhe mbi 300 shtetas, kur veprimtaria e tyre do të shtrihet në gjithë territorin e vendit.
Neni 5
Ministria e Drejtësisë, kur vëren se nuk janë zbatuar rregullat e caktuara në këtë dekret, e kthen kërkesën për plotësimet përkatëse.
Neni 6
Ministria e Drejtësisë duhet të miratojë ose të refuzojë formimin e partise a të shoqatës politike brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës. Në rast se brenda këtij afati nuk përfundon shqyrtimi i kërkesës, ajo konsiderohet si e pranuar.
Neni 7
Organi kompetent nuk miraton formimin e partive ose të shoqatave politike dhe ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, kur ato kanë karakter fashist, racist, luftënxitës, antikombëtar ose nxitin urrejtjen kombëtare, si dhe kur synojnë përmbysjen me dhunë të rendit të vendosur në Kushtetuten e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Neni 8
Nuk mund të marrin pjesë në formimin e një partie ose shoqate politike dhe as të jenë anëtarë të tyre, shtetasit e huaj dhe shtetasit shqiptarë që nuk kanë vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Neni 9
Kunder aktit të Ministrisë së Drejtësisë që refuzon kërkesën për formimin e një partie a shoqate politike ose që ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, mund të bëhet ankim, brenda 15 ditëve nga dita e njoftimit, në Gjykatën e Lartë, e cila brenda 15 ditëve merr vendim të formës së prerë.
Neni 10
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Kryetari: Ramiz Alia
Lexoni faksimilin e dekretit

***
DEKRETI Nr.7442, DATË 17.12.1990 KOPJE E LIGJIT 370, DATË 06.12.1990!
K.Myftaraj në një analizë të publikuar në FB., më 04.06.2014 me titull: “Historia juridike e Partisë Socialiste të Shqipërisë…”, përshkruan në detaje ngjashmëritë e dekretit nr.7442, datë 17.12.1990 me ligjin 370, datë 06.12.1946, të shpallur me dekretin nr.241 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, i publikuar në Gazetën Zyrtare nr.115, Tiranë më 23 dhjetor 1946, f.3.
Z.Myftaraj shkruan: “Kur Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia iu desh të përpilonte së bashku me këshilltarët e tij juridikë dekretin nr.7442, të datës 17 dhjetor 1990, “Për krijimin e e organizatave dhe të shoqatave politike”, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, me të cilin u lejua krijimi i partive politike, ai u kujtua për Ligjin 370, dt. 6 dhjetor 1946 “Mi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturore, shkencore, profesionale etj., dhe mi mbledhjet publike”, madje e nxorri nga arkivi këtë ligj dhe e kopjoi atë. Mjafton që të krahasosh dekretin e dhjetorit 1990 dhe ligjin e dhjetorit 1946 që të bindesh për këtë gjë. Natyrisht se dy ligje të ngjashme në përmbajtje do të kenë përkime, por në këtë rast bëhet fjalë për një përkim strukturor: nenet me të njëjtin numër kanë të njëjtën përmbajtje. Kjo gjë u ka rënë në sy edhe vetë përpiluesve të Dekretit 7442, të cilët kanë bërë ndonjë zhvendosje në radhën e neneve në dekret, çka më tepër ka bërë që të evidentohet ngjashmëria me Ligjin 370, sesa e ka shmangur atë.
Neni 1 i Dekretit 7442 thotë: “Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në bazë të nenit 54 të Kushtetutës, shtetasve u njihet e drejta të formojnë organizata (parti) ose shoqata politike e shoqërore.”
Neni 1 i Ligjit 370 thotë: “Për zhvillimin e aktivitetit politik, kultural dhe shoqëror të masave të gjëra të popullit shtetasve të Republikës Popullore të Shqipërisë ju garantohet e drejta që të formojnë parti politike dhe shoqata kulturale, shkencore, profesionale, sportive, etj.” Siç shihet, fjala “garantohet” është bërë “njihet”.
Neni 2 i Dekretit 7442 thotë: “Veprimtaria e partive ose shoqatave politike mund të shtrihet në një a disa rrethe ose në gjithë territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.”
Neni 2 i Ligjit 370 thotë: “Veprimtaria e partive politike ose t’ organizatave politike mund të shtrihet në rrethin e një ose më shumë Prefekturave ose në gjithë Shqipërinë.”
Kjo dispozitë u kopjua me papërgjegjshmëri të madhe, se bartte rrezikun që të shërbente për të krijuar parti regjionale, separatiste. Përse ishte e nevojshme që të specifikohej se mund të kishte parti regjionale kur një parti mund ta ushtronte veprimtarinë e saj në një pjesë të caktuar të vendit, pa u përcaktuar si parti krahinore? Në Ligjin 370 të vitit 1946 këtë dispozitë separatiste e vunë jugosllavët, të cilët kishin në plan ta coptonin Shqipërinë në dy republika kur t’i bashkohej Jugosllavisë.
Neni 3 i Dekretit 7442 thotë: “Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti ose shoqatë politike, detyrohen t’ i drejtojnë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statutin e partisë apo të shoqatës së tyre.”
Neni 3 i Ligjit 370 thotë: “Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti politike detyrohen t’ i drejtojnë një kërkesë organit shtetëror kompetent duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statutin e partisë së tyre.”
Neni 4 i Dekretit 7442 thotë: “Kërkesa për formimin e një partie ose shoqate politike duhet të nënshkruhet të paktën nga 100 shtetas, kur veprimtaria e kësaj partie a shoqate do të shtrihet në një ose në disa rrethe, dhe mbi 300 shtetas, kur veprimtaria e tyre do të shtrihet në gjithë territorin e vendit.”
Neni 4 i Ligjit 370 thotë: “Kërkesa për formimin e një partie politike duhet të nënshkruhet të paktën nga 50 zgjedhës kur veprimtaria e kësaj partie do të shtrihet në rrethin e një ose dy Prefekturave dhe nga 100 zgjedhës kur veprimtaria e saj do të shtrihet në rrethin e tre ose më shumë prefekturave ose në gjithë Shqipërinë.” Siç shihet formulimi është i njëjtë, ndryshon vetëm numri i personave.
Neni 5 i Dekretit 7442 thotë: “Ministria e Drejtësisë, kur vëren se nuk janë zbatuar rregullat e caktuara në këtë dekret, e kthen kërkesën për plotësimet përkatëse.”
Neni 5 i Ligjit 370 thotë: “Kërkesa për formimin e një partie politike i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kur konstaton mungesa formale, u’ a këthen paraqitësave për t’ i plotësuar ose korigjuar.”
Neni 6 i Dekretit 7442 thotë: “Ministria e Drejtësisë duhet të miratojë ose të refuzojë formimin e partisë a të shoqatës politike brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës. Në rast se brenda këtij afati nuk përfundon shqyrtimi i kërkesës, ajo konsiderohet si e pranuar.”
Neni 6 i Ligjit 370 thotë: “Ministria e Punëve të Brendshme duhet brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës, të aprovojë ose të refuzojë formimin e partisë politike. Në rast se brenda këtij afati, nuk është marrë ndonjë vendim, atëherë kërkesa konsiderohet si e pranuar.”
Neni 7 i Dekretit 7442 thotë: “Organi kompetent nuk miraton formimin e partive ose të shoqatave politike dhe ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, kur ato kanë karakter fashist, racist, luftënxitës, antikombëtar, ose nxitin urrejtjen kombëtare, si dhe kur synojnë përmbysjen me dhunë të rendit të vendosur në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie a shoqate politike, kur themeluesit ose ata që bëjnë pjesë në udhëheqjen e saj frymëzohen nga idetë e përmendura në këtë dispozitë.”
Neni 7 i Ligjit 370 thotë: “Organet shtetërore kompetente do të ndalojnë formimin dhe veprimtarinë e partive politike që kanë për qëllim të ndryshojnë ose të rëzojnë rendin Konstitucional të Republikës Popullore të Shqipërisë, ose kanë karakter antidemokratik, ose janë t’ organizuara me bazë fetare, ose kanë qëllim dhe shërbejnë për të mbjellur urrejtje dhe grindje në mes të kombësive, racave dhe feve. Gjithashtu ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie politike kur themelonjësit, ose ata që bëjnë pjesë në kryesin e saj, frymëzohen nga parimet e përmendura më sipër.”
Si për variacion, por edhe për diskrecion, në Dekretin 7442 u është ndryshuar vendi me njëri-tjetrin neneve 8 dhe 9 të Ligjit 370, që të mos përkonin numrat e neneve për ndalimin e partive politike.
Neni 8 i Dekretit 7442, që është pothuajse kopje e nenit 9 të Ligjit 370 thotë: “Nuk mund të marrin pjesë në formimin e një partie ose shoqate politike dhe as të jenë anëtarë të tyre, shtetasit e huaj dhe shtetasit shqiptarë që nuk kanë vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.”
Neni 9 i Ligjit 370 thotë: “Nuk munt të marrin pjesë në formimin e një partie politike ose të jenë anëtarë të sajë shtetasit e huaj si dhe shtetasit shqiptarë që nuk gëzojnë të drejtën e votës.”
Neni 9 i Dekretit 7442, që është kopje e nenit 8 të Ligjit 370 thotë: “Kundër aktit të Ministrisë së Drejtësisë që refuzon kërkesën për formimin e një partie a shoqate politike ose që ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, mund të bëhet ankim, brenda 15 ditëve nga dita e njoftimit, në Gjykatën e Lartë, e cila brenda 15 ditëve merr vendim të formës së prerë.”
Neni 8 i Ligjit 370 thotë: “Kundra vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme mi refuzimin e kërkesës për formimin e një partie politike, ose mi ndalimin e vazhdimit të veprimtaris së saj, mund të bëhet ankimi brenda 15 ditëve që nga dita e njoftimit të vendimit përpara Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë që vendos në formë të prerë brenda 15 ditëve. Ankimi i dërgohet Gjykatës së Lartë me anën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.”
Neni 10 i Dekretit 7442 thotë: “Rregullorja a statuti i partive ose shoqatave politike, ndër të tjera, duhet të përmbajë emrin e partisë a shoqatës, organizimin e brendshëm, qëllimin e krijimit, qendrën e tyre dhe territorin në të cilin do të zhvillojnë veprimtarinë, si dhe burimin e mjeteve materiale që do të përdorin.”
Neni 10 i Ligjit 370 thotë: “Regullorja ose statuti i partive politike duhet të përmbajnë emrin e partisë, organizimin e brendshëm, burimin e mjeteve materiale që do të përdorë për zhvillimin e veprimtarisë së saj dhe selin e saj.”
Neni 11 i Ligjit 7442, sa për variacion, kopjoi nenin pasardhës të Ligjit 370, pra nenin 12, duke ndryshuar thjesht radhitjen numerike të neneve në ligj. Neni 11 i Dekretit 7442 thotë: “Partitë ose shoqatat politike janë persona juridikë. Ato do të kenë pasuri të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë dhe shtypin e tyre, si dhe do të administrojnë të ardhurat që vijnë nga pagimi i kuotave të anëtarësisë dhe nga burime të tjera të ligjshme. Partive dhe shoqatave të tjera politike u ndalohet të marrin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ndihma financiare nga jashtë, si: shtete, parti, organizata, institucione, individë të huaj ose nga shqiptarë që nuk janë me banim të përhershëm në Shqipëri. Në rast të kundërt shteti bën konfiskimin e këtyre ndihmave.”
Neni 12 i Ligjit 370 thotë: “Partitë politike janë persona juridike. Atom und të kenë pasuri të patundëshme të nevojëshme për qëllimet e partisë, lokale për mbledhje dhe shtypin e tyre. Këto parti administrojnë t’ ardhurat që rjedhin nga pagimi i kuotave të anëtarësisë si dhe nga burime të tjera të ligjëshme.”
Në nenin 12 i Dekretit 7442 u kopjua neni 11 i Ligjit 370. Neni 12 i Dekretit 7442 thotë: “Partitë dhe shoqatat politike detyrohen të shpallin një herë në vit burimin, sasinë dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të tyre.”
Neni 11 i Ligjit 370 thotë: “Çdo parti politike detyrohet të çpallë një herë në vit burimin, sasinë dhe përdorimin e t’ardhurave të saj.”
(***)
________________
Ilustrimet:
1. Në foto: Ramiz Alia, Fatos Nano dhe Sali Berisha;
2. DOKUMENTI: “JA KUSH DO TË JETË “DEMOKRACIA” E JONË – MARRË NGA VENDIMET E BYROSË POLITIKE NË TETOR TË VITIT 1989″;
3. DEKRETI (I RAMIZ ALISË PËR FORMIMIN E PARTIVE POLITIKE NË SHQIPËRI) Nr.7442, DATË 17.12.1990.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura