FAHRI DAHRI: GJIGANTËT E DRITËS KRIJUAN HISTORINË LILIPUTËT PËRPIQEN TA ÇVLERËSOJNË!

Itali, 2 tetor 2017: Këtë trajtesë po e nis duke theksuar se po bëhen disa dekada që po largohemi nga traditat e shkëlqyera të të parëve tanë, sidomos atyre, gjigantëve të dritës, të shekujve XIV (klerikët e kohës së krishtere) deri në mesin e shekullit XX (periudha e Rilindasve dhe e patriotëve tanë). Përpjekjet sublime të atyre lëvruesve (promotorët e shkrimit të gjuhës sdhqipe) të cilët, krahas të tjerave, na shpëtuan nga gllabërimi (pushtimi) i gjuhës, si një nga kriteret bazë të ruajtjes së identitetit etnik, sot me keqardhje po shikojmë se çdo ditë e më me shpejtësi po ecet drejt harresës dhe pavëmëndjes, jo vetëm nga grupet tona shoqërore, por dhe ata që merren me shkencë dhe studime.
Ata, klerikët (Buzuku, Matranga, Budi, Bardhi, Bogdani, Franceska Maria di Lecce), nuk janë vetëm “gjigantët e dritës” të krishterimit, por ata janë vlerësuar, vlerësohen dhe do mbeten të vlerësuar, sepse krijuan traditën e shkrimit, të kulturës, ndikuan në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Ata, rilindasit dhe patriotët (Sami Frashëti, Naium Veqilharxhi, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Gavril Dara, Pashko Vasa, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Zef Serembe, Ndre Mjeda, Risto Siliqi, Mihal Grameno, Andon Zako Çajupi, Luigj Gurakuqi, Hasan Tahsini, At Gjergj Fishta, Ismail Qemali, Theofan Stilian Noli, Aleks Buda, Aleksandër Xhuvani etj), të cilët e shkrinë jetën e tyre për përhapjen e arësimit dhe kulturës, duke vazhduan traditën e gjigantëve tanë të para afro 400 viteve.
Dhe, të respektosh e nderosh ata gjigantët dhe heronjtë kombëtarë, do të thotë të mbash lidhje të drejtëpërdrejta dhe të pandarshme ndaj gjuhës pellazgo-iliro-shqipe, fiseve, traditave, territorit etj. Pra, sigurohet ruajtja dhe mbrojtja e vazhdimësisë së kombit dhe identiteti i trashëguar.
Informacionet që përhapen në portalet e shumta të mediave, institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore nga e gjithë bota intelektuale, të arritëshme edhe nëpërmjet internetit, kanë hapur dyert e të vërtetave të fshehura, të manipuluara, të mohura deri në caqet e skajshme të harresave për shqiptarët dhe historinë gjuhësore, gjeografike, deri në vetë ekzistencën tonë etnike, të realizuara këto, me mjeshtëri që nga romakët, sllavët dhe grekët e bizantit, otomanët pesëqindvjeçarë e deri në kohët tona moderne.
Synimi antishqiptar mbi dymijë vjeçar: shuarja e racës shqiptare, prapaardhësja e pellazgëve, ilirëve dhe epirotëve. Racës së perëndishme, që i dha qytetërimin dhe civilizimin, të paktën popujve të tre kontinenteve. Forca popullore e brendshme, ndërgjegja fisnore, instinkti vetëmbrojtës i ndodhur në elitat intelektuale të kësaj race, lindi “ruajtësit dhe mbrojtësit” tanë ndër shekuj, ata “gjigantët e dijes”, dhe shpëtoi nga “vdekja” e sigurtë që vampirët lëpiheshin e shqyenin nofullat për kafshimet çnjerëzore. Veprime të cilat nuk kanë rreshtur asnjëherë deri edhe në ditët tona.

– Fahri Dahri –

Të gjithë ne, raca etnike shqiptare, kudo ku ndodhemi, jemi ndeshur dhe ndeshemi me thënie kontradiktore, jo vetëm nga të huajt, por dhe me “këta”, liliputët (xhuxhët) tanë, gjoja analistë, studiues, shkencëtarë apo dhe akademikë (në të vërtetë janë të tillë nga halli që na ka zënë, hall që na e ka krijuar politika, e pushtuar nga jopolitikanët).
Me këtë trajtesë përpiqemi të sqarojmë shkurtimisht disa kontradikta që ndeshim mes arritjeve studimore dhe thënieve të historianëve dhe studiuesave të lashtësisë e deri në ditët tona dhe llomotitjeve mohuese, të paarësyetuara të disa analistëve, historianëve studiuesave dhe akademikëve tanë, të cilët “trimërohen” me idera dhe deklarime kundra fakteve reale të trajtuara nga historianët që kanë jetuar fizikisht në ato kohe, që sot ne e quajmët-lashtësi!
Në këtë shkrim nuk kemi probleme personale me askënd, por trajtimet bëhen për të thirrur inteligjencën shqiptare që temat mbi çështjen kombëtare, me racën, etninë, gjuhën, historinë, heronjtë tanë, ti trajtojnë bazuar në analiza shkencore, të drejta, të sakta dhe jo politikisht apo ekstremisto-nacionaliste, sepse këto nuk janë në karakterin e shqiptarit, raca shqiptare nuk dëshiron “ujë me lugë bosh”, por çdo enë, tepsi, pjatë apo lugë të jenë plot dhe me mjaltë të pastër, pa asnjë lloj përzierjeje të ç’farëdo kohe qoftë.
Disa të kundërta:
● Historiani më i besueshëm Grek (Hēródotos Alikarnāsseús”, i njohur si Herodoti, lindi në Halikarnas (Bodrum), ka jetuar rreth vitiev 484 – 425 p.e.s.). Autor i veprave antike të filozofisë, që nga shumë shkencëtarë merren si pikënisje në punët e tyre. Herodoti si në Evropë, Azi dhe Afrikë quhet edhe si babai i historisë, ka deklaruar në kohën e tij se: “Epiri është i banuar nga popuj jo-grekë të cilët flasin një gjuhë Barbare”dhe se keta popuj në një kohë të lashtë quheshin Pellazgë, të cilët si për Herodotin dhe Thuqididin, shpikën “Panteonin e perëndive”, por si në shumë arritje të lashtësisë, grekët më vonë me mjeshtëri i kanë përshtatur si vepra të tyre. Gjithashtu informohemi se Herodoti është autori i parë i cili përmend emrin e ilirëve.
Del e qartë nga deklarimi i babait të historisë se banorët e Epirit (fiset Thesprote, Kaone dhe Mollose), nuk janë grekë dhe as e flasin gjuhën greke, por janë fise jogreke që flasin gjuhën e tyre, atë pellazgo-ilire. Që ato fise ishin pasardhës të pellazgëve, e deklaron edhe gjeografi Strabon, i cili gjatë udhëtimit nëpër Thesproti, shkruante se edhe në kohën etij kishte gjetur (hasur-takuar) pellazgë.
Gessner Mithridate (doktor dhe botanist nga Zyrihu) në vitin 1555 dëshmon se “gjuha epirote është gjuha ilire”. Dihet se “Meshari” i Gjon Buzukut u botua në vitin 1555; “E mbësuame e krishterë” të Lekë Matrangës në vitin 1592; “Doktrinën e Krishterë” të Pjetër Budit, fjalorin “Latino-Epirot” të Frang Bardhit dhe shkrimtarë të tjerë katolikë.
Sipas mendimit të Giuseppse Catapanos (Filolog i shquar nga Roma), shqipja, më saktë, ilirishtja, është gjuhë që flitet më se 12000 vjet, por sipas Horald Whitehall-it, profesor i linguistikës anglo gjermane në universitetin Indiana (SHBA), shqipja është dega më e vjetër e trungut të familjes së gjuhëve indoevropiane. Si e tillë, ajo nuk është degëzuar më tutje, por ka mbetur si gjuhë e parë dhe e vetmuar.
Ndërsa u njohëm me deklarimet e Herodotit në lashtësi dhe me të Gessnerit në mesjetë, sigurisht nuk janë të vetmit këta për këto të vërteta; nga akademikët tanë, sidomos tek vepra: “Epiri, Pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”, hidhen dyshime për gjuhën që flisnin banorët e Epirit. Kur dihet fare mirë se banorët e Epirit ishin fiset thesprote, kaone dhe mollose, banorë të cilët në të gjitha librat dhe nga çdo historian i lashtësisë, janë theksuar se nuk ishin grekë dhe flisnin gjuhën e tyre pellazgo-ilire. Kështu sjellim në memorjen e lexuesit nja dy fjali të shkëputura nga faqja 74 e studimit me titull: “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët”, ku ndër të tjera autori shprehet: “Por për rastin e Epirit mund të parashtrohet dyshimi që popullsija shqipfolëse e asaj treve mund të jetë e ardhur dhe të ketë zëvëndësuar një popullsi të mëparshme greqishtfolëse a të helenizuar”.
Këtë lloj mendimi, apo dyshimi, autori e mbështet në pozicionin gjeografik të Epirit, i cili ndodhet shumë afër trevave greke dhe si rrjedhojë ka qenë shumë i ekspozuar ndaj ndikimit të fuqishëm grek!? A është argument qënia në afërsi gjeografike me fqinjin grek, kur të gjitha shtetet kufizohen me afërsi të njëri-tjetrit?. Sigurisht që jo!
Në mendimin tim, argumenti i paraqitur është i pasaktë, por tregon përpjekjet për të zbutur trysnitë e brendshme apo të jashtme ndaj fshehjes së realitetit..
Po në këtë këtë material studimor, gjejmë një fjali tjetër të paqartë, të pakuptimtë, lidhur me dyshimin e autorit se: “popullsija shqipfolëse e asaj treve mund të jetë e ardhur”, dhe për këtë përpiqet të arrijë një të “mesme të artë”, duke u shprehur: “Mjerisht, edhe në këtë rast mungojnë dëshmitë historike, që mund të hidhnin dritë për ndonjë shpërngulje të tillë popullore në trevën e Epirit, apo që mund ta përgënjeshtronin një.mundësi të tillë”. Kur dihet fare mirë që nuk ka patur shpërngulje të popujve të tjerë drejt Epirit, por ato kanë qenë drejt Thesalisë, Moresë, Greqisë qendrore dhe që emërtohen “arvanitas”. Duhet theksuar fakti i padiskutueshëm, që epirotët nuk janë quajtur dhe as quhen arbërorë jugorë, sepse nuk janë as të ardhur dhe as të shpërngulur, prandaj dhe nuk quhen as arvanitast, fakt ky që detyrohet të mbahet parasysh edhe nga ndonjë historian, kjo sepse epirotët (thesprotët, kaonët, mollosët) kanë qenë banorë autoktonë në Epir.
Arësyet pse akademikët hedhin këto hije dyshimi, i dinë ata dhe po ata duhet të tërhiqen, sepse dyshimet krijojnë krisje, plasaritje, të cilat po të shoqërohet me rrjedhje uji, dihet çahet toka, shtëpitë, krijohen vironj, përrenj, lumenj dhe dete!!.
● Sipas Thefoan Stilian Nolit dhe jo vetëm, informohemi se luftrat e shqiptarëve kundër turqve filluan me Balsha I dhe principata e tij, nga 1362 deri më 1379. Katoliçizmi në Shqipëri ka fillesën në vitin 734 deri në vitin 1414. Rreth 100 vjet luftëra janë zhvilluar nga fiset shqiptare kundra perandorisë Osmane. Ka luftuar fisi i Balshajve kundër Turqisë dhe Venetisë nga viti 1383 deri në vitin 1422; ai i despotatit të Artës në Çamëri, me Pjetër Llosha dhe Gjin Bue Shpata, prej 1358 deri në vitin 1400; lufta e Savrës në Lushnjë më 1385; lufta e Kosovës e zhvilluar në vitin 1389. Gjon kastrioti luftoi nga viti 1395 deri në vitin 1439. Kryengritja e Aranitit gjatë vitit 1434 deri në vitin 1436. Lufta e Zenebishëve dhe kryengritja e Gjirokastrës janë të viteve 1436. Rrethimi i Beratit në vitin 1438, atj.
Në këto vite të përgjakshme, mes fiseve shqiptare dhe të huajve, ndodhi edhe ndërrimi i fesë nga ortodoksë që ishtin u kalua përsëri në besimin katolik. Ndërrimi fesë ishte për shkak që të shkëputej çdo lidhje me Serbinë. Luftërat, kryengritjet dhe ndërrimet e besimit fetar, ndihmuan dhe treguan kahjen e banorëve shqiptarë drejt bashkimit politik e fetar me Perëndimin dhe shkëputjen përfundimtare nga perandoria osmane.
Por, jo vetëm kaq, Noli sqaron gjithashtu se fetarisht, nga njëra anë banorët e trojeve shqiptare kanë qenë lidhur me Romën dhe se feja e krishtere, është përhapur në këto troje prej misionarëve të Romës që në shekujt e parë pas Krishtit. Nga ana tjetër, Shqipëria ishte nën juridiksionin e Papës deri në vitin 734, kur Perandori i Bizantit, Leoni I Isavri, e shkëputi nga Roma dhe i a kaloi Patrikut të Stambollit. Në periudhën e gjatë të pushtimit bizantin, shumë prej shqiptarëve ndërruan përsëri besimin nga katolikë në ortodoksë. Me ardhjen e Kryqëzorëve Katolike dhe mbizotërimet Veneciano-napolitane, situatat pësuan ndryshime të tjera me nisjen e ringjalljes dhe përhapjes së katoliçizmit, kundërvënie ndaj zotërimit Bizantin dhe atij Serb. Si rrjedhojë në fillim të shekullit pesëmbëdhjetë Shqipëria ishte po thuaj plotësisht e besimit katolik.
Kjo ishte situata që gjeti perandoria osmane, lidhur me besimet fetare të banorëve shqiptarë në trojet e veta. Ajo perandori me forma të shumëllojshme që dihen, gjatë shekullit të XVII të, ndikoi në ndërrimin e besimit fetar të shumicës së shqiptarëve, të cilët nga katolikë e ortodoksë shqiptarë, u konvertuan në myslinmanë. Këto janë të vërtetat e traditës fetare të shqiptarëve, të cilat na i sqaron i madhi Fan S. Noli.
Por për çudi, edhe për këtë traditë shqiptare, sot na dalin disa publicistë, apo analistë etj, bile duke shkruar edhe një kosh me libra, që trazojnë me apo pa dashje, traditën tepër fisnike të shqiptarëve, atë të tolerancës fetare, duke u përpjekur të “godasin” në përgjithësi çdo besim fetar dhe atë mysliman në veçanti. Ka edhe disa mendimtarë shqiptarë, që besimin mysliman e marrin si “shenjë” të së keqes, të cilën ne e mbartim dhe se kjo shenjë na pengokërka për tu përfshirë në shoqërinë europiane, duke na sjellë në kujtesë për argimentim “përrallën e shqiponjës”, e cila u kap dhe u lëshua nga njeriu, por prej aromës së njeriut, shqiponjat e tjera nuk e pranonin!!. Kuptohet, nënteksti duket i qartë, një thirrje shqiptarëve për të rindërruar besimin fetar!!.
Synimet janë të qarta. Të gatshëm për të përqafuar kriterin fetar në përcaktimin e kombit. Por shqiptarët, nuk janë miopë, ata primar kanë përcaktimin e kombit nga gjuha, fisi, traditat, zakonet dhe territori ku jetojnë, prandaj kemi mbetur pa u asimiliuar, nuk jemi zhdukur. Pa Atdhe nuk ka Fé. Këtë kanë marrë dhe marrin të mirëqenë shqiptarët ndër brezni dhe shekuj, të nderuar publiçistë, analistë, opinionistë, shkrimtarë, studiues, a historianë, kushdo qoftshi!.
Ne nuk ndërhyjmë dhe as i paragjykojmë popujt e tjerë nga besimi fetar. Duam që dhe të tjerët të mos na gjykojnë nga “shenjat”, por nga historia jonë.
● Dhe tani ndalemi tek Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Më kujtohet koha kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme në Tiranë. Profesori i historisë Qemal Najdini, na spjegonte kthimin e Gjergj Kastriotit në Krujë. Një pasion i madh, një mbresëlënie e paharruar, një dashuri e zjarrtë për Heroin Kombëtar, ndjehesh tek e gjithë qenia e profesorit tonë, kur ai si një aktor i talentuar recitonte: “Kruj’, o qytet i bekuar! Prite, prite Skënderbenë, Po vjen si pëllump i shkruar, Të shpëtonjë mëmëdhenë. Shqipëtarët t’i shpëtonjë, Nga xgjedh’ e keq’e Tyrqisë, Edhe ty të të nderonjë, Që je krej’i Shqipërisë,…. O Shqipërizë! gëzohu, Se të erdhi prapë dita, Lulëzohu, zbukurohu,Të zbriti nga Zoti drita”!
Ne, nxënësit e ndiqnim vemendshëm dhe në brendinë tonë ndjenim një krenari të ligjshme. Ato vargje dhe ai recitim na pushtonin zemrën dhe në përfytyrimin tonë, Heroi kombëtar merrte pamjen e një “gjiganti” që shpata i flakërinte, ecja ishte fluturim, thirrjet ishin kushtrim, që bashkuan fiset shqiptare të kohës dhe përballuan hordhitë Otomane.
Sipas përkthimit të z. Aurenc Bebja, Prifti, At Nicolas Caussin, lindur në qytetin Troyes të Francës (1583-1651), Heroin tonë kombëtar e ka përshkruar: “I madh, me një fytyrë magjepse, i fuqishëm dhe i shëndetshëm, sytë e tij kompozoheshin mes ylberit dhe rrufesë, duart e tij qenë krijuar për të mbajtur shkëndijat e rrufesë, këmbët e tij nuk ngjasonin me asnjeri, të gjitha këto tipare paralajmëronin famën (suksesin) e tij”.
Dhe në fund, homazhe për kontributin e Gjergj Kastriortit, At Nicolas shkruan: “O Kastriot trimi, në qoftë se katolikët mundën të shpëtonin nga tirania e Sulltanëve, kjo mund të ndodhte falë teje. Duhet pohuar që plagët tona ishin të pashërueshme, dhe përçarjet mes nesh na penguan ti sillnim ndihmë dorës tënde hyjnore. Ethet të morën jetën në qytetin e Lezhës… Dhe, tani, ti nuk ke nevojë që të të gjejmë varrin, sepse memoria jote ka gjetur po aq monumente sa ka zemra ndër shekuj”.
Dhimbje të thella ndjenim edhe kur mësuesi i nderuar, na tregonte për mbrritjen e Gjergj Kastriotit tek dera e shtëpisë, ku e priti nëna e tij, Vojsava. Nënë Vojsava e Gjergjit, bijë e një princi shumë fisnik i Tribalëve, gruaja e denjë e babait të Gjergjit, kishte derdhur lotë nga mungesa e djemve për vite të tëra dhe kishte humbur shikimin.
“Nënë, jam Gjergji, djali yt. Erdha të shuaj mallin me ty dhe të shpëtoj atdheun nga tirania”! Vojsava, gruaja e Gjonit, princit shqiptar, Vojsava e bija e kryezotit të Pollogut nga Vardari i sipërm, tani Tetova, u ngrit dhe me duar të dridhura prekte trupin e Gjergjit, atij djalit të saj, peng që në moshe të ré, por ato duar preknin në triupin e një gjigati. Dyshoi Vojsava, por Gjergji i foli me zërin e fëmijës ndaj prindit dhe kur duart e nënë Vojsavës arritën të preknin fytyrën, hundën dhe sytë e djalit, u trondit nga mallëngjimi mëmësor, trupi i saj u lëkund, por duart e fuqishme të djalit-gjigant e kapën fort, ishte ai çast që nënë e bir u përqafuan me mallin e krijuar prej shumë vitesh të ndarë.
Megjithëse emocionet tona të asaj moshe nuk ishin si emocionet kur “thyhet” mosha e njeriut, përsëri mbresat ishin të forta dhe, edhe sot Gjergj Kastriotin e përfytyroj një njeri “gjigant”, që njerëzimi i ka shumë të rrallë. I tillë ishte dhe do mbetet Heroi ynë, shpëtimtari i Atdheut të tij dhe i krishtërimit europian. Por ndonjë njeriu kur “bëmat”, fama apo lavdia, i kalojnë kufijtë e vendit të tij, siç thotë populli: “Fama merr dhénë”, lindin edhe smirat, zilirat, ambicjet si brenda njerëzve të fisit, ashtu dhe jashtë tyre. Lakmia, një ves i keq, por ja që ekziston dhe vepron. Heroi ynë është aq i famshëm sa zilia dhe lakmia e shteteve fqinjë kërkojnë tek ai: e para, t’ja rrëmbejnë lavdinë, dhe e dyta, krahas lavdisë janë përpjekur dhe përpiqen ta rrëmbejnë edhe vetë Gjergjin tonë!.
– Nisur nga se në gjuhën Greke “Kastriotis” do të thotë banues i “Kastrionit”, emër vendi “Kastrion” në Greqi, dhe kronikasi bizantin Kritobulli e trajton po në këtë kuptim, për disa autorë grekë e quajnë normale që Gjergj Kastrioti Skenderbeun ta quajnë grek.
– Interpretim i gabuar që i bën Hopfi tabelës gjenealogjike të Kastriotëve, se stërgjyshi i Skënderbeut paska qenë një serb, është shfrytëzuar nga serbët dhe pansllavistët, të cilët shprehen se Gjergj Kastriot Skenderbeu, qenka me prejardhje sllave. Kur Frank Bardhi e kishte dhënë përgjigjen me kohë, dhe vetë Skënderbeu e kishte treguar preardhjen e tij shqiptare në një letër drejtuar nga Kruja princit të Tarantos, Xhiovani Antonio Orsinit, më 31 tetor 1460, duke i thënë atij se ne quhemi epirotë.
Mjerisht kemi edhe sot publicistë, analistë dhe opinionistë shqiptarë, që duke mos u nisur nga kriteret të vërteta shkencore, rrëshqasen në rrugët që ndërrtohen nga të huajt për të baltosur historinë dhe prejardhjen e etnisë tonë, me goditje të forta pikërisht në të vërtetat e lavdishme të shqiptarëve, duke thurur gënjeshtra, manipulime, mohime dhe shpifje, që për fat të keq gjejnë dhe përkrahen nga disa liliputë, në rolin e suflerëve flasin, më shumë për tu dukur, sesa për të deklaruar të vërtetat, dhe pa u thelluar se cënojnë rëndë në gjakun e tyre. Vetë Gjergj Kastriot Skenderbeu ka thënë: “Se ne quhemi epirotë”, kurse grekët hedhin pretendime se ishte grek, serbët se ishte serb, ndërsa suflerët e sotëm shqiptarë kërkojnë treg për ta shitur tek të huajt! Paradokse. Njerëz kontradiktorë. Të papërgjeshëm.
Në përfundim, dëshiroj dhe shpresoj se kritika shkencore, sigurisht e kësaj fushe, do të na mirëkuptojë dhe do kërkojë që studiuesit, shkencëtarët, gjuhëtarët, historianët dhe akademikët të jenë seriozë ndaj produkteve të tyre studimore dhe të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm ndaj ligjeve themelore të vendit të tyre.
Gjithashtu mendoj se Institucioni i Akademisë së Shkencave shqiptare, duhet të kërkojë nga ligjvënësit tanë nxjerrje ligjesh të sakta e të plota në ruajtjen e historisë, gjuhës, heronjëve tanë, sikundër vënien para përgjegjësive ligjore të çdokujt që vepron kundër interesave kombëtare. Liria pa limite, për mua të çon në shthurrje.

Fahri Dahri, Itali 29 shtator 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura