DR.SALI BYTYQI: AKADEMIA – SHTYLLA ME E PATHYESHME E IMORALITETIT TONË!

 Prishtinë, 11. 01. 2013 – Shoqëria jonë ka kohë që nuk ka më shtylla të moralitetit, ndaj, në mungesë të shtyllave morale, po trashen kaq shumë shtyllat imorale, ndër të cilat, më e madhja dhe më e pathyeshmja, po bëhet Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës!
Kjo Akademi, duke u kthyer në çerdhe injorantësh, po kthehet edhe në qendër antikombëtare! Ndoshta e tillë ishte prej fillimit?! Përveç asaj që është mbushur përplot me njerëz të politikës aty që prej fillimit bëhet politikë! Çelës për të hyrë aty nuk është përgatitja shkencore, por pëlqimi politik, klanor, fisnor etj.
Aty hyhet për arsye politike, sikurse për të njëjtat arsye nuk mund të hysh kurrë! Aty mund të hysh nëse pranon që Kosova ka një histori të veçuar nga Shqipëria, ndërsa nuk mund të hysh kurrë nëse pranon standardin e gjuhës shqipe!

Ndërsa me zgjedhjet e reja, që ndodhën gjatë këtij viti, vetëm sa u trash kjo shtyllë imoraliteti: grupi që hyri aty, lirisht mund të themi se përbën kontingjentin më injorant të mundshëm që ka mundur të hyjë deri më tani në këtë Akademi! Me këto zgjedhje aty hyri historiani që nuk është historian, gjuhëtari që nuk është gjuhëtar, hyri kompiluesi më i skajshëm i teorive të letërsisë, hyri pseudogjeografi, pseudokimisti, pseudopiktori, hyri e kush nuk hyri, në kohën kur, për derexhën në të cilën ndodhet sot kjo Akademi, të vetmin (krye)arsyetim që mund të dëgjosh, është ky: Mos janë më mirë institucionet tjera të Kosovës?!
Kjo është e vetmja arsye! Tjetër nuk ka.
Vërtet, as institucionet tjera të Kosovës nuk janë më mirë!
Por këtu duhet të themi se ekziston një dallim qenësor në mes Akademisë së Shkencave dhe të Arteve dhe institucioneve të tjera të Kosovës. Sepse për çdo gjë tjetër ka ilaç, vetëm për Akademinë jo: ajo mbetet e pandërruar!
Ajo riprodhon veten, d.m.th. riprodhon të keqen e saj, të keqe të mbrojtur me “ligj”; ndërsa në çdo institucion tjetër mund ta luftojmë atë të keqe, në Akademi nuk e kemi këtë mundësi.
Edhe pse institucionet tjera nuk janë në gjendje të mirë sot, ka shpresë se një ditë ato mund të ndërrohen. Akademia jo!
Kemi një rektor të keq, e ndërrojmë në zgjedhjet tjera;
Kemi një ministër të keq, e ndërrojmë;
Kemi një qeveri të keqe, të korruptuar? Do të dalim në zgjedhje dhe do të mund ta ndërrojmë, në mos pas mandatit të parë, pas të dytit.
Akademia e Shkencave mbahet nga djersa jonë, ndërsa udhëhiqet nga vullneti i atyre që nuk bëjnë shkencë, por bëjnë politikë, deri atje sa edhe e fyejnë popullin që i mban!
Edhe në shkollën fillore që gjendet në skajin më të largët të Kosovës nuk është gjendja më alarmante se në Akademi, sepse për hyrjen në atë shkollë më të largët, përpos rasteve kur shkelen ligjet, janë rregulloret e qarta, ligjet e qarta, sipas të cilave pranohet punonjësi, në Akademi jo.
Kjo është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës!
Si përfundim, a duhet të ruhet kontinuiteti i një Akademie të tillë?
Përgjigjja logjike do të ishte kjo: Aq sa do të duhej ruajtur kontinuiteti i imoralitetit që e ka përfshirë shoqërinë tonë, aq do të duhej ruajtur kontinuiteti i saj!
Ndaj, sipas mendimit tim, vetëm një zgjidhje do të kishte për Akademinë:
Kur të arrijë Kosova të krijojë institucione me të vërtetë kredibile, të cilat sot nuk i ka; kur të bien shtyllat e imoralitetit dhe të ngrihen ato morale, së bashku me ato shtylla të imoralitetit duhet të bjerë edhe kryeshtylla, pra, të shkatërrohet kjo Akademi dhe të krijohet një akademi shkencore e vërtetë!
Ky do të ishte fundi i natyrshëm i saj.
Rrugë tjetër nuk ka!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura