Itali, 6 mars 2017: (“Me çamët kemi jetuar si vëllezër, në të mira e të këqia. Mallkuar qofshin ata që bënë këtë tmerr mbi ’ta”! Tulla Stefaniu)
Ardhjen tuaj këtu, për të marrë pjesë në promovimin e librave: “Njohuri historike për Thesproti/Çamërinë”, “Në rrjedhat e kohës” dhe “Realitete që vulosin akuzat greke”, e vlerësoj në shenjë respekti reciprok njerëzor, i cili lidh dhe forcon marrëdhëniet mes njerëzve, miqve, shokëve, gjithë dashamirësve që përcillet brez pas brezi në grupet shoqërore të afërta. Sot në këtë ditë, unë jam para miqve dhe shokëve të nderuar, për të dhuruar shkrime mbi historinë e një komuniteti, i cili ndër shekuj ka mbijetuar në një tokë të begatë, por dhe me plot ngjarje të frikshme të ruajtura nga legjendat dhe të vërtetat historike, që e veçojnë dhe e lartësojnë atë haspësirë dhe banorët e saj.
Pambarim janë ndodhitë e asaj treve me prejardhje të drejtë për drejtë pellazgo-ilire. Sigurisht nuk do ndalem në shtjellimin e tyre, sepse ato janë trajtuar tek librat që sot po promovohen në këtë auditor sa miqësor dhe dashamirës. Nga hulumtimet e mijëra, mijëra fletëve, nga leximet dhe studimet me vemendje të veçantë të çdo shkrimi për Thesproti/Çamërinë dhe jo vetëm të saj, me kënaqësinë që kam nga prezenca e nderuar, nuk mundet të mos ndaj me ju disa nga konkluzionet e arrira, të cilat na njohin me përcaktimin e banorëve të lashtësisë dhe të pasardhësve të rajonit të Çamërisë së sotme. Shkaqet kryesore të diskriminimit të banorëve në atë rajon ishin pamëdyshje vendimet fatkeqe dhe tepër shkatërruese të marra dy herë radhazi nga Fuqitë e Mëdha në dëm katastrofik të territorit dhe banorëve etnik shqiptarë.
a). Vendimi i parë shpërbërës, ishte copëtimi i territorit etnik shqiptar, duke ja dhuruar padrejtësisht greko-jugosllavëve bashkë me banorët përkatës etnikë shqiptarë. Kjo e vërtetë argumentohet duke sjellë në kujtesë, arësyen e copëtimit të Shqipërisë në viin 1913 nga ana e Fuqive të Mëdha, nga interpelanca e Z. Eduard Grej, ish ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe nga 1905 deri 1916, i cili ka deklaruar:
“…..Por, duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftëse marrëveshja mbi Shqipërinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Evropë”.
b). Edhe arësyen e shkëmbimit të popullsive, e sqaron po zyrtari i lartë anglez, Zoti George Nathaniel Curzon, Sekretari i Jashtëm britanik (1924-1925), i cili “ndjehej thellësisht keq, që shkëmbimi i detyrueshëm i popullsive duhet të ishte një zgjidhje, pasi ajo zgjidhje është tërësisht e keqe dhe vicioze (e mbrapshtë), për të cilat bota do të paguajë një dënim të rëndë për njëqind vitet që vijnë”.
Për marrëveshjen turko-greke, të shkëmbimit të popullsive me besime fetare të ndryshme (banuesit ortodoksë në Turqi dhe banuesit myslimanë në Greqi, pavarësisht nga etnia), z. M. Norman Naimark ka pohuar se traktati ishte pjesa e fundit e fushatës së spastrimit etnik për të krijuar një atdhe etnikisht të pastër, mbi baza fetare për dy shtetet, Turqinë dhe Greqinë. Historiani Dina Shelton në mënyrë të ngjashme shkruan se “Traktati Lozanës kompletoi transferimin e detyruar të ortodoksve të vendit” (ortodoksët në Turqi dhe myslimanët në Greqi). Kjo ide ishte një zgjidhje e zbatuar nga veprimi i qeverive turke dhe greke në dëbimin e personave me besime fetare të ndryshme midis dy shteteve, pa marrë në konsideratë etninë e tyre..
Copëtimi i Shqipërisë në vitin 1913 dhe shkëmbimi i popullsive me besime të ndryshme, pavarësisht etnive, janë shkaqet kryesore që kanë trazuar Ballkanin ndër vite, sidomos popullsinë etnike shqiptare, duke filluar nga rajoni i Çamërisë, Janina e rrethinat, Meçova, Konica, Grebeneja, Kosturi, Manastiri, Kosovën, e deri në Mal të Zi. Rrjedhojë e këtyre vendimeve fatkeqe, shtetet përfituese, sidomos shteti Grek dhe ai Serb, që në fillimet e zgjerimit të territoreve mbas Luftës së Parë Botërore, ndërtuan strategjira diferencuese dhe diskriminuese ndaj banorëve të etnisë shqiptare, me vrasje, rrëmbime pronash të paluejtshme, denigrim të tyre, duke i quajtur banorët myslimanë turq, të padëshirueshëm, tradhëtarë të kombit grek pasi kishin ndërruar besimnin fetar dhe duke i trajtuar popullsi jogreke, ata nuk kishin të drejta të banonin në shtetin Grek.
Krijimi i këtyre rrethanave dhe situatave tejet të vështira, u dhanë mundësira të mëdha qeverive ndër kohëra të përfitonin nga shanset historike, duke u mbështetur fuqishëm si ushtarakisht dhe fetarisht nga ana e disa shteteve me prirje tolerancash të krishtere, fenomene që konstatohen edhe tek disa prej udhëheqësve të sotëm europianë, sidomos me refugjatët sirianë.
1. Banorët e Thesproti/Çamërisë, sipas shikimit historik nuk i përkisnin etnisë greke.
Ai rajon (Prefektura e sotme e Thesprotisë, e Prevezës dhe e Artës) nuk ka qenë asnjëherë territor i Greqisë, në asnjë dokument të shkruar, dhe as në hartat e periudhave të para shekullit XX-të. Çamëria ka qenë jashtë kufijve shtetërore të Greqisë, por para 1913, fatkeqesisht duke qene nen perandorine turke, trajtohej toke turke dhe banorët turq. Mbi këtë bazë u ngritën spekullimet greke të cilat morën dhe rezultatet e dëshiruara.
2. Gjuha e folur e banorëve të asaj treve, pa asnjë mëdyshje, është gjuha e vjetër shqipe, ku është ruajtur e konservuar pellazgjishtja. Kjo trashëgimi i dedikohet rrethanave gjeografike dhe historike të cilat kanë favorizuar banorët e Çamërisë për ruajtjen dhe konservimin e të folurës pellazgjike. Epirotët e lashtë kanë folur paraardhësen e shqipes.
Trajtimet historiko-studimore jorealiste, lidhur me identitetin e epirotëve, e bëjnë të nevojshëm dallimin midis helenizimit kulturor dhe helenizimit etnik. Helenizimi kulturor duhet kuptuar si ndikim i kulturës dhe artit grek në kulturën dhe artin e epirotëve, ndikim i cili ka ndodhur edhe tek latinët dhe tek popujt e tjerë të ballkanit (thrakët, maqedonasit, popujt e Lindjes së Afërme). Me helenizim etnik duhet të kuptohet procesi historik që ndikon në humbjen e vetëdijes etnike, gjuhës, mënyrës së organizimit shoqëror, siç ka ndodhur në Maqedoninë e lashtë (pas vdekjes së Aleksandrit të madh), në Etoli dhe në disa rajone të tjera të Greqisë që, sipas autorëve të lashtë grekë, banoheshin më parë nga fise jo greke.
Në “Histori e Romës” (Römische Geschichte Daubner), historiani gjerman Theodor Mommsen (1854-1885, mendon se ruajtja e habitshme e strukturës fisnore në Epirin e periudhës helenistike, tregon se si studiuesit e lashtësisë, në të vërtetë janë marrë me aspekte të kulturës elitare, ndërkohë që mendonin se ajo ishte kultura e popullit epirot. Përkundër një opinioni mbizotërues, se në epokën helenistike ka ndodhure helenizimi i Epirit, historian gjerman këmbëngul me bindje dhe arrin në përfundimin e drejtë por tronditës për opinionin mbizotërues, se një helenizim i tillë “nuk ka ndodhur në asnjë mënyrë “ (no way”. Për vërtetësi sjell faktin që prosaibët kaonë, me kryeqendër Butrintin (një koloni greke), që ishin më të ekspozuar ndaj forcave helenizuese por që edhe atje struktura shoqërore e trashëguar epirote mbeti e paprekur nga helenizmi, ashtu si dhe organizimi shtetëror epirot kishte ndryshime me botën greke, gjë që vërtetohej me fiset epirote si mollosët, kaonët e thesprotët, të detyron arsyeshëm të mendosh se në rajonet e tjera larg kolonive bregdetare greke të Epirit, struktura shoqërore e trashëguar epirote duhet të ketë mbetur akoma më e paprekur nga helenizimi. Edhe në organizimin shtetëror, Epiri kishte ndryshime me botën greke: si mollosët qeveriseshin nga një mbret, kurse thesprotët dhe kaonët ishin shoqërira pa mbret (abasileutoi).
Gjithashtu deri sot, askush nuk ka paraqitur ndonjë të dhënë të besueshme nga burimet e lashta greke dhe romake ose burime të tjera arkeologjike, etnografike, që do të provonte se epirotët e lashtësisë humbën gjuhën e tyre. Prania e popullsisë autoktone shqiptare në Epirin e vjetër apo të ri, dhe mungesa e çdo gjurme mërgimi shqiptarësh në Epir, provojnë autoktoninë dhe trashëgiminë e gjuhës pellazge. Të dhënat e shumta historiko-studimore realiste, të shpien natyrshëm në përfundimin se, në Lashtësinë klasike, Epiri banohej nga një popullsi etnikisht e ndryshme nga grekët e lashtë, dhe që i perkiste grupit etnik ilir.
3. Shkëputja e provincave nga trungu ilir, si efekt i riorganizimeve të qëllimshme nga romakët, duke i përfshirë në popullsi sllavo-romane, siguroi përfundimin e asimilimit të ilirëve veriorë, ata mbi Prevali. Sot mbas afro 2 mijë vitesh, arrihet në përfundimin se me ndarjen e Ilirisë në provinca, rezultojnë disa të vërteta, përgjithësisht të njohura, por të pacilësuara dhe të papërkufizuara, prandaj:
• Nga shpërbërja e popujve pellazgjikë në disa degë, rezulton se dega kryesore, ajo e Ilirisë, trashëgoi drejtpërsëdrejti gjuhën, dijet, zakonet dhe hapësirën territoriale më të madhe pellazgjike, duke i dhënë asaj emrin “Gadishulli Ilirikum”.
• Më pas, në fillim të shekujve të erës sonë, dega kryesore e pellazgjishtes, Iliria u shpërbë në disa nëndegë kryesore, si: Dalmacia, Dardania, Arbëria dhe Epiri, popujt e të cilëve sot njihen si: shqiptarë ku përfshihen gegët, toskët, kosovarët, çamët (myslimanë e të krishterë), shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, dhe pakicat shqiptare në disa shtete mbi veriun e shtetit Shqiptar], arbëreshët, arvanitasit dhe arnautët. Të gjithë këta popuj, dikur përbënin Ilirinë dhe banorët quheshin “Ilirë”.
• Gjithashtu ndarja e Ilirisë në pjesë dhe popuj si më sipër, sot na jep saktësisht njohjen e hapësirës Ilire dhe shtrirjen e popullsisë së saj para shekullit të dytë pas Krishtit.
4. Perandoritë që janë shtrirë në hapësirat territoriale të Ilirisë, sipas periudhave sunduese, kanë ushtruar dhuna, trysni, përçarje nga më të shumtat dhe më të ndryshmet për asimilimin e fiseve pellazgjike dhe ilire, si format e ndarjeve adminstrative, përcaktimet e kombeve sipas besimeve fetare, metodat “përça e sundo”, pa kursyer vrasjet, dëbimet masive të popullsisë shqiptare gjatë luftrave botërore e ballkanike dhe pas tyre. Të gjitha ngjarjet e ndodhura ndaj racës shqiptare nga mesjeta e këndej më çuan në përfundimin:
Nëse arbëreshët dhe sidomos arvanitasit, do të arrijnë të kuptojnë se Arbërisë dhe Epirit në mesjetë dëmet katastrofike i janë shkaktuar nga përcaktimi i kombit mbi baza fetare, atëhere do arrihet të vihet në vend njësimi etnik mes nesh. Do të rritet respekti dhe uniteti i vllazërisë arbëroro-epirote-shqiptare, i munguar pothuaj prej 6 shekujsh. Kjo, rrjedhojë e nxitjeve përçarëse sllavo-greke me petkun e besimit fetar, pa lënë mënjanë edhe pasojat jo të mira që kërkoi të kultivonte komunizmi botëror.
5. Shanset historike, përgjithesisht kanë qenë në disfavor të çështjes shqiptare, por veçanërisht momentet historike në ato periudha ishin të ashpra, të pamëshirshme, vdekjeprurëse kundër Çamërisë. Në mënyrë shumë të përmbledhur, përmendim disa nga faktorët kryesorë që ndikuan tepër negativisht për Çamërinë dhe banorët e saj:
● Mungesa e theksuar e elitës udhëheqëse dhe drejtuese. Kjo si efekt i persekutimit social, kulturor, të ushtruar nga pushtuesit ndërshekullor, kundër atij komuniteti.
● Paaftësia diplomatike në përballje me diplomacinë mashtruese greke, e cila me mjeshtëri kamufloi faktorin ndërkombëtar në favor të dinakërisë së saj për realizimin e genocidit racist etno-fetar ndaj myslimanëve shqiptarë të rajonit të Çamërisë.
● Mungesa e faktorit “forcë”, qoftë numerike, materiale, administrative (pasi rajoni ishte njësi më vete, por drejtohej tërësisht vetëm nga elementi njerëzor etnik grek) dhe morale, të cilat palës greke jo vetëm nuk i mungonin, por i përdori masivisht dhe në të gjitha drejtimet kundër bashkëqytetarëve të saj, si dhe nën mbikqyrjen e “aleatëve” qofshin politikë, ushtarakë dhe fetarë, ndërsa popullsia çame nuk siguroi asnjë përkrahje apo mbështetje, ajo ishte nën shtypjen, dhunimin dhe vrasjen prej shtetit të saj.
● Asnjëherë nuk duhet të mungojë vigjilenca plotësuese, sepse jemi i vetmi popull në Europë dhe sidomos në Ballkan që dallojmë nga të tjerët. Kundër ekzistencës së kombit tonë kanë qenë dhe janë shumë udhëheqës, strategë luftarakë, politikanë dhe klerikë, që kanë shprehur qartazi synimet për zhdukjen tone. Le të sjellim në kujtesë, mes shumë qendrimeve të të huajve kundër nesh edhe kancelarin e hekurt gjerman, Bismarkun, i cili në kohën tij deklaronte: “Nuk ka shtetësi shqiptare”!. Por, ai dhe shumë të tjerë, dje dhe sot, kanë treguar dhe tregojnë mos kuptimin e nocionit objektiv të “kombit”. Ata nuk kuptojnë se elementët e një kombësie janë gjuha e përbashkët, territori, traditat, doket, vetëdija e solidaritetit historik, kujtimi i vuajtjeve dhe madhështive të përbashkëta, përputhshmëria e interesave, komuniteti i civilizimit, elemente objektive të cilët nuk i kanë munguar kurrë shqiptarëve. Është ky “sekreti” që kombi shqiptar nuk shuhet, megjithëse rrethohet nga mentalitetet subjektive të nocionit “komb”.
Për realizimin e këtij promovimi, theksoj sinqeritetin dhe dashamirësinë e titullarëve të institucioneve joqeveritare, prezent në këtë sallë, që bënë të mundur bashkëbisedimin mes nesh, lidhur me nxjerrjen nga harresa dhe pluhuri kohor, si dhe mposhtjen e dashakeqësive dhe pengesave për varrosjen e të vërtetave të dhimbshme historike, përgjithësisht të kombit shqiptar, dhe të komunitetit çam në veçanti.
Për nderin e veçantë që i kushtohet “Çështjes Çame”, me ndjenja të pastra vllazërore falenderoj miqtë dhe dashamirësit e Aleancës Kombëtare Ushtarake, kolegët e Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, miqtë e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, përfaqësuesit e Gazetës Nacional, z. Mujë Buçpapaj, sponsorizuesin kryesor “Qendrën Studimore të Kontabilitet”. Falenderoj mikun tim poetin dhe shkrimtarin Namik Selmani, i cili më ka qëndruar pranë në shkrimet e disa prej librave, duke filluar nga libri i parë “Vatani Flet”; mikun dhe shokun tim prof. Agim Binaj, gjeneralin Bajram Mane, ish zv/ministrin e mbrojtjes z. Kujtim Çako, profesorin Sherif Bundo, kryetar i shoqatës së kontabilistëve dhe financiarëve si dhe të gjithë miqtë që ndodhen në këtë auditor. Shpreh mirënjohje dhe nderime të veçanta për miqtë e mi, profesor Resmi Osmanin, profesor Selman Shemen, Arben Iljazin, për kurajon dhe ndihmën e dhënë në sipërmarrjen e shkrimit për të vërtetat e historisë së komuniteti çam myslima.
Falenderoj familjen time, e cila më krijoi mundësira dhe kushte të favorshme, tepër të përshtatshme për realizimin e ëndrrës që kishte çdo qytetar çam, i larguar me dhunë nga vendlindja autoktone, për tu bërë e njohur dhe e shkruar historia e Çamërisë dhe e banorëve të saj. Falenderime nipërve, mbesave dhe gjithë miqve të mi të afërt që më shoqëruan në këtë promovim historik për rajonin dhe për paraardhësit tanë.
Në trajtimin e historisë së Çamërisë kisha privilegjin e të qenurit bir i asaj krahine dhe dëshmitar okular i gjenocidit grek ndaj banorëve të pafajshëm. Kjo më dha mundësitë që ngjarjet të përshtaten me vendin, njerëzit dhe të arrihej vërtetësia e tyre.
Respekte dhe nderime për të gjithë auditorin.
Tiranë (Muzeu Historik Kombëtar), më 13 gusht 2016.
Shënim-1): Përshëndetje mbajtur me rastin e promovimit të disa librave.