ELIFE PODVORICA JASHARI NJË ‘ËNDËRR” NË DITËN E PAVARËSISË!

Prishtinë, 17 shkurt 2018: Hyra në busin e qytetit për të shkuar te spitali! Meqë sot është Festë e madhe, desha ta nderoja Vesën me një drekë që e kisha gatuar enkas për te! Për t’ia uruar kështu lindjen e Annjes – një shqiptares se vockël që lindi pak ditë më parë! Luhatjet e ngadalshme të busit, ia nisën të më ktheheshin në një ëndje gjumi dhe filloi të mi përplaste qepallat e lodhura! Sot, isha zgjuar herët dhe ndjehesha e lodhur. Jo vetëm sot, por pothuaj çdo mëngjes në orën 5.45 h zgjohem saktësisht me këndimin e hoxhës, zëri i të cilit kumbon sikur të ishte brënda shtëpisë sime! Ata që e lexojnë Manifestin – Shqipëria çka qenë dhe çdo të bëhet- të Sami Frashërit, rilindasit tonë të shquar, si dhe të gjithë shkruesit e historisë sonë të saktë e të pashtrembëruar, e kuptojnë ndjesinë e athët kur e dëgjoj atë ulërimë autoparlantësh!
E mbështjellur me emocionet e ngjarjes ditore, për një çast në të dy anët e rrugës, filluan të më dilnin drunjë të gjatë me kurora të gjelbruara e të larta, që ishin të renditura në simetri të njëjtë përgjatë skajeve të rrugës së gjërë!
– O zot sa bukur paska marrë pamjen qyteti! Po si nuk i paskam vrejtur më herët këtë gjelbrim e këta drunjë grandioz! Dhe ankoheshim disa ditë më parë për ndotjen alarmante të qytetit! Nuk është e mundur! Gjithë këto lule, degët e të cilave vareshin e zgjateshin të gërshetuara nga druri në dru, gjithë kjo fotozintezë gjethesh! Përse gjithë ai alarm!!!
Për çudi, njerëzit të veshur e të stolisur ishin drejtuar kah sheshi me biçikletat e tyre, qe mbanin krahun e rrugës të shtruar enkas për to! Duke u afruar busi më afër sheshit, dëgjova brohoritje zërash në gjithë hapësirën e tij! ”Gjyle, Gjyle”!
– Uauuuu! Me habinë më të madhe, iu drejtova një zonje që kisha afër! A nuk ishte Rita Ora e ftuar për sot?
– Jo moj zonjë! Në këtë ditë, vendin e kanë ‘Shotë Galicat’ me at gërshetin e gjatë supeve shtrirë dhe me çiftelinë në duar që nën jehonën e ëmbël të zërit të tyre, ndalej edhe cicërima e zogjëve, pushonte dhe kënga e bylbylit! Ndërsa Rita, kësaj here ka vendosur të dërgoj një fond për gjithë kopshtet e fëmijëve në qytet! Ka dërguar 300 mij euro me rastin e Ditëlindjes së dhjetë të shtetit të Kosovës – vendlinjes së saj!

– Uh! U rrënqetha nga ky akt i saj! Sa simbolik, aq edhe madhështor! U kënaqa me mendimin se ia paska kaluar edhe Anxhelinë Xhulit kësaj here! Paska gëzuar fytyrat e gjithë atyre prindërve të rinjë që mundohen sa më dinjitetshëm t’i rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre! Pastaj, do të bëhet edhe shembull për çdo lavdatë dhe akti i saj do të jetësohet në rritën dhe edukimin e sa e sa fëmijëve të qytetit tonë!
Bravo Rita-nisa të lëshoja zërin me ca tinguj të lartë sopranoje, të cilët të koordinuar mirë me impostimin e zërit tim të shkolluar për dekada të tëra, morën fuqinë dhe pushtuan gjithë hapësirën e sheshit! Shpejtë e përmblodha ngazëllimin tim, sepse njerëzit filluan të më shihnin me ca shikime sëmbuese, sikur të më thonin – ‘pusho moj zonjë, se nuk është ky vend për ty’! U ndala dhe ndjeva të më skuqej fytyra për rrëmbimin tim emocional që nuk isha në gjendja ta kontrolloja!
…Dhe busi mori kahjen në cepin e rrugës që të çonte nga rrethi i madhë në kryeqytet-andej nga e kishte destinacionin! Sytë mu shqyen nga habia kur pashë Flamurin kuq e zi që po valonte madhështorë në hapësirën e tij dhjetë metërshe!
– Eu thashë! Dhe ne nuk i besuam Kryeministrit tonë, kur deklaroi se në vizitën e tij në Amerikë – nuk i kishin dhënë detyra! Sa shpejtë populli bie pre e demagogjive të rrejshme! Po natyrisht që nuk e kanë hek flamurinë tonë kombëtarë! Tashmë ata,-politikanët tanë-me moshën që kanë mbrri, kanë arritur t’i shfletojnë pothuaj të gjitha faqet e historisë sonë. Kanë kaluar nëpër të gjithë labirinthet e saj gjer në vitet pellazge, andaj më të vendosur se kurrë, më krenar e më të lumtur se kurrë, e kanë kuptuar se vëndi i Flamurit tonë kombëtarë, është pikërishtë këtu, në hyrjen e kryeqytetit tonë, i cili me ato dy ngjyrat e ndezura të tij, u uron mirëseardhjen gjithë atyre liderëve botëror, të ftuar për Ditën e Pavarsisë së Kosovës! Mësohet nga historia, se ata kanë luftuar me nga 200 vjet me njëri-tjetrin për të çliruar vendet e tyre nga okupimet e shumta dhe për të sjellë në vend krenarinë e tyre kombëtare! Andaj edhe na kanë ndihmuar neve shqiptarëve, sepse e kanë ditur se ne jemi populli paqedashës që kurrë në historinë e tij nuk e ka shkrepë një plumb mbi komshinjtë e tij, ose nuk ka invaduar ndonjë copë të huaj! Në repsekt të kësaj, ata na nderojnë dhe na çmojnë realisht edhe për vjetërsinë tonë në këto troje, në këtë cep të Europës! Pastaj, kanë edhe respektin ndaj Heroit tonë kombëtar – Skëndërbeut, sepse once upon a time, ai u kishte dal mburojë mbrojtjeje dhe qëndrese të gjitha vendeve fqinje europiane, duke filluar nga Italia – fqinje e parë, për të vazhduar në krejt vendet tjera, që lirinë e demokracinë e vendeve të tyre e kanë ndërtuar, duke i respektuar me fanatizmin më të madhë simbolet e tyre kombtare fillimisht, pastaj çdo pëllëmbë të tokave të tyre!
Ja për këtë edhe e paskan arritur mërrëveshjen e këtyre ditëve që demarkacioni me Malin e Zi të rishqyrtohet dhe drejtësia të bie në anën e Kosovës! Të gjithë historianët e mirëfilltë europian, kishin arritur t’i gjenin dokumentet e fshehura nëpër arkivat e tyre dhe ishin ngritur në këmbë! Po insistonin që popullit shqiptar nuk duhej t’u hynin më në hak, por t’ua kthenin borgjin! Çamërinë ta kthenin prap në kuadër të kufinjëve etnik të saj, në Greqi të bëhej gjuhë zyrtare gjuha shqipe, sepse shtetin grek e kishin formuar shqiptarët më 1821 në Revolucionin e tyre të madhë. Turqia të njihte shqiptarët si subjekt shumë të rëndësishëm shtet ndërtues, sepse qysh nga koha e Perandorisë e gjer tek Ataturku kishin qenë në rolet kyqe në ndërtimin e shtetit të tyre! Maqedonia, kishte kthyer emrin e saj të vërtetë Ilyri! Bujqit e Kosovës kishin filluar të lëronin arat e tyre gjer te “Molla e Kuqe”!
– O zot, o zot! Më vinte të çmendesha nga gjithë këto lajme të bukura që dëgjoja në zërin e radios në autobus!
– Gjithë këto ngjarje paskan ndodhur me rastin e dhjetë vjetorit të Pavarsisë së Kosovës?!
– Ia nisa të qeshem e të dalldisesha sikur valët e Drinit kur merr rrëmbyeshëm shpatit teposhtë në muajin maj! O zot, o zot! Faleminderit nga Ti. Tash do të kthehet e gjithë rinia jonë që ka dal dhe bredhë vendeve të Europës për një kafshatë bukë, e leckosur, e trembur dhe e injoruar nga të gjithë!
– Hahahahhh – fillova të lëshoja prap zërin tim!
– Zonjë, zonjë – dëgjova një zë që më thërriste pak në siklet! I hapa sytë e çakërrdisur pa ditur se ç’po ndodhte!
– Është stacioni për te spitali – ma kthjelli trurin kondukteri, i cili më pa me keqardhje për ëndrrën që më prishi!
– Oh my God – thashë me vete teksa po zbrisja nga shkallët e busit dhe po prekja rrugën e errësuar nga velloja e muzgut që po binte e zhurmshme nga kolona e makinave të shumta!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura